Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani dhe gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese: znj. Remzije Istrefi – Peci, z. Nexhmi Rexhepi dhe z. Enver Peci, morën pjesë në punëtori të përbashkët me gjyqtarët e gjykatave themelore të Prishtinës, Mitrovicës, Ferizajt dhe Gjilanit, e cila u organizua me mbështetjen e Zyrës së Këshillit të Evropës në “Hotel Venus” në Prishtinë.
Temë e diskutimit të përbashkët të gjyqtarëve kushtetues dhe të gjyqtarëve të katër gjykatave themelore ishin, ndër tjerash, ndërveprimi i juridiksionit gjyqësor dhe kushtetues për garantimin e shtetit të së drejtës dhe administrimi i duhur i drejtësisë në kontekst të së drejtës për një gjykim të drejtë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Roli i gjykatave të rregullta në interpretimin e Kushtetutës, baza juridike dhe praktika gjyqësore e Gjykatës Kushtetuese në raport me kontrollin incidental, divergjenca e praktikës gjyqësore të gjykatave të rregullta dhe e drejta për një vendim të arsyetuar gjyqësor, si dhe vendosja e rasteve brenda një afati të arsyeshëm kohor, ishin disa prej temave të cilat gjyqtarët kushtetues i trajtuan në prezantimet e tyre.
Punëtoria e mbajtur shënon vazhdimësinë e takimeve konsultative profesionale ndërmjet gjyqtarëve kushtetues dhe gjyqtarëve të gjyqësorit të rregullt, në shërbim të përmirësimit të administrimit të drejtësisë dhe forcimit të sundimit të ligjit në vend.