Delegacioni i Gjykatës Kushtetuese në konferencë ndërkombëtare në Letoni

03.03.2024

Një delegacion i Gjykatës Kushtetuese të Republikës Kosovës, i përbërë nga kryetarja e Gjykatës, znj. Gresa Caka – Nimani, dhe gjyqtari, z. Nexhmi Rexhepi, qëndroi për vizitë zyrtare në Riga të Letonisë, më 29 shkurt – 2 mars 2024.

Vizita e delegacionit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës u realizua me mbështetjen e Gjykatës Kushtetuese të Letonisë dhe me ftesën për të marrë pjesë në konferencën ndërkombëtare me temë: “Roli i Gjykatave Kushtetuese në konkretizimin e vlerave të përbashkëta që bashkojnë Evropën”, organizuar në shënim të 20-vjetorit të anëtarësimit të Republikës së Letonisë në Bashkimin Evropian.

Gjatë qëndrimit në Riga, krahas pjesëmarrjes në konferencën ndërkombëtare, kryetarja Caka – Nimani dhe gjyqtari Rexhepi u pritën në takim të përbashkët nga kryetari i Gjykatës Kushtetuese të Letonisë, z. Aldis Laviņš.