Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”
Nr. të lëndës KO160/23
Parashtruesit: Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
Prishtinë, më 10 gusht 2023
Nr. ref.: VPM 2243/23
VENDIM PËR MASË TË PËRKOHSHME
në
rastin nr. KO160/23
parashtrues
Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës;
Vlerësim i kushtetutshmërisë së “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzije Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar, dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesit e kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Abelard Tahiri, Rashit Qalaj, Bekim Haxhiu, Blerta Deliu-Kodra, Eliza Hoxha, Enver Hoxhaj, Ferat Shala, Floretë Zejnullahu, Ganimete Musliu, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Hisen Berisha, deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kuvendi), të grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (në tekstin e mëtejmë: PDK), të cilët para Gjykatës i përfaqëson Faton Fetahu, avokat.
Akti i kontestuar
Parashtruesit e kërkesës e kontestojnë kushtetutshmërinë e “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës” (në tekstin e mëtejmë: akti i kontestuar).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kërkesës është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktit të kontestuar, përkitazi me të cilën parashtruesit e kërkesës pretendojnë se është nxjerrë në kundërshtim me nenet 68 [Seancat], 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi] dhe 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta) në ndërlidhje me nenet 16 (Kryetari i Kuvendit), 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores Nr.08-V-349 së punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e Kuvendit).
Përveç kësaj, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata), të vendosë masë të përkohshme në aktin e kontestuar, duke pezulluar për pasojë edhe hyrjen në fuqi dhe zbatimin e “ligjeve, projektligjeve dhe vendimeve të marra nga Kuvendi i Kosovës në seancën e 13 korrikut 2023” deri në vendosjen përfundimtare të Gjykatës.
Baza juridike
Kërkesa është parashtruar bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] dhe paragrafin 2 të nenit 116 [Efekti i Vendimeve] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme), 42 (Saktësimi i kërkesës) dhe 43 (Afatet) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullat 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) dhe 72 (Kërkesa në pajtim me paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe me nenet 42 dhe 43 të Ligjit) dhe 44 (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës Nr. 01/2023, u publikua në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe hyri në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit te saj. Rrjedhimisht, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese i referohet dispozitave të Rregullores së lartcekur. Lidhur me këtë, konform rregullit 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës Nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës Nr. 01/2018, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët e regjistruara në Gjykatë përpara shfuqizimit të saj, vetëm nëse dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatë
Më 19 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës e dorëzuan kërkesën tyre përmes postës, të cilën Gjykata e pranoi më 21 korrik 2023.
Më 24 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës dorëzuan disa dokumente shtesë përfshirë disa korrigjime teknike të kërkesës fillestare.
Më 26 korrik 2023, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Radomir Laban gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Bajram Ljatifi (kryesues), Safet Hoxha dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 27 korrik 2023, parashtruesit e kërkesës u njoftuan për regjistrimin e kërkesës. Në të njëjtën ditë, Gjykata, për regjistrimin e kërkesës, njoftoi: (i) Presidenten e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Presidentja); (ii) Kryeministrin e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryeministri); dhe (iii) Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kryetari i Kuvendit), të cilit iu kërkua që një kopje e kërkesës t'u dorëzohet të gjithë deputetëve të Kuvendit. Gjykata i njoftoi palët e interesuara të cekura më lart se komentet e tyre lidhur me kërkesën, nëse kanë, t’i paraqesin në Gjykatë, deri më 10 gusht 2023, në adresën elektronike të Gjykatës ose me dorëzim personal.
Në të njëjtën ditë, Gjykata e njoftoi Zv. Sekretarin e Përgjithshëm të Kuvendit për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që më së largu deri më 31 korrik 2023 të: (i) dorëzoi në Gjykatë të gjitha dokumentet relevante në lidhje me aktin e kontestuar; (ii) njoftojë Gjykatën se cilat nga pikat e rendit të ditës sipas aktit të kontestuar janë miratuar në Kuvend në seancën e 13 korrikut 2023; si dhe (iii) njoftojë Gjykatën se cilat hapa janë ndërmarrë nga Kuvendi lidhur me çështjet e vendosura nga Kuvendi bazuar rendin e ditës sipas aktit të kontestuar.
Më 28 korrik 2023, Zv. Sekretari i Kuvendit i dorëzoi në Gjykatë informatat e kërkuara.
