Vlerësimi i amendamentit të propozuar të Kushtetutës së Republikës së Kosovës të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të dorëzuar nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, më 24 dhjetor 2022, me shkresën nr. 08/3198/DO-1347/1
Nr. të lëndës KO207/22
Parashtruesit: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Prishtinë, më 3 gusht 2023
Nr. ref.: AGJ 2240/23
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KO207/22
Parashtrues
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
Konfirmimi i amendamentit të propozuar kushtetues, të paraqitur nga Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës më 21 dhjetor 2022, me shkresën nr. 08/3198/DO-1347/1
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), i referoi Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) një amendament kushtetues të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, të dorëzuar me shkresën nr. 08/3198/DO-1347/1 (në tekstin e mëtejmë: amendamenti i propozuar).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i amendamentit të propozuar, nëse i njëjti pakëson ndonjë nga të drejtat ose liritë e garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Amendamenti kushtetues i propozuar parasheh si në vijim:
“Në nenin 22, pas paragrafit (9) shtohet paragrafi (10), si në vijim:
(10) Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në nenin 113.9 dhe nenin 144.3 të Kushtetutës, në nenin 20 dhe nenin 54 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji), si dhe në rregullin 78 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatë
Më 21 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës, me shkresën nr. 08/3198/DO-1347/1, i referoi Gjykatës amendamentin e propozuar për vlerësim paraprak nga Gjykata, nëse ky amendament pakëson ndonjë nga të drejtat ose liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Po të njëjtën datë, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Nexhmi Rexhepi gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci.
Më 29 dhjetor 2022, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës. Përveç kësaj, Gjykata kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që t’ia ofrojë nga një kopje të këtij njoftimi secilit deputet të Kuvendit, me qëllim që atyre t’u jepet mundësia të paraqesin komentet e tyre në Gjykatë, nëse kanë, për kërkesën e lartpërmendur.
Po të njëjtën datë, nga një kopje e kërkesës iu dërgua Presidentes së Republikës së Kosovës, Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe Avokatit të Popullit.
Më 20 shkurt 2023, Gjykata pranoi komente nga Zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës, e cila e mbështeti në tërësi iniciativën dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës në këtë rast.
Më 4 korrik 2023, Gjykata e shqyrtoi kërkesën dhe njëzëri vendosi që kërkesa është e pranueshme dhe se amendamenti i propozuar i Kushtetutës nuk pakëson të drejtat dhe liritë e njeriut të përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Përmbledhja e fakteve
Më 13 dhjetor 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës kishte aprovuar Vendimin nr. 02/112, me të cilin kishte miratuar draft-amendamentin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Më 15 dhjetor 2022, Qeveria e Republikës së Kosovës i kishte përcjellë Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës propozimin për ndryshimin dhe plotësimin e nenit 22 [Zbatimi i Drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës, që këtij neni t’i shtohet paragrafi (10), respektivisht “Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”.
Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (në tekstin e mëtejmë: Konventa), ishte miratuar më 13 dhjetor 2006, nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara. Konventa ishte hapur për nënshkrim dhe ratifikim më 30 mars 2007.
Konventa ka hyrë në fuqi më 3 maj 2008. Deri më tani 186 shtete janë palë të Konventës. Bashkimi Evropian e ratifikoi Konventën më 23 dhjetor 2010.
Konventa ka edhe Protokollin Opsional të 17 dhjetorit 2007, në të cilin 104 shtete janë palë. Protokolli nuk është pjesë e amendamentit të propozuar.
Konventa, ndër të tjera, ka për qëllim të promovojë, të mbrojë dhe të sigurojë që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të promovojë respektimin e dinjitetit të tyre të lindur. Parimet themelore të kësaj Konvente, të përcaktuara në nenin 3 të saj, janë: (a) Respekti për dinjitetin, autonominë individuale përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale, dhe pavarësinë e personit; (b) Mosdiskriminimi; (c) Pjesëmarrja dhe përfshirja e plotë dhe efektive në shoqëri; (d) Respekti për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuar si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit; (e) Mundësi të barabarta; (f) Akses/Qasje; (g) Barazi ndërmjet burrave dhe grave; (h) Respekt për kapacitetet në zhvillim të fëmijëve me aftësi të kufizuar, si edhe respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuar për të ruajtur identitetin e tyre.
Konventa në nenin 4 përcakton detyrimet e përgjithshme që shtetet palë marrin përsipër të sigurojnë dhe nxisin realizimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat me aftësi të kufizuar, pa diskriminim të ndonjë lloji për shkak të aftësisë së kufizuar. Në kuadër të këtyre detyrimeve, përfshihen: (a) Të miratojnë të gjitha masat e duhura legjislative dhe administrative, si dhe masa të tjera për zbatimin e të drejtave të njohura nga kjo Konventë; (b) Të marrin të gjitha masat e duhura, duke përfshirë ato legjislative për të modifikuar apo shfuqizuar ligjet, rregulloret, zakonet dhe praktikat ekzistuese, të cilat kanë përmbajtje diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuar; (c) Të marrin parasysh mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut për personat me aftësi të kufizuar në të gjitha politikat dhe programet; (d) Të mos marrin pjesë në veprime apo praktika që nuk janë në përputhje me këtë Konventë dhe të sigurohen që autoritet dhe institucionet publike veprojnë në përputhje me këtë Konventë; (e) Të marrin të gjitha masat e duhura për të eliminuar diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar nga personat, organizatat apo ndërmarrjet private; (f) Të ndërmarrin apo të nxisin punën kërkimore dhe zhvillimin e mallrave, shërbimeve, pajisjeve dhe faciliteteve të dizenjuara në mënyrë universale, sipas përcaktimit të nenit 2 të kësaj Konvente, që kërkon adaptimet më minimale të mundshme dhe me koston më të ulët për të plotësuar nevojat specifike të personave me aftësi të kufizuar, për të nxitur disponibilitetin dhe përdorimin e tyre, si edhe për të nxitur përdorimin e dizenjos universale në përpilimin e standardeve dhe udhëzimeve; (g) Të ndërmarrin apo të nxisin punën kërkimore dhe zhvillimin, si dhe të promovojnë disponueshmërinë dhe përdorimin e teknologjive të reja, duke përfshirë teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, mjetet ndihmëse lëvizëse, pajisjet e teknologjive asistuese të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuar, duke iu dhënë përparësi teknologjive me kosto të përballueshme; (h) Tu sigurojnë personave me aftësi të kufizuar qasje në informacion lidhur me mjetet ndihmëse lëvizëse, pajisjet, dhe teknologjitë asistuese, përfshirë teknologjitë e reja, si dhe forma të tjera asistence, shërbime dhe facilitete mbështetëse; (i) Të përmirësojnë trajnimin e profesionistëve dhe stafit që punon me personat me aftësi të kufizuar lidhur me të drejtat që njeh kjo Konventë, me qëllim që asistenca dhe shërbimet e garantuara nga këto të drejta të sigurohen më mirë.
Po ashtu, neni 4 i Konventës përcakton detyrimet e shteteve në raport me të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, ku në paragrafin 2 të nenit 4 theksohet se: “Lidhur me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore, çdo shtet palë merr përsipër të ndërmarrë të gjitha masat në masën maksimale të burimeve ekzistuese dhe, kur është e nevojshme, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me synimin për të arritur në mënyrë progresive në realizimin e plotë të këtyre të drejtave, pa paragjykim ndaj atyre detyrimeve të paraqitura në këtë Konventë, të cilat sipas ligjeve ndërkombëtare janë për zbatim të menjëhershëm”.
Veç këtyre, paragrafi 3 i nenit 4 të Konventës, përcakton detyrimin e shteteve për konsultim me individë apo subjekte përfaqësuese të kësaj kategorie shoqërore. Në këtë kuptim, Konventa përcakton se: “Në zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit për zbatimin e kësaj Konvente, si dhe për proceset e tjera vendimmarrëse në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuar. Shtetet palë duhet të konsultohen në mënyrë aktive me personat me aftësi të kufizuar, përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuar për të siguruar përfshirjen e tyre nëpërmjet organizatave të tyre përfaqësuese”.
Për më tepër, Konventa në paragrafin 4 të nenit 4 përcakton detyrimin e zbatimit të dispozitave më të favorshme, që burojnë qoftë nga sistemi juridik nacional apo nga instrumentet ndërkombëtare që janë në fuqi, në raport me të drejtat që garanton Konventa. Përkatësisht, Konventa sanksionon se: “Asgjë nga kjo konventë nuk duhet të prekë ato dispozita që janë më të favorshme për realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe që mund të përmbahen në ligjin e shtetit palë apo të drejtën ndërkombëtare në fuqi për atë shtet. Nuk duhet të ketë asnjë kufizim apo cenim të asnjë prej të drejtave të njeriut dhe lirive themeltare të njohura apo ekzistuese në cilindo shtet palë në këtë konventë në përputhje me ligjin, konventat, rregulloret apo zakonet me pretekstin se kjo konventë nuk i njeh këto të drejta apo liri apo se ajo i njeh ato në një masë më të vogël”.
Më 21 dhjetor 2022, parashtruesi i kërkesës në pajtim me nenet 113.9 dhe 144.3 të Kushtetutës i referoi Gjykatës amendamentin e propozuar të Kushtetutës. Parashtruesi i kërkesës kërkoi nga Gjykata të bëj vlerësimin paraprak nëse amendamenti i propozuar pakëson ndonjë nga të drejtat ose liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Pranueshmëria e kërkesës
Për të qenë në gjendje të gjykojë për kërkesën e parashtruesit, Gjykata së pari duhet të shqyrtojë nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara në Kushtetutë dhe të specifikuara më tej në Ligj dhe në Rregullore të punës.
Së pari, Gjykata duhet të përcaktojë nëse kërkesa është dorëzuar nga pala e autorizuar, dhe së dyti, duhet të përcaktojë nëse ka juridiksion për të vlerësuar amendamentin e propozuar.
Gjykata rikujton se në bazë të nenit 113.9 të Kushtetutës:
“Kryetari i Kuvendit të Kosovës duhet të referojë amendamentet kushtetuese të propozuara para miratimit në Kuvend [...]”.
Gjykata vëren se Kryetari i Kuvendit, z. Glauk Konjufca, paraqiti amendamentin e propozuar dhe se, rrjedhimisht, kërkesa është dorëzuar nga pala e autorizuar në bazë të nenit 113.9 të Kushtetutës.
Gjykata më tej rikujton se bazuar në të njëjtin nen 113.9 të Kushtetutës, ajo duhet:
“[…] të konstatojë nëse amendamenti i propozuar i zvogëlon të drejtat dhe liritë e garantuara me Kapitullin II të Kushtetutës”.
Rrjedhimisht, Gjykata ka juridiksion për të vlerësuar nëse amendamenti i propozuar pakëson ndonjë nga të drejtat dhe liritë e garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës.
Prandaj, duke qenë se është dorëzuar nga pala e autorizuar dhe pasi që Gjykata ka juridiksion për shqyrtimin e rastit, kërkesa është e pranueshme në pajtim me nenin 113.9 të Kushtetutës.
Fushëveprimi i vlerësimit kushtetues
Siç u tha më lart, në pjesën “Procedura në Gjykatë”, parashtruesi i kërkesës i dorëzoi Gjykatës amendamentin e propozuar.
Prandaj, Kushtetuta, si akti më i lartë juridik, duhet të respektohet zyrtarisht dhe solemnisht me rastin e propozimit të amendamenteve për të. Gjykata, duke shprehur kujdesin për nevojën e sigurisë juridike në lidhje me këtë çështje, thekson që, në bazë të nenit 112 [Parimet e Përgjithshme] të Kapitullit VIII [Gjykata Kushtetuese] të Kushtetutës: “Gjykata Kushtetuese është autoriteti përfundimtar për interpretimin e Kushtetutës dhe të përputhshmërisë së ligjeve me Kushtetutën” (shih rastin nr. KO162/18, parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 7 shkurtit 2019, paragrafi 23).
Në këtë drejtim, Gjykata konfirmon se vlerësimi i kushtetutshmërisë së amendamentit të propozuar, sipas nenit 144.3 të Kushtetutës, duhet të trajtohet në dritën e Kapitullit II [Të Drejtat dhe Liritë Themelore], duke përfshirë rendin juridik të Republikës së Kosovës, bazë e të cilit – sipas nenit 21 [Parimet e Përgjithshme] të Kapitullit II të Kushtetutës – janë të drejtat dhe liritë e njeriut të përmendura në këtë Kapitull (shih rastin nr. KO162/18, parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, cituar më lart, paragrafi 24; shih, po ashtu, rastin nr. KO61/12, parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 31 tetorit 2012, paragrafi 18; po ashtu, shih rastin nr. KO44/14, parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 31 marsit 2014).
Gjykata gjithashtu konsideron se neni 21 i Kushtetutës duhet lexuar në frymën e nenit 7.1 të Kushtetutës që definon vlerat e rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, të cilat bazohen “në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut”.
