Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur përkitazi me kërkesën në rastin KO 134/21, lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë të Vendimit [nr.08-V-036], të 8 korrikut 2021, të Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e tetë (8) anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të lartcekur të Kuvendit është parashtruar në Gjykatë nga dhjetë (10) deputetë të Kuvendit, bazuar në autorizimet e përcaktuara nëpërmjet paragrafit 5 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Aktgjykimi sqaron që, ashtu siç janë njoftuar të gjitha palët e interesuara pas parashtrimit të kësaj kërkese dhe deri në dhjetor të vitit 2022, kur ishte dekretuar gjyqtari i radhës në Gjykatën Kushtetuese, Gjykata nuk kishte pasur kuorum vendimmarrjeje përkitazi me kërkesën KO 134/21.
Në rastin KO 134/21, Gjykata ka vendosur njëzëri që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; dhe (ii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme lidhur me efektet e Vendimit të kontestuar. Ndërsa, me pesë (5) vota për dhe dy (2) vota kundër, Gjykata ka vendosur të konstatojë që (i) Vendimi [nr.08-V-036] i 8 korrikut 2021 i Kuvendit të Republikës së Kosovës për shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] dhe paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës; dhe (ii) konstatimi i lartcekur, përkatësisht Aktgjykimi i Gjykatës, nuk ka efekt prapaveprues dhe nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta.
Aktgjykimi i Gjykatës fillimisht sqaron që rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të transmetuesit publik, përkatësisht Bordit të RTK-së, nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, më 8 korrik 2021. Siç sqarohet detajisht në Aktgjykimin që do të publikohet, shkarkimit kolektiv i Bordit të RTK-së, anëtarët e të cilit ishin zgjedhur në vitin 2018 dhe 2020, respektivisht, i kishte paraprirë shqyrtimi i Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020 në Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal dhe në Komisionin për Buxhet, Punë dhe Transfere, të cilët pas shqyrtimit të të njëjtit, i kishin rekomanduar Kuvendit që (i) të refuzojë miratimin e Raportit të Vjetor për vitin 2020 të RTK-së; dhe (ii) mbi bazën e “paaftësisë profesionale” të shkarkojë të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së. Kuvendi i Republikës së Kosovës, në të njëjtën seancë, përkatësisht atë të 8 korrikut 2021, kishte refuzuar miratimin e Raportit Vjetor të RTK-së dhe kishte shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së.
Parashtruesit e kërkesës para Gjykatës kontestojnë kushtetutshmërinë e Vendimit të kontestuar të Kuvendit, duke argumentuar, ndër tjerash, që i njëjti është nxjerrë në kundërshtim me (i) kompetencën e Kuvendit për mbikëqyrjen e RTK-së sipas paragrafit 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe dispozitave respektive të Ligjit nr. 04/L-046 për Radiotelevizionin e Kosovës, përfshirë nenet 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, respektivisht; dhe (ii) të drejtat dhe liritë themelore të specifikuara të anëtarëve të Bordit të RTK-së. Pretendimet e parashtruesve të kërkesës mbështeten nga komentet e dorëzuara në Gjykatë nga RTK dhe kundërshtohen nga grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje.
