Prishtinë, më 27 shtator 2022
Nr. Ref.:RK 2053/22
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI43/22
Parashtrues
Muhamed Bajgora
si përfaqësues i pretenduar i personit S.B.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Themelore XXX të 9 marsit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare dhe
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
- Kërkesa është parashtruar nga Muhamed Bajgora, nga Prishtina, i cili pretendon se është përfaqësues i personit S.B (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i pretenduar).
Vendimi i kontestuar
- Përfaqësuesi i pretenduar e