Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim njohës ambasadorin e ri të Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott.
Pasi që i uroi suksese në detyrën e tij të re, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi ambasadorin Abbott me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, me sfidat e përballura pas largimit të njëkohshëm të katër gjyqtarëve, dy prej tyre ndërkombëtarë, si dhe me kontributin e këtij institucioni në zhvillimin e gjyqësisë kushtetuese dhe sundimin e ligjit në Kosovë.
Gjatë bashkëbisedimit, ajo vuri theksin edhe në raportet e mira të bashkëpunimit me gjykatat kushtetuese të vendeve të rajonit dhe ato evropiane, si dhe në përpjekjet e vazhdueshme që po bëhen për rritjen e transparencës në punë dhe në avancimin e kapaciteteve profesionale të Gjykatës.
Kryetarja Rama-Hajrizi e falënderoi ambasadorin Abbott për ndihmën që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka ofruar deri më tani Gjykatës Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera në vend, në mbështetje të zbatimit të ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Ambasadori Abbott e falënderoi kryetaren Rama-Hajrizi për mikpritjen dhe konfirmoi që për Mbretërinë e Bashkuar prioritet ka qenë dhe mbetet sundimi i ligjit në Kosovë, për të cilën do të vazhdoj mbështetja.