Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim znj. Ulrika Richardson-Golinski, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësuese rezidente në Kosovë e Programit të Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), të enjten, më 11 tetor 2018.
Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi znj. Richardson-Golinski mbi arritjet e deritanishme dhe sfidat aktuale me të cilat vazhdon të përballet Gjykata Kushtetuese në punën e saj.
Ndërmjet tjerash, ajo vuri theksin edhe në përbërjen e kompletuar të gjyqtarëve të Gjykatës, pas emërimit të pesë gjyqtarëve të rinj kohë më parë, dhe arritjen e kuorumit të nevojshëm për shqyrtimin e lëndëve dhe për vendimmarrje.
Kryetarja Rama-Hajrizi në vijim të bisedës e falënderoi znj. Richardson-Golinski për kontributin dhe për ndihmën që UNDP i ka ofruar deri më tani Republikës së Kosovës nëpërmjet projekteve të ndryshme zhvillimore, dhe shfaqi nevojën për vazhdimin e përkrahjes të kësaj organizate, por dhe të donatorëve të tjerë ndërkombëtarë, për institucionet shtetërore.
Nga ana e saj, znj. Richardson-Golinski shprehu gatishmërinë e UNDP-së për vazhdimin e bashkëpunimit dhe për mbështetjen e mëtutjeshme të institucioneve të Kosovës në punën e tyre.