Gjykata vëren se amendamenti i propozuar është në përputhje me detyrimet që burojnë nga neni 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, përmes të cilit kërkohet që të drejtat e njeriut duhet të interpretohen në pajtim me praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Prandaj, me rastin e vlerësimit të kushtetutshmërisë së amendamenteve të propozuara, kjo Gjykatë nuk do t’i marrë parasysh vetëm të drejtat dhe liritë themelore të njeriut të përfshira në Kapitullin II, por tërë shkronjën, përmbajtjen dhe frymën e Kushtetutës (shih rastin nr. KO29/12 dhe rastin KO48/12, parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Aktgjykim i 20 korrikut 2012, si dhe rastin nr. KO162/18, parashtrues: Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, cituar më lart).
Në dritën e asaj që u tha më lart, Gjykata tani do ta shqyrtojë amendamentin e propozuar.
Amendamenti i propozuar: paragrafi i ri (10) i nenit 22 të Kushtetutës
Kushtetuta, në nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare], aktualisht parasheh:
“Të drejtat dhe liritë e njeriut të garantuara me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare në vijim, garantohen me këtë Kushtetutë, zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës dhe kanë prioritet, në rast konflikti, ndaj dispozitave e ligjeve dhe akteve të tjera të institucioneve publike:
(1) Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut;
(2) Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj;
(3) Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile e Politike dhe Protokollet e saj;
(4) Konventa Kornizë e Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Pakicave Kombëtare;
(5) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit Racor;
(6) Konventa për Eliminimin e të gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Gruas;
(7) Konventa për të Drejtat e Fëmijës;
(8) Konventa kundër Torturës dhe Trajtimeve e Ndëshkimeve të tjera Mizore, Jonjerëzore dhe Poshtëruese;
(9) Konventa e Këshillit të Evropës për parandalimin dhe luftimin e dhunës kundër grave dhe dhunës në familje”.
Gjykata rikujton se amendamenti i propozuar parasheh që të shtohet një paragraf i ri pas paragrafit 9 të nenit 22, respektivisht të shtohet edhe paragrafi 10, si në vijim:
“(10) Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”.
Gjykata vëren se Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e personave me Aftësi të Kufizuara përmban preambulën dhe 50 (pesëdhjetë) nene. Në vijim, Gjykata do të paraqes të plotë tekstin e kësaj Konvente:
Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara
Parathënie
Shtetet palë në këtë Konventë
(a) Duke pasur parasysh se, në përputhje me parimet e shpallura në Kartën e Kombeve të Bashkuara, të cilat njohin dinjitetin e lindur dhe të drejtat e barabarta dhe të patjetërsueshme të të gjithë anëtarëve të familjes njerëzore si themele të lirisë, drejtësisë dhe paqes në botë;
(b) Duke pranuar se, Kombet e Bashkuara, në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe në Paktet Ndërkombëtare për të Drejtat e Njeriut, kanë shpallur dhe kanë pranuar që çdo njeri gëzon të gjitha të drejtat dhe liritë të parashtruara në to, pa asnjë dallim të çfarëdo lloji;
(c) Duke pohuar se, unversaliteti, pandashmëria, ndërvarësia dhe ndërlidhja e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut dhe nevojës së personave me aftësi të kufizuara për t'i garantuar ato pa diskriminim;
(d) Duke pasur parasysh se, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore, Konventa Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit Racor, Konventa Ndërkombëtare për Eliminimin e të Gjitha Formave të Diskriminimit ndaj Grave, Konventa kundër Torturës dhe Formave të tjera të Trajtimit Mizor, çnjerëzor apo Degradues apo Ndëshkimeve, Konventa për të Drejtat e Fëmijëve dhe Konventa Ndërkombëtare për Mbrojtjen e të Drejtave të të gjithë punëtorëve emigrantë dhe Anëtarëve të Familjeve të Tyre;
(e) Duke pranuar se, aftësia e kufizuar është një koncept që evoluon dhe se aftësia e kufizuar rezulton nga ndërveprimi ndërmjet personave me aftësi të kufizuara dhe barrierave të qëndrimit/mentalitetit dhe ambientit që pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri në bazë të barabartë me të tjerët;
(f) Duke pranuar rëndësinë e parimeve dhe të udhëzimeve të politikave të shprehura në Programin Botëror të Veprimit lidhur me Personat me Aftësi të Kufizuara dhe në Rregullat Standarde për Barazinë e Mundësive për Personat me Aftësi të Kufizuara, të cilat ndikojnë në promovimin, formulimin dhe vlerësimin e politikave, planeve, programeve dhe veprimeve në nivel kombëtar, rajonal dhe ndërkombëtar për të çuar më tej barazinë e mundësive për personat me aftësi të kufizuara;
(g) Duke theksuar rëndësinë e gjithëpërfshirjes së çështjeve të aftësisë së kufizuar si pjesë përbërëse e strategjive përkatëse të zhvillimit të qëndrueshëm;
(h) Duke pranuar gjithashtu se diskriminimi ndaj çdo personi për shkak të aftësisë së kufizuar është dhunim i dinjitetit dhe vlerave të personit;
(i) Duke pranuar më tej diversitetin e personave me aftësi të kufizuara;
(j) Duke pranuar nevojën për të nxitur dhe mbrojtur të drejtat e njeriut të të gjithë personave me aftësi të kufizuara, përfshirë këtu edhe ata persona që kërkojnë mbështetje më intensive;
(k) Duke qenë të shqetësuar se pavarësisht nga të gjitha këto instrumente dhe sipërmarrje, personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të përballen me barriera në pjesëmarrjen e tyre si anëtarë të barabartë të shoqërisë dhe ndeshen me dhunime të të drejtave të tyre njerëzore në të gjitha anët e botës;
(l) Duke pranuar rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar për përmirësimin e kushteve të jetesës së personave me aftësi të kufizuara në çdo vend, dhe veçanërisht në vendet në zhvillim;
(m) Duke pranuar kontributet e vlefshme ekzistuese dhe potenciale të personave me aftësi të kufizuara për mirëqenien e përgjithshme dhe diversitetin e komuniteteve të tyre, dhe faktin që nxitja e gëzimit të plotë të të gjitha të drejtave njerëzore dhe lirive themelore nga personat me aftësi të kufizuara, si dhe pjesëmarrjes së plotë nga personat me aftësi të kufizuara do të çojë në rritjen e sensit të tyre të përkatësisë dhe në një përparim domethënës të zhvillimit njerëzor, shoqëror dhe ekonomik të shoqërisë dhe zhdukjes së varfërisë;
(n) Duke pranuar rëndësinë që ka për personat me aftësi të kufizuara autonomia dhe pavarësia e tyre personale, duke përfshirë dhe lirinë për të bërë vetë zgjedhjet e tyre;
(o) Duke pasur në konsideratë se, personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë mundësinë të përfshihen në mënyrë aktive në proceset e vendimmarrjes për politikat dhe programet, përfshirë ato që kanë të bëjnë direkt me ta;
(p) Duke qenë të shqetësuar për kushtet e vështira me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara, të cilët janë objekt i formave shumëfishe apo të rënduara të diskriminimit me bazë racore, ngjyre, gjinie, gjuhe, besimit fetar, bindjesh politike apo të tjera, kombësie, origjine etnike apo shoqërore, pasurie, lindjeje, moshe apo statusi tjetër;
(q) Duke pranuar se, gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara janë shpeshherë më shumë të rrezikuara, si brenda dhe jashtë shtëpisë, nga dhuna, dëmtimi apo abuzimi, neglizhenca apo trajtimi neglizhent, keqtrajtimi apo shfrytëzimi;
(r) Duke pranuar se fëmijët me aftësi të kufizuara duhet të gëzojnë plotësisht të drejtat e njeriut dhe liritë themelore në baza të barabarta me fëmijët e tjerë, dhe duke pasur parasysh detyrimet lidhur me këtë qëllim të ndërmarra nga shtetet palë në Konventën për të Drejtat e Fëmijës;
(s) Duke theksuar nevojën për të përfshirë një perspektivë gjinore në të gjitha përpjekjet për të promovuar që personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
(t) Duke nxjerrë në pah faktin se shumica e personave me aftësi të kufizuara jetojnë në kushte varfërie dhe duke pranuar kështu nevojën e rëndësishme për të trajtuar ndikimin negativ të varfërisë tek personat me aftësi të kufizuara;
(u) Duke pasur në konsideratë që kushtet e paqes dhe sigurisë të bazuara në respektimin e plotë të qëllimeve dhe parimeve që përmban Karta e Kombeve të Bashkuara dhe që njohja e instrumenteve të aplikuara për të drejtat e njeriut janë elemente të domosdoshme për mbrojtjen e plotë të personave me aftësi të kufizuara, veçanërisht gjatë konflikteve të armatosura dhe pushtimeve të huaja;
(v) Duke njohur rëndësinë e aksesit në ambientet fizike, shoqërore, ekonomike dhe kulturore, si edhe ndaj shëndetit, arsimimit, informacionit dhe komunikimit në mënyrë që personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht të drejtat dhe liritë themelore të njeriut;
(wë) Duke kuptuar se një individ duke pasur detyrime ndaj individëve të tjerë dhe komunitetit të cilit ai apo ajo i përket ka përgjegjësinë të bëjë përpjekje për nxitjen dhe zbatimin e të drejtave të njohura në Traktatin Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut;
(x) Duke qenë të bindur se familja është njësia natyrale dhe themelore e shoqërisë dhe ka të drejtë të mbrohet nga shoqëria dhe shteti, dhe se personat me aftësi të kufizuara dhe anëtarët e tyre të familjes duhet të marrin mbrojtjen dhe asistencën e duhur me qëllim që të bëjnë të mundur që familjet të kontribuojnë që personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë të drejtat e tyre në mënyrë të plotë dhe të barabartë;
(y) Duke qenë të bindur se një konventë ndërkombëtare gjithëpërfshirëse dhe integrale për të promovuar dhe mbrojtur të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara do të japë një kontribut domethënës për të balancuar disavantazhin e thellë shoqëror në të cilin ndodhen personat me aftësi të kufizuara dhe të promovojë pjesëmarrjen në sferat shoqërore, politike, ekonomike dhe kulturore me mundësi të barabarta, si në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim;
Ranë dakord për sa vijon:
Neni 1
Qëllimi
Qëllimi i kësaj Konvente është të nxisë, mbrojë dhe të sigurohet që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht dhe në mënyrë të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut, si dhe të nxisë respektin për dinjitetin e tyre.
Personat me aftësi të kufizuara përfshijnë individët me dëmtime fizike, mendore, intelektuale apo shqisore afatgjata të cilat në ndërveprim me barriera të ndryshme mund të pengojnë pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe efektive në shoqëri njësoj si pjesa tjetër e shoqërisë.
Neni 2
Përkufizimet
Në kuptimin ë kësaj Konvente:
"Komunikimi" përfshin gjuhët, shfaqje teksti, Braille, komunikimin me prekje, printim me font të madh, multimedia të aksesueshme, si edhe gjuhë të qartë, audio dhe të shkruar, lexuesin (person që lexon) dhe mënyra, mjetet dhe forma komunikimi shtesë apo alternative, duke përfshirë informacion dhe teknologji komunikimi të aksesueshëm.
"Gjuha" përfshin gjuhën e folur dhe gjuhën e shenjave si dhe forma të tjera të gjuhës jo-të folur;
“Diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar" ka kuptimin e çdo dallimi, përjashtimi apo kufizimi për shkak të aftësisë së kufizuar, që ka si qëllim ose ndikon në pengimin apo mohimin e njohjes, gëzimit apo ushtrimit, njësoj si të gjithë të tjerët, të të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në fushën politike, ekonomike, shoqërore, kulturore, civile apo në ndonjë fushë tjetër. Në këtë përkufizim përfshihen të gjitha format e diskriminimit, duke përfshirë edhe mohimin e përshtatjes brenda logjikës;
“Përshtatje brenda logjikës” ka kuptimin e çdo modifikimi dhe përshtatjeje të nevojshme dhe të përshtatshme duke mos imponuar një barrë dispropocionale dhe të panevojshme, kur është e nevojshme në raste të veçanta, për t’iu siguruar personave me aftësi të kufizuara gëzimin apo ushtrimin e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut njësoj si pjesa tjetër e popullsisë;
"Dizenjo universale" ka kuptimin e dizenjos së produkteve, ambienteve, programeve dhe shërbimeve, në mënyrë të tillë që ato të jenë të përdorshme nga të gjithë, në masën më të madhe të mundshme, pa pasur nevojë për përshtatje apo për dizenjo të veçantë. Nga «dizenjoja universale» nuk do të përjashtohen pajisjet asistuese për grupe të veçanta të personave me aftësi të kufizuara, kur është e nevojshme.
Neni 3
Parime të përgjithshme
Parimet e kësaj Konvente do të përfshijnë:
(a) Respektin për dinjitetin, autonominë individuale përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale, dhe pavarësinë e personit;
(b) Mosdiskriminimin;
(c) Pjesëmarrjen dhe përfshirjen e plotë dhe efektive në shoqëri;
(d) Respektin për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit;
(e) Mundësi të barabarta;
(f) Akses;
(g) Barazi ndërmjet burrave dhe grave;
(h) Respekt për kapacitetet në zhvillim të fëmijëve me aftësi të kufizuara, si edhe respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre.
Neni 4
Detyrime të përgjithshme
1. Shtetet palë marrin përsipër të sigurojnë dhe nxisin realizimin e plotë të të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat me aftësi të kufizuara, pa diskriminim të ndonjë lloji për shkak të aftësisë së kufizuar. Për këtë qëllim, shtetet palë marrin përsipër:
(a) Të miratojnë të gjitha masat e duhura legjislative dhe administrative, si dhe masa të tjera për zbatimin e të drejtave të njohura nga kjo Konventë;
(b) Të marrin të gjitha masat e duhura, duke përfshirë ato legjislative për të modifikuar apo shfuqizuar ligjet, rregulloret, zakonet dhe praktikat ekzistuese, të cilat kanë përmbajtje diskriminuese ndaj personave me aftësi të kufizuara;
(c) Të marrin parasysh mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave të njeriut për personat me aftësi të kufizuara në të gjitha politikat dhe programet;
(d) Të mos marrin pjesë në veprime apo praktika që nuk janë në përputhje me këtë Konventë dhe të sigurohen që autoritet dhe institucionet publike veprojnë në përputhje me këtë Konventë;
(e) Të marrin të gjitha masat e duhura për të eliminuar diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar nga personat, organizatat apo ndërmarrjet private;
(f) Të ndërmarrin apo të nxisin punën kërkimore dhe zhvillimin e mallrave, shërbimeve, pajisjeve dhe faciliteteve të dizenjuara në mënyrë universale, sipas përcaktimit të nenit 2 të kësaj Konvente, që kërkon adaptimet më minimale të mundshme dhe me koston më të ulët për të plotësuar nevojat specifike të personave me aftësi të kufizuara, për të nxitur disponibilitetin dhe përdorimin e tyre, si edhe për të nxitur përdorimin e dizenjos universale në përpilimin e standardeve dhe udhëzimeve;
(g) Të ndërmarrin apo të nxisin punën kërkimore dhe zhvillimin, si dhe të promovojnë disponibilitetin dhe përdorimin e teknologjive të reja, duke përfshirë teknologjitë e informacionit dhe komunikimit, mjetet ndihmëse lëvizëse, pajisjet e teknologjive asistuese të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, duke iu dhënë përparësi teknologjive me kosto të përballueshme;
(h) Tu sigurojnë personave me aftësi të kufizuara akses informacioni lidhur me mjetet ndihmëse lëvizëse, pajisjet, dhe teknologjitë asistuese, përfshirë teknologjitë e reja, si dhe forma të tjera asistence, shërbime dhe facilitete mbështetëse.
(i) Të përmirësojnë trajnimin e profesionistëve dhe stafit që punon me personat me aftësi të kufizuara lidhur me të drejtat që njeh kjo Konventë, me qëllim që asistenca dhe shërbimet e garantuara nga këto të drejta të sigurohen më mirë.
2. Lidhur me të drejtat ekonomike, shoqërore dhe kulturore, çdo shtet palë merr përsipër të ndërmarrë të gjitha masat në masën maksimale të burimeve ekzistuese dhe, kur është e nevojshme, në kuadrin e bashkëpunimit ndërkombëtar, me synimin për të arritur në mënyrë progresive në realizimin e plotë të këtyre të drejtave, pa paragjykim ndaj atyre detyrimeve të paraqitura në këtë Konventë, të cilat sipas ligjeve ndërkombëtare janë për zbatim të menjëhershëm.
3. Në zhvillimin dhe zbatimin e legjislacionit për zbatimin e kësaj Konvente, si dhe për proceset e tjera vendimmarrëse në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me personat me aftësi të kufizuara. Shtetet palë duhet të konsultohen në mënyrë aktive me personat me aftësi të kufizuara, përfshirë këtu edhe fëmijët me aftësi të kufizuara për të siguruar përfshirjen e tyre nëpërmjet organizatave të tyre përfaqësuese.
4. Asgjë nga kjo Konventë nuk duhet të prekë ato dispozita, që janë më të favorshme për realizimin e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara dhe që mund të përmbahen në ligjin e shtetit palë apo ligjin ndërkombëtar në fuqi për atë shtet. Nuk duhet të ketë asnjë kufizim apo cenim të asnjë të drejte të njeriut dhe lirive themelore të njohura apo ekzistuese në cilindo shtet palë në këtë Konventë në përputhje me ligjin, konventat, rregulloret apo zakonet me pretekstin se kjo Konventë nuk i njeh këto të drejta apo liri, apo se ajo i njeh ato në një masë më të vogël.
5. Dispozitat e kësaj Konvente janë të zbatueshme në të gjitha pjesët e shteteve federale pa asnjë kufizim apo përjashtim.
Neni 5
Barazia dhe mosdiskriminimi
1. Shtetet palë pranojnë se të gjithë personat janë të barabartë përpara ligjit dhe se gëzojnë të drejtë pa asnjë diskriminim për mbrojtje të barabartë dhe përfitim të barabartë nga ligji.
2. Shtetet palë duhet të ndalojnë çdo lloj diskriminimi për shkak të aftësisë së kufizuar dhe tu garantojnë personave me aftësi të kufizuara mbrojtje ligjore të barabartë dhe efektive ndaj çdo lloj diskriminimi dhe në çdo rrethanë.
3. Me qëllim të nxitjes së barazisë dhe eliminimit të diskriminimit, shtetet palë duhet të ndërmarrin të gjitha hapat e duhura për tu siguruar se është ofruar akomodim i arsyeshëm.
4. Masat specifike të cilat janë të nevojshme për të përshpejtuar apo arritur de facto barazinë e personave me aftësi të kufizuara nuk do të konsiderohen diskriminim sipas termave të kësaj Konvente.
Neni 6
Gratë me aftësi të kufizuara
1. Shtetet palë pranojnë se gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara janë objekt i një diskriminimi shumëformësh dhe për këtë do të marrin masa për tu siguruar se ato gëzojnë në mënyrë të plotë dhe të barabartë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut.
2. Shtetet palë duhet të marrin të gjitha masat e duhura për të siguruar zhvillimin, përparimin dhe fuqizimin e plotë të grave, me qëllim që t’u garantohet ushtrimi dhe gëzimi i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut të përcaktuara në këtë Konventë.
Neni 7
Fëmijët me aftësi të kufizuara
1. Shtetet palë duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që fëmijët me aftësi të kufizuara gëzojnë të gjitha të drejtat dhe liritë themelore të njeriut njësoj si fëmijët e tjerë.
2. Në të gjitha veprimet lidhur me fëmijët me aftësi të kufizuara prioritet kryesor duhet të jetë ajo çfarë është më e mirë për këta fëmijë.
3. Shtetet palë duhet të sigurohen që fëmijët me aftësi të kufizuara të kenë të drejtën për të shprehur lirisht pikëpamjet e tyre në lidhje me të gjitha çështjet që u përkasin dhe këtyre pikëpamjeve u duhet dhënë pesha/vlerësimi i duhur në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre, njësoj si për të gjithë fëmijët e tjerë, si edhe iu duhet ofruar asistenca e duhur sipas moshës dhe aftësisë së kufizuar për ta realizuar këtë të drejtë.
Neni 8
Ndërgjegjësimi
1. Shtetet palë marrin përsipër të ndërmarrin masa të menjëhershme, efektive dhe të përshtatshme:
(a) Për të rritur ndërgjegjësimin e shoqërisë, duke përfshirë punën me familjet, lidhur me personat me aftësi të kufizuara, me qëllim të nxitjes së respektit për të drejtat dhe dinjitetin e personave me aftësi të kufizuara;
(b) Për të luftuar stereotipet, paragjykimet dhe praktikat e dëmshme lidhur me personat me aftësi të kufizuara, përfshirë dhe ato me bazë gjininë dhe moshën, në të gjitha fushat e jetës;
(c) Për të nxitur rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me aftësitë dhe kontributin e personave me aftësi të kufizuara.
2. Masat për këtë qëllim përfshijnë:
(a) Ndërmarrjen e nismave dhe fushatave efektive për ndërgjegjësimin e publikut;
(i) përmirësimin e botëkuptimit në lidhje me të drejtat e personave me aftësi të kufizuara;
(ii) nxitjen e perceptimit pozitiv dhe një ndërgjegjësimi më të madh shoqëror ndaj personave me aftësi të kufizuara;
(iii) promovimin e njohjes së aftësive, meritave dhe mundësive të personave me aftësi të kufizuara, si edhe të kontributeve të tyre në ambientin (vendin) e punës dhe tregun e punës;
(b) Nxitja e mendësisë së respektit për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara në të gjitha nivelet e sistemit arsimor, duke përfshirë të gjithë fëmijët që në moshë të hershme;
(c) të inkurajojë të gjithë organet e mediave për të portretizuar personat me aftësi të kufizuara në mënyrë të tillë që të jetë konsistente me këtë Konventë;
(d) të nxisë programet e trajnimit në lidhje me rritjen e ndërgjegjësimit për sa u takon personave me aftësi të kufizuara dhe të drejtave të personave me aftësi të kufizuara.
Neni 9
Aksesi
1. Me qëllim që të gjithë personat me aftësi të kufizuara të mund jetojnë në mënyrë të pavarur dhe të marrin pjesë plotësisht në të gjitha aspektet e jetës, shtetet palë do të marrin masat e duhura për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara, ashtu si të gjithë të tjerët të kenë akses në ambientet fizike, ndaj transportit, informacionit dhe komunikimit, duke përfshirë edhe teknologjitë dhe sistemet e informacionit dhe komunikimit, si dhe në facilitete apo shërbime të tjera të disponueshme apo të ofruara për publikun, si në zonat urbane dhe ato rurale. Këto masa, të cilat do të përfshijnë evidentimin dhe eliminimin e pengesave dhe barrierave ndaj aksesit do të zbatohen ndër të tjera:
(a) Në ndërtesa, rrugë, transport dhe facilitete të tjera në ambiente të brendshme apo të jashtme, përfshirë shkollat, strehimin, qendrat shëndetësore apo ambientet e punës;
(b) Informacion, komunikim dhe shërbime të tjera, përfshirë shërbimet elektronike dhe ato të urgjencës.
2. Gjithashtu, shtetet palë duhet të marrin masat e duhura për:
(a) Të zhvilluar, shpallur dhe monitoruar zbatimin e udhëzimeve dhe standardeve minimale në lidhje me aksesin ndaj objekteve dhe shërbimeve të hapura apo të siguruara për publikun;
(b) Tu siguruar që subjektet private të cilat ofrojnë objekte dhe shërbime, të cilat janë të hapura apo të siguruara për publikun të marrin parasysh të gjitha aspektet e aksesit për personat me aftësi të kufizuara;
(c) Të ofruar trajnim për aktorët e interesit lidhur me problemet që kanë të bëjnë me aksesin për personat me aftësi të kufizuara;
(d) Tu siguruar që ndërtesat dhe objektet e tjera publike të përmbajnë shenja në gjuhën Braille dhe në forma lehtësisht të lexueshme dhe të kuptueshme;
(e) Të siguruar forma asistence direkte dhe të ndërmjetme, duke përfshirë guida, lexues dhe interpretë profesionistë të gjuhës së shenjave, për të mundësuar aksesin në ndërtesa dhe objekte të tjera publike;
(f) Të inkurajuar forma të tjera të përshtatshme të asistencës dhe mbështetjes për personat me aftësi të kufizuara për t’u siguruar që ata të kenë akses në informacion;
(g) Të nxitur aksesin e personave me aftësi të kufizuara ndaj e informacioneve të reja dhe sistemeve të teknologjive e reja të komunikimit, duke përfshirë dhe internetin;
(h) Të promovuar projektimin, zhvillimin, prodhimin dhe shpërndarjen e teknologjive dhe sistemeve të aksesueshme të informacionit dhe komunikimit në një fazë të hershme, në mënyrë që këto teknologji dhe sisteme të bëhen të aksesueshme me një kosto minimale.
Neni 10
E drejta për jetën
Shtetet palë riafirmojnë që çdo qenie njerëzore ka të drejtën për të jetuar dhe se ato duhet të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për t’u siguruar që personat me aftësi të kufizuara e gëzojnë këtë të drejtë në mënyrë efektive njësoj si të tjerët.
Neni 11
Situatat e rrezikut dhe emergjencat humanitare
Në përputhje me detyrimet e tyre sipas legjislacionit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe ligjin ndërkombëtar për situatat humanitare dhe konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, shtetet palë do të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar mbrojtjen dhe sigurinë e personave me aftësi të kufizuara në raste rreziku, duke përfshirë situata të konflikteve të armatosura, emergjencave humanitare dhe fatkeqësive natyrore.
Neni 12
Njohje e barabartë përpara ligjit
1. Shtetet palë riafirmojnë se personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën e njohjes kudo si persona përpara ligjit.
2. Shtetet palë pranojnë që personat me aftësi të kufizuara gëzojnë kapacitetin ligjor (njësoj si pjesa tjetër e popullsisë në të gjitha aspektet e jetës (shënim: në gjuhët arabe, kineze dhe ruse, termi “kapacitet ligjor” i referohet “kapacitetit ligjor për të drejtat” dhe jo “kapacitetit ligjor për të vepruar”).
3. Shtetet palë do të marrin masat e duhura për t’u siguruar personave me aftësi të kufizuara akses në lidhje me mbështetje që ata mund të kërkojnë në ushtrimin e kapacitetit të tyre ligjor.
