Kryetarja Caka – Nimani në Konferencën e 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore

25.06.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, mori pjesë në Konferencën e 14-të të Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, organizuar nga Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës në “Hotel Emerald” në Prishtinë, të hënën, më 24 qershor 2024.

Në fjalën e saj hyrëse, kryetarja Caka – Nimani vuri theksin në nevojën për bashkëpunim reciprok për të adresuar sfidat brenda sistemeve gjyqësore, si dhe për ruajtjen e pavarësisë së pushtetit gjyqësor, veçanërisht në demokracitë e reja.

Ajo ndër të tjera tha se, “është absolutisht jetike që dialogu dhe bashkëpunimi gjyqësor të vë theks në nevojën për ruajtjen dhe avancimin e pavarësisë së pushtetit gjyqësor – që shfaqet e rishfaqet si sfidë jo vetëm në demokracitë e reja të kësaj pjese të globit, por edhe në demokracitë më të avancuara”.

Konferenca e Kryetarëve të Gjykatave Supreme të Evropës Qendrore dhe Lindore, që për synim ka promovimin e sundimit të ligjit dhe shkëmbimin e përvojave reciproke, mbledh çdo vit kryetarët e gjykatave supreme të: Republikës së Shqipërisë, Republikës së Sllovenisë, Republikës së Malit të Zi, Republikës së Bullgarisë, Republikës Çeke, Republikës së Lituanisë, Republikës së Polonisë dhe Republikës së Rumanisë.