Kryetarja Caka – Nimani priti në takim shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë

11.10.2023

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim njohës shefin e ri të Misionit të EULEX-it në Kosovë, z. Giovanni Pietro Barbano.

Pasi që i shprehu mirëseardhjen dhe i uroi suksese në detyrën e re, kryetarja Caka – Nimani bëri një elaborim të shkurtër përkitazi me punën e deritanishme të Gjykatës, sfidat aktuale në funksionimin e saj dhe angazhimin e bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe konsolidimin e praktikës gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.

Temë e diskutimit të përbashkët ishin edhe zhvillimet e fundit në gjyqësinë kushtetuese të Kosovës dhe domosdoshmëria e konsolidimit të kornizës ligjore për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të njeriut bazuar në standardet evropiane.

Z. Barbano vlerësoi punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese dhe shprehu zotimin e tij për kontributin e mëtutjeshëm të Misionit të EULEX-it në forcimin e sundimit të ligjit në vend.