Aktgjykimi vë theks në faktin që, rrethanat dhe pretendimet e lartcekura të këtij rasti para Gjykatës, ndër tjerash, kanë ngritur çështje që ndërlidhen me (i) kompetencën kushtetuese të Kuvendit të Republikës së Kosovës për të mbikëqyrur punën e institucioneve publike, përfshirë RTK-në, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit dhe kufizimet përkatëse bazuar në Ligjin për RTK-në të miratuar nga Kuvendi; (ii) pavarësinë edhe autonominë e transmetuesit publik, jo vetëm bazuar në Ligjin për RTK-në, por edhe në instrumentet relevante ndërkombëtare, përfshirë ato drejtpërdrejtë të aplikueshme në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës në njërën anë dhe detyrimin e transmetuesit publik për transparencë dhe llogaridhënie ndaj autoritetit mbikëqyrës dhe publikut në anën tjetër; dhe (iii) detyrimet pozitive të shtetit, në këtë rast Kuvendit, që kompetencën e mbikëqyrjes ta ushtrojë bazuar në parimet që burojnë nga Kushtetuta, Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe instrumentet tjera ndërkombëtare, përfshirë Rekomandimet e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, për të garantuar pavarësinë e transmetuesve publikë dhe lirinë e pluralizmin e medieve, marrë parasysh rolin dhe kontributin e tyre thelbësor në një shoqëri të bazuar në vlerat e sundimit të ligjit dhe ato demokratike.
Në kontekst të çështjeve të mësipërme, Aktgjykimi fillimisht ka shtjelluar (i) parimet e përgjithshme që burojnë nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kontekst të nenit 10 (Liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (ii) përgjigjet e pranuara nga gjykatat kushtetuese dhe/ose ekuivalentet përkatëse anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, përkitazi me statusin/pavarësinë por edhe mënyrën e shkarkimit të anëtarëve të bordeve/strukturave mbikëqyrëse të transmetuesve publikë. Aktgjykimi më tej gjithashtu ka shtjelluar parimet që burojnë, ndër tjerash, përmes (i) Rekomandimit nr. R (96) 10 të Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Këshillit të Evropës mbi garantimin e pavarësisë së transmetuesve publikë, përfshirë Shtojcën dhe Memorandumin shpjegues të tij; (ii) Deklaratës së Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës mbi garantimin e pavarësisë së transmetuesve publikë në shtetet anëtare; (iii) Rekomandimit CM/Rec (2012) 1 të Komitetit të Ministrave të Shteteve Anëtare të Këshillit Evropës mbi qeverisjen e shërbimeve të mediave publike; (iv) Rezolutës së Asamblesë Parlamentare 1636 (2008): Indikatorët për Median në një Demokraci; (v) Opinioneve relevante të Komisionit të Venecias, përfshirë Opinionin CDL-AD(2005)017 mbi përputhshmërinë e ligjeve “Gasparri” dhe “Frattini” të Italisë me standardet e Komisionit të Venecias në fushën e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias dhe Opinionin CDL-AD(2015)015 mbi legjislacionin për media të Hungarisë; (vi) Raportit të Unionit Evropian të Transmetuesve “Shërbimi i medias publike sipas nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”; dhe (vii) Raportit të Unionit Evropian të Transmetuesve “Fokusi juridik: Parimet e qeverisjes së shërbimit publik të medias”.
Në kontekstin e parimeve që burojnë nga analiza e parimeve kushtetuese, përfshirë dokumenteve të lartcekura, Aktgjykimi fillimisht sqaron që Kuvendi e ushtron funksionin përkatës bazuar në kompetencat e përcaktuara, ndër tjerash, në nenin 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës, përfshirë kompetencën për të (i) miratuar ligje, rezoluta dhe akte të tjera të përgjithshme; dhe (ii) për të mbikëqyrur punën e Qeverisë dhe të institucioneve të tjera publike, të cilat, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve, i raportojnë Kuvendit. Që të dy këto kompetenca përbëjnë thelbin e funksionit kushtetues të Kuvendit. Thënë këtë, bazuar, ndër tjerash, në nenet 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 74 [Ushtrimi i Funksionit] të Kushtetutës, në kontekst të kompetencës kushtetuese të mbikëqyrjes, Kuvendi është i kushtëzuar në ushtrimin e këtij funksioni në pajtueshmëri me (i) dispozitat kushtetuese, përfshirë ato të përcaktuara me nenet: 3 [Barazi para Ligji], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, respektivisht; dhe (ii) kufijtë dhe autorizimet e përcaktuara në ligjet e miratuara nga vet Kuvendi përkitazi me institucionet publike që i raportojnë/mbikëqyren nga Kuvendi. Në kontekst të ushtrimit të funksionit mbikëqyrës lidhur me transmetuesin publik dhe marrë parasysh rëndësinë thelbësore të lirisë dhe pluralizmit të medieve në një rend kushtetues të themeluar mbi vlera demokratike, përtej kufizimeve që përcakton vet Ligji për RTK-në i miratuar nga Kuvendi, rëndësi të veçantë ngërthejnë vlerat kushtetuese të përcaktuara me nenin 7 [Vlerat], nenin 40 [Liria e Shprehjes] dhe nenin 42 [Liria e Medieve] të Kushtetutës.
