Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i Kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës, ASC-09-0045, të 8 marsit 2010

Nr. të lëndës KI 130/10

Parashtruesit: Cyma Agović

Shkarko:

Parashtruesi parashtroi kërkesë në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës së Kosovës, duke pretenduar se të drejtat e saj nga neni 32 [E Drejta në Mjete Juridike], neni 46 [Mbrojtja e Pronës], neni 49 [E Drejta e Punës dhe Ushtrimit të Profesionit], neni 51 [Mbrojtja Shëndetësore dhe Sociale], neni 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave], dhe neni 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] i ishin shkelur me Aktgjykimin e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, që konsideronte se Vendimi i Trupit Gjykues SCEL-08-003-0102, ishte i drejtë sepse parashtruesi kishte ushtruar ankesë kundër listës përfundimtare të AKM-së në Dhomën e Posaçme të Gjykatës Supreme, pas skadimit të afatit për dorëzimin e ankesës. Kërkesa e parashtruesit për kthim në gjendjen e mëparshme ishte refuzuar gjithashtu, për shkak se propozimi për kthim në gjendjen e mëparshme, në pajtim me nenin 118 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (“Gazeta Zyrtare e RSFJ”, Nr. 4/77-1478, 36/80-1182, 69/82-1596) është dashur të dorëzohet brenda pesëmbëdhjetë ditësh, prej ditës kur arsyeja për mosveprim kishte pushuar së ekzistuari, respektivisht deri më 3 shtator 2008.

Gjykata konstatoi se kërkesa ishte e papranueshme, sepse parashtruesi kishte dështuar të ofrojë dëshmi se procedurat relevante ishin në ndonjë mënyrë të padrejta ose të prekura nga arbitrariteti. Prandaj, Gjykata konstatoi se kërkesa ishte qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 36 (1.c) të Rregullores së punës. Përveç kësaj, Gjykata konstatoi se kërkesa ishte e paafatshme, në pajtim me nenin 49 të Ligjit sepse Aktgjykimi i Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme, ASC-09-0045 të 8 marsit 2010, i ishte dorëzuar parashtruesit më 22 mars 2010, derisa parashtruesi e kishte dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese më 28 dhjetor 2010, d.m.th. më shumë se 4 muaj pasi parashtruesit i ishte dorëzuar Aktgjykimi.

Parashtruesit:

Cyma Agović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është paraqitur pas afatit

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile