Kryetarja Rama-Hajrizi priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar

04.02.2021

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Arta Rama-Hajrizi, priti në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, z. Nicholas Abbott.

Gjatë bashkëbisedimit, kryetarja Rama-Hajrizi e njoftoi ambasadorin Abbott me punën e deritanishme të Gjykatës, me sfidat e përballura në punën e këtij institucioni në kushte pandemie, si dhe me përkushtimin e gjyqtarëve dhe të zyrtarëve të tjerë për shqyrtimin e kërkesave të parashtruara brenda afateve optimale.

Kryetarja Rama-Hajrizi shprehu mirënjohjen e saj për përkrahjen e vazhdueshme që Qeveria e Mbretërisë së Bashkuar i ka ofruar ndër vite Gjykatës Kushtetuese, por edhe institucioneve të tjera shtetërore të Republikës së Kosovës, duke pasur në fokus primar respektimin e të drejtave të njeriut, forcimin e sundimit të ligjit dhe zhvillimin ekonomik në vend.

Ambasadori Abbott konfirmoi gatishmërinë e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar për fuqizimin e mëtejmë të partneritetit ndërmjet dy vendeve në fushat me interes reciprok.