Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI195/22

11.03.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI195/22, të parashtruar nga Besim Morina, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [AA.nr. 11/2022] të 25 gushtit 2022, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të dorëzuar në Gjykatë bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata konstatoi njëzëri që: (i) kërkesa është e pranueshme; dhe që (ii) Aktgjykimi [AA.nr. 11/2022] i 25 gushtit 2022 i Gjykatës Supreme, nuk është në kundërshtim me nenin 24 [Barazia para Ligjit] dhe paragrafët 1 dhe 2 të nenit 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrethanat e rasti konkret ndërlidhen me zgjedhjet lokale të 17 tetorit 2021, ku parashtruesi i kërkesës ishte kandidatit për anëtar të Kuvendit Komunal në Komunën e Kamenicës nga radhët e subjektit politik Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ky subjekt politik kishte fituar katër (4) vende, ndërsa parashtruesi i kërkesës kisha arritur të merrte njëqind e njëzet e shtatë (127) vota, të cilat nuk ishin të mjaftueshme për t’u zgjedhur anëtar i Kuvendit Komunal. Megjithatë, pas dorëheqjes së znj. D.K., anëtare e Kuvendit Komunal nga radhët e subjektit politik të lartcekur, të njëjtën, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e kishte zëvendësuar me znj. K.M., kandidate e të njëjtës gjini, gjithashtu nga i njëjti subjekt politik, e cila në zgjedhjet e mbajtura lokale kishte marrë katër (4) vota më pak se parashtruesi i kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës kishte kontestuar zëvendësimin përkatës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, dhe më pas, në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, si dhe në Gjykatën Supreme, duke pretenduar që janë cenuar të drejtat e tij për barazi para ligjit dhe ato zgjedhore sipas përcaktimeve të neneve 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të Drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, respektivisht, sepse sipas pretendimit në rastin konkret të zëvendësimit, do të duhej t’i jepej përparësi rezultatit të votimit dhe jo zëvendësimit të anëtarëve të Kuvendit Komunal me kandidat nga e njëjta gjini, pasi që në nivel të Kuvendit Komunal kuota prej tridhjetë përqind (30%) ishte tejkaluar, duke pasur parasysh që prej njëzeteshtatë (27) anëtarëve të Kuvendit Komunal, pesëmbëdhjetë (15) apo 55.55 %, ishin meshkuj dhe dymbëdhjetë (12) apo 44.40 %, ishin femra. Në kontekst të këtyre pretendimeve, parashtruesi i kërkesës i ishte referuar edhe Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KI45/20 dhe KI46/20 të 26 marsit 2021, me parashtruese Tinka Kurti dhe Drita Millaku, i cili ndër të tjera, kishte përcaktuar që kuotat gjinore duhet të zbatoheshin vetëm deri në arritjen e minimumit prej tridhjetë përqind (30%) brenda subjekteve politike, ndërsa përtej kuotave të përcaktuara në ligj, zëvendësimet përkatëse duhet të bazohen në meritat, përkatësisht votat e fituara në zgjedhjet përkatëse.

Autoritetet e lartcekura kishin refuzuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, ndër të tjera, sepse bazuar në paragrafët 3 dhe 4 të nenit 8 (Shpërndarja e vendeve në Kuvendin e Komunës), si dhe paragrafin 10.3 (a) të nenit 10 (Zëvendësimi i anëtarëve të Kuvendit të Komunës) të Ligjit nr. 03/L-072 për Zgjedhjet Lokale (i) të paktën tridhjetë përqind (30%) nga numri i përgjithshëm i vendeve të subjektit politik, duhet të plotësohen nga kandidatë të gjinisë së kundërt; dhe (ii) anëtarët e Kuvendit Komunal zëvendësohen nga kandidatë të së njëjtës gjini.

Parashtruesi i kërkesës, para Gjykatës kontestoi vendimmarrjen e institucioneve përgjegjëse, duke pretenduar që të njëjtat janë nxjerrë në shkelje të të drejtave të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 45 [Të drejtat Zgjedhore dhe të Pjesëmarrjes] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenin 3 (E drejta për zgjedhje të lira) të Protokollit nr. 1 të Konventës së lartcekur.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata fillimisht shtjelloi (i) parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe asaj të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me barazinë para ligjit dhe të drejtën për t’u zgjedhur; përfshirë ato që burojnë nga Opinionet dhe Raportet relevante të Komisionit të Venecias për barazi gjinore, në veçanti kuotave gjinore si masa të veçanta për të adresuar pabarazinë faktike në mes të gjinive në përfaqësim politik; dhe më pas (ii) zbatoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Në këtë drejtim, Gjykata, duke u referuar edhe në parimet e përcaktuara përmes Aktgjykimit të Gjykatës në rastet KI45/20 dhe KI46/20, shqyrtoi: (i) nëse dallimi në trajtim është “i përcaktuar me ligj”; (ii) nëse dallimi në trajtim ka ndjekur një “qëllim legjitim”; dhe (iii) nëse ekziston një marrëdhënie e “proporcionalitetit” ndërmjet dallimit në trajtim dhe qëllimit që synohet të arrihet, dhe konstatoi që aktet e kontesuara nuk ishin nxjerrë në kundërshtim me të drejtat e parashtruesit të kërkesës, sepse bazuar në Ligjin nr.03/L-072 për Zgjedhjet Lokale, përfaqësimin minimal prej tridhjetë përqind (30%) përcaktohet edhe në nivel të subjektit politik dhe jo vetëm në nivel të Kuvendit Komunal. Përderisa përfaqësimi për tridhjetë përqind (30%) në Kuvendin Komunal përkatës ishte arritur, ky nuk ishte rasti në kontekst të subjektit politik.

Për pasojë, Gjykata konstatoi që, përcaktimi i përfaqësimit minimal të gjinisë pakicë në minimum tridhjetë përqind (30%), si e tillë është e domosdoshme, në mënyrë që të mundësojë përfaqësimin edhe të gjinisë së nënpërfaqësuar, respektivisht grave në Kuvendin Komunal të Kamenicës, duke saktësuar që parashtruesi i kërkesës nuk është diskriminuar në bazë të gjinisë, pasi që në radhë ishte kandidatja K.M., në kontekst të përmbushjes së kuotës minimale prej tridhjetë përqind (30%) përmes rezultatit zgjedhor në kuadër të subjektit politik të lartcekur.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org