Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 57/2019, nr. 58/2019, nr. 59/2019, nr. 60/2019, nr. 61/2019, nr. 62/2019, nr. 63/2019 dhe 65/2019, të 28 marsit 2019
Nr. të lëndës KO 58/19
Parashtruesit: Bilall Sherifi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO58/19, Parashtrues: Bilall Sherifi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësim i kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 57/2019, nr. 58/2019, nr. 59/2019, nr. 60/2019, nr. 61/2019, nr. 62/2019, nr. 63/2019 dhe 65/2019, të 28 marsit 2019
KO58/19, Aktgjykim i miratuar më 29 korrik 2019, i publikuar më 14 gusht 2019
Fjalët kyç: Kërkesë institucionale, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), grupet parlamentare, çështje kushtetuese
Kërkesa ishte parashtruar nga 30 (tridhjetë) deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, bazuar në nenin 113, paragrafi 2 nënparagrafi 1 i Kushtetutës. Objekt i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimeve të Presidentit të Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve të KQZ-së të Republikës së Kosovës, përkatësisht:
Parashtruesit e kërkesës pretendonin që vendimet e lartpërmendura nuk janë në pajtueshmëri me paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Parashtruesit e kërkesës në thelb para Gjykatës kishin këto pretendime kryesore:
Kundërshtimi i parë kishte të bënte me formën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së nga grupet parlamentare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës. Parashtruesit konsideronin nevojën e vënies së theksit tek terminologjia që ka përdorur Kushtetuta e Kosovës në dispozitën përkatëse nga neni 139, paragrafi 4 i Kushtetutës, ku theksohet si në vijim:“Gjashtë (6) anëtarë emërohen nga pjesëtarët e gjashtë grupeve më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend”. Pra, parashtruesit e kërkesës pretendojnë që termi “të përfaqësuara” ka karakter post festum, që në vete nënkupton që“jo domosdoshmërisht subjekti politik që ka fituar mandate të caktuara në Kuvend do të jetë përfaqësuar në nivel të grupit parlamentar me po aq deputetë të mandatuar”.
Gjithashtu, ata pretendojnë që është dispozita e nenit 70, paragrafit 1 të Kushtetutës e cila i jep lirinë e ushtrimit të funksionit të deputetit brenda mandatit të tij duke mos iu nënshtruar asnjë mandati tjetër të detyrueshëm. Sipas parashtruesve të kërkesës “emërimi i anëtarëve të KQZ-së duke marrë parasysh strukturën e grupeve parlamentare sipas rezultatit të zgjedhjeve të subjekteve politike, do të konservonte lirinë politike të përfaqësimit në Kuvendin e Kosovës dhe do të mohonte iniciativat politike në formën e grupeve parlamentare të deputetëve”.
Parashtruesit pretendojnë se, Presidenti, duke interpretuar “grupet më të mëdha parlamentare” si partia, koalicioni, iniciativa qytetare që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës dhe duke emëruar anëtarët e KQZ-së, përmes akteve të kontestuara, sipas këtij interpretimi, ka bërë shkelje të dispozitave kushtetuese. Kjo pasi sipas parashtruesve “grupet më të mëdha parlamentare” sipas nenit 139, paragrafi 4 të Kushtetutës, janë grupet parlamentare që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të cilat ekzistojnë si të tilla në momentin që Presidenti emëron anëtarët e KQZ-së.
Gjykata vlerësoi se kërkesa e parashtruesve është e pranueshme në bazë të kritereve të përcaktuara me Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës Kushtetuese.
Në shtjellimin e meritave të kërkesës, Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesve të kërkesës. Në lidhje me këtë, Gjykata konstaton se vendimet e kontestuara, plotësojnë kushtet për të qenë objekt shqyrtimi nga Gjykata në bazë të nenit 113, paragrafi 2, nënparagrafi 1 të Kushtetutës. Kjo pasi, Gjykata vlerëson se vendimet e kontestuara, pavarësisht emërtimit të tyre janë të një natyre të detyrueshme dhe kanë të bëjnë me caktimin e anëtarëve të KQZ-së që është një institucion i pavarur kushtetues i mandatuar për organizimin dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve në Kosovë, në bazë të autorizimeve të dhëna në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë (në tekstin e mëtejmë: Ligji për Zgjedhjet).
Gjykata rikujton fillimisht se Kushtetuta, përveç që përcakton mënyrën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së dhe nga cilat grupe parlamentare emërohen, ajo nuk përmban ndonjë definicion specifik në lidhje me atë nëse grupet parlamentare për qëllim të emërimit të anëtarëve të KQZ-së, janë grupet parlamentare: i) që kanë dalë nga subjektet politike që i kanë fituar zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, apo, ii) ato që krijohen pas konstituimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës.
Në lidhje me këtë, Gjykata vlerësoi dispozitat kushtetuese dhe dispozitat e tjera të ndërlidhura në lidhje me grupet parlamentare të Kuvendit duke marrë për bazë (i) rolin kushtetues të KQZ-së si institucion i pavarur për administrimin e zgjedhjeve dhe referendumeve; (ii) mënyrën e emërimit të anëtarëve të KQZ-së; (iii) kohëzgjatjen e mandatit dhe (iv) kohën e emërimit të tyre.
Gjykata rikujton se anëtarët e KQZ-së nuk kanë mandat të caktuar kohor. Mandati i tyre është i lidhur me mandatin e ciklit zgjedhor dhe në parim, fillon jo më vonë se 60 (gjashtëdhjetë) ditë pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, përveç përjashtimeve të parapara në nenin 61, paragrafi 3 nënparagrafin (e) të Ligjit për Zgjedhjet.
Andaj, sipas dispozitave të lartcekura, zgjedhja e anëtarëve të KQZ-së nuk është e lidhur me çështjen e konstituimit të Kuvendit, që mund të bëhet apo jo brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve nga dita e certifikimit të rezultateve zgjedhore, as me grupet parlamentare në kuptimin e ngushtë të fjalës, që formohen pas konstituimit të Kuvendit, kur edhe fillon jeta parlamentare në kuptimin e plotë të fjalës, që mundëson organizimin e deputetëve në grupe parlamentare që mund të dallojnë nga partitë apo koalicionet që kanë dalë prej zgjedhjeve.
Emërimi i anëtarëve të KQZ-së bazuar në rezultatet që kanë dalur nga zgjedhjet e përgjithshme, siguron që në KQZ të mos ketë vakum institucional pavarësisht kohës së konstituimit të Kuvendit. Kjo nënkupton që Presidenti, bazuar në nenin 61.4 të Ligjit të Zgjedhjeve, të mund të ushtroj përgjegjësitë e tij për emërimin e anëtarëve të KQZ-së, brenda 60 (gjashtëdhjetë) ditëve pas certifikimit të zgjedhjeve, sipas grupeve parlamentare/subjekteve politike, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve për Kuvend.
Andaj, Gjykata konstaton se grupet më të mëdha parlamentare të përfaqësuara në Kuvend, për qëllim të nenin 139, paragrafi 4 të Kushtetutës konsiderohen 6 (gjashtë) partitë, koalicionet, iniciativat qytetare, që kanë më shumë vende në Kuvend, se çdo tjetër parti, koalicion, iniciativë qytetare që kanë marrë pjesë si të tilla në zgjedhjet për Kuvend.
Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se aktet e kontestuara nuk cenojnë dispozitat e Kushtetutës, përkatësisht, paragrafin 4 të nenit 139 [Komisioni Qendror i Zgjedhjeve] të Kushtetutës.
Bilall Sherifi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Tjetër