Kryetarja Caka – Nimani priti në takim Shefen e re të Misionit të USAID-it në Kosovë

26.02.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim Shefen e re të Misionit të USAID-it në Kosovë, znj. Eileen Devitt.

Pasi që i uroi suksese znj. Devitt në detyrën e saj të re, kryetarja Caka – Nimani vuri theksin në bashkëpunimin e shkëlqyer dhe përkrahjen e çmuar që USAID i ka ofruar ndër vite Gjykatës Kushtetuese, veçanërisht në avancimin e kapaciteteve profesionale dhe infrastrukturore të saj, si dhe në përmirësimin e komunikimit me publikun.

Kryetarja Caka – Nimani në vazhdim e informoi znj. Devitt më në detaje përkitazi me punën e deritanishme të Gjykatës, përbërjen aktuale të saj, praktikën e konsoliduar gjyqësore, si dhe për progresin e arritur në nivel vendi në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe zhvillimin e drejtësisë kushtetuese.

Pasi që e falënderoi kryetaren Caka – Nimani për mikpritjen, znj. Devitt shprehu mirënjohjen e saj për mundësinë e shërbimit në Kosovë dhe u zotua për vazhdimin e përkrahjes së USAID-it ndaj Gjykatës Kushtetuese dhe për institucionet e tjera në vend.