Njoftim për vendim në rastin KI42/24

25.06.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur lidhur me kërkesën në rastin KI42/24, me parashtrues të kërkesës Vasilije Arsić, për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Rregullores së Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës për Operacionet me Para të Gatshme, të 1 shkurtit 2024, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, njëzëri, konstatoi që: (i) kërkesa të shpallet e papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike të përcaktuara me ligj; dhe rrjedhimisht (ii) të refuzohet kërkesa për caktim të masës së përkohshme, përkatësisht pezullimin e zbatimit të Rregullores së lartcekur të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Sipas sqarimeve të dhëna në Aktvendimin për papranueshmëri, rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me miratimin e Rregullores për Operacionet me Para të Gatshme nga Bordi i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, sipas nenit 35 (Valuta euro) të së cilës, është përcaktuar që (i) valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme në kuptim të nenit 11 [Valuta] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe neneve 16 (Emetimi i valutës), 17 (Këmbimi i kartëmonedhave dhe monedhave të euros) dhe 18 (Kartëmonedhat dhe monedhat e euros të dëmtuara) të Ligjit nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës; dhe (ii) Banka Qendrore e Republikës së Kosovës është autoriteti i vetëm monetar që mund të vendosë për denominimet e lejuara të valutës euro për qarkullim në Republikën e Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës kontestoi kushtetutshmërinë e Rregullores së lartcekur të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, duke pretenduar se e njëjta është nxjerrë në shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 7 [Vlerat], 11 [Valuta], 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 25 [E Drejta për Jetën], 46 [Mbrojtja e Pronës], 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale], 57 [Parimet e Përgjithshme], 58 [Përgjegjësitë e Shtetit] dhe 59 [Të Drejtat e Komuniteteve dhe Pjesëtarëve të Tyre] të Kushtetutës, në thelb, duke theksuar që neni 35 (Valuta euro) i Rregullores së Bankës Qendrore, është në mënyrë të tërthortë diskriminues ndaj komunitetit serb në Republikën e Kosovës, ndër tjerash, “pasi që në radhë të parë prek komunitetin serb në Kosovë […] edhe pse vetë rregullorja nuk përmban shprehimisht dispozita diskriminuese, fakti që zbatimi i saj është diskriminues tregon diskriminim indirekt.”

Aktvendimi i Gjykatës për papranueshmëri vë theks në praktikën e konsoliduar gjyqësore të Gjykatës, në kontekst të detyrimit kushtetues për shterimin e mjeteve juridike, përfshirë përkitazi me kontestimin e akteve nënligjore. I njëjti rithekson se bazuar në Kushtetutën e Republikës së Kosovës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj. Aktvendimi për papranueshmëri rithekson që, shterimi i mjeteve juridike është detyrim kushtetues dhe ligjor, dhe përtej detyrimit të individit për të shteruar mjetet juridike në dispozicion, gjithashtu saktëson kufizimet në juridiksionin e Gjykatës Kushtetuese në raport me gjykatat e rregullta, dhe të cilat, bazuar në parimin e subsidiaritetit, kanë kompetencën parësore për të shqyrtuar pretendimet e individëve për cenimin e të drejtave dhe lirive të tyre themelore. Përjashtimet nga ky detyrim kushtetues janë sqaruar nga Gjykata përmes praktikës së saj gjyqësore ndër vite, duke u bazuar edhe në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Opinioneve relevante të Komisionit të Venecias. Sipas sqarimeve të dhëna në praktikën gjyqësore të Gjykatës dhe në Aktvendimin për papranueshmëri, përjashtimet nga ky detyrim bazohen në barrën e të provuarit të vet individit, përkatësisht parashtruesit të kërkesës, dhe i cili, ndër tjerash dhe fillimisht, duhet të argumentojë që (i) nuk ekziston mjeti juridik; ose që (ii) ka ndërmarrë të gjitha masat për të shteruar mjetet juridike të përcaktuara me ligj, por që mjeti përkatës juridik nuk është efektiv, në dispozicion dhe/ose i qasshëm. Në rrethanat e rastit konkret, parashtruesi i kërkesës thekson se nuk ka mjet juridik në dispozicion për të kontestuar ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e Rregullores së lartcekur të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.

Thënë këtë, Gjykata Kushtetuese përmes praktikës së saj gjyqësore, ka theksuar ndër vite që ligji i aplikueshëm për konflikte administrative ofron mjet juridik efektiv në rendin juridik të Republikës së Kosovës. Për më tepër, rishtazi, ajo gjithashtu përmes praktikës së saj gjyqësore, përfshirë në rastin KI10/22, me parashtrues Sindikata e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ka theksuar që edhe aktet nënligjore, siç është edhe Rregullorja e kontestuar e Bankës Qendrore, i nënshtrohen kontrollit administrativ nga gjykatat e rregullta dhe që këto të fundit, kanë juridiksion të plotë që të vlerësojnë ligjshmërinë e akteve të tilla. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktvendimin për papranueshmëri, parashtruesi i kërkesës nuk ka paraqitur asnjë argument para Gjykatës, se përse mjetet juridike të lartcekura nuk janë efektive, në dispozicion dhe/ose të qasshme në rrethanat e rastit të tij, dhe për pasojë, Gjykata konstatoi që kërkesa duhet të shpallet e papranueshme për shkak të mosshterimit të mjeteve juridike, ashtu siç përcaktohet me paragrafin 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese dhe pikën (b) të paragrafit 1 të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës së Gjykatës.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org