Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës i përbërë nga kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka-Nimani dhe zëvendëskryetari i Gjykatës, z. Bajram Ljatifi, po qëndron për vizitë zyrtare në Ankara me ftesë të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Turqisë.
Kryetarja Caka-Nimani dhe zëvendëskryetari Ljatifi po qëndrojnë në kryeqytetin turk me ftesën për të marrë pjesë në ceremoninë e kremtimit të përvjetorit të 60-të të themelimit të Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, si dhe në Simpoziumin ndërkombëtar dyditor të organizuar me këtë rast, në temën: “Interpretimi i Kushtetutës në Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore”.
Gjatë qëndrimit në Ankara, kryetarja Caka-Nimani dhe zëvendëskryetari Ljatifi zhvilluan takime të ndara me kryetarin e Gjykatës Kushtetuese të Turqisë, z. Zühtü Arslan dhe me zëvendëskryetarin e kësaj gjykate, z. Kadir Özkaya, ku temë e diskutimit të përbashkët ishin marrëdhëniet ndërmjet dy gjykatave kushtetuese, si dhe mundësitë për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit reciprok.