Njoftim për vendim në rastet e bashkuara KO114/23, KO192/23, KO227/23 dhe KO229/23

25.06.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka vendosur në rastet e bashkuara KO114/23, KO192/23, KO227/23 dhe KO229/23, të dorëzuara nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës bazuar në paragrafin 8 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës lidhur me vlerësimin e kushtetutshmërisë së paragrafit 2 të nenit 4 (Ne Bis In Idem), paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) dhe paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës Nr.08/L-032 (Kodi i Procedurës Penale).

Gjykata, njëzëri, vendosi që të deklarojë kërkesën e pranueshme dhe konstatoi (i) njëzëri, që formulimi “ose ndërprerjen” i paragrafit 4 të nenit 432 (Arsyet për paraqitje së kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale, nuk është në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (ii) njëzëri, që paragrafi 2 i nenit 4 (Ne Bis In Idem) të Kodit të Procedurës Penale, nuk është në kundërshtim me nenin 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) me pesë (5) vota për dhe katër (4) kundër, që formulimi “përveç nëse vendimi i formës së prerë është qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë” i paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale, nuk është në kundërshtim me nenin 34 [E Drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 2 të nenit 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Aktgjykimi fillimisht sqaron që Gjykata Supreme si Gjykatë referuese, bazuar në katër (4) rastet në shqyrtim para saj dhe që ndërlidhen me paraqitjen e kërkesave për mbrojte të ligjshmërisë ndaj vendimeve respektive të Gjykatës së Apelit, përkatësisht (i) për ndërprerjen e paraburgimit; (ii) për kundërshtimin e provave dhe hedhje të aktakuzës; dhe (iii) për përfundimin e procedurës penale, ka kërkuar vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të lartcekura të Kodit të Procedurës Penale, me dyshimin që të njëjtat nuk janë në përputhje me Kushtetutën, në thelb, sepse bazuar në këto dispozita, ushtrimi i mjetit të jashtëzakonshëm juridik nga Prokurori i Shtetit, do të mund të rezultonte në vendimmarrjen e Gjykatës Supreme në dëm të të pandehurit, në kundërshtim me parimin ne bis in idem. Gjykata Supreme, ndër tjerash, sqaron që, (i) kodet e mëhershme të procedurës penale, në kontekst të paraburgimit, kanë lejuar përdorimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë vetëm sa i përket caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit, por jo edhe sa i përket ndërprerjes së paraburgimit, për më tepër që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, e paraqitur në dëm të të pandehurve, nëse është aprovuar si e bazuar, kishte efekt vetëm deklarativ; ndërsa për dallim, (ii) dispozitat e kontestuara të Kodit aktual të Procedurës Penale, i mundësojnë Gjykatës Supreme, që të vendosë edhe në dëm të të pandehurit, nëse vendimi i formës së prerë, është “qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”. Pretendimet e Gjykatës referuese, në esencë, mbështeten edhe nga Avokati i Popullit.

Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave përkatëse të Kodit të Procedurës Penale, Aktgjykimi shtjellon (i) parimet themelore kushtetuese që burojnë nga nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] dhe 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës; (ii) parimet themelore që burojnë nga neni 5 (E drejta për liri dhe siguri) i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe neni 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) i Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, siç janë interpretuar përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; dhe (iii) praktikën gjyqësore të Gjykatave tjera Kushtetuese, sipas përgjigjeve të dorëzuara përmes Forumit të Komisionit të Venecias. Në aplikimin e këtyre parimeve në vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të kontestuara të Kodit të Procedurës Penale, Aktgjykimi fillimisht (i) sqaron aplikueshmërinë e parimeve që burojnë nga neni 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rrethanat e rasteve të dorëzuara nga Gjykata Supreme; për të vazhduar me (ii) vlerësimin e kushtetutshmërisë së dispozitave të Kodit të Procedurës Penale që i mundësojnë Gjykatës Supreme që përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, përfshirë kundër vendimit të formës së prerë për ndërprerjen e paraburgimit, të vendosë edhe në dëm të të pandehurit, në rast se vendimi përkatës është “qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”. Aktgjykimi reflekton shtjellimet e detajuara lidhur me çështjet e mësipërme, por për qëllime të kësaj përmbledhjeje, në vijim do të paraqitet esenca e konstatimeve të Gjykatës.