4. Shtetet palë në përputhje me ligjet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut do të sigurohen që të gjitha masat që lidhen me ushtrimin e kapacitetit ligjor përmbajnë standarde të përshtatshme dhe efikase për të parandaluar abuzimin. Këto standarde do të bëjnë të mundur që masat që lidhen me ushtrimin e kapacitetit ligjor respektojnë të drejtat, vullnetin dhe preferencat e personit nuk kanë konflikt interesi dhe ndikim të panevojshëm, janë në proporcion dhe të përshtatura sipas rrethanave të personit, aplikohen për periudhën më të shkurtër të mundshme dhe u nënshtrohen shqyrtimeve të rregullta nga një autoritet kompetent, i pavarur dhe i paanshëm apo një trupe gjyqësore. Standardet do të jenë proporcionale më masën që këto masa cenojnë të drejtat dhe interesat e personit.
5. Në varësi të dispozitave të këtij neni, shtetet palë do të marrin të gjitha masat e duhura dhe efektive për të siguruar të drejtën e barabartë të personave me aftësi të kufizuara për të pasur në pronësi apo për të trashëguar prona, për të kontrolluar çështjet e tyre financiare dhe për të pasur akses të barabartë në kreditë bankare, hipoteka dhe forma të tjera të kredive financiare dhe do të sigurohet që personave me aftësi të kufizuara nuk iu hiqet në mënyrë arbitrare prona.
Neni 13
Aksesi në organet e drejtësisë
1. Shtetet palë do të sigurojnë akses efektiv në organet e drejtësisë për personat me aftësi të kufizuara njësoj si pjesa tjetër e popullsisë, duke përfshirë akomodime të përshtatshme procedurale dhe sipas përkatësisë të moshës, me qëllim të lehtësimit të rolit të tyre si pjesëmarrës direktë dhe indirektë, duke përfshirë edhe rolin e dëshmitarit, në të gjitha procedurat ligjore, duke përfshirë fazat hetimore dhe stade të tjera paraprake.
2. Me qëllim që personave me aftësi të kufizuara t’iu bëhet i mundur aksesi i duhur në organet e drejtësisë, shtetet palë do të inkurajojnë organizimin e seancave të trajnimit për ata persona që punojnë në fushën e administrimit të drejtësisë, duke përfshirë policinë dhe personelin e burgut.
Neni 14
Liria dhe siguria e personit
1. Shtetet palë do të sigurohen që personat me aftësi të kufizuara, njësoj si pjesa tjetër e popullsisë:
(a) Gëzojnë të drejtën për lirinë dhe sigurinë e personit;
(b) Nuk iu hiqet liria në mënyrë të paligjshme dhe arbitrare, dhe që çdo heqje lirie të jetë në përputhje me ligjin si edhe që ekzistenca e aftësisë së kufizuar nuk duhet në asnjë rast të justifikojë heqjen e lirisë.
2. Shtetet palë do të sigurohen që nëse personave me aftësi të kufizuara iu është hequr liria nëpërmjet çfarëdo lloj procesi, njësoj si të tjerët, ata të kenë të drejtën për garanci në përputhje me traktatin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut dhe të trajtohen në përputhje me objektivat dhe parimet e kësaj Konvente, duke përfshirë dispozitën e përshtatjes brenda logjikës (akomodimit të arsyeshëm.)
Neni 15
Liria nga tortura apo, trajtimi ose ndëshkimi mizor, çnjerëzor apo degradues
1. Askush nuk duhet t'i nënshtrohet torturës, trajtimit ose dënimit mizor, çnjerëzor apo degradues. Në mënyrë të veçantë, askush nuk duhet t’i nënshtrohet eksperimentimit mjekësor apo shkencor pa pëlqimin e saj/tij të lirë.
2. Shtetet palë do të marrin të gjitha masat e duhura ligjore, administrative, gjyqësore apo të tjera për të parandaluar që personat me aftësi të kufizuara, njësoj si të tjerët, t'i nënshtrohen torturës apo trajtimit apo dënimit mizor, çnjerëzor apo degradues.
Neni 16
Liria nga shfrytëzimi, dhuna dhe abuzimi
1. Shtetet palë do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura ligjore, administrative, shoqërore, arsimore etj. për të mbrojtur personat me aftësi të kufizuara, si brenda ashtu edhe jashtë familjes, nga të gjitha format e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit, duke përfshirë edhe aspektet me bazë gjinore.
2. Gjithashtu, shtetet palë do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për të parandaluar të gjitha format e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit duke siguruar, ndër të tjera, format e duhura të asistencës në bazë të gjinisë dhe moshës dhe mbështetje për personat me aftësi të kufizuara, familjeve të tyre dhe punonjësve të kujdesit, përfshirë nëpërmjet sigurimit të informacionit dhe edukimit se si të shmangen, njihen apo raportohen rastet e shfrytëzimit, dhunës apo abuzimit. Shtetet palë do të sigurohen që shërbimet e mbrojtjes të marrin në konsideratë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me moshën, gjininë dhe aftësinë e kufizuar.
3. Me qëllim të parandalimit të të gjitha formave të shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit, shtetet palë do të sigurohen që të gjitha objektet dhe programet e projektuara për t’u shërbyer personave me aftësi të kufizuara të jenë të monitoruara në mënyrë efektive nga autoritete të pavarura.
4. Shtetet palë do të marrin të gjitha masat e duhura për të nxitur rikuperimin fizik, konjitiv dhe psikologjik të personave me aftësi të kufizuara, si edhe rehabilitimin dhe riintegrimin e atyre personave të kthehen në viktima të çdo lloj forme shfrytëzimi, dhune apo abuzimi, duke përfshirë përmes ofrimit të shërbimeve mbrojtëse. Rikuperimi dhe riintegrimi do të ndodhin në një mjedis që nxit shëndetin, mirëqenien sociale, autostimën, dinjitetin dhe autonominë e personit dhe merr parasysh nevojat specifike gjinore dhe moshore.
5. Shtetet palë do të hartojnë ligje dhe politika efikase, përfshirë edhe ligje dhe politika të përqendruara tek gratë dhe fëmijët për t’u siguruar që rastet e shfrytëzimit, dhunës dhe abuzimit ndaj personave me aftësi të kufizuara të jenë evidentuar dhe hetuar, dhe sipas rrethanave edhe ndjekur penalisht.
Neni 17
Mbrojtja e integritetit të personit
Çdo person me aftësi të kufizuar ka të drejtën e respektit ndaj integritetit të saj/ tij fizik dhe mendor njësoj si pjesa tjetër e popullsisë.
Neni 18
Liria e lëvizjes dhe kombësia
1. Shtetet palë do të njohin të drejtat e personave me aftësi të kufizuara për lirinë e lëvizjes, lirinë për të zgjedhur vendbanimin e tyre dhe kombësinë, njësoj si pjesa tjetër e popullsisë, duke u siguruar gjithashtu që personat me aftësi të kufizuara:
(a) të gëzojnë të drejtën për të marrë dhe ndryshuar kombësinë dhe që atyre të mos iu hiqet kombësia në mënyrë arbitrare apo për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar;
(b) të mos iu hiqet mundësia, për shkak të aftësisë së kufizuar, për të marrë, pasur dhe përdorur dokumentacionin e kombësisë së tyre apo dokumentacion tjetër identifikues, apo për të përdorur proceset përkatëse të tilla si procedurat e emigrimit, që mund të nevojitet për të lehtësuar ushtrimin e të drejtës për lirinë e lëvizjes;
(c) të jenë të lirë të largohen nga çdo vend/shtet, përfshirë dhe vendin/shtetin e tyre;
(d) të mos iu hiqet e drejta, në mënyrë arbitrare apo për shkak të aftësisë së kufizuar për të hyrë në vendin/shtetin e tyre.
2. Fëmijët me aftësi të kufizuara do të regjistrohen menjëherë pas lindjes dhe që nga lindja do të kenë të drejtën për një emër, të drejtën për të marrë një kombësi dhe sa më shpejt të jetë e mundur të drejtën për të njohur dhe për të pasur kujdesin prindëror.
Neni 19
Jetesa e pavarur dhe përfshirja në komunitet
Shtetet palë në këtë Konventë njohin të drejtën e barabartë të të gjithë personave me aftësi të kufizuara për të jetuar në komunitet, me zgjedhje të barabarta me të tjerët dhe do të marrin masat e duhura dhe efektive për të bërë të mundur që personat me aftësi të kufizuara të gëzojnë plotësisht këtë të drejtë dhe përfshirjen e pjesëmarrjen e tyre të plotë në komunitet, përfshirë dhe duke u siguruar që:
(a) Personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësinë për të zgjedhur vendbanimin e tyre, ku dhe me kë do të jetojnë, njësoj si të tjerët dhe të mos jenë të detyruar të jetojnë në një mënyrë të veçantë të caktuar jetese;
(b) Personat me aftësi të kufizuara të kenë akses ndaj një gamë të gjerë shërbimesh mbështetëse në shtëpi, shërbimesh rezidenciale dhe shërbimesh në komunitetet dhe të parandalojnë izolimin dhe veçimin e tyre nga komuniteti;
(c) Shërbimet dhe objektet komunitare për popullatën në përgjithësi të jenë të disponueshme në baza të barabarta për personat me aftësi të kufizuara dhe t’iu përgjigjen nevojave të tyre.
Neni 20
Lëvizshmëria personale
Shtetet palë do të marrin masat e duhura për të siguruar lëvizshmërinë personale me pavarësinë më të madhe të mundshme për personat me aftësi të kufizuara, si më poshtë:
(a) Lehtësimin e lëvizshmërisë personale të personave me aftësi të kufizuara sipas mënyrës dhe kohës së zgjedhur prej tyre, dhe me kosto të përballueshme;
(b) Lehtësimin e aksesit të personave me aftësi të kufizuara në mjetet lëvizëse, pajisjet, teknologjitë asistuese/ndihmese dhe format e asistencës direkte dhe të ndërmjetme, përfshirë sigurimin e tyre me kosto të përballueshme;
(c) Sigurimin e trajnimit lidhur me aftësitë lëvizëse të personave me aftësi të kufizuara dhe stafit të specializuar që punon me personat me aftësi të kufizuara;
(d) Inkurajimi i subjekteve që prodhojnë mjete lëvizëse, pajisje dhe teknologji asistuese të marrin parasysh të gjitha aspektet e lëvizjes së personave me aftësi të kufizuara.
Neni 21
Liria e shprehjes dhe mendimit dhe aksesi ndaj informacionit
Shtetet palë do të ndërmarrin të gjitha masat e duhura për t’u siguruar që personat me aftësi të kufizuara të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të lirisë së shprehjes dhe mendimit, duke përfshirë lirinë për të kërkuar, pasur dhe përhapur informacionin dhe idetë në baza të barabarta me të tjerët dhe nëpërmjet të gjitha formave të komunikimit sipas zgjedhjes së tyre, sipas përcaktimeve të nenit 2 të kësaj Konvente, si më poshtë vijon:
(a) Sigurimin e të gjithë informacionit të menduar për përdorim publik për personat me aftësi të kufizuara në formate dhe teknologji të aksesueshme të përshtatshme për lloje të ndryshme të aftësisë së kufizuar në kohën e duhur dhe pa kosto shtesë;
(b) Pranimin dhe lehtësimin e përdorimit të gjuhës së shenjave, gjuhës Braille, komunikimit shtesë dhe alternativ dhe të të gjitha mjeteve, mënyrave, dhe formave të tjera të komunikimit të aksesueshme sipas zgjedhjes së personave me aftësi të kufizuara në komunikimet zyrtare;
(c) Nxitjen e subjekteve private që sigurojnë shërbime publike, duke përfshirë dhe internetin, të sigurojnë informacion dhe shërbime në formate të aksesueshme dhe të përdorshme për personat me aftësi të kufizuara;
(d) Inkurajimin e medias, duke përfshirë edhe ofruesit e informacionit nëpërmjet internetit, për t’i bërë shërbimet e tyre të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara;
(e) Njohjen dhe nxitjen e përdorimit të gjuhës së shenjave.
Neni 22
Respekti për jetën private (privatësia)
1. Asnjë person me aftësi të kufizuar, pavarësisht nga vendbanimi apo mënyra e jetesës nuk duhet të bëhet objekt i ndërhyrjeve arbitrare apo të paligjshme në jetën e tij/saj private, në familje, në lidhje me korrespondencën, llojet e tjera të komunikimit apo të bëhet objekt i sulmeve të paligjshme ndaj nderit apo reputacionit të tij/saj. Personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën për mbrojtje ligjore ndaj këtyre ndërhyrjeve dhe sulmeve.
2. Shtetet palë do të mbrojnë privatësinë e informacionit personal, shëndetësor dhe në lidhje me statusin e rehabilitimit të personave me aftësi të kufizuara, njësoj si pjesa tjetër e popullsisë.
