Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës sot publikoi aktgjykimin në rastin KI 116/21, të parashtruar nga Sali Rexhepi, në të cilën u kërkua që të bëhet vlerësimi i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 104/20], të 25 shkurtit 2021.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një kontest nga marrëdhënia e punës, i cili filloj me Njoftimin e “Raiffeisen Bank Kosovo” për shkëputjen e kontratës së punës së parashtruesit të kërkesës. Për pasojë, parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar kërkesëpadi në ish-Gjykatën Komunale në Prizren, nëpërmjet së cilës kishte kërkuar anulimin e Njoftimit, dhe kthimin në vendin e tij të punës. Fillimisht, Gjykata Themelore në Prizren, e kishte aprovuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës dhe e kishte anuluar si të kundërligjshëm Njoftimin e lartcekur të Bankës, me arsyetimin se ndaj tij nuk ishte zhvilluar procedurë disiplinore siç është përcaktuar përmes Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, i cili, sipas Gjykatës Themelore ishte i aplikueshëm në rrethanat e rastit, marrë parasysh që Rregullorja e UNMIK-ut nr.2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë, nuk shfuqizon dispozitat përkitazi me procedurën disiplinore të Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989. Kundër këtij Aktgjykimi, Banka kishte parashtruar ankesë në Gjykatën e Apelit dhe e cila kishte vërtetuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore. Megjithatë, Gjykata Supreme, duke vepruar sipas kërkesës për revizion të Bankës, kishte ndryshuar Aktgjykimet e dy instancave më të ulëta, me arsyetimin se Njoftimi për ndërprerjen e kontratës së punës është në përputhje me Rregulloren e UNMIK-ut nr.2001/27 për Ligjin Themelor të Punës.
Parashtruesi i kërkesës kontestoi Aktgjykimin e Gjykatës Supreme para Gjykatës, duke pretenduar, ndër tjerash, shkelje të së drejtës së tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut për shkak të cenimit të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kundërthënëse apo divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, pasi kjo e fundit, kishte vendosur ndryshe në raste tjera në rrethana të njëjta faktike e juridike.
Gjykata, gjatë shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës që ndërlidhen me cenimin e parimit të sigurisë juridike si rezultat i mungesës së konsistencës, përkatësisht divergjencës në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, përkitazi me interpretimin dhe aplikimin e dispozitave ligjore që ndërlidhen me shkëputjen e marrëdhënies së punës, përkatësisht Rregullores së UNMIK-ut nr.2001/27 për Ligjin Themelor të Punës në Kosovë në ndërlidhje me Ligjin për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989, iu referua praktikës së saj gjyqësore, veçanërisht rasteve të Gjykatës KI133/20 dhe KI78/21, të dyja me parashtrues të kërkesës “Raiffeisen Bank Kosovo”, Aktgjykime të 30 marsit 2022, në të cilat Gjykata kishte konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pikërisht në këtë kontekst.
Gjykata në rastet e lartcekura, pasi analizoi edhe përgjigjen e Gjykatës Supreme në pyetjet e parashtruara nga Gjykata përkitazi me qëndrimin juridik të saj në interpretimin dhe zbatimin e Ligjit për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989 dhe Rregullores së UNMIK-ut nr.27/2001 në kontestet përkatëse të punës, fillimisht theksoi se, bazuar në të gjitha rastet në shqyrtim para Gjykatës, rezulton që Gjykata Supreme, në vlerësimin e ligjshmërisë së ndërprerjes së marrëdhënieve të punës si rezultat ose jo i zhvillimit të procedurave disiplinore, nuk kishte aplikuar në mënyrë konsistente Ligjin për Marrëdhënien e Punës të vitit 1989 dhe Rregulloren e UNMIK-ut nr.27/2001, duke i interpretuar me raste së bashku dhe me raste në izolim prej njëra tjetrës, duke rezultuar kështu në vendime dhe qëndrime të ndryshme nëse një marrëdhënie e punës mund të ndërpritet pa zhvillimin e procedurës disiplinore ose jo. Për pasojë, Gjykata, duke aplikuar praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konstatoi se në kontekst të kësaj praktike gjyqësore të Gjykatës Supreme (i) ka “dallime të thella dhe afatgjata” në interpretimin dhe aplikimin e dispozitave të Ligjit mbi Marrëdhënien e Punës të vitit 1989 dhe atyre të Ligjit Themelor të Punës, përkatësisht Rregullores së UNMIK-ut nr. 27/2001; (ii) se ekzistojnë mekanizma të Gjykatës Supreme për harmonizimin e kësaj praktike; dhe se (iii) ky mekanizëm ekzistues, ashtu siç është deklaruar edhe nga vet Gjykata Supreme, nuk është përdorur.
Si rrjedhojë e këtij konstatimi dhe bazuar edhe në ngjashmëritë faktike e juridike me rastet e Gjykatës KI133/20 dhe KI78/21, edhe në rastin konkret Gjykata, konstatoi se “dallimet e thella dhe afatagjata” në praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, të ndërlidhura me mospërdorimin e mekanizmave të përcaktuar me ligj e të dizajnuar për të siguruar konsistencën e duhur brenda praktikës gjyqësore të gjykatës më të lartë në vend, kanë rezultuar në cenim të parimit të sigurisë juridike dhe në shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të parashtruesit të kërkesës.
Përfundimisht, mbështetur në rrethanat rastit konkret dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në Aktgjykimin e publikuar, Gjykata, njëzëri, shpalli kërkesën e pranueshme dhe konstatoi se Aktgjykimi [Rev. nr.104/2020] i 25 shkurtit 2021 i Gjykatës Supreme të Kosovës nuk është në përputhshmëri me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe të njëjtin e ktheu në rivendosje në Gjykatën Supreme.
Vërejtje:
Ky njoftim për media është përgatitur nga Sekretariati i Gjykatës vetëm për çështje informative. Teksti i plotë i vendimit u është dorëzuar të gjitha palëve të përfshira në rast, është publikuar në ueb-faqen e Gjykatës dhe do të publikohet edhe në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës brenda afateve të përcaktuara. Për të pranuar njoftimet për vendime nga Gjykata Kushtetuese ju lutemi regjistrohuni në: https://gjk-ks.org/vendimet/