Të njëjtat, në parim dhe për aq sa është relevante në rrethanat e rastit konkret, përcaktojnë garanci për (i) lirinë dhe pluralizmin e medieve; dhe (ii) lirinë e shprehjes, përfshirë të drejtën për të shprehur, për të shpërndarë dhe për të marrë informacione, mendime dhe mesazhe të tjera, pa u penguar nga askush. Këto dispozita janë gjithashtu të ndërlidhura me nenin 10 (Liria e shprehjes) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe i cili, bazuar në interpretimin e përcaktuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të shtjelluar në Aktgjykim, shtrin garancitë dhe mbrojtjen përkatëse edhe lidhur me pavarësinë e transmetuesve publikë, me theks në detyrimin pozitiv të shtetit për mbrojtjen e tyre nga veprimet arbitrare dhe/ose joproporcionale të vet shtetit, në përputhje me qëllimin legjitim përkatës, gjithnjë me theks në rolin dhe kontributin thelbësor të transmetuesve publikë dhe medies në shoqëritë demokratike.
Bazuar në të lartcekurat, Aktgjykimi thekson që garancitë për pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përkatësisht RTK-së, burojnë nga garancitë kushtetuese dhe të instrumenteve të aplikueshme ndërkombëtare përkitazi me lirinë e shprehjes dhe lirinë e medieve sipas interpretimit të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, por edhe vet Ligjit për RTK-në, bazuar në të cilin, ndër tjerash, (i) RTK ka “status të institucionit të pavarur publik me rëndësi të posaçme”; dhe (ii) Kuvendi ka detyrimin për të “mbrojtur autonominë institucionale” të saj. Për më tepër, i njëjti ligj, ndër tjerash dhe për aq sa është relevante për rrethanat e rastit konkret, përcakton (i) kufizimet e mbikëqyrjes së Kuvendit mbi RTK-në dhe rrethanat në të cilat mund të ushtrohet kjo mbikëqyrje; dhe (ii) mënyrën e emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së, dispozita këto që interpretohen në dritën e garancive dhe burojnë nga Kushtetuta, dhe/ose parimet e instrumenteve ndërkombëtare në fushën e lirisë e pluralizmit të medies, përfshirë transmetuesit publikë.
Aktgjykimi sqaron që bazuar në dispozitat e Ligjit për RTK-në (i) mënyra e zgjedhjes dhe emërimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së është e përcaktuar ashtu që të sigurojë që jo të gjithë anëtarët e Bordit të fitojnë dhe/ose ushtrojnë mandatet përkatëse në të njëjtën kohë, kjo në përputhje me standardet që burojnë nga instrumentet ndërkombëtare dhe me qëllimin që Bordi i RTK-së të ketë përbërje pluraliste dhe të mos jetë detyrimisht i zgjedhur nga e njëjta shumicë parlamentare në Kuvend; ndërsa (ii) shkarkimi i anëtarëve të Bordit të RTK-së nga Kuvendi është i mundur, sipas procedurës dhe bazave të saktësuara në këtë ligj, përfshirë për “paaftësinë profesionale”, bazë kjo mbi të cilën, në rastin konkret, janë shkarkuar të gjithë anëtarët e Bordit të RTK-së. Thënë këtë, Aktgjykimi gjithashtu sqaron që një ndër garancitë esenciale lidhur me pavarësinë e strukturave mbikëqyrëse/bordeve të transmetuesve publikë, bazuar në instrumentet ndërkombëtare relevante, përfshirë përgjigjet e gjykatave kushtetuese dhe/ose ekuivalentet e tyre anëtare të Forumit të Komisionit të Venecias, është shkarkimi i anëtarëve të tyre mbi bazë dhe procedurë të përcaktuar dhe të saktë ligjore. Në rrethanat e rastit të shkarkimit të anëtarëve të Bordit të RTK-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, kontestuese është nëse ekzistonte baza ligjore për (i) shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së, bazuar në (ii) konstatimin e “paaftësisë profesionale” të Bordit në tërësinë e tij, si rezultat i shqyrtimit dhe refuzimit të miratimit të Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020.