Neni 23
Respekti për shtëpinë dhe familjen
1. Shtetet palë do të marrin masat e duhura për eliminimin e diskriminimit ndaj personave me aftësi të kufizuara në lidhje me të gjitha çështjet lidhur me martesën, familjen, të qenit prindër dhe lidhjet, njësoj si të gjithë të tjerët për të siguruar:
(a) njohjen e të drejtës të të gjithë personave me aftësi të kufizuara në moshë martese për t’u martuar dhe krijuar familje bazuar në pëlqimin dhe lirinë e plotë të çiftit;
(b) njohjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara për të vendosur lirshëm dhe me përgjegjësi për numrin dhe largësinë e fëmijëve nga njëri-tjetri dhe për të pasur akses informacioni përkatës për moshën, edukimin për planifikimin familjar dhe riprodhimin për mjetet e nevojshme që i mundësojnë ata të ushtrojnë këto të drejta;
(c) Personat me aftësi të kufizuara, duke përfshirë fëmijët, ruajnë fertilitetin/(të drejtën për riprodhim) njësoj si të gjithë të tjerët.
2. Shtetet palë do të garantojnë të drejtat dhe përgjegjësitë e personave me aftësi të kufizuara lidhur me kujdestarinë, ruajtjen, trustet dhe birësimin e fëmijëve apo institucioneve të ngjashme ku këto koncepte ekzistojnë në legjislacionin kombëtar; gjithsesi, interesi më i mirë i fëmijës do të jetë dominuesi. Shtetet palë do të japin asistencën e duhur ndaj personave me aftësi të kufizuara në realizimin e përgjegjësive për rritjen e fëmijëve të tyre.
3. Shtetet palë do të garantojnë që fëmijët me aftësi të kufizuara të gëzojnë të drejta të barabarta lidhur me jetën familjare. Me qëllim të realizimit të këtyre të drejtave dhe për të parandaluar fshehjen, braktisjen, neglizhimin dhe izolimin e fëmijëve me aftësi të kufizuara, shtetet palë garantojnë sigurimin e informacionit, shërbimeve dhe mbështetjes të hershme dhe të gjithanshme për fëmijët me aftësi të kufizuara dhe familjet e tyre.
4. Shtetet palë do të garantojnë që fëmija të mos ndahet nga prindërit e tij/saj kundër dëshirës së tij/saj, përveç atyre rasteve kur autoritetet kompetente sipas shqyrtimit gjyqësor përcaktojnë, në përputhje me ligjet dhe procedurat përkatëse, që një ndarje e tillë është e domosdoshme për interesin më të mirë të fëmijës. Në asnjë rast nuk do të ndahet një fëmijë nga prindërit për shkak të aftësisë së kufizuar të fëmijës apo aftësisë së kufizuar të njërit apo të dy prindërve.
5. Shtetet palë, në rastet kur familja imediate nuk është në gjendje të kujdeset për fëmijën me aftësi të kufizuar, do të bëjnë çdo përpjekje për të siguruar kujdes alternativ brenda familjes së zgjeruar, dhe në rast se një përpjekje e tillë dështon, brenda komunitetit në një ambient familjar.
Neni 24
Arsimi
1. Shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për arsim. Me qëllim të realizimit të kësaj të drejte pa diskriminim dhe mbi bazën e mundësive të barabarta, shtetet palë do të garantojnë një sistem arsimor përfshirës në të gjitha nivelet, duke përfshirë edhe arsimin gjatë gjithë jetës me synim:
(a) Zhvillimin e plotë të potencialit njerëzor dhe ndjenjës së dinjitetit dhe vetëvlerësimit, fuqizimin e respektit për të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe diversitetit njerëzor;
(b) Zhvillimin nga ana e personave me aftësi të kufizuara të personalitetit, talenteve dhe krijimtarisë së tyre, si edhe të aftësive të tyre mendore dhe fizike, në potencialin e tyre të plotë;
(c) Mundësimin e personave me aftësi të kufizuara për të marrë pjesë në mënyrë efektive në një shoqëri të lirë.
2. Gjatë realizimit të kësaj të drejte, shtetet palë do të garantojnë që:
(a) Personat me aftësi të kufizuara të mos jenë të përjashtuar nga sistemi i arsimit të përgjithshëm për shkak të aftësisë së kufizuar dhe që fëmijët me aftësi të kufizuar të mos jenë të përjashtuar nga arsimimi pa pagesë dhe i detyruar fillor, ose arsimi i mesëm, për shkak të aftësisë së kufizuar;
(b) Personat me aftësi të kufizuara mund të kenë akses në arsimin fillor gjithëpërfshirës, cilësor dhe pa pagesë dhe arsimin e mesëm njësoj si të gjithë fëmijët e tjerë në komunitetet ku ata jetojnë;
(c) Sigurohet akomodimi i arsyeshëm i kërkesave individuale;
(d) Personat me aftësi të kufizuara marrin mbështetjen e kërkuar, brenda sistemit të arsimit të përgjithshëm për të mundësuar arsimimin e duhur të tyre.
(e) Sigurohen masa mbështetëse efikase dhe të individualizuara në ambiente që rrisin zhvillimin akademik dhe shoqëror, në përputhje me qëllimin për përfshirjen e tyre të plotë.
3. Shtetet palë do të bëjnë të mundur që personat me aftësi të kufizuara të mësojnë aftësi për zhvillim shoqëror dhe jetësor për të lehtësuar pjesëmarrjen e tyre të plotë dhe të barabartë në arsim dhe si pjesëtarë të komunitetit. Për këtë qëllim shtetet palë duhet të marrin masat e duhura, duke përfshirë:
(a) Lehtësimin e të mësuarit të Braille, shkrimeve alternative, mënyrave augmentative/njohëse dhe alternative, mjeteve dhe formateve të komunikimit, aftësive të orientimit dhe lëvizshmërisë dhe lehtësimin e mbështetjes dhe kujdesit nga moshatarët;
(b) Lehtësimin e të mësuarit të gjuhës së shenjave dhe nxitjen e identitetit linguistik të personave që nuk dëgjojnë;
(c) të sigurohen që arsimimi i individëve, dhe në veçanti fëmijëve, të cilët janë të verbër, nuk dëgjojnë, apo që nuk dëgjojnë e nuk shikojnë, në të njëjtën kohë të jepet në gjuhën, mënyrat dhe mjetet e komunikimit më të përshtatshme për individin dhe në ambiente të cilat rrisin zhvillimin akademik dhe shoqëror të tij/saj.
4. Me qëllim që të garantohet realizimi i kësaj të drejte, shtetet palë do të marrin masat e duhura për punësimin e mësueseve, duke përfshirë mësuesit me aftësi të kufizuara, të cilët janë të kualifikuar në gjuhën e shenjave dhe/apo Braille, dhe të trajnojnë profesionistët dhe stafin që punon në të gjitha nivelet arsimore. Trajnime të tilla duhet të përfshijnë ndërgjegjësimin në lidhje me aftësinë e kufizuar dhe përdorimin e mënyrave të duhura augmentative/njohëse dhe alternative, mjeteve dhe formateve të komunikimit, teknikave edukuese dhe materialeve për të mbështetur personat me aftësi të kufizuara.
5. Shtetet palë do të garantojnë që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të kenë akses në arsimin e lartë, trajnime profesionale, arsimin për të rritur dhe të mësuarit gjatë të gjithë jetës pa diskriminim dhe në baza të barabarta me të tjerët. Për këtë qëllim, shtetet palë do të garantojnë ofrimin e akomodimit të arsyeshëm për personat me aftësi të kufizuara.
Neni 25
Shëndeti
Shtetet palë njohin faktin që personat me aftësi të kufizuara kanë të drejtën të gëzojnë standardin më të lartë të mundshëm shëndetësor pa diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar. Shtetet palë do të marrin masat e duhura për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuara ndaj shërbimet shëndetësore të lidhura me gjininë, përfshirë rehabilitimin lidhur me shëndetin. Në veçanti, shtetet palë do t’u:
(a) garantojnë personave me aftësi të kufizuara të njëjtën gamë, cilësi dhe standarde të shërbimeve shëndetësore pa pagesë ose të përballueshme siç iu sigurohet personave të tjerë, duke përfshirë programe dhe shërbime në fushën e shëndetit seksual dhe riprodhues dhe programe të shëndetit publik.
(b) garantojnë ato shërbime shëndetësore që u nevojiten personave me aftësi të kufizuara, për shkak të aftësisë së tyre të kufizuar, duke përfshirë edhe identifikimin e hershëm dhe ndërhyrjen sipas rastit, si dhe shërbime të hartuara për të minimizuar dhe parandaluar përkeqësimin e aftësive të kufizuara, duke përfshirë fëmijët dhe të moshuarit;
(c) garantojnë këto shërbime shëndetësore sa më pranë të jetë e mundur komuniteteve të këtyre personave, përfshirë zonat rurale;
(d) t’u kërkojë profesionistëve të kujdesit shëndetësor të ofrojnë kujdes të së njëjtës cilësi për personat me aftësi të kufizuara si për të tjerët, duke përfshirë edhe mbi bazë të pëlqimit të lirë dhe të informuar, si edhe të rrisë ndërgjegjësimin për të drejtat, dinjitetin, autonominë e njeriut dhe nevojave të personave me aftësi të kufizuara nëpërmjet trajnimeve dhe shpalljes së standardeve etike për kujdesin shëndetësor publik dhe privat;
(e) të ndalojë diskriminimin ndaj personave me aftësi të kufizuara në ofrimin e sigurimeve shëndetësore dhe sigurimit të jetës, në ato raste kur një siguracion i tillë lejohet nga ligji kombëtar, që do të ofrohet në mënyrë të drejtë dhe të arsyeshme.
(f) të parandalojë mohimin diskriminues të kujdesit shëndetësor apo shërbimeve shëndetësore apo të ushqimeve dhe lëngjeve mbi bazën e aftësisë së kufizuar.
Neni 26
Aftësimi dhe rehabilitimi
1. Shtetet palë do të ndërmarrin masat e duhura, duke përdorur edhe mbështetjen e moshatarëve, për të bërë të mundur që personat me aftësi të kufizuara të arrijnë dhe të ruajnë pavarësinë e tyre maksimale, aftësinë e plotë fizike, mendore, shoqërore dhe profesionale, dhe për të siguruar përfshirjen dhe pjesëmarrjen e tyre të plotë në të gjitha aspektet e jetës. Për këtë qëllim, shtetet palë do të organizojnë, fuqizojnë dhe zgjerojnë shërbimet aftësuese dhe rehabilituese gjithëpërfshirëse, veçanërisht në fushat e shëndetit, punësimit, edukimit dhe shërbimeve sociale, në mënyrë të tillë që këto shërbime dhe programe:
(a) Të fillojnë në fazën më të hershme të mundshme dhe të jenë të bazuara në vlerësimet multidisiplinare të nevojave dhe fuqive individuale;
(b) Të mbështesin pjesëmarrjen dhe përfshirjen në komunitet dhe në të gjitha aspektet e shoqërisë dhe të sigurohen që ato janë mbi baza vullnetare të disponueshme për personat me aftësi të kufizuara sa më pranë komuniteteve të tyre të jetë e mundur, duke përfshirë zonat rurale.
2. Shtetet palë do të inkurajojnë organizimin e trajnimeve të nivelit fillestar dhe të vazhdueshëm për profesionistët dhe stafin që punon në shërbimet aftësuese dhe rehabilituese.
3. Shtetet palë do të inkurajojnë disponibilitetin, njohuritë dhe përdorimin e pajisjeve dhe teknologjive asistuese të projektuara për personat me aftësi të kufizuara, duke qenë se ato lidhen me aftësimin dhe rehabilitimin.
Neni 27
Puna dhe punësimi
1. Shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për të punuar, njësoj si pjesa tjetër e popullsisë; këtu përfshihet e drejta për të pasur mundësinë për të fituar jetesën duke bërë punë të zgjedhur lirisht apo të pranuar në tregun e punës dhe vendin/ambientin e punës që është i hapur, përfshirës dhe i arritshëm nga personat me aftësi të kufizuara. Shtetet palë do të mbrojnë dhe inkurajojnë realizimin e të drejtës për punë, duke përfshirë dhe personat që e fitojnë aftësinë e kufizuar gjatë punësimit, duke marrë hapat e duhur, përfshirë masat ligjore me qëllim që ndër të tjera:
(a) të ndalojnë diskriminimin për shkak të aftësisë së kufizuar në të gjitha çështjet lidhur me punësimin, përfshirë kushtet e pajtimit në punë, punësimit, vazhdimësisë së punësimit, ecjes në karrierë dhe ofrimin e kushteve të sigurta dhe të shëndetshme të punës;
(b) mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, njësoj si të gjithë të tjerët, duke përfshirë garantimin e mundësive të barabarta dhe pagesës të barabartë për punën me vlerë, siguri dhe kushte pune të shëndetshme të barabarta, duke përfshirë dhe mbrojtjen nga ngacmimet dhe zgjidhjen e ankesave;
(c) Për të garantuar që personat me aftësi të kufizuara të jenë në gjendje të ushtrojnë të drejtat e punës dhe të drejtat sindikaliste njësoj si të gjithë të tjerët;
(d) Për të garantuar që personat me aftësi të kufizuara të kenë akses në programet e përgjithshme udhëzuese teknike dhe profesionale, në shërbimet e punësimit dhe për të garantuar trajnim të vazhdueshëm dhe profesional;
(e) nxitjen e mundësive për punësim dhe karrierë për personat me aftësi të kufizuara në tregun e punës, si edhe ofrimin e asistencës për gjetjen, fitimin, mbajtjen dhe kthimin në punë;
(f) nxitjen e mundësive për vetëpunësim, aktivitet të lirë privat, zhvillimin e kooperativave dhe hapjen e një biznesi personal;
(g) punësimin e personave me aftësi të kufizuara në sektorin publik;
(h) inkurajimin e punësimit të personave me aftësi të kufizuara në sektorin privat nëpërmjet politikave dhe masave të duhura, të cilat mund të përfshijnë programe pozitive veprimi, stimuj dhe masa të tjera;
(i) Për të garantuar që personave me aftësi të kufizuara u sigurohet një akomodim i arsyeshëm në ambientin e punës;
(j) Për të inkurajuar personat me aftësi të kufizuara të fitojnë përvojë pune në tregun e hapur të punës;
(k) Për të promovuar programe për rehabilitim profesional, për mbajtjen e vendit të punës dhe ofrimin e programeve për kthimin në punë për personat me aftësi të kufizuara.