Më 28 korrik 2023, Presidentja dorëzoi një shkresë në Gjykatë duke kërkuar sqarime lidhur me efektet pezulluese të dorëzimit të kërkesës KO160/23 në raport me “vendimet dhe ligjet e miratuara në Kuvend në seancën e 13 korrikut 2023”, e që i nënshtrohet procedurës së dekretimit nga Presidentja e Republikës së Kosovës.
Më 31 korrik 2023, Gjykata i dorëzoi përgjigje Presidentes, lidhur me shkresën e 28 korrikut 2023, duke sqaruar ashtu siç kishte bërë edhe përmes shkresës së 27 korrikut 2023 e të cekur më lart, që parashtruesit e kërkesës kanë kërkuar edhe vendosjen e masës së përkohshme lidhur me aktin e kontestuar dhe që lidhur me vendimmarrjen e Gjykatës përkitazi me masën e përkohshme, do të njoftohen të gjitha palët me interes dhe opinioni publik.
Më 1 gusht 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi propozim e Gjyqtarit raportues përkitazi me vendimin për masën e përkohshme. Po të njëjtën ditë, Gjykata, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, vendosi për refuzimin e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar.
Përmbledhja e fakteve
Më 11 korrik 2023, Kryetari i Kuvendit z. Glauk Konjufca, nxori aktin e kontestuar për caktimin dhe thirrjen e seancës plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, për datën 13 korrik 2023, në orën 10:00.
Në të njëjtën ditë, sipas parashtruesve të kërkesës, akti i kontestuar u ishte dërguar deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, në ora 16:20, nga Sekretaria e Kuvendit së bashku me (i) rendin e ditës; dhe (ii) materialet për seancën plenare të datës 13 korrik 2023.
Bazuar në shkresat e lëndës, rendi i ditës i propozuar përfshinte tridhjetë e një (31) pika, si në vijim:
1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme;
2. Deklarimet jashtë rendit të ditës;
3. Pyetjet parlamentare;
4. Votimi në parim i Projektligjit nr. 08/L-212 për Shëndet Riprodhues dhe Fertilizim të Asistuar Mjekësor;
5. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-221 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë dhe Projektit ndërmjet Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, KOSTT (Operator Sistemi, Transmisioni dhe Tregu sh. a.) dhe KFW, Frankfurt Am Main (KFW) për Projektin -Zhvillimin e Sektorit të Energjisë VII – përmirësimi i rrjetit të transmetimit;
6. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-222 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë në mes të Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për Projektin “Ngrohtorja solare e Prishtinës”;
7. Votimi i Projektligjit nr. 08/L-223 për Ratifikimin e Marrëveshjes për Bashkëfinancimin e Bursave të Arsimit të lartë në nivelin master në mes Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Ambasadës së Francës në Prishtinë;
8. Votimi në Parim i Projektligjit nr. 08/L-207 për Tekstet Shkollore;
9. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-234 për Ratifikimin e Marrëveshjes së Kredisë për Programin e Financave Publike dhe rritjes ekonomike ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Fondit OPEC për Zhvillim Ndërkombëtar;
10. Shqyrtimi i Projektligjit nr. 08/L-236 për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e institucionit korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze;
11. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118;
12. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-060 për Mjekësinë Ligjore;
13. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-177 për Institutin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë;
14. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-191 për Ekspertët Gjyqësorë;
15. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore;
16. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-190 për Zhvillim Rajonal të Balancuar;
17. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse;
18. Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr. 08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë;
19. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-227 për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh;
20. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-237 për Kadastër të Pronës së Paluajtshme;
21. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr. 08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës;
22. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim;
23. Shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit dhe të Ligjit nr. 08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit;
24. Formimi i Komisionit ad hoc për përzgjedhjen e 2 (dy) anëtarëve nga radhët e komunitetit shqiptarë në Komisionin e Pavarur për Media;