Në këtë kontekst, Aktgjykimi sqaron që (i) bazuar në Ligjin për RTK-në, anëtarët e Bordit të RTK-së emërohen dhe veprojnë në kapacitetin e tyre personal, ashtu siç përcaktohet edhe përmes Rekomandimit nr. R (96)10 të Komitetit të Ministrave, përkitazi me të drejtat dhe detyrimet e anëtarëve të bordeve/strukturave mbikëqyrëse të transmetuesve publikë; (ii) Ligji për RTK-në, nuk përcakton bazë ligjore për shkarkim të Bordit të RTK-së në tërësinë e tij, ndërsa kontributet e dorëzuara nga Forumi i Komisionit të Venecias saktësojnë që shkarkimet kolektive të bordeve/strukturave mbikëqyrëse të transmetuesit publik janë të mundshme nga autoritetet mbikëqyrëse vetëm atëherë kur një mundësi e tillë është e përcaktuar specifikisht me ligjin e aplikueshëm; dhe (iii) Ligji për RTK-në përcakton që RTK i dorëzon “raportin vjetor, raportin mbi debatin publik dhe të mendimit të Bordit të RTK-së në raportin e debatit publik”, Kuvendit të Republikës së Kosovës, “për qëllime orientuese”, dhe për dallim prej rasteve tjera në të cilat ligjvënësi specifikisht përcakton kompetencën miratuese të Kuvendit lidhur me akte të caktuara të Bordit të RTK-së, ky nuk është rasti me Raportin Vjetor. Aktgjykimi në këtë kontekst vë theks në rekomandimet e Unionit Evropian të Transmetuesve, sipas të cilave, autoritetet mbikëqyrëse nuk duhet të kenë kompetencë të miratimit të raporteve vjetore dhe për më tepër, përcaktimi i mundshëm i ligjvënësit që shkarkimi i anëtarëve të bordeve/strukturave mbikëqyrëse të transmetuesve publikë të jetë i mundur edhe bazuar në raportimin vjetor, ndër tjerash, “hap mundësinë për ndërhyrje të papërshtatshme politike, cenon rolin e trupave mbikëqyrës, mund të rezultojë në vetcenzurim përkitazi me përmbajtjen redaksionale”.