(i) aplikueshmëria e garancive të nenit 34 të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 4 të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në kontekst të mjetit juridik të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë

Aktgjykimi fillimisht sqaron që sipas paragrafit 2 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës Penale, kur Gjykata Supreme çmon se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë, e paraqitur në dëm të të pandehurit, është e bazuar, vetëm konstaton shkeljen e ligjit, pa pasur ndikim në vendimin e formës së prerë. Kjo procedurë vlen si për vendimin e Gjykatës së Apelit lidhur me ndërprerjen e paraburgimit, ashtu edhe për vendimet e formës së prerë përmes të cilave ka përfunduar procedura penale ose është refuzuar aktakuza. Thënë këtë, përjashtimisht, bazuar në dispozitat e kontestuara të Kodit të Procedurës Penale, Gjykata Supreme, përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, mund të vendosë edhe në dëm të të pandehurit, nëse vendimi i kontestuar i formës së prerë, është “qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë.” Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, Gjykata referuese pretendon që një mundësi e tillë është në kundërshtim me parimin ne bis in idem, për faktin se (i) ndikon në rihapjen e vendimit të formës së prerë në dëm të të pandehurit; për më tepër që (ii) Kodi i Procedurës Penale, nuk përcakton qartë se kur një vendim i formës së prerë, është “i papërshtatshëm” ose “i bazuar në gabim të rëndë”.

Në kontekstin e lartcekur, Aktgjykimi sqaron parimet e përgjithshme të vendosura përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut sa i përket parimit ne bis in idem të garantuar me nenin 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas të cilave, në parim, askush nuk mund të ndiqet ose të dënohet dy herë për të njëjtën vepër penale për të cilën është dënuar ose liruar “përfundimisht”, përveç nëse rasti rihapet në përputhje me ligjin dhe procedurën penale, atëherë kur ka fakte të reja ose të zbuluara rishtazi ose ka pasur një mangësi fondamentale në procedurat e mëparshme. Sipas praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në mënyrë që garancitë që ndërlidhen me parimin ne bis in idem të jenë të aplikueshme, duhet të plotësohen kriteret kumulative, përkatësisht të vlerësohet nëse: (i) të dy procedurat janë me natyrë “penale”; dhe nëse ky është rasti, (ii) të dy procedurat të jenë të ndërlidhura me të njëjtën vepër për të cilën një person është “liruar apo dënuar” me një “vendim përfundimtar”.

Sipas sqarimeve të dhëna, praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sqaron karakteristikat e mjeteve juridike që mund të ushtrohen kundër një vendimi të formës së prerë, si dhe natyrën e një vendimi “përfundimtar”. Ndërlidhur me karakteristikat e mjetit juridik, praktika e lartcekur gjyqësore, ndër tjerash, përcakton që në vlerësimin nëse një mjet juridik është i “zakonshëm” apo i “jashtëzakonshëm”, si pikënisje merret ligji dhe procedurat e brendshme, por vlerësimi bazohet në karakteristikat e mjetit përkatës juridik dhe jo vetëm në emërtimin formal të tij, përkatësisht nëse i njëjti është në përputhje me parimin e sigurisë juridike, përfshirë në kontekst të (i) diskrecionit të kufizuar, gjithashtu në aspekt kohor, për përdorimin e atij mjeti juridik; dhe (ii) ekuilibrit ndërmjet palëve në mundësinë e shfrytëzimit të tij. Ndërsa, ndërlidhur me natyrën e vendimit “përfundimtar”, praktika e lartcekur gjyqësore, ndër tjerash, përcakton që (i) vendimi “përfundimtar” duhet të përfshijë shpalljen e “pafajësisë apo dënimin e personit”; dhe (ii) një vendim është “përfundimtar” në qoftë se i njëjti ka marrë fuqinë e gjësë së gjykuar apo res judicata, përkatësisht, nëse vendimi është i parevokueshëm, që, ndër tjerash, nënkupton se kundër atij vendimi, nuk ka më mundësi parashtrimi të mjeteve juridike, kur palët i kanë shteruar këto mjete apo i kanë lënë të kalojnë afatet e përcaktuara me ligj pa i ushtruar ato.

