Ministri i Drejtësisë i Republikës së Shqipërisë për vizitë në Gjykatën Kushtetuese

11.10.2022

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim ministrin e Drejtësisë të Republikës së Shqipërisë, z. Ulsi Manja.

Përbërja aktuale dhe puna e deritanishme e Gjykatës Kushtetuese, natyra e kërkesave të parashtruara dhe përpjekjet për konsolidimin e praktikës gjyqësore në harmoni me praktikën e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, ishin vetëm disa prej temave rreth të cilave kryetarja Caka – Nimani e informoi ministrin Manja.

Në vijim të diskutimit, kryetarja Caka – Nimani vuri theksin në marrëdhëniet e shkëlqyera të bashkëpunimit me Gjykatën Kushtetuese të Shqipërisë, si dhe kontributin e çmuar që kjo gjykatë vazhdon të ofrojë në përpjekjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për anëtarësim në forumet ndërkombëtare profesionale të gjykatave kushtetuese.

Të dyja palët nënvizuan rëndësinë dhe domosdoshmërinë e ruajtjes së pavarësisë të sistemit gjyqësor dhe të avancimit të kornizës ligjore të të dyja vendeve duke përvetësuar standardet evropiane, si parakushte esenciale për forcimin e demokracisë, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen efektive të të drejtave dhe lirive të individit.

Në takimin e përbashkët të kryetares Caka – Nimani dhe ministrit Manja morën pjesë edhe ministrja e Drejtësisë e Republikës së Kosovës, znj. Albulena Haxhiu dhe ambasadori i Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.