Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Selvete Gërxhaliu – Krasniqi dhe z. Jeton Bytyqi, qëndruan për vizitë pune në Këshillin Kushtetues të Republikës së Francës, me seli në Paris, më 9 dhe 10 korrik 2024.
Gjatë vizitës në Këshillin Kushtetues francez, gjyqtarja Gërxhaliu – Krasniqi dhe gjyqtari Bytyqi fillimisht u pritën në takim nga Sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, z. Jean Maïa, i cili i informoi më për së afërmi me procedurat standarde të shqyrtimit të rasteve dhe kërkesave të parashtruara, me funksionimin e departamentit ligjor, si dhe për mënyrën e përgatitjes së draft-vendimeve para miratimit të tyre final.
Në vijim të vizitës, gjyqtarja Gërxhaliu – Krasniqi dhe gjyqtari Bytyqi u pritën në takim të veçantë nga Kryetari i Këshillit Kushtetues të Francës dhe ish-kryeministri francez, z. Laurent Fabius.
Në ditën e dytë të vizitës, gjyqtarët Gërxhaliu – Krasniqi dhe Bytyqi u takuan me dy anëtarët gjyqtarë të Këshillit Kushtetues të Francës, znj. Corinne Luquiens dhe znj. Véronique Malbec, ku temë diskutimi, ndër të tjera, ishin edhe çështjet e ndryshme kushtetuese të trajtuara në fushën e të drejtave të njeriut dhe zbatimi i praktikës gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Vizita e gjyqtarëve Gërxhaliu – Krasniqi dhe Bytyqi është realizuar në vazhdimësi të bashkëpunimit të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës me gjykatat franceze, përkatësisht, Këshillin Kushtetues, Këshillin Shtetëror dhe Gjykatën e Kasacionit të Francës.