Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI172/23

30.07.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI172/23, të parashtruar nga Rejhane Ceka, Fiknete Ceka, Lejlane Ceka dhe Sara Ceka, në të cilin u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktvendimit [Rev. nr. 216/2023] të 19 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme të Kosovës. Gjykata, me 8 (tetë) vota për dhe 1 (një) kundër, vendosi që (i) të deklarojë kërkesën të pranueshme; ndërsa, me 5 (pesë) vota për dhe 4 (katër) kundër, vendosi: (ii) të konstatojë se Aktvendimi [Rev. nr. 216/2023] i 19 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me paragrafin 1 të nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut; (iii) të shpallë të pavlefshëm Aktvendimin [Rev. nr. 216/2023] e 19 qershorit 2023 të Gjykatës Supreme; dhe (iv) të kthejë të njëjtin për rivendosje në pajtim me Aktgjykimin e kësaj Gjykate.

Aktgjykimi fillimisht sqaron rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me kërkesëpadinë e parashtrueseve të kërkesës dhe të prindërve të tyre kundër kompanisë së sigurimeve për kompensim të dëmit material dhe jomaterial për shkak të vdekjes së vëllait të tyre në aksident komunikacioni, i cili ishte i siguruar në këtë kompani. Fillimisht, Gjykata Themelore kishte aprovuar kërkesëpadinë e tyre si dhe të prindërve të tyre sa i përket kompensimit të dëmit material dhe jomaterial, ku për dëmin jomaterial, parashtrueset e kërkesës u kompensuan veç e veç në shumën në lartësi prej 8,000 € (tetë mijë euro), ndërsa secili prind në lartësi prej 10,000 € (dhjetë mijë euro). Si rezultat i ankesës së kompanisë së sigurimeve, Gjykata e Apelit vërtetoi kompensimin për dëmin material dhe atë jomaterial në lidhje me prindërit e parashtrueseve të kërkesës, ndërsa ndryshoi Aktgjykimin e Gjykatës Themelore, duke zbritur shumën nga 8,000 € (tetë mijë euro) në 5,000 € (pesë mijë euro) për secilën nga parashtrueset e kërkesës. Si rrjedhojë, parashtrueset e kërkesës së bashku parashtruan revizion kundër Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, të cilin Gjykata Supreme përmes Aktvendimit të kontestuar, e hodhi poshtë si të palejuar me arsyetimin se vlera e objektit të kontestit në pjesën e goditur të aktgjykimit nuk e kalon shumën prej 3,000 € (tre mijë euro) për secilën prej tyre, dhe se të njëjtat i konsideroi bashkëndërgjyqëse të thjeshta, ku pozita procedurale e një bashkëndërgjyqësi nuk varet nga pozita procedurale e bashkëndërgjyqësve tjerë, andaj, edhe vlera e kontestit merret veç e veç për çdo njërën prej tyre.

Parashtrueset e kërkesës para Gjykatës kontestuan Aktvendimin e lartcekur të Gjykatës Supreme, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tyre të mbrojtura me nenin 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, nenet 32 [E Drejta për Mjete Juridike], 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] si dhe paragrafët 3 dhe 5 të nenit 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor] të Kushtetutës. Në esencë, parashtrueset para Gjykatës pretenduan që si pasojë e vendimmarrjes së Gjykatës Supreme, atyre u është cenuar (i) e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak se vlera e objektit të kontestit të tyre e kalon vlerën prej 3,000 € (tre mijë euro), të përcaktuar në dispozitat ligjore të Ligjit për Procedurën Kontestimore, me arsyetimin që kërkesat e tyre në pjesën e goditur të aktgjykimit të Gjykatës së Apelit me revizion, të cilat kishin vlerën nga 3,000 € (tre mijë euro) veç e veç, nuk janë konteste të ndara por përbëjnë një kërkesë të vetme, ndër të tjera, sepse mbështeten në të njëjtën bazë juridike dhe faktike dhe ndërlidhen me një të paditur, si dhe përmbajnë kërkesa të njëjta për të gjithë paditësit.

Gjykata, duke marrë për bazë arsyetimin dhe konstatimin e Gjykatës Supreme, vlerësoi se pretendimet thelbësore të parashtrueseve hyjnë në kuadër të së drejtës së tyre për qasje në gjykatë, të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Kjo për arsye se, pretendimet thelbësore të ngritura në kërkesën e tyre ndërlidheshin me atë nëse Gjykata Supreme, duke e hedhur revizionin e tyre si të palejuar për shkak të vlerës së kontestit, ka ndikuar në mënyrë disproporcionale në të drejtën e tyre të nxjerrjes së një vendimi meritor në lidhje me kërkesëpadinë e tyre.