25. Emërimi i kryesuesit dhe i një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit;
26. Zgjedhja e Komisionarit Parlamentar për Forcën e Sigurisë së Kosovës;
27. Zgjedhja e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë;
28. Zgjedhja e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës;
29. Emërimi i Kryesuesit dhe i anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës;
30. Zgjedhja e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës; dhe
31. Shqyrtimi i Propozim -Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit.
Më datë 13 korrik 2023, u mbajt seanca plenare në të cilën, bazuar në shkresat e lëndës, Kuvendi miratoi:
Vendimin nr. 08-V-579 për emërimin e Kryesuesit dhe të një (1) anëtari të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit;
Vendimin nr. 08-V-580 për miratimin e raportit lidhur me mbikëqyrjen e Ligjit Nr. 04/L-156 për Kontrollin e Duhanit dhe të Ligjit nr.08/L-040 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-156 për Kontrollin e Duhanit;
Vendimin nr. 08-V-581 për miratimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-237 për Kadastër të Pronës së Paluajtshme;
Vendimin nr. 08-V-582 për zgjedhjen e një (1) anëtari të Komisionit për Kërkesa Pronësore në Agjencinë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës;
Vendimin nr. 08-V-583 për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit;
Vendimin nr. 08-V-584 për miratimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-238 për Fondin Sovran të Republikës së Kosovës;
Vendimin nr. 08-V-585 për emërimin e Kryesuesit dhe të anëtarëve të Bordit Drejtues të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës;
Vendimin nr. 08-V-586 për zgjedhjen e Guvernatorit të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës;
Vendimin nr. 08-V-587 për miratimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-227 për Përfaqësimin e Institucioneve Shtetërore në Procedura Gjyqësore dhe Arbitrazh;
Vendimin nr. 08-V-588 për zgjedhjen e anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë;
Vendimin nr. 08-V-589 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore;
Vendimin nr. 08-V-590 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-177 për Institutin e Krimeve të kryera gjatë Luftës në Kosovë;
Vendimin nr. 08-V-591 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-199 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-060 për Mjekësinë Ligjore;
Vendimin nr. 08-V-592 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-191 për Ekspertët Gjyqësorë;
Vendimin nr. 08-V-593 miratimin e Ligjit nr. 08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-081 për Energjinë;
Vendimin nr. 08-V-594 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-190 për Zhvillim Rajonal të Balancuar;
Vendimin nr. 08-V-595 për miratimn e Ligjit nr. 08/L-102 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118;
Vendimin nr. 08-V-596 për miratimin e Ligjit nr. 08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitëse; dhe
Vendimin nr. 08-V-597 për miratimin e Raportit me rekomandime për Mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-009 për Ndërmjetësim.
20. Gjykata vëren se po atë ditë, me 13 korrik 2023, ishte mbajtur po ashtu seancë e jashtëzakonshme në Kuvend me fillim në ora 15:30 në të cilën ishin miratuar edhe dy vendime, dhe atë:
Vendimin nr. 08-V-598 për Miratimin e Ligjit nr. 08/L220 për Çmimin e Produkteve Medicionale;
Vendimin nr. 08-V-599; për emërimin e anëtarëve të Organit Përzgjedhës për emërimin e një (1) anëtari të Bordit në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Pretendimet e parashtruesve të kërkesës
21. Parashtruesit e kësaj kërkese para Gjykatës pretendojnë që akti i kontestuar i Kryetarit të Kuvendit për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, nuk është në përputhshmëri me nenin 68 [Seancat], nenin 69 [Orari i Seancave dhe Kuorumi], nenin 76 [Rregullorja e Punës] të Kushtetutës në ndërlidhje me nenin 16 (Kryetari i Kuvendit), nenin 19 (Detyrat e Kryesisë) dhe nenin 52 (Rendi i ditës për seancë plenare) të Rregullores së Kuvendit.
lidhur me përputhshmërinë e Aktit të kontestuar me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit
22. Parashtruesit e kërkesës, ndër të tjera, theksojnë që ata nuk e kontestojnë kompetencën e Kryetarit të Kuvendit për të thirrur dhe përcaktuar rendin e ditës për seancën plenare, mirëpo e kontestojnë procedurën që i ka paraprirë mbajtjes së seancës së 13 korrikut 2023, e për rrjedhojë edhe efektet kushtetuese dhe ligjore të vendimmarrjes së Kuvendit në këtë seancë.
23. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se “vendimi kontestues ngre një çështje kushtetuese të rëndësisë së veçantë sepse Kryetari i Kuvendit përfaqëson institucionin më të lartë ligjvënës dhe kushtetues në Republikën e Kosovës dhe i njëjti, sipas paragrafit 7 të nenit 67 të Kushtetutës, përfaqëson Kuvendin; përcakton rendin e ditës, thërret dhe kryeson seancat; nënshkruan aktet e miratuara të Kuvendit; si dhe ushtron dhe funksione të tjera në bazë të Kushtetutës dhe Rregullores”.