2. Shtetet palë do të garantojnë që personat me aftësi të kufizuara të mos mbahen në skllavëri apo të përdoren si shërbëtorë dhe të jenë të mbrojtur ashtu si gjithë të tjerët nga puna e detyruar.
Neni 28
Standardet e duhura të jetesës dhe mbrojtjes sociale
1. Shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për një standard adekuat jetese për ta dhe për familjet e tyre, duke përfshirë ushqimin, veshjen dhe strehimin e përshtatshëm, si edhe të drejtën për përmirësimin e vazhdueshëm të kushteve të jetesës dhe do të ndërmarrin hapat e duhura për të mbrojtur dhe përmirësuar realizimin e kësaj të drejte pa diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar.
2. Shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për mbrojtje shoqërore dhe që ata ta gëzojnë atë të drejtë pa diskriminim për shkak të aftësisë së kufizuar dhe do të ndërmarrin hapat e duhura për të mbrojtur dhe përmirësuar realizimin e kësaj të drejte, duke përfshirë marrjen e masave:
(a) Për të siguruar akses të barabartë të personave me aftësi të kufizuara ndaj shërbimeve për ujë të pijshëm dhe shërbimeve, pajisjeve dhe formave të tjera të asistencës të përshtatshme dhe të përballueshme për nevoja të lidhura me aftësinë e kufizuar;
(b) Për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuar, në veçanti grave dhe vajzave me aftësi të kufizuara dhe personave të moshuar me aftësitë e kufizuara në programet e mbrojtjes shoqërore dhe të reduktimit të varfërisë;
(c) Për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuara dhe familjeve të tyre që jetojnë në kushtet e varfërisë, në asistencën e ofruar nga Shteti për të mbuluar shpenzimet lidhur me aftësinë e kufizuar, duke përfshirë trajnimin, këshillimin, asistencën financiare dhe kujdesin gjatë pushimeve;
(d) Për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuara në programet e strehimit publik;
(e) Për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuara në programet dhe përfitimet e pensionit.
Neni 29
Pjesëmarrja në jetën politike dhe publike
Shtetet palë duhet t’u garantojnë personave me aftësi të kufizuara të drejtat politike dhe mundësinë për t’i gëzuar ato njësoj si pjesa tjetër e popullsisë dhe duhet të marrin përsipër:
(a) Tu garantojnë personave me aftësi të kufizuara pjesëmarrjen e plotë dhe efektive në jetën politike dhe publike njësoj si të gjithë të tjerët, drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, duke përfshirë edhe të drejtën dhe mundësinë e personave me aftësitë e kufizuara për të votuar dhe për tu zgjedhur, ndër të tjera duke:
(i) siguruar që procedurat, facilitetet dhe materialet e votimit të jenë të përshtatshme, të aksesueshme dhe të thjeshta për tu kuptuar dhe përdorur;
(ii) Mbrojtur të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për të votuar me votë të fshehtë në zgjedhje dhe referendume publike, pa kërcënim, për të kandiduar në zgjedhje, për të ushtruar funksione publike dhe për të kryer të gjitha funksionet publike në të gjitha nivelet e qeverisë, duke lehtësuar përdorimin e teknologjive asistuese dhe të reja, në rastet e përshtatshme;
(iii) Garantuar shprehjen e vullnetit të lirë të personave me aftësi të kufizuara si zgjedhës dhe për këtë qëllim, kur është e nevojshme, me kërkesën e tyre, lejohet asistenca në votim nga një person i zgjedhur prej tyre.
(b) garantimin e një ambienti, në të cilin personat me aftësi të kufizuara mund të marrin pjesë në mënyrë efektive dhe të plotë në dirigjimin e çështjeve publike, pa diskriminim dhe njësoj si të tjerët dhe të inkurajojë pjesëmarrjen e tyre në çështjet publike, duke përfshirë:
(i) Pjesëmarrjen në organizatat joqeveritare dhe shoqatat që kanë të bëjnë me jetën publike dhe politike në vend dhe në aktivitetet dhe administrimin e partive politike;
(ii) Krijimin apo pjesëmarrjen në organizata të personave me aftësi të kufizuara për të përfaqësuar personat me aftësi të kufizuara në nivele ndërkombëtare, kombëtare, rajonale dhe lokale.
Neni 30
Pjesëmarrja në jetën kulturore dhe aktivitetet argëtuese dhe sportive
1. Shtetet palë njohin të drejtën e personave me aftësi të kufizuara për të marrë pjesë njësoj si të gjithë të tjerët në jetën kulturore të vendit dhe do të marrin të gjitha masat e duhura për të garantuar që personat me aftësi të kufizuara:
(a) Gëzojnë akses në materialet kulturore në të gjitha formatet e aksesueshme;
(b) Gëzojnë akses në programet televizive, filmat, teatrot, dhe aktivitete të tjera kulturore, në formate të aksesueshme;
(c) Gëzojnë akses në institucionet apo shërbimet kulturore, si p.sh: teatrot, muzeumet, kinematë, bibliotekat dhe shërbimet për turistët dhe për sa është e mundur gëzojnë akses në monumentet dhe qendrat me rëndësi për kulturën kombëtare.
2. Shtetet palë duhet të marrin masat e duhura për të bërë të mundur që personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësinë për të zhvilluar dhe përdorur potencialin e tyre krijues, artistik, dhe intelektual, jo vetëm për të mirën e tyre, por gjithashtu për pasurimin kulturor të shoqërisë.
3. Shtetet palë do të ndërmarrin hapat e duhur, në përputhje me legjislacionin ndërkombëtar për të garantuar që ligjet që mbrojnë të drejtat e pronësisë intelektuale nuk përbëjnë një barrierë të paarsyeshme apo diskriminuese për aksesin e personave me aftësi të kufizuara në materiale kulturore.
4. Personat me aftësi të kufizuara duhet të kenë të drejtën, njësoj si të gjithë të tjerët, që t’u njihet dhe të mbështetet identiteti i tyre specifik kulturor dhe linguistik, përfshirë dhe gjuhën e shenjave dhe kulturën e personave që nuk dëgjojnë.
5. Me qëllim që personat me aftësi të kufizuara të marrin pjesë njësoj si të gjithë të tjerët në aktivitete argëtuese, të kohës së lirë dhe sportive, shtetet palë duhet të marrin masat e duhura:
(a) Për të inkurajuar dhe nxitur pjesëmarrjen e personave me aftësi të kufizuara në aktivitetet sportive gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet;
(b) Për të siguruar që personat me aftësi të kufizuara të kenë mundësinë të organizojnë, zhvillojnë dhe marrin pjesë në aktivitete sportive specifike dhe argëtuese për aftësinë e kufizuar dhe për këtë qëllim, të inkurajojnë ofrimin e instruksioneve, trajnimit dhe burimeve të duhura, njësoj si të gjithë të tjerët;
(c) Për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuara në terrenet sportive, argëtuese dhe turistike;
(d) Për të siguruar aksesin e barabartë të fëmijëve dhe për të marrë pjesë në lojëra, argëtime, aktivitete sportive dhe të kohës së lirë, duke përfshirë edhe aktivitetet që zhvillohen në sistemin shkollor;
(e) Për të siguruar aksesin e personave me aftësi të kufizuara në shërbimet argëtuese, turistike, sportive dhe të kohës së lirë.
Neni 31
Statistikat dhe grumbullimi i të dhënave
1. Shtetet palë marrin përsipër të mbledhin informacionin e duhur, duke përfshirë të dhëna statistikore dhe kërkimore, për të bërë të mundur që këto shtete të hartojnë dhe zbatojnë politika që do t’i japin efekt kësaj Konvente. Procesi i mbledhjes dhe ruajtjes së këtij informacioni duhet:
(a) Të jetë në përputhje me masat mbrojtëse ligjore, duke përfshirë ligjin për mbrojtjen e të dhënave, për të siguruar konfidencialitetin dhe respektin për jetën private të personit me aftësi të kufizuar;
(b) Të jetë në përputhje me normat ndërkombëtare të pranuara për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe liritë themelore, si edhe parimet etike për mbledhjen dhe përdorimin e statistikave.
2. Informacioni i mbledhur sipas këtij neni do të disagregohet/ndahet sipas rastit dhe do të përdoret për t’u ardhur në ndihmë shteteve palë në këtë Konventë në vlerësimin e zbatimit të detyrimeve të tyre, si edhe do të identifikojë dhe adresojë barrierat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre.
3. Shtetet palë marrin përgjegjësinë për shpërndarjen e këtyre statistikave dhe sigurojnë që ato të jenë të aksesueshme për personat me aftësi të kufizuara dhe për të tjerët.
Neni 32
Bashkëpunimi ndërkombëtar
1. Shtetet palë pranojnë rëndësinë e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe nxitjen e tij, në mbështetje të përpjekjeve kombëtare për realizimin e qëllimit dhe objektivave të kësaj Konvente dhe do të ndërmarrin masat e duhura dhe efektive në këtë drejtim, midis shteteve dhe sipas rastit në partneritet me organizatat përkatëse ndërkombëtare dhe rajonale dhe shoqërinë civile, në veçanti organizatat për personat me aftësi të kufizuara. Këto masa, ndër të tjera, mund të përfshijnë:
(a) sigurimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, duke përfshirë programet ndërkombëtare të zhvillimit, të jetë përfshirës dhe i aksesueshëm për personat me aftësi të kufizuara;
(b) Të lehtësojnë dhe mbështesin ngritjen e kapaciteteve, midis të tjerash nëpërmjet shkëmbimit dhe ndarjes së informacionit, përvojës, programeve të trajnimit dhe praktikës më të mirë;
(c) Të lehtësojnë bashkëpunimin në punën kërkimore dhe aksesin në njohurinë shkencore dhe teknike; dhe
(d) Të sigurojnë, sipas rastit, asistencë teknike dhe ekonomike, përfshirë dhe sigurimin e aksesit dhe përdorimin e përbashkët të teknologjisë ndihmëse dhe të aksesueshme, si edhe nëpërmjet transferimit të teknologjisë.
2. Dispozitat e këtij neni nuk përbëjnë asnjë paragjykim ndaj detyrimeve të secilit shtet palë për të plotësuar detyrimet e tij në kuadrin e kësaj Konvente.
Neni 33
Zbatimi dhe monitorimi i Konventës në nivel kombëtar
1. Sipas sistemit të tyre të organizimit, shtetet palë do të caktojnë një apo më shumë persona kontakti në qeveri për çështje që kanë të bëjnë me zbatimin e kësaj Konvente, si edhe do t’i japin vendin e duhur ngritjes apo caktimit të një mekanizmi koordinimi brenda qeverisë për të lehtësuar veprimet që kanë të bëjnë me aftësinë e kufizuar në sektorë të ndryshëm dhe në nivele të ndryshme.
2. Shtetet palë, në përputhje me sistemet e tyre ligjore dhe administrative, do të mbajnë, fuqizojnë, caktojnë ose hartojnë brenda shtetit palë, një kuadër i cili do të përfshijë një apo më shumë mekanizma të pavarur, si të jetë më e përshtatshme, për të nxitur, mbrojtur dhe monitoruar zbatimin e kësaj Konvente. Gjatë caktimit apo ngritjes së një mekanizmi të tillë, shtetet palë do të mbajnë në konsideratë parimet në lidhje me statusin dhe funksionimin e institucioneve kombëtare për mbrojtjen dhe stimulimin e të drejtave të njeriut.
3. Shoqëria civile dhe në veçanti personat me aftësi të kufizuara dhe organizatat e tyre përfaqësuese duhet të përfshihen dhe të marrin pjesë plotësisht në procesin e monitorimit.
Neni 34
Komiteti për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara
1. Do të ngrihet një Komitet për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (tani e tutje i referuar si: Komiteti), i cili do të kryejë funksionet e paraqitura më poshtë.
2. Momentin që kjo Konventë hyn në fuqi, Komiteti do të përbëhet nga dymbëdhjetë ekspertë. Pas gjashtëdhjetë ratifikimesh apo pranimesh shtesë në Konventë, anëtarësia e Komitetit do të shtohet me gjashtë anëtarë, duke ruajtur një numër maksimal prej tetëmbëdhjetë anëtarësh.
