Një delegacion i gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, i udhëhequr nga kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, qëndroi për vizitë zyrtare në Bali të Indonezisë, më 4-7 tetor 2022, me ftesën për të marrë pjesë në Kongresin e 5-të të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese (WCCJ).
Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese të Kosovës udhëtoi për në Bali me ftesë të Komisionit të Venecias dhe të Gjykatës Kushtetuese të Indonezisë, si mikpritëse dhe bashkë-organizatore e Kongresit të 5-të të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese (WCCJ), që këtë vit u organizua në temën: “Drejtësia kushtetuese dhe paqja”.
Burimet e së drejtës, përgjegjësitë dhe kufizimet e rolit të gjykatave kushtetuese në ruajtjen e paqes, parimet themelore ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe shqyrtimi i pavarësisë së gjykatave kushtetuese, ishin vetëm disa prej temave mbi të cilat shkëmbyen pikëpamjet e tyre profesionale kryetarët dhe gjyqtarët e gjykatave kushtetuese dhe supreme nga 90 shtete anembanë botës.
Gjatë qëndrimit në Bali, kryetarja Caka – Nimani u takua me kryetarin “emeritus” të Komisionit të Venecias, z. Gianni Buquicchio, me Sekretarin e përgjithshëm të Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese (WCCJ), z. Rudolph Dürr Schnutz, me kryetarë të disa gjykatave kushtetuese dhe supreme anëtare të WCCJ-së, si dhe me përfaqësues të Asociacionit Frankofon të Gjykatave Kushtetuese dhe të Konferencës Evropiane të Gjykatave Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës është bërë anëtare me të drejta të plota e Konferencës Botërore të Drejtësisë Kushtetuese (WCCJ), më 17 shtator 2014.