Lidhur me këtë, parashtruesit e kërkesës vlerësojnë se, Kryetari i Kuvendit, me nxjerrjen e Aktin kontestuar, ka cenuar në thelb dispozitat e nenit 68, 69 dhe 76 të Kushtetutës dhe nenet 16, 19 dhe 52 të Rregullores së Kuvendit, duke e caktuar dhe mbajtur një seancë “në mënyrë arbitrare” e cila ka rezultuar në shkeljet kushtetuese si në vijim:
në mospërmbushjen e afatit për thirrjen dhe caktimin e seancës plenare sipas nenit 52 të Rregullores sipas së cilës, mes tjerash, rendi i ditës së bashku me materiale u shpërndahen deputetëve së paku dy (2) ditë pune, para mbajtjes së seancës plenare; dhe
duke mos e vendosur për miratim rendin e ditës të kësaj seance sepse në mungesë të konsensusit të Kryesisë si rezultat i mungesës së kuorumit të nevojshëm, përkatësisht dështimit të mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë, sipas paragrafit 1 të nenit 19 të Rregullores së punës i cili përcakton që “Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarët e grupeve parlamentare, diskuton për rendin e ditës të seancës plenare, të propozuar nga Kryetari i Kuvendit. Rendi i ditës miratohet me konsensus, dhe nëse nuk arrihet konsensusi, Kryetari ia paraqet rendin e ditës seancës plenare për miratim.”, rendi i ditës së seancës plenare do të duhej të vendosej në votim në seancën e Kuvendit të datës 13 korrik 2023.
lidhur me natyrën juridike të Aktit të kontestuar
Sa i përket natyrës juridike të aktit të kontestuar, parashtruesit e kërkesës konsiderojnë se caktimi i kësaj seance nuk mund të jetë jashtë fushëveprimit të kontrollit kushtetues që ushtron Gjykata Kushtetuese sepse akti i kontestuar edhe pse nuk është “vendim i Kuvendit” në kuptim të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe 80 [Miratimi i Ligjeve] të Kushtetutës, i njëjti është nxjerrë nga ana e titullarit të këtij institucioni kushtetues, i cili ka përgjegjësi kushtetuese sipas nenit 67 të Kushtetutës dhe nenit 16 të Rregullores. Fakti se akti i kontestuar i Kryetarit të Kuvendit ka prodhuar pasoja juridike, duhet t’i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë nga Gjykata Kushtetuese.
Parashtruesit e kërkesës theksojnë se termi "vendim” i përdorur në nenin 113.5 të Kushtetutës, i referohet “çdo veprimi të Kuvendit apo titullarit të tij, i cili prodhon pasoja juridike sipas kompetencave kushtetuese të tij”. Prandaj, termi 'vendim' , sipas parashtruesëve të kërkesës, përfshinë “jo thjeshtë një akt juridik të Kuvendit, por vendimin e përfaqësuesit të këtij të fundit, nga i cili është bërë nxjerrja e vendimit kontestues”. Më tej, sipas parashtruesëve të kërkesës, mund të argumentohet që “çdo veprim i Kuvendit dhe/apo i kryetarit si përfaqësues i tij, që prodhon pasoja juridike (i përgjithshëm apo individual), qoftë i lëshuar në formë të shkruar apo të pashkruar, si në lidhje me çështje substanciale ashtu edhe me çështje procedurale”, mund t'i nënshtrohet kontrollit kushtetues.
Sipas parashtruesëve të kërkesës, “nuk mund të pandehim se ky është thjesht dhe vetëm një “akt”, i cili si rregull, nuk ka fuqi detyruese ose nuk e ka karakterin e aktit juridik”, sepse është një “vendim” i Kuvendit, respektivisht i Kryetarit të tij, në kuptim të paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, për aq sa, vendimet e tij, prodhojnë efekte dhe pasoja të tilla, si përcaktimi dhe thirrja e seancës në të cilën shqyrtohen dhe vendosen çështje të interesit shtetëror dhe për qytetar në Republikën e Kosovës – siç ka ndodhur në rrethanat e rastit konkret.
Sipas tyre, nëse një vendim i tillë, si në rrethanat e rastit konkret, do të përjashtohej nga kontrolli kushtetues, “do të mundësonte arbitraritet të pashembullt në organizimin, mënyrën e punës dhe funksionimin e Kuvendit, nga njëra anë, dhe efektivisht jodomosdoshmërinë për zbatimin e Rregullores së punës, nga ana tjetër”, e cila, sipas nenit 76 të Kushtetutës, miratohet me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit.
lidhur me kërkesën për masë të përkohshme
Sa i përket çështjes së masës së përkohshme, parashtruesit e kërkesës kërkojnë që Gjykata “të pranojnë zbatimin e nenit 43 të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese, për sa i përket efektit pezullues ex-lege të zbatimit të vendimit të Kryetarit të Kuvendit [Aktin e kontestuar], me efekt pezullimin e zbatimit të të gjitha vendimeve të seancës plenare të datës 13 korrik 2023, meqë i njëjti kontestohet në Gjykatën Kushtetuese [...].” Kërkesën për pezullimin ex-lege të aktit të kontestuar, parashtruesit e kërkesës e bazojnë edhe në nenin 116 të Kushtetutës i cili përcakton se Gjykata mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
Për pasojë, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata, që “pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës”, të informojë palët e përfshira që akti i kontestuar i Kryetarit të Kuvendit, të pezullohet ex-lege në mënyrë që edhe “ligjet e miratuara në këtë seancë të mos dërgohen për dekretim dhe publikim në Gazetën Zyrtare deri në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar”, si dhe për pasojë, të pezullohet edhe zbatimi i të gjitha vendimeve të tjera të marra nga Kuvendi në këtë seancë plenare.
Në fund, parashtruesit e kërkesës kërkojnë nga Gjykata që (i) të shpallë kërkesën të pranueshme; (ii) të shpallë aktin e kontestuar, përkatësisht “Vendimin” [Nr. ref. L-VIII, SP-119] të Kryetarit të Kuvendit të datës 11 korrik 2023, për caktimin e Seancës Plenare të datës 13 korrik 2023” në kundërshtim me Kushtetutën; dhe (iii) të anuloj seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës të mbajtur më datë 13 korrik 2023 dhe të gjitha vendimet që janë marrë në të njëjtën seancë.
Vlerësimi përkitazi me masën e përkohshme
Me qëllim të vlerësimit të kërkesës së parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme, Gjykata së pari rikujton bazën kushtetuese mbi të cilën kërkesa përkatëse është dorëzuar në Gjykatë.
Në këtë aspekt, Gjykata i referohet paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton se “Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar”.
Përveç kësaj, Gjykata po ashtu i referohet paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës, i cili përcakton:
“Dhjetë (10) a më shumë deputetë të Kuvendit të Kosovës, brenda një afati prej tetë (8) ditësh nga dita e miratimit, kanë të drejtë të kontestojnë kushtetutshmërinë e çfarëdo ligji ose vendimi të miratuar nga Kuvendi, si për përmbajtjen, ashtu edhe për procedurën e ndjekur.”
Gjykata gjithashtu i referohet paragrafit 2 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës, që përcakton:
“[...]
2. Përderisa procedura të mos përfundojë para Gjykatës Kushtetuese, ajo mund të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës, nëse konsideron që aplikimi i veprimit a ligjit të kontestuar, mund të shkaktoj dëme të pariparueshme.
[...].”
Më tej, Gjykata gjithashtu i referohet nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit, i cili parasheh:
“1. Gjykata Kushtetuese sipas detyrës zyrtare ose me kërkesë të palës mund të vendosë përkohësisht masa të përkohshme ndaj një çështjeje që është objekt i procedurës, nëse këto masa janë të nevojshme për të evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme, ose nëse marrja e këtyre masave të përkohshme është në interes publik.”
Gjykata gjithashtu i referohet nenit 43 (Afati) të pjesës së Ligjit që ndërlidhet me procedurat në rastin e përcaktuar në nenin 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, i cili parasheh:
1. Një ligj apo vendim i miratuar nga ana e Kuvendit te Republikës se Kosovës i dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje pas mbarimit të afatit të përcaktuar në pajtim me nenin 113, paragrafi 5 i Kushtetutës.
2. Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit te Republikës se Kosovës kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, ligji apo vendim i tillë mund ti dërgohet Presidentit të Republikës së Kosovës për shpallje në pajtim me modalitetet e përcaktuara në vendimin final të Gjykatës Kushtetuese për rastin e kontestuar.