3. Anëtarët e Komitetit do të shërbejnë në kapacitetin e tyre personal dhe do të jenë me një qëndrim të lartë moral dhe kompetencë e përvojë të njohur në fushën e paraqitur në këtë Konventë. Shtetet palë ftohen t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dispozitës së parashtruar në nenin 4.3 të kësaj Konvente, kur bëjnë nominimin e kandidatëve të tyre.
4. Anëtarët e Komitetit do të zgjedhen nga shtetet palë, ku do t’i kushtohet vëmendje shpërndarjes së barabartë gjeografike, përfaqësimit të formave të ndryshme të civilizimit dhe të sistemeve ligjore principale, përfaqësimit të barabartë gjinor dhe pjesëmarrjes së ekspertëve me aftësi të kufizuara.
5. Anëtarët e Komitetit do të zgjedhen me votim të fshehtë nga një listë me shtetas të nominuar nga shtetet palë në takimet e Konferencës së shteteve palë. Në ato takime, për të cilat dy të tretat e shteteve palë duhet të përbëjnë kuorumin, personat e zgjedhur në Komitet do të jenë ata që sigurojnë numrin më të madh të votave dhe një mozhorancë absolute të votave të përfaqësuesve të shteteve palë që janë prezentë dhe votojnë.
6. Zgjedhjet fillestare do të mbahen jo më vonë se gjashtë muaj pas datës së hyrjes në fuqi të kësaj Konvente. Së paku katër muaj para datës së zgjedhjeve, Sekretari Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do t’iu dërgojë një letër shteteve palë duke i ftuar ata që të paraqesin nominimet brenda dy muajve. Sekretari i Përgjithshëm do të përgatisë më pas në rend alfabetik një listë me të gjithë personat e nominuar, duke i treguar shtetet palë që i kanë nominuar ata, dhe do t’ua paraqesë atë shteteve palë të kësaj Konvente.
7. Anëtarët e Komitetit do të zgjidhen për një mandat katërvjeçar. Ata do të kenë të drejtën e rizgjedhjes një herë. Megjithatë, mandati për të gjashtë anëtarët e zgjedhur në zgjedhjet e para do të skadojë në fund të dy viteve; menjëherë pas zgjedhjeve të para, emrat e këtyre gjashtë anëtarëve do të zgjedhen me short nga kryetari i takimit siç referohet në paragrafin 5 të këtij neni.
8. Zgjedhja e gjashtë anëtarëve shtesë të Komitetit do të mbahet me rastin e zgjedhjeve të rregullta, në përputhje me dispozitat përkatëse të këtij neni.
9. Në qoftë se një anëtar i Komitetit vdes apo jep dorëheqjen apo deklaron se për çfarëdo shkaku ajo apo ai nuk mund të kryejë detyrat e saj apo të tij, shteti palë, i cili ka nominuar anëtaren/anëtarin duhet të emërojë një ekspert tjetër që i ka kualifikimet dhe plotëson kriteret e përcaktuara në dispozitat përkatëse të këtij neni, që të shërbejë për pjesën e mbetur të mandatit.
10. Komiteti duhet të vendosë rregullat e tij të procedurës.
11. Sekretari Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të sigurojë stafin dhe facilitetet e nevojshme për realizimin efektiv të funksioneve të Komitetit në këtë Konventë, dhe do të thërrasë mbledhjen e saj të parë.
12. Me aprovimin e Asamblesë së Përgjithshme, anëtarët e Komitetit të ngritur sipas kësaj Konvente do të marrin pagesë nga fondet e Kombeve të Bashkuara sipas termave dhe kushteve që mund të vendosë Asambleja, duke pasur parasysh rëndësinë e përgjegjësive të Komitetit.
13. Anëtarët e Komitetit do të kenë të drejtë për facilitete, privilegje dhe imunitete të ekspertëve në misione për Kombet e Bashkuara siç parashtrohet në seksionet përkatëse të Konvetës për Privilegjet dhe imunitetet e Kombeve të Bashkuara.
Neni 35
Raportet nga shtetet palë
1. Çdo shtet palë do të paraqesë në Komitet, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, një raport gjithëpërfshirës për masat e marra për të bërë efektive detyrimet e tij në këtë Konventë dhe për progresin e bërë në këtë drejtim, brenda dy viteve që kjo Konventë hyn në fuqi për atë shtet palë.
2. Pas kësaj, shtetet palë paraqesin raportet pasuese të paktën çdo katër vjet, si dhe sa herë që kërkohet nga Komiteti.
3. Komiteti do të vendosë udhëzimet përkatëse lidhur me përmbajtjen e raporteve.
4. Shteti palë i cili i ka paraqitur Komitetit një raport fillestar gjithëpërfshirës nuk nevojitet të përsërisë informacionin e paraqitur më parë në raportet e tij të tjera pasuese. Kur bëjnë përgatitjen e raporteve për Komitetin, shtetet palë ftohen të kenë parasysh që ta bëjnë këtë në një proces të hapur dhe transparent si dhe t’i kushtojnë vëmendjen e duhur dispozitave të përcaktuara në nenin 4.3 të kësaj Konvente.
5. Raportet mund të tregojnë faktorë dhe vështirësi që ndikojnë në shkallën e plotësimit të detyrimeve të kësaj Konvente.
Neni 36
Shqyrtimi i raporteve
1. Çdo raport duhet të shqyrtohet nga Komiteti, i cili do të bëjë sugjerime dhe rekomandime të përgjithshme për raportin siç ai e konsideron të përshtatshme dhe do t’ua dërgojë ato shtetit palë përkatës. Shteti palë mund të përgjigjet me çdo informacion, që ai zgjedh për Komitetin. Komiteti mund të kërkojë nga shtetet palë informacion të mëtejshëm lidhur me zbatimin e kësaj Konvente.
2. Në qoftë se shteti palë e ka tejkaluar shumë afatin për paraqitjen e raportit, Komiteti mund të njoftojë shtetin palë përkatës lidhur me nevojën për të shqyrtuar zbatimin e kësaj Konvente në atë shtet palë, mbi bazën e informacionit të besueshëm të disponueshëm për Komitetin, në qoftë se raporti përkatës nuk paraqitet brenda tre muajve nga njoftimi. Komiteti do të ftojë shtetin palë përkatës për të marrë pjesë në këtë ekzaminim. Nëse shteti palë përgjigjet me paraqitjen e raportit përkatës, do të aplikohen dispozitat e paragrafit 1 të këtij neni.
3. Sekretari Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do t’i vë raportet në dispozicion të të gjitha shteteve palë.
4. Shtetet palë do t’i bëjnë raportet sa më publike në vendet e tyre dhe do të mundësojnë akses për sugjerime dhe rekomandime të përgjithshme lidhur me këto raporte.
5. Komiteti do t’u transmetojë, siç mund ta shohë të përshtatshme, agjencive të specializuara, fonde dhe programe të Kombeve të Bashkuara dhe organizmave të tjerë kompetentë, raportet nga shtetet palë me qëllim për të paraqitur një kërkesë apo tregues të nevojës për këshillim apo asistencë teknike të përfshirë në raport, krahas vëzhgimeve dhe rekomandimeve të Komitetit, në rast se ka të tilla, lidhur me këto kërkesa dhe tregues.
Neni 37
Bashkëpunimi midis shteteve palë dhe Komitetit
1. Çdo shtet palë do të bashkëpunojë me Komitetin dhe do t’u vijë në ndihmë anëtarëve të tij në përmbushjen e mandatit të tyre.
2. Komiteti, në marrëdhëniet e tij me shtetet palë, do t’i kushtojë vëmendjen e duhur rrugëve dhe mënyrave për rritjen e kapaciteteve kombëtare për zbatimin e kësaj Konvente, duke përfshirë edhe bashkëpunimin në nivel ndërkombëtar.
Neni 38
Marrëdhëniet e Komitetit me organizmat e tjera
Me qëllim të nxitjes së zbatimit me efikasitet të kësaj Konvente dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në fushën e përcaktuar në këtë Konventë:
(a) agjencitë e specializuara dhe organet e tjera të Kombeve të Bashkuara do të kenë të drejtë të përfaqësohen në shqyrtimin e zbatimit të dispozitave të kësaj Konvente, të cilat bëjnë pjesë gjithashtu në mandatin e tyre. Komiteti mund të ftojë agjencitë e specializuara dhe organet e tjera kompetente, siç mund ta shohë të përshtatshme, për të siguruar këshillim të specializuar lidhur me zbatimin e Konventës në ato çështje që bëjnë pjesë në mandatet e tyre përkatëse. Komiteti mund të ftojë agjenci të specializuara dhe organe të tjera të Kombeve të Bashkuara të paraqesin raportet mbi zbatimin e Konventës për çështje që bëjnë pjesë në gamën e aktiviteteve të tyre;
(b) Komiteti, në kuadrin e realizimit të mandatit të tij, do të konsultohet, siç të jetë e përshtatshme, me organe të tjera relevante të institucionalizuara nga traktatet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, me qëllim të arritjes së konsistencës së udhëzimeve të tyre raportuese përkatëse, sugjerimeve dhe rekomandimeve të tyre të përgjithshme dhe do të mënjanojë duplikimin apo mbivendosjen në realizimin e këtyre funksioneve.
Neni 39
Raporti i Komitetit
Komiteti do të raportojë çdo dy vjet në Asamblenë e Përgjithshme dhe Këshillin Ekonomiko-Social lidhur me aktivitetet e tij, dhe mund të bëjë sugjerime dhe rekomandime të përgjithshme bazuar në shqyrtimin e raporteve dhe informacionin e marrë nga shtetet palë. Këto sugjerime dhe rekomandime të përgjithshme do të përfshihen në raportin e Komitetit së bashku me komentet, në rast se ka, nga shtetet palë.
Neni 40
Konferenca e shteteve palë
1. Shtetet palë do të takohen rregullisht në Konferencën e shteteve palë, për të shqyrtuar çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin e kësaj Konvente.
2. Konferenca e shteteve palë thirret nga Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara jo më vonë se gjashtë muaj nga hyrja në fuqi e kësaj Konvente. Takimet pasuese do të thirren nga Sekretari Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara çdo dy vjet ose me vendim të Konferencës së shteteve palë.
Neni 41
Autoriteti Përgjegjës
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara do të jetë autoriteti përgjegjës i kësaj Konvente.
Neni 42
Nënshkrimi
Kjo Konventë do të jetë e hapur për t’u nënshkruar nga të gjitha shtetet dhe nga organizata rajonale të integrimit në Selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, duke nisur nga data 30 mars 2007.
Neni 43
Pranimi për të qenë i detyrueshëm
Kjo Konventë do t’i nënshtrohet ratifikimit nga shtetet nënshkruese dhe konfirmimit formal nga organizata integruese rajonale nënshkruese. Konventa do të jetë e hapur për aksesin e çdo shteti apo organizate rajonale integruese që nuk e ka firmosur Konventën.
Neni 44
Organizatat integruese rajonale
1. “Organizatë integruese rajonale” ka kuptimin e një organizate të përbërë nga shtetet sovrane të një rajoni të caktuar, tek të cilat shtetet anëtare kanë transferuar kompetenca lidhur me çështjet e përcaktuara nga kjo Konventë. Organizata të tilla do të deklarojnë, në instrumentet e tyre të konfirmimit apo pranimit formal, nivelin e kompetencave të tyre lidhur me çështjet e përcaktuara nga kjo Konventë. Si rrjedhojë, ato duhet të informojnë Autoritetin Përgjegjës për çdo modifikim substancial në nivelin e kompetencave.
2. Termi “shtete palë” në këtë Konventë do të aplikohet për organizata të tilla brenda limitit të kompetencave të tyre.
3. Për qëllimet e nenit 45, paragrafi 1, dhe neni 47, paragrafi 2 dhe 3 nuk do të numërohet asnjë instrument i depozituar nga organizata integruese rajonale.
4. Organizatat integruese rajonale, në çështjet brenda kompetencave të tyre, mund të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në Konferencën e shteteve palë, me një numër votash të barabartë me numrin e shteteve të tyre anëtare, që janë palë në këtë Konventë. Një organizatë e tillë nuk do të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar nëse ndonjë prej shteteve anëtare ushtron të drejtën e tij, dhe anasjelltas.
Neni 45
Hyrja në fuqi
1. Kjo Konventë do të hyjë në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të instrumentit të njëzetë të ratifikimit apo anëtarësimit.
2. Për çdo shtet apo organizatë integruese rajonale që ratifikon, konfirmon apo pranon formalisht Konventën pas depozitimit të instrumentit të njëzetë, Konventa do të hyjë në fuqi në ditën e tridhjetë pas depozitimit të instrumentit të saj.
Neni 46
Rezerva
1. Nuk do të lejohen rezerva të papajtueshme me objektin dhe qëllimin e kësaj Konvente.
2. Rezervat mund të tërhiqen në çdo moment.
Neni 47
Amendamentet
1. Çdo shtet palë mund të propozojë një amendament të kësaj Konvente dhe ta paraqesë atë tek Sekretari Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara. Sekretari Përgjithshëm do t’ua komunikojë çdo amendament të propozuar shteteve palë, me një kërkesë për të njoftuar nëse ato janë në favor të një Konference të shteteve palë për të shqyrtuar dhe vendosur lidhur me propozimet. Në rast se, brenda katër muajve nga data e një komunikimi të tillë dhe në ato raste kur së paku një e treta e shteteve palë janë në favor të një konference, Sekretari Përgjithshëm do të mbledhë konferencën nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara. Çdo amendament i miratuar duhet të paraqitet nga Sekretari Përgjithshëm në Asamblenë e Përgjithshme për aprovim dhe pas kësaj tek shtetet palë për pranim.
2. Një amendament i miratuar dhe aprovuar në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni do të hyjë në fuqi në ditën e tridhjetë, pasi numri i instrumenteve të pranimit të depozituar të ketë arritur dy të tretat e numrit të shteteve palë në datën e miratimit të amendamentit. Pas kësaj, amendamenti do të hyjë në fuqi për çdo shtet palë në ditën e tridhjetë pas depozitimit të instrumentit të tij të pranimit. Amendamenti do të jetë detyrues vetëm për ato shtete të cilat e kanë pranuar atë.
3. Nëse vendoset me konsensus në Konferencën e shteteve palë, një amendament i miratuar dhe aprovuar në përputhje me paragrafin 1 të këtij neni, i cili lidhet ekskluzivisht me nenet 34, 38, 39 dhe 40 do të hyjë në fuqi për të gjitha shtetet palë në ditën e tridhjetë, pasi numri i instrumenteve të pranimit të depozituara të ketë arritur dy të tretat e numrit të shteteve palë në datën e miratimit të amendamentit.
Neni 48
Prishja e marrëveshjes së Konventës
Një shtet palë mund të prishë marrëveshjen për këtë Konventë me anë të një njoftimi me shkrim drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara. Prishja e marrëveshjes do të hyjë në fuqi një vit pas datës së marrjes së njoftimit nga Sekretari Përgjithshëm.
Neni 49
Format i aksesueshëm/përshtatshëm
Teksti i kësaj Konvente do të përgatitet në format të aksesueshëm.
Neni 50
Tekste autentike
Teksti i kësaj Konvente në gjuhët arabe, kineze, angleze, franceze, ruse dhe spanjolle do të jenë autentikisht të barabarta.
Arsyet për amendamentin e propozuar siç janë theksuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës
Propozuesi i amendamentit pretendon se amendamenti i propozuar vendos standarde të rëndësishme në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe ka për qëllim promovimin dhe mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara: “... nga të gjitha format e diskriminimit, neglizhimit apo ndonjë forme tjetër që vë në rrezik integritetin e tyre, sigurinë, shëndetin, edukimin dhe arsimimin”.
Propozuesi i amendamentit konsideron se ratifikimi i kësaj Konvente do të kontribuojë në: “... përmirësimin e cilësisë së jetës së personave me aftësi të kufizuara në Kosovë dhe njëherit ndikon në përmbushjen e obligimeve institucionale për respektimin e të drejtës ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, që përbën një nga parakushtet e integrimit në Bashkimin Evropian dhe organizatat e tjera ndërkombëtare”.
Sipas autorëve të amendamentit, Konventa: “... përcakton parimet kryesore për integrimin e sistemit të mbrojtjes së të drejtave të personave me aftësi të kufizuara si dhe koordinimin ndërmjet autoriteteve si dhe bashkërendimin e veprimeve nga institucionet dhe mekanizmat kryesor për mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, si dhe përmirësimin e kuadrit ligjor për mbrojtjen e personave me aftësi të kufizuara”.
Më tej, propozuesi i këtij amendamenti konsideron se përmes kësaj Konvente: “...do të avancohen në nivel kushtetues standardet e mishëruara në këtë Konventë, në bazë të së cilës përcaktohen detyrimet ligjore të shteteve nënshkruese për të promovuar dhe për të mbrojtur të drejtat e personave me aftësi të kufizuara. Qëllimi i kësaj Konvente është të promovojë, mbrojë dhe sigurojë gëzimin e plotë dhe të barabartë të të gjitha të drejtave të njeriut dhe lirive themelore nga të gjithë personat me aftësi të kufizuara, dhe të promovojë respektimin e dinjitetit të tyre të qenësishëm”.
Vlerësimi i kushtetutshmërisë së amendamentit të propozuar
Gjykata rikujton se përveç të drejtave të përfshira në mënyrë shprehimore në Kapitullin II, Gjykata duhet po ashtu të vlerësojë përputhshmërinë e amendamentit të propozuar me nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës.
Në këtë drejtim, Gjykata thekson se të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, të garantuara me instrumentet ndërkombëtare të përfshira në nenin 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës janë drejtpërdrejt të zbatueshme dhe janë pjesë e rendit juridik të Republikës së Kosovës.
Gjykata vëren se përmes amendamentit të propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, parashtruesi i kërkesës propozon që pas paragrafit 9 të nenit 22 [Zbatimi i drejtpërdrejtë i Marrëveshjeve dhe Instrumenteve Ndërkombëtare] të Kushtetutës të shtohet një paragraf i ri, respektivisht të shtohet edhe paragrafi: “(10) Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara”.
Gjykata rikujton edhe një herë parimet e Konventës, të cilat u garantojnë personave me aftësi të kufizuara:
Respekt për dinjitetin, autonominë individuale përfshirë lirinë për të bërë zgjedhjet personale, dhe pavarësinë e personit;
Mosdiskriminimi;
Pjesëmarrja dhe përfshirja e plotë dhe efektive në shoqëri;
Respekti për ndryshimin dhe pranimin e personave me aftësi të kufizuara si pjesë e diversitetit njerëzor dhe humanizmit;
Mundësi të barabarta;
Aksesi/Qasja;
Barazi ndërmjet burrave dhe grave;
Respekti për kapacitetet në zhvillim të fëmijëve me aftësi të kufizuara, si edhe respektimi i të drejtave të fëmijëve me aftësi të kufizuara për të ruajtur identitetin e tyre.
Konventa në mënyrë specifike obligon shtetet që të ndërmarrin masa të nevojshme legjislative, si dhe masa të tjera të nevojshme për të krijuar mekanizma në funksion të zbatimit të plotë të saj.
Gjykata vë në pah se implementimi i Konventës krijon detyrime për shtetet palë, që mund të jenë detyrime pozitive apo negative, përkatësisht të natyrës legjislative (plotësimin dhe ndryshimin e kornizës ligjore në fuqi), implikime buxhetore në zbatimin e detyrimeve që burojnë nga Konventa, si dhe detyrime tjera.
Konventa, ndër të tjera, specifikon nevojën e krijimit të politikave gjithëpërfshirëse dhe të bashkërenduara, të cilat kërkojnë përshtatjen me qëllim të plotësimit të nevojave specifike të të gjithë personave me aftësi të kufizuara, kërkimin dhe zhvillimin e pajisjeve dhe teknologjive ndihmëse të përshtatshme për personat me aftësi të kufizuara, sigurimin e informacionit të disponueshëm për personat me aftësi të kufizuara lidhur me mjetet ndihmëse lëvizëse, trajnimin e profesionistëve dhe stafit që punon me personat me aftësi të kufizuara.
Përveç kësaj, me dispozitat e kësaj Konvente përcaktohet edhe krijimi i një ose më shumë mekanizmave brenda qeverisë që do të jetë kompetent për çështjet që kanë të bëjnë me promovimin dhe zbatimin e kësaj Konvente, duke përfshirë krijimin dhe fuqizimin e kuadrit ligjor të nevojshëm për zbatimin e dispozitave të kësaj Konvente dhe standardeve ndërkombëtare.
Konventa përcakton edhe ngritjen e Komitetit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara (në tekstin e mëtejmë: Komiteti), në të cilin, shtetet palë, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm të KB-së, do të paraqesin një raport gjithëpërfshirës për masat e ndërmarra për të mundësuar realizimin e të drejtave të njohura me këtë Konventë dhe për progresin e arritur në gëzimin e të drejtave të përmendura, dhe në raportet e tyre, shtetet nënshkruese mund të tregojnë faktorët dhe vështirësitë që ndikojnë në shkallën e plotësimit të detyrimeve nga kjo Konventë.
Gjykata gjithashtu vëren se propozuesi i amendamentit të propozuar ka dorëzuar në Gjykatë Opinionin (nr. 283/2022) e Departamentit të Buxhetit të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve (në tekstin e mëtejmë: Departamenti i Buxhetit) të 24 nëntorit 2022, për vlerësimin e ndikimit të propozimit të amendamentit kushtetues në buxhetin e Kosovës.
Në opinionin e tij, Departamenti i Buxhetit theksoi se: “... shpreh opinionin e vet të pavarur të Vlerësimit të Ndikimit Buxhetor dhe vlerëson se Propozim Amendamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës për Përfshirjen e Konventës së Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara do të ketë implikime buxhetore shtesë me plotësimet dhe ndryshimet ligjore që priten në fushat si: arsimi, puna, qasja, komunikimi dhe mbrojtja ligjore, përtej planifikimeve të parapara me Projektligjin mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2023 dhe vlerësimeve për vitet 2024-2025”.
Konkretisht, dispozitat e Konventës kanë si rrjedhojë një ndikim të lartë financiar, që nënkupton vlerësimin dhe përfshirjen e këtyre kostove në kornizën përkatëse buxhetore.
Gjykata gjithashtu rikujton se lidhur me këtë çështje, më 20 shkurt 2023, në Gjykatë janë dorëzuar komentet nga Zyra e Avokatit të Popullit të Kosovës, e cila e mbështeti në tërësi iniciativën dhe propozimin e Qeverisë së Kosovës, duke pretenduar se: “... me qëllim të rregullimit edhe më të gjerë të fushës së të drejtave të njeriut në Republikën e Kosovës, shpreh kënaqësinë time dhe çmoj që propozimi për ndryshimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me të cilin është iniciuar procedura e amendamentimit të Kushtetutës me qëllim të përfshirjes së Konventës së lartpërmendur në Kushtetutë, përveç qëllimit themelor, do të kontribuojë edhe në harmonizimin e kuadrit ligjor me legjislacionin e Bashkimit Evropian, që është një nga parakushtet për integrim në Bashkimin Evropian dhe në organizata të tjera ndërkombëtare”.
Në vijim, Gjykata vëren se Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara është miratuar njëzëri nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara më 13 dhjetor 2006 në sesionin e saj të 61-të. Konventa është e hapur për nënshkrim dhe ratifikim nga 30 marsi 2007. Konventa ka hyrë në fuqi më 3 maj 2008. Deri më tani, 186 shtete janë palë vende, anëtare të Konventës. Bashkimi Evropian e ratifikoi Konventën më 23 dhjetor 2010. Ndërsa, Protokolli Opsional i Konventës i 17 dhjetorit 2007, si marrëveshje anësore/shtesë është pranuar nga 104 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara. I njëjti nuk është pjesë e amendamentit të propozuar.
Gjykata, për më tepër, rikujton nenin 7 [Vlerat] të Kushtetutës, i cili përcakton:
Rendi kushtetues i Republikës së Kosovës bazohet në parimet e lirisë, paqes, demokracisë, barazisë, respektimit të të drejtave dhe lirive të njeriut dhe sundimit të ligjit, mosdiskriminimit, të drejtës së pronës, mbrojtjes e mjedisit, drejtësisë sociale, pluralizmit, ndarjes së pushtetit shtetëror dhe ekonomisë së tregut.
Republika e Kosovës siguron barazinë gjinore si vlerë themelore për zhvillimin demokratik të shoqërisë, mundësi të barabarta për pjesëmarrje të femrave dhe meshkujve në jetën politike, ekonomike, sociale, kulturore dhe në fushat të tjera të jetës shoqërore.
Gjykata vlerëson se amendamenti i propozuar është në përputhje me këto vlera dhe se i njëjti forcon dhe avancon ato.
Në dritën e asaj që u tha më lart, Gjykata konsideron se teksti i amendamentit të propozuar nuk pakëson asnjë nga të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës, porse vetëm i avancon dhe zhvillon ato.
Gjykata konsideron se në pajtim me nenin 144, paragrafi 4 të Kushtetutës, ndryshimet e propozuara të Kushtetutës hyjnë në fuqi pas miratimit në Kuvendin e Kosovës.
Prandaj, Gjykata konfirmon se amendamenti i propozuar është në pajtueshmëri me Kapitullin II të Kushtetutës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.9 dhe nenin 144.3 të Kushtetutës, në pajtim me nenin 20 të Ligjit dhe në pajtim me rregullin 59 (1) të Rregullores së punës, në seancën e mbajtur më 4 korrik 2023, njëzëri
VENDOS
TË DEKLAROJË kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË që amendamenti i propozuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës, i referuar nga Kryetari i Kuvendit më 21 dhjetor 2022, nuk i pakëson të drejtat dhe liritë e përcaktuara në Kapitullin II të Kushtetutës;
T’UA KUMTOJË këtë Aktgjykim palëve dhe në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit ta publikojë në Gazetën Zyrtare; dhe
TË KONSTATOJË që ky Aktgjykim hyn në fuqi në ditën e shpalljes në Gazetën Zyrtare, në pajtim me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Nexhmi Rexhepi Gresa Caka-Nimani
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 29 - E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë
Tjetër