Kryetarja Caka – Nimani priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit, z. Todd D. Robinson

21.03.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, priti në takim Ndihmës Sekretarin e Shteteve të Bashkuara për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL), z. Todd D. Robinson, të enjten, më 21 mars 2024.

Pasi që e falënderoi për vizitën, kryetarja Caka – Nimani e njoftoi z. Robinson me punën e deritanishme të Gjykatës Kushtetuese, për progresin e arritur në gjyqësinë kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në vend, si dhe për raportet e mira të bashkëpunimit me gjykatat homologe në rajon dhe më gjerë.

Ajo shprehu mirënjohjen e saj për kontributin e çmuar dhe mbështetjen e vazhdueshme që Qeveria e SHBA-ve i ka ofruar Republikës së Kosovës në përpjekjet e përbashkëta për konsolidimin e rendit dhe ligjit në vend. Ndihmës Sekretari i Shtetit, z. Robinson, e falënderoi kryetaren Caka – Nimani për mikpritjen dhe vuri theksin në përkushtimin e vazhdueshëm të Shteteve të Bashkuara në përkrahje të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe të punës që ajo bën në forcimin e sundimit të ligjit dhe të vlerave demokratike në Republikën e Kosovës.