Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Ministrisë së Administratës Publike KSHA-OJQ/4-2018 të 25 shtatorit 2018

Nr. të lëndës KI 18/19

Parashtruesit: Organizata Joqeveritare “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim AKEA”

Shkarko:

KI18/19, Parashtrues: Organizata Joqeveritare “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim AKEA. Vlerësim i kushtetutshmërisë së aktvendimit të Ministrisë së Administratës Publike, KSHA-OJQ/4-2018, të 25 shtatorit 2018

 KI18/19, Aktvendim për papranueshmëri i 20 qershorit 2019, publikuar më 30 korrik 2019.

 Fjalët kyç: Kërkesë individuale, kërkesë për masë të përkohshme, Aktvendim për papranueshmëri, kërkesë e parakohshme

Parashtruesi i kërkesës është regjistruar në bazë të Rregullores së UNMIK-ut në fuqi në kohën e Administratës së UNMIK-ut (nr. 1999/22) në Kosovë më 9 dhjetor 2004, ndërsa më 11 dhjetor 2009 ai ka kryer para-regjistrimin në Ministrinë e Administratës Publike (MAP) të Republikës së Kosovës, në pajtim me Ligjin e ri nr. 03/L-134 për lirinë e asociimit në organizatat joqeveritare.

Parashtruesi i kërkesës ka kryer aktivitetet e tij pa pengesë deri më 17 shtator 2014, kur MAP-i nxori vendimin për pezullimin e përkohshëm të ushtrimit të veprimtarisë së tij, me arsyetimin se: “Organi kompetent i sigurisë ka parashtruar kërkesë për pezullimin e aktiviteteve të OJQ-së ”Asociacioni për kulturë, edukim dhe arsim (AKEA)”

 Në periudhën nga viti 2014 deri në vitin 2018, MAP-i nxori 4 vendime me të cilat kishte vazhduar pezullimin e punës së parashtruesit të  kërkesës.

 Parashtruesi i kërkesës kontestoi çdo vendim të MAP-it për pezullimin e kryerjes së veprimtarisë së tij duke u ankuar pranë Komisionit për shqyrtimin e ankesave të OJQ-ve, megjithatë të gjitha ankesat e parashtruesit të kërkesës u refuzuan.

 Parashtruesi i kërkesës gjithashtu ka iniciuar dy procedura (administrative dhe gjyqësore) në lidhje me anulimin e vendimeve të MAP-it.

Procedura e parë administrative e 18 nëntorit 2014, lidhur me anulimin e vendimit të parë të MAP-it të 17 shtatorit 2014, rezultoi në 3 vendime gjyqësore në dy instanca gjyqësore, gjë që çoi që lënda sipas aktgjykimit [A. nr. 2369/2018] të Gjykatës Themelore në procedurë të përsëritur të gjendet aktualisht prapë pranë MAP-it.

 Gjykata Themelore, ndër të tjera, në aktgjykim konkludoi se kishte mangësi në vendimet e MAP-it dhe se ato pengojnë vlerësimin e ligjshmërisë së vendimit të kontestuar dhe në atë drejtim, gjykata e obligoi autoritetin e paditur (MAP) që  në procedurë të përsëritur të veprojë në pajtim me vërejtjet e dhëna në këtë aktgjykim dhe më pas të korrigjojë mangësitë e cekura, të marrë vendim të drejtë të bazuar në ligj”.

 Në procedurën  e dytë gjyqësore, të cilën parashtruesi i kërkesës e inicioi në Gjykatën Themelore më 1 nëntor 2018, dhe kërkoi që të ndalohej ekzekutimi i vendimit të MAP-it të 25 shtatorit 2018, derisa MAP-i të nxjerrë vendim të ri sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore. Kjo procedurë gjyqësore gjendet aktualisht në Gjykatën e Apelit.

Parashtruesi i kërkesës deklaroi në Gjykatën Kushtetuese se me vendimet e MAP-it i janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me paragrafin 2 të nenit 24 [Barazia para Ligjit], nenin 44 [Liria e Asociimit], paragrafi 3 i nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] dhe nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës së Republikës  së Kosovës, si dhe nenin 11 (Liria e tubimit dhe organizimit), nenin 14 (Ndalimi i diskriminimit) dhe nenin 1 të Protokollit 1 (Mbrojtja e Pronës) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Parashtruesi i kërkesës veçanërisht theksoi se “ai nuk ka mjete efektive juridike në dispozicion të tij me të cilat do të kishte mbrojtur të drejtat e tij kushtetuese, dhe në pajtim me këtë ai kërkoi që Gjykata Kushtetuese ta pranojë kërkesën dhe të hyjë në thelb të lëndës, si dhe të vlerësojë nëse procedurat e deritanishme të MAP-it dhe gjykatave të rregullta kanë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ”.