Bazuar në këtë dhe në vlerësimin e asaj nëse e drejta e parashtrueseve të kërkesës për qasje në Gjykatën Supreme është cenuar, Gjykata (i) elaboroi parimet e përgjithshme të së drejtës për qasje në gjykatë, të zhvilluara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të afirmuara përmes praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese, përfshirë këtu dhe parimet dhe kriteret e zhvilluara nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që ndërlidhen me kufizimin ratione valoris për qasje në gjykata të shkallës më të lartë, për (ii) të vazhduar me aplikimin e këtyre parimeve dhe kritereve në rrethanat e rastit konkret.

Aktgjykimi i Gjykatës në mënyrë specifike i referohet parimeve dhe kritereve të vendosura në rastin e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në rastin Zubac kundër Kroacisë, përmes të cilit kjo e fundit kishte zhvilluar një test specifik në kuptim të kriterit të proporcionalitetit të kufizimit të qasjes në gjykata të shkallës më të lartë si rezultat i pragut ratione valoris. Në aplikimin e kritereve që ndërlidhen me pragun ratione valoris, Gjykata në rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësoi nëse: (i) qasja në Gjykatën Supreme si rezultat i pragut ratione valoris përbënte një kufizim; (ii) nëse ky kufizim ndiqte një qëllim legjitim; dhe (iii) nëse kufizimi ishte proporcional, dhe në kuptim të kësaj të fundit në pajtim me testin e zhvilluar nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut vlerësoi çështjet që ndërlidheshin me (a) parashikueshmërinë e kufizimit në qasje në gjykatë si rezultat i pragut të vlerës së objektit në shumë prej 3,000 € (tre mijë euro) të përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 211 të Ligjit për Procedurën Kontestimore; (b) atë nëse parashtrueset apo Gjykata Supreme duhet të bartë pasojat e lëshimeve të kryera gjatë procedurës në gjykatat e shkallës më të ulët; dhe (c) nëse në zbatimin e këtij kufizimi Gjykata Supreme ka përdorur “formalizëm të tepruar”, për të përfunduar me konkluzionin e saj në lidhje me proporcionalitetin e kufizimit të qasjes në Gjykatën Supreme.

Aktgjykimi fillimisht thekson që nuk është kontestuese kompetenca e Gjykatës Supreme, e përcaktuar me ligj, që para vlerësimit të revizionit në merita të shqyrtojë lejueshmërinë e revizionit në kuptim të pragut ratione valoris, bazuar në paragrafin 2 të nenit 211 (pa titull) të Ligjit për Procedurën Kontestimore. Më tutje, në aplikimin e kritereve të lartcekura në rrethanat e rastit konkret, Aktgjykimi gjithashtu thekson që marrë për bazë vetë thelbin e juridiksionit dhe kompetencës së Gjykatës Supreme për të gjykuar për çështje të ligjshmërisë së vendimeve të nxjerra nga gjykatat e shkallës më të ulët si autoriteti më i lartë gjyqësor, pragu ratione valoris është i (i) përcaktuar me ligj; dhe (ii) ndjek një qëllim legjitim, i cili i shërben respektimit të sundimit të ligjit dhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë.

Megjithatë, në vlerësimin e asaj nëse pragu ratione valoris (iii) ishte proporcional me qëllimin legjitim, Gjykata konsideroi se konstatimi i Gjykatës Supreme në rrethanat e rastit konkret, bazuar në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kualifikohet si “formalizëm të tepruar” në interpretimin dhe zbatimin e ligjit në kontekst të qasjes në drejtësi. Më konkretisht, Aktgjykimi sqaroi se detyrë primare e Gjykatës Supreme, është që dispozitat relevante të Ligjit për Procedurën Kontestimore që ndërlidhen me bashkë-ndërgjyqësinë dhe përcaktimin e vlerës së objektit të kontestit, t’i shtjellojë dhe aplikojë në tërësinë e tyre dhe jo në mënyrë të izoluar, përkatësisht, që e njëjta aplikimin e nenit 211 të LPK-së në ndërlidhje me nenin 268 të LPK-së, nuk do të duhej ta bënte në anashkalim të plotë të nenit 32 të Ligjit të Procedurës Kontestimore, i cili saktëson përcaktimin e vlerës së objektit atëherë kur kërkesëpaditë përkatëse janë mbështetur në të njëjtën bazë faktike dhe juridike, pasi që aplikimi dhe/ose arsyetimi për mosaplikimin e tyre ishte vendimtar për palët apo parashtrueset e revizionit. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se ky veprim i Gjykatës Supreme nuk ishte proporcional me qëllimin legjitim të pragut ligjor ratione valoris përkitazi me garantimin e të drejtës për qasje në gjykatat më të larta.

Gjykata gjithashtu theksoi faktin se, konstatimi nga ana e saj i shkeljes së paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, vlen vetëm për rrethanat specifike të rastit konkret, vlerësimi i të cilave duhet të bëhet rast pas rasti, si dhe ndërlidhet vetëm me të drejtën e qasjes në gjykatë, përkatësisht në Gjykatën Supreme, ashtu që në asnjë mënyrë nuk paragjykon rezultatin e meritave të rastit.

Ky Aktgjykim është plotësuar edhe me mendim mospajtues.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org