Bazuar në të lartcekurat dhe shtjellimet tjera në Aktgjykim, Gjykata konstaton që në shkarkimin e të gjithë anëtarëve të Bordit të RTK-së, përkatësisht shkarkimin kolektiv të bordit të transmetuesit publik për “paaftësi profesionale”, të konstatuar përmes shqyrtimit të Raportit Vjetor të RTK-së për vitin 2020, Kuvendi ka vepruar pa bazë ligjore në kontekst të shkarkimit të Bordit në tërësinë e tij, si pasojë e refuzimit të raportit përkatës vjetor dhe rrjedhimisht, në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për RTK-në. Për pasojë, në nxjerrjen e Vendimit të kontestuar, Kuvendi ka tejkaluar kufijtë e kompetencës mbikëqyrëse të përcaktuar në paragrafin 9 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] të Kushtetutës dhe për më tepër, ka cenuar pavarësinë e transmetuesit publikë, roli i të cilit është thelbësor për lirinë edhe pluralizmin e medieve në një shoqëri demokratike, në kundërshtim me vlerat e përcaktuara në paragrafin 1 të nenit 7 [Vlerat] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi gjithashtu sqaron që, në vlerësimin e çështjeve të ngjashme kushtetuese në kontekst të ushtrimit të funksionit të mbikëqyrjes të Kuvendit lidhur me institucionet që i raportojnë të njëjtit në bazë të ligjit, kur ligji i aplikueshëm ka mundësuar shkarkimin e bordeve përkatëse në tërësinë e tyre dhe rrjedhimisht, Kuvendi ka vepruar në përputhje me autorizimet ligjore, siç është rasti i Gjykatës KO139/21 lidhur me shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Gjykata nuk ka konstatuar shkelje kushtetuese. Thënë këtë, legjitimimi kushtetues i një vendimi të Kuvendit për shkarkimin e anëtarëve të bordit të transmetuesit publik në tejkalim të autorizimeve ligjore, do të përbënte një precedent të rrezikshëm për ndërhyrjen e shtetit në pavarësinë dhe autonominë e transmetuesit publik, përfshirë lirinë dhe pluralizmin e medieve në Republikën e Kosovës.
Aktgjykimi gjithashtu thekson që parimi i pavarësisë dhe autonomisë së transmetuesve publikë dhe rrjedhimisht, detyrimi i autoritetit mbikëqyrës për të respektuar të njëjtin, është në baraspeshë me parimin e transparencës dhe llogaridhënies të transmetuesit publik dhe rrjedhimisht, detyrimin përkatës ndaj autoritetit mbikëqyrës, përkatësisht Kuvendit dhe publikut. Anëtarët e bordit të transmetuesit publik, përkatësisht anëtarët e Bordit të RTK-së, i nënshtrohen detyrimeve të Ligjit për RTK-në dhe të gjitha ligjeve të aplikueshme të Republikës së Kosovës, duke përfshirë edhe parimeve të llogaridhënies dhe transparencës së plotë ndaj autoritetit mbikëqyrës, në mënyrën e përcaktuar me ligj dhe instrumente të aplikueshme ndërkombëtare. Konstatimi i Gjykatës përkitazi me Vendimin e kontestuar vë theks në këto parime, duke përfshirë rëndësinë e transmetuesit publik, por edhe detyrimet pozitive të shtetit, përkatësisht Republikës së Kosovës, për të mbrojtur dhe garantuar lirinë dhe pluralizmin e medieve dhe të gjitha garancitë që burojnë nga të drejtat kushtetuese të përcaktuara në kontekst të lirisë së shprehjes dhe të medieve, përfshirë siç është interpretuar nga praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe përcaktuar nga instrumentet e aplikueshme ndërkombëtare në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.
Aktgjykimi, në fund, sqaron që ky konstatim i Gjykatës nuk ka efekt prapaveprues dhe bazuar në parimin e sigurisë juridike, nuk afekton të drejtat e fituara të palëve të treta, përkatësisht anëtarëve të rinj të Bordit të RTK-së, zgjedhja nga Kuvendi e të cilëve nuk është kontestuar para Gjykatës. Për më tepër, Aktgjykimi, duke u referuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës, sqaron që Gjykata nuk ka kompetencë për akordimin e kompensimit përkatës kur konstaton shkelje kushtetuese, por që një sqarim i tillë, nuk paragjykon të drejtat e anëtarëve të shkarkuar të Bordit të RTK-së përmes Vendimit të kontestuar të Kuvendit, për të ndjekur procedurat përkatëse para gjykatave të rregullta. Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim mospajtues.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org