Kryetarja Caka – Nimani në forumin e Shoqatës Botërore të Juristëve në Madrid

05.03.2024

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare në Madrid, më 4 – 5 mars 2024, me ftesë të Shoqatës Botërore të Juristëve (World Jurist Association – WJA).

Kryetarja Caka – Nimani u ftua nga WJA për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare të organizuar në nderim të ish-gjyqtarit të Gjykatës Supreme të Shteteve të Bashkuara, z. Anthony Kennedy, ku edhe ishte njëra ndër folëset kryesore në panelin e prezantuesve në temën: “Liria e shprehjes, demokracia dhe sundimi i ligjit”.

Shoqata Botërore e Juristëve u themelua në vitin 1963 si një forum ndërkombëtar i cili mbledh çdo vit gjyqtarët, avokatët, profesorët e së drejtës dhe figura të tjera të shquara ndërkombëtare në lëmin e drejtësisë, për të bashkëpunuar me qëllim të promovimit dhe forcimit të sundimit të ligjit në mbarë botën.