Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 439/2016, të 9 nëntorit 2017

Nr. të lëndës KI 38/18

Parashtruesit: Slobodan Vukašinović

Shkarko:

KI38/18 Parashtrues i kërkesës: Slobodan Vukašinović, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 439/2016, të 9 nëntorit 2017

KI38/18, aktvendim për papranueshmëri i 10 tetorit 2018, publikuar më 22.11.2018

Fjalët kyç: kërkesë individuale, vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, qartazi e pabazuar

Kërkesa bazohet në nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 27 dhe 47 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, nr. 03/L-121 dhe rregullin 56 të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë rast, bëhet fjalë për një kontest pronësor, i cili kishte filluar në vitin 2002, në Gjykatën Komunale në Prishtinë me qëllim të vërtetimit të pronësisë mbi pronën e paluajtshme, e cila është regjistruar në librat kadastral në emër të parashtruesit të kërkesës.

Pas kësaj, kjo procedurë gjyqësore ka kaluar nëpër të gjitha fazat e procedurës së rregullt.

Ky kontest gjyqësor arriti kulmin me Aktgjykimin e Gjykatës Supreme, e cila aprovoi revizionin dhe ndryshoi aktgjykimet e Gjykatëse Themelore dhe asaj të Apelit, në atë mënyrë që e pranoi kërkesën për vërtetimin e pronësisë dhe e detyroi parashtruesin e kërkesës për ta pranuar këtë të drejtë dhe për ta lejuar paditësin ta regjistrojë të drejtën e pronësisë në librat kadastralë.

Parashtruesi i kërkesës pretendon se Gjykata Supreme ka shkelur Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor, e drejtë kjo e garantuar me nenin 102, si dhe mohoi të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar se procedurat përkatëse ishin në ndonjë mënyrë të padrejta ose arbitrare. Në të vërtetë, parashtruesi i kërkesës nuk mbështeti me prova se me vendimet e kontestuara janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ.

Për këto arsye, Gjykata konsideron se kërkesa e parashtruesit nuk i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë, të specifikuara më tej me Ligj dhe të parapara me Rregullore të punës.

Prandaj, Gjykata konsideron se në baza kushtetuese, kërkesa është qartazi e pabazuar dhe duhet të deklarohet e papranueshme.

Parashtruesit:

Slobodan Vukašinović

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile