Njoftim për publikimin e aktgjykimit KI 137/23

20.02.2024

Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar Aktgjykimin në rastin KI 137/23, të parashtruar nga Naim Berisha, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Rev. nr. 451/2022] të 23 nëntorit 2022 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, në ndërlidhje me Aktgjykimin [Ac.nr. 3544/15] e 15 nëntorit 2019 të Gjykatës së Apelit të Republikës së Kosovës dhe Aktgjykimin [C. nr. 2906/12] e 28 prillit 2015 të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të dorëzuar në Gjykatë nga parashtruesi i kërkesës, bazuar në paragrafin 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

Gjykata, me pesë (5) vota për dhe tri (3) kundër konstatoi se (i) kërkesa është e pranueshme; dhe (ii) se ka pasur shkelje të paragrafit 1 të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest pune, përkatësisht marrëdhënien e punës së parashtruesit të kërkesës, si aktor në Teatrin Kombëtar të Kosovës dhe të themeluar në vitin 2009 përmes kontratës me kohë të caktuar të nënshkruar me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Republikës së Kosovës. Sipas shkresave të lëndës, më 9 nëntor 2012, bazuar në Rregulloren e Qeverisë nr.5/2011 për gradimin dhe pagat e krijuesve dhe performuesve të kulturës dhe të punonjësve profesionistë të trashëgimisë kulturore, të 23 qershorit 2011, dhe pasi që kërkesat e tij ishin refuzuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, përmes padisë së paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, parashtruesi i kërkesës kërkoi (i) ndryshimin e llojit të kontratës, gjegjësisht kalimin nga kontrata me afat të caktuar në kontratë të rregullt të punës, dhe (ii) kompensimin e dëmit material, të shkaktuar si pasojë e diskriminimit në pagë, në krahasim me kolegët e tij aktorë, përkatësisht aktorit Sh.K, i cili sipas parashtruesit, ishte klasifikuar me koeficient më të lartë të pagës.

Gjykata Themelore refuzoi padinë e parashtruesit me arsyetimin se (i) nuk ishte plotësuar kriteri ligjor për ndryshimin e llojit të kontratës; dhe se (ii) nuk kishte diskriminim në vendin e punës në raport me kolegët tjerë aktorë të Teatrit Kombëtar të Kosovës. Parashtruesi i kërkesës kishte paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, e cila e refuzoi atë, duke vërtetuar gjetjet e Gjykatës Themelore. Në ndërkohë, më 12 maj 2015, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kishte aprovuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës për kalimin nga kontrata me afat të caktuar në kontratë të rregullt të punës dhe kjo çështje nuk ishte më kontestuese për parashtruesin e kërkesës. Për pasojë, ndaj Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës kishte ushtruar kërkesë për revizion në Gjykatën Supreme, duke pretenduar se Gjykata e Apelit ka dështuar të vlerësoj diskriminimin në pagë të paditësit në raport me aktorin Sh.K. Gjykata Supreme e kishte refuzuar si të pabazuar revizionin e parashtruesit të kërkesës, duke konfirmuar gjetjet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

Para Gjykatës, parashtruesi i kërkesës pretendoi shkeljen e të drejtave kushtetuese të tij të garantuara me nenet 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], 23 [Dinjiteti i Njeriut], 24 [Barazia para Ligjit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit] të Kushtetutës si dhe nenet 6 (E drejta për një proces të rregullt) dhe 14 (Ndalimi i diskriminimit) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, sepse sipas tij, Gjykata Supreme në arsyetimin e saj ka trajtuar çështjen e kalimit nga kontrata me afat të caktuar në atë me afat të pacaktuar, e cila çështje është zgjidhur në vitin 2015 dhe si e tillë nuk është më kontestuese, por nuk ka trajtuar çështjen e diskriminim në pagë të parashtruesit të kërkesës në raport me kolegët tjerë aktorë, përkatësisht aktorin SH.K, nga 1 korriku 2011 deri 30 prill 2015.Duke trajtuar pretendimin e parashtruesit për vendim të arsyetuar, Gjykata (i) së pari shtjelloi parimet e përgjithshme lidhur me të drejtën për vendim të arsyetuar, dhe (ii) aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret.

Ashtu siç sqarohet në Aktgjykim, Gjykata theksoi se thelbi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës kërkonte përgjigje specifike nga ana e Gjykatës Supreme në adresimin e çështjes nëse i njëjti ishte diskriminuar në pagë për periudhën 1 korrik 2011 – 30 prill 2015, në raport me kolegët e tij aktorë. Në këtë kontest, Gjykata vlerësoi se Gjykata Supreme është dashur të trajtojë pretendimin e parashtruesit të kërkesës me saktësi, ashtu siç i njëjti në mënyrë specifike e kishte ngritur në kërkesën e tij për revizion. Rrjedhimisht, sipas shtjellimeve të detajuara në Aktgjykim, Gjykata vlerësoi se në rastin konkret ka pasur shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, si komponentë e së drejtës për gjykim të drejtë, e garantuar me paragrafin 1 të nenit 31 të Kushtetutës në ndërlidhje me paragrafin 1 të nenit 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Për pasojë, Gjykata nëpërmjet Aktgjykimit të saj obligoi Gjykatën Supreme që në rivendosjen e kësaj çështje, të vlerësojë nëse në rastin e parashtruesit të kërkesës, ka ekzistuar diskriminimi në pagë ose jo, pa paragjykim në vlerësimin e Gjykatës Supreme përkitazi me këtë çështje.

Vërejtje:

Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretaria e Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në ueb-faqen e Gjykatës: https://gjk-ks.org