3. Në rast kur ligji apo vendimi i miratuar nga ana e Kuvendit kontestohet sipas nenit 113, paragrafi 5 i Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese duhet të nxjerrë vendim mbi kontestin jo më vonë se gjashtëdhjetë (60) ditë pas dorëzimit të kërkesës.
Gjykata po ashtu rikujton rregullin 44 (Kërkesa për masë të përkohshme), paragrafin (1) të Rregullores së punës, i cili përcakton:
“(1) Në çfarëdo kohe, përderisa Gjykata të mos ketë vendosur lidhur me një kërkesë, çdo palë mund të kërkojë vendosjen e masës së përkohshme lidhur me çështjen që është objekt i procedurës para saj, siç përcaktohet me nenin 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit.
[…]
(3) Kërkesa për masë të përkohshme duhet të paraqitet me shkrim, duhet të përshkruajë faktet përkitazi me kërkesën, argumentet për të mbështetur kërkesën, masat e kërkuara dhe pasojat e parashikuara në mënyrë të arsyeshme nëse kërkesa miratohet. Pala që kërkon masën e përkohshme mund t’i bashkëngjisë kërkesës edhe dokumente dhe dëshmi të tjera që janë të rëndësishme dhe që e mbështesin kërkesën.
[...]”
Në fund, Gjykata rikujton rregullin 45 (Vendimmarrja lidhur me kërkesën për masë të përkohshme), të Rregullores së punës, që specifikon:
Nëse gjyqtari/ja raportues/e i/e caktuar për kërkesën bazë, e vlerëson të nevojshme të trajtojë kërkesën për masë të përkohshme ndaras nga kërkesa bazë, atëherë ai/ajo përgatitë një raport të veçantë lidhur me kërkesën për masë të përkohshme, brenda një afati të arsyeshëm.
[...]
[...]
Kolegji shqyrtues rekomandon miratimin e tërësishëm ose të pjesshëm të kërkesës për masë të përkohshme nëse konstaton se:
evitohen rreziqe ose dëme të pariparueshme nëse lejohet masa e përkohshme; ose
vendosja e masës së përkohshme është në interes publik.
[...]”
Në kontekst të dispozitave të lartcekura, Gjykata rikujton që parashtruesit e kërkesës kontestojnë “Vendimit Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”. Gjykata gjithashtu rikujton që kërkesa është dorëzuar nga më shumë se 10 (dhjetë) deputetë të Kuvendit, brenda 8 (tetë) ditësh nga data e miratimit të aktit të kontestuar.
Lidhur me këtë, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se akti i kontestuar nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën në ndërlidhje me dispozitat e Rregullores së Kuvendit, pasi, ndër të tjera, vlerësojnë se lidhur me rendin e ditës të përcaktuar nga Kryetari i Kuvendi, duhet të ketë (i) konsensus në Kryesinë e Kuvendit, dhe nëse ky nuk është rasti (ii) i njëjti duhet të miratohet nga Kuvend dhe kjo, sipas pretendimeve, nuk ka ndodhur në seancën e 13 korrikut 2023. Për më tepër, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se rendi i ditës nuk i’u është shpërndarë deputetëve, brenda kohës së përcaktuar me Rregulloren e Kuvendit. Lidhur me këtë, Gjykata vërën se parashtruesit e kërkesës nuk kontestojnë vendimet e miratuara në seancën e Kuvendit të 13 korrikut 2023, por kërkojnë anulimin e tyre si pasojë e thirrjes/caktimit të seancës përkatëse në mënyrë kundërkushtetuese përmes aktit të kontestuar të Kryetarit të Kuvendit.
Gjykata vëren se parashtruesit e kërkesës e ndërlidhin pezullimin e vendimeve të miratuara në seancën e 13 korrikut 2023, duke u bazuar në (1) nenin 116 të Kushtetutës që përcakton mundësinë që Gjykata “të suspendojë përkohësisht veprimin ose ligjin e kontestuar, derisa të merret vendimi i Gjykatës”; dhe nenin 43 Ligjit, dhe i cili përcakton efektin pezullues lidhur me një ligj apo vendim të miratuar në Kuvend si rezultat i kontestimit të të njëjtit në Gjykatë në rrethanat e përcaktuara sipas paragrafit 5 të nenit 113 të Kushtetutës.