Gjykata, për t’iu përgjigjur kërkesës së parashtruesit nëse në rastin konkret ai duhet të përmbushë kushtet formale të kërkuara për shterimin e të gjitha mjeteve juridike, ose mund të lirohet nga ky detyrim, shqyrtoi si praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së po ashtu edhe praktikën e saj gjyqësore, në të cilën janë vendosur parimet themelore dhe parimet  e shterimit të mjeteve juridike.

Në lidhje me këtë, Gjykata mori parasysh “Konceptin e shterimit të mjeteve juridike” i cili është përcaktuar me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së, dhe konkludoi se së pari duhet të përcaktojë nëse parashtruesi i kërkesës në rastin konkret kishte në dispozicion mjetet juridike të parapara me ligj dhe me përdorimin e të cilave ai do të mund të mbronte të drejtat e tij kushtetuese, si dhe të drejtat e parapara me KEDNJ, para se ta parashtrojë kërkesën e tij në Gjykatën Kushtetuese.

Në pajtim me këtë, Gjykata trajtoi çështjen e efektivitetit të mjeteve juridike në rastin konkret të cilat i kishte parashtruesi i kërkesës në dispozicion të tij, në pajtim me ligjin, dhe në lidhje me këtë, Gjykata bazuar në mori testin e GJEDNJ-së ka analizuar këto pyetje.

 a ka qenë mjeti juridik në rastin e parashtruesit të kërkesës i paraparë me ligjin, i cili ishte i zbatueshëm;

  1. a ka qenë mjeti juridik në dispozicion të parashtruesit të kërkesës;
  2. a ka qenë mjeti juridik efektiv në praktikë, si dhe
  3. a ka ekzistuar ndonjë pengesë dhe rrethana të veçanta në shfrytëzimin e mjetit juridik.

Në bazë të testit të analizuar në mënyrë të detajuar nga Gjykata në aktvendimin e saj për papranueshmërinë e kërkesës, konstatoi a) se parashtruesi i kërkesës kishte në dispozicion gjatë gjithë procedurës mjetin juridik të paraparë me ligj, b) i cili ishte në çdo kohë i qasshëm, c) i cili në pajtim me ligjin e zbatueshëm parasheh efikasitetin dhe efektivitetin e tij në praktikë, dhe d) se shfrytëzimi i mjetit juridik të paraparë me ligj nuk është i kushtëzuar nga ndonjë rrethanë ose pengesë e veçantë.

këtë rast Gjykata gjeti se, procedurat e iniciuara nga parashtruesi i kërkesës janë ende në fazën e vendimmarrjes, dhe nga kjo konkludoi se kërkesa e parashtruesit në Gjykatën Kushtetuese ishte e parakohshme.

Gjykata veçanërisht theksoi faktin se “dhënia e përparësisë mbrojtjes gjyqësore të të drejtave pranë gjykatave të rregullta dhe organeve të tjera kompetente është një aspekt shumë i rëndësishëm i mbrojtjes së të drejtave të njeriut që Gjykata Kushtetuese gjithmonë e merr parasysh. Në lidhje me këtë, Gjykata veçanërisht theksoi se të gjitha vendimet e organeve shtetërore, duke përfshirë vendimet administrative të MAP-it për pezullimin e veprimtarisë së parashtruesit të kërkesës, i nënshtrohen kontrollit gjyqësor”.

Në fund, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës ende nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me nenin 113, paragrafi 7 i Kushtetutës, nenin 47.2 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht, kërkesa për masë të përkohshme refuzohet në pajtim me nenin 27.1 të Ligjit, dhe në pajtim me rregullin 57 (4) (a) të Rregullores së punës.

 

 

 

 

 

 

 

Parashtruesit:

Organizata Joqeveritare “Asociacioni për Kulturë, Edukim dhe Arsim AKEA”

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri