KI231/21, Parashtrues: Agim Bajrami, vlerësim i kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 02/46, të 30 nëntorit 2021
KI231/21, Aktvendim për papranueshmëri, i 11 majit 2022, publikuar më 2 qershor 2022
Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e papranueshme, palë e paautorizuar, actio popularis
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me Vendimin e Qeverisë nr. 02/46 “Për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19”. Ky vendim, në pikat përkatëse, parasheh masa për luftimin e pandemisë COVID-19, kryesisht përmes kërkesës për paraqitjen e certifikatës së vaksinimit apo dëshmive tjera, për të hyrë në objekte përkatëse në Republikën e Kosovës apo edhe në territorin e Republikës së Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës konteston vendimin e lartcekur të Qeverisë duke theksuar, mes tjerash, se nuk mund të hyjnë në institucione, pa poseduar certifikatën e vaksinimit apo dëshmitë tjera.
Nga shkresat e lëndës, përkatësisht nga korrespodenca e postës elektronike të shkëmbyer në mes të zyrtarëve dhe Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Krahasim dhe Verifikim të Pronave, lidhur me rastin konkret të parashtruesit të kërkesës, i njëjti është liruar nga obligimi për të paraqitur dëshmitë e vaksinës dhe e gjithë kjo duke u bazuar në pikën 5.7 e vendimit të kontestuar.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata fillimisht sqaroi se sa i përket kërkesës së parashtruesit të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë, si akt normativ i karakterit të përgjithshëm, personat fizikë ose juridikë, në kuptim të nenit 113, paragrafi 7 i Kushtetutës, nuk janë palë të autorizuara që të kërkojnë vlerësim abstrakt të përputhshmërisë së legjislacionit me Kushtetutën, apo kërkesa të natyrës actio popularis. Në këtë linjë, Gjykata sqaroi se dispozita kushtetuese (neni 113, paragrafi 7), ofron mbrojtje për individët sa i përket veprimeve ose mosveprimeve të autoriteteve publike, vetëm përbrenda fushëveprimit të saj. Rrjedhimisht, sipas dispozitave përkatëse parashtruesi i kërkesës duhet të dëshmoj se: (1) është palë e autorizuar; (2) është prekur drejtpërsëdrejti nga akti konkret ose mosveprimi i autoriteteve publike; dhe (3) kanë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk është afektuar nga vendimi i lartcekur dhe nuk sheh ndonjë rrethanë apo arsye të vendosë ndryshe nga praktika e saj gjyqësore në raste të ngjashme, megjithatë rikujtoi se individët kanë të drejtë të kontestojnë vetëm aktet individuale të autoriteteve publike që cenojnë të drejtat e tyre individuale dhe vetëm pas shterimit të të gjitha mjeteve juridike.
Për pasojë dhe bazuar edhe në sqarimet e dhëna në aktvendimin e publikuar, Gjykata konstatoi se duke marrë parasysh pretendimet e ngritura nga parashtruesi i kërkesës dhe faktet e paraqitura nga ai, kërkesa e parashtruesit të kërkesës duhet të shpallet e papranueshme sepse nuk është dorëzuar nga një palë e autorizuar.
Agim Bajrami
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa nuk është paraqitur nga një palë e autorizuar
Administrative