Në këtë kontekst, Gjykata rithekson që bazuar në paragrafin 2 të nenit 43 të Ligjit të kontestuar, në të gjitha rastet kur kërkesa parashtrohet para Gjykatës bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës dhe ku palët kërkojnë vlerësimin e kushtetutshmërisë së ligjeve apo vendimeve të Kuvendit e të cilat dërgohen për dekretim tek Presidenti, aktet e kontestuara i nënshtrohen efektit suspenziv. Për pasojë, çdo herë kur bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës, para Gjykatës kontestohet (i) ligji i miratuar nga Kuvendi; ose (ii) vendim i miratuar nga Kuvendi dhe i cili, bazuar në Kushtetutë dhe ligje të aplikueshme, i nënshtrohet procedurës së dekretimit nga Presidentja e Republikës, Gjykata njofton të gjitha palët, duke përfshirë edhe Presidenten, duke e njoftuar që bazuar në paragrafin 2 të nenit 43 të Ligjit, akti i kontestuar i nënshtrohet efektit suspenziv.
Ndërsa, në rastet kur bazuar në paragrafin 5 të nenit 113 të Kushtetutës, para Gjykatës kontestohen vendime të tjera të miratuara në Kuvend dhe të cilat nuk i nënshtrohen procedurës pasuese së dekretimit të Presidentit, dhe të cilat për pasojë nuk i nënshtrohen efekt suspenziv sipas paragrafit 2 të nenit 43 të Ligjit, Gjykata, bazuar në nenin 116 të Kushtetutës dhe nenin 27 të Ligjit për Gjykatën, përmes kërkesës dhe/ose sipas detyrës zyrtare, mund të vendosë masë të përkohshme, nëse në vlerësimin e saj janë plotësuar kriteret përkatëse të përcaktuara në Kushtetutë, Ligj dhe Rregulloren e saj të punës. Rrjedhimisht, në rastet e tilla, Gjykata, kur ka vlerësuar që janë plotësuar kriteret përkatëse të përcaktuara më Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës, për të miratuar/vendosur masën e përkohshme e ka bërë një gjë të tillë me ose pa kërkesë të palës parashtruese. (Shih, ndër tjerash, rastin e Gjykatës KO127/21, me parashtrues: Abelard Tahiri dhe 10 deputetë tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vendim për masë të përkohshme i 21 tetorit 2021).
Në rastin konkret, Gjykata sqaron që parashtruesit e kërkesës kontestojnë specifikisht “Vendimin Nr. Ref. L-VIII, SP-119 të datës 11 korrik 2023, për caktimin e seancës plenare të datës 13 korrik 2023, i Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës”, duke argumentuar se i njëjti përbën “vendim” të Kuvendit dhe për pasojë, i nënshtrohet kontrollit të kushtetutshmërisë së Gjykatës. Gjykata thekson që se ky akt, nuk i nënshtrohet procedurës së dekretimit nga Presidentja e Republikës dhe për pasojë, akti i kontestuar nuk mund t’i nënshtrohet efektit pezullues ex-lege sipas paragrafit 2 të nenit 43 të Ligjit.
Në ndërlidhje me këtë, Gjykata rikujton se ajo tashmë ka pranuar dy kërkesa të ndara në të cilat janë kontestuar dy nga vendimet e miratuara të Kuvendit në seancën e 13 korrikut 2023 dhe atë (i) kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit nr. 08-V-583 për shkarkimin e znj. Kimete Gashi nga pozita e anëtares së Organit Shqyrtues të Prokurimit, e regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO157/23; dhe (i) kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së “Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, e regjistruar në Gjykatë si kërkesa KO158/23. Lidhur me këtë të fundit, Gjykata tashmë ka njoftuar Kuvendin dhe Presidenten e Republikës lidhur me pezullim ex-lege të të njëjtit bazuar në paragrafin 2 të nenit 43 të Ligjit, deri në vendimmarrjen e Gjykatës lidhur me rastin.
Andaj, bazuar në sqarimet e lartcekura lidhur me natyrën e aktit të kontestuar dhe arsyet bazuar në të cilat i njëjti nuk mund të i nënshtrohet efektit pezullues sipas paragrafit 2 të nenit 43 të Ligjit, në vazhdim Gjykata do të vlerësojë nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara në Kushtetutë, Ligj dhe Rregullore të punës, për të miratuar nxjerrjen e masës së përkohshme përkitazi me aktin e kontestuar nga parashtruesit e kërkesës.
Lidhur me këtë, bazuar në dispozitat e lartcekura të Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës, masa e përkohshme mund të kërkohet nga palët (i) “lidhur me çështjen që është objekt i procedurës para saj”; me kushtin që pala që kërkon masë të përkohshme të arrijë të dëshmojë se (ii) masa e përkohshme është e nevojshme “për tu evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme”; ose që masa e përkohshme është me “interes publik.”
Në këtë drejtim, dhe në vlerësim të plotësimit të kritereve të lartcekura, Gjykata vlerëson se kërkesa e parashtruesve ka për objekt shqyrtimi “Vendimin e Kryetarit të Kuvendit” të 11 korrikut 2023 për caktimin e seancës plenare të Kuvendit të Kosovës më 13 korrik 2023; ndërsa, masa e përkohshme kërkohet lidhur me vendimet e marra në seancën e Kuvendit të datës 13 korrik 2023, përkundër faktit që parashtruesit e kërkesës nuk i kanë kontestuar specifikisht këto vendime.
Për më tepër, parashtruesit e kërkesës përveç referencave në Kushtetutë e Ligj, nuk kanë paraqitur ndonjë dëshmi ose arsyetim se pse pezullimi i zbatimit të vendimeve të Kuvendit të miratuara në seancën e 13 korrikut 2023 (i) është i nevojshëm “për tu evituar rreziqe ose dëme të pariparueshme”; ose (ii) është me “interes publik”, ashtu siç kërkohet me nenin 116 të Kushtetutës, nenin 27 të Ligjit dhe rregullin 44 të Rregullores së punës së Gjykatës.
Prandaj, Gjykata, pa paragjykim ndaj pranueshmërisë ose meritave të kërkesës, vlerëson që kërkesa e parashtruesve të kërkesës për masë të përkohshme ndaj “Vendimit të Kryetarit të Kuvendit” të 11 korrikut 2023 për caktimin e seancës së Kuvendit me 13 korrik 2023 dhe e cila tashmë është mbajtur, masë kjo që do të kishte pasojën e pezullimit të vendimeve të marrë në seancës e 13 korrikut 2023 e të listuar në paragrafin 19 të këtij Vendimi, duhet të refuzohet. Në vlerësimin e Gjykatës, dhe pa paragjykim për pranueshmërinë dhe/ose meritat përfundimtare të rastit, vendosja e një masë të përkohshme për një akt përmes të cilit është caktuar një seancë plenare e Kuvendit dhe e cila do të kishte pasojën e pezullimit të efektit të të gjitha vendimeve që janë marrë në atë seancë, nuk mund të argumentohet as me “evitimin e rreziqeve ose dëmeve të pariparueshme” dhe as që është “në interes publik”. Për më tepër, që disa nga ligjet/vendimet e votuara në Kuvend në seancën e 13 korrikut 2023, tashmë janë kontestuar në Gjykatë sipas sqarimeve të mësipërme dhe mund të kontestohen në Gjykatë bazuar në përcaktimet e Kushtetutës, Ligjit dhe Rregullores së punës së Gjykatës.
Për pasojë, Gjykata vlerëson që refuzimi i masës i së përkohshme në këtë fazë të vendimmarrjes, është në shërbim të sigurisë juridike dhe qartësisë përkitazi me procedurat edhe afatet lidhur me hyrjen në fuqi të ligjeve të miratuara në Kuvend në seancën e 13 korrikut 2023, me përjashtim të “Ligjit nr. 08/L-142 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e benieficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore në të ardhurat personale vjetore”, dhe i cili tashmë i është nënshtruar afatit suspenziv bazuar në paragrafin 2 të nenit 43 të Ligjit, si rezultat i regjistrimit të kërkesës KO158/23.
Gjykata, në fund thekson se, refuzimi i masës së përkohshme, nuk paragjykon në asnjë mënyrë pranueshmërinë dhe/ose meritat e kërkesës.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 116 të Kushtetutës, të nenit 27 të Ligjit dhe të rregullit 45 të Rregullores së punës, më 1 gusht 2023:
VENDOS
TË REFUZOJË, me shtatë (7) vota për dhe një (1) kundër, kërkesën për masë të përkohshme;
T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
TË KONSTATOJË se ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Radomir Laban Gresa Caka-Nimani
Abelard Tahiri dhe 11 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Vendim
Neni 56