Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka publikuar “Udhëzuesin Praktik mbi kriteret e pranueshmërisë: Kërkesat individuale”, i cili për qëllim ka informimin e palëve parashtruese, përfaqësuesve të palëve parashtruese dhe të komunitetit juridik në përgjithësi, për kriteret e pranueshmërisë së kërkesave individuale të parashtruara në këtë gjykatë.
Promovimi i Udhëzuesit u bë në konferencën lansuese të projektit të Këshillit të Evropës “Mbështetja për Gjykatën Kushtetuese në Zbatimin e Standardeve Evropiane për të Drejtat e Njeriut – Faza II”, që ka filluar së zbatuari nga janari i këtij viti, e cila u mbajt sot në “Hotel Venus” në Prishtinë.
Në konferencën e mbajtur, Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, znj. Gresa Caka – Nimani, ndër të tjera theksoi se, kjo është hera e parë që publikohet një udhëzues i tillë, i cili pritet të lehtësojë dukshëm punën e avokatëve dhe përfaqësuesve zyrtar të palëve parashtruese, gjatë parashtrimit të kërkesave individuale në Gjykatën Kushtetuese.
Përmes shtjellimit të praktikës gjyqësore të Gjykatës që ndërlidhet me kriteret e pranueshmërisë së një kërkese individuale të parashtruar sipas paragrafit 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, ky Udhëzues, mes tjerash, synon (i) t’i udhëzojë parashtruesit e kërkesave dhe/apo përfaqësuesve të tyre ligjor lidhur me përgatitjen e kërkesave; (ii) uljen e numrit të kërkesave të parashtruara në Gjykatën Kushtetuese, të cilat nuk i plotësojnë kriteret procedurale për t’u shqyrtuar në merita; dhe për rrjedhojë (iii) rritjen e numrit të kërkesave të pranueshme, të cilat mund t’i nënshtrohen vlerësimit të mëtejmë në merita. Përmbajtja dhe struktura e këtij dokumenti është zhvilluar sipas shembullit të Udhëzuesit praktik për kriteret e pranueshmërisë të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ), ndërkaq së shpejti do të jetë i qasshëm për të gjitha palët e interesuara edhe në ueb-faqen e Gjykatës Kushtetuese www.gjk-ks.org.