Në aplikimin e këtyre parimeve, Aktgjykimi sqaron që, sipas dispozitave të Kodit të Procedurës, mjeti juridik i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë (i) mund të paraqitet brenda tre (3) muajve nga dorëzimi i vendimit të formës së prerë dhe rrjedhimisht, është qartësisht i kufizuar brenda një periudhe të arsyeshme kohore; dhe (ii) është i hapur si për të pandehurin, ashtu edhe për prokurorinë e shtetit, ndërsa (iii) mund të paraqitet në rastet e shkeljes së ligjit material dhe procedural, por jo për konstatim të gabueshëm apo jo të plotë të gjendjes faktike. Në anën tjetër, sipas sqarimeve të dhëna, për aq sa është përdorur mjeti juridik i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë kundër vendimit të formës së prerë, e njëjta procedurë penale vazhdon deri në vendimin “përfundimtar” të Gjykatës Supreme. Më saktësisht, vendimi i Gjykatës Supreme sipas kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, është vazhdimësi e të njëjtës procedurë penale dhe nuk rezulton domosdoshmërisht në procedurë të dytë, përkatësisht procedurë të re penale për qëllime të nenit 34 [E drejta për të mos u Gjykuar dy herë për të njëjtën Vepër] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, në rrethana të tilla, nuk mund të zbatohen garancitë e përcaktuara në nenin 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me rihapjen e një rasti, lidhur me të cilin një individ duhet të jetë dënuar ose liruar me “vendim përfundimtar”. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, për qëllime të dispozitave të lartcekura, Kodi i Procedurës Penale, ka paraparë mjetin e jashtëzakonshëm juridik të rishikimit të procedurës penale dhe i cili, për dallim nga mjeti juridik i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, bie qartësisht në fushëveprimin e nenit 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) të Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për Drejtat e Njeriut. Për më tepër, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, është plotësisht e qartë që neni 4 (E drejta për të mos u gjykuar ose dënuar dy herë) i Protokollit nr. 7 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nuk gjen zbatim sa i përket rasteve të paraburgimit, sepse në atë procedurë, nuk vendoset sa i përket “lirimit apo dënimit” përfundimtar për vepër penale, pasi e njëjta ndërlidhet vetëm me sigurimin e prezencës së të pandehurve në procedurën penale, e cila është në zhvillim e sipër.

(ii) mundësia e Gjykatës Supreme që përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të ushtruar nga Prokurori i Shtetit, përfshirë kundër vendimit të formës së prerë për ndërprerjen e paraburgimit, të vendosë edhe në dëm të të pandehurit në rast se vendimi i formës së prerë është “qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”

Fillimisht dhe ndërlidhur me mundësinë e Prokurorit të Shtetit për të kontestuar vendimin e Gjykatës së Apelit për ndërprerjen e paraburgimit në Gjykatën Supreme përmes kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë, Aktgjykimi, duke shtjelluar dhe interpretuar parimet që burojnë nga neni 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] i Kushtetutës në lidhje me nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sqaron që Kodi i Procedurës Penale, mes tjerash, ka përcaktuar (i) paraburgimin si masë për të siguruar praninë e të pandehurit në procedurë; (ii) procedurën sipas së cilës caktohet dhe vazhdohet paraburgimi, duke përcaktuar edhe të drejtën e ankesës ndaj vendimeve për paraburgim, si për të pandehurin ashtu edhe për Prokurorin e Shtetit; (iii) të drejtën që ndaj vendimit të formës së prerë, të parashtrohet kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë, dhe atë si në rastin e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit, ashtu edhe në rastin e ndërprerjes së paraburgimit; (iv) që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të përdoret nga ana e prokurorisë ndaj vendimit për ndërprerje të paraburgimit, ashtu siç mund të përdoret nga i pandehuri ndaj vendimit për caktimin apo vazhdimin e paraburgimit; dhe se sipas Kodit të Procedurës Penale, (v) të gjitha të drejtat në procedurë që janë në dispozicion për prokurorinë, janë po ashtu në dispozicion edhe për të pandehurin, dhe si të tilla, sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, respektojnë, parimin e “kontradiktoritetit” dhe atë të “barazisë së armëve”.

Thënë këtë, kontestuese ndërlidhur me dispozitat e kontestuara të Kodit të Procedurës Penale, është nëse, përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, Gjykata Supreme, mund të vendosë edhe në dëm të të pandehurit, përfshirë në raste të paraburgimit. Në këtë kontekst dhe sa i përket efekteve të vendimmarrjes së Gjykatës Supreme përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë në dëm të të pandehurve, Aktgjykimi rithekson që bazuar në paragrafin 1 të nenit 438 (Aktgjykimi mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë) të Kodit të Procedurës, kur Gjykata Supreme vërteton se kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është e bazuar, vendosë me aktgjykim me të cilin, duke pasur parasysh llojin e shkeljes: (i) ndryshon vendimin e formës së prerë; (ii) në tërësi ose pjesërisht e anulon vendimin e gjykatës themelore dhe të gjykatës më të lartë dhe e kthen rastin në rigjykim; ose (iii) kufizohet vetëm në vërtetimin e shkeljes së ligjit, ndërsa bazuar në paragrafin 2 të këtij neni, i cili edhe është kontestuar para Gjykatës, Gjykata Supreme, përjashtimisht mund të vendosë edhe në dëm të të pandehurit, nëse vendimi i formës së prerë është “qartazi i papërshtatshëm ose i bazuar në gabim të rëndë”.

Në vijim të të lartcekurave Aktgjykimi sqaron që, në parim, në rrethana në të cilat, Gjykata Supreme vlerëson që kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë, e paraqitur në dëm të të pandehurit, është e bazuar, ajo kufizohet vetëm në vërtetimin e shkeljes së ligjit, përkatësisht nxjerr vendim deklarativ. Thënë këtë dhe përjashtimisht, e njëjta (i) ndryshon vendimin e formës së prerë; ose (ii) në tërësi ose pjesërisht e anulon vendimin e gjykatës themelore dhe të gjykatës më të lartë dhe e kthen rastin në rigjykim në dëm të të pandehurit, atëherë kur një vendim është “qartazi të papërshtatshëm” ose “i bazuar në gabim të rëndë”. Sipas sqarimeve të dhëna, rrethanat në të cilat, vendimmarrja e Gjykatës Supreme mund të rezultojë me efekt në dëm të të pandehurit, ngërthejnë shkelje shumë serioze ligjore, procedurale apo materiale, të cilat e vënë në pikëpyetje në tërësinë e saj integritetin e vendimmarrjes që ka rezultuar në vendim të formës së prerë. Sipas sqarimeve të dhëna në Aktgjykim, çdo vendimmarrje e Gjykatës Supreme, përfshirë bazuar në mekanizmat ligjorë për të siguruar konsistencë në praktikën e saj gjyqësore, në dëm të të pandehurit, duhet të jetë në përputhje të plotë me përjashtimet që mundëson praktika gjyqësore e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sipas detyrimeve që burojnë nga neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] i Kushtetutës dhe mund t’i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese sipas përcaktimeve të paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës.

Në fund, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Aktgjykimi vë theks në faktin që në rast se Gjykata Supreme, përmes kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë, përjashtimisht, konstaton se vendimi i kontestuar është “qartazi i papërshtatshëm apo i bazuar në gabim të rëndë’, ajo është e detyruar që t’i ofrojë palëve të gjitha garancitë procedurale të garantuara me Kushtetutë dhe Konventë Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Më saktësisht, në përcaktimin nëse e njëjta, (i) ndryshon vendimin e formës së prerë; apo (ii) në tërësi ose pjesërisht e anulon vendimin e gjykatës themelore dhe të gjykatës më të lartë dhe e kthen rastin në rigjykim, ajo duhet të bëjë ato zgjidhje ligjore që konsideron që sigurojnë të drejtat e të pandehurve në procedurë, ashtu siç garantohen me Kushtetutë, Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kodin e Procedurës Penale, me theks në garancitë që burojnë nga neni 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] i Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që përcaktojnë, mes tjerash, (i) të drejtën për t’u dëgjuar; (ii) parimin e “kontradiktoritetit” dhe të “barazisë së armëve”; dhe (iii) të drejtën për mjete juridike dhe mbrojtje gjyqësore të të drejtave.

Ky Aktgjykim do të plotësohet edhe me mendim konkurrues dhe mospajtues.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit do t’u dorëzohet palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare, pasi të jenë përfunduar procedurat përkatëse të përcaktuara në Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës. Përmbledhja e publikuar përmes këtij Njoftimi mund t’i nënshtrohet korrigjimeve gjuhësore dhe teknike në draftin final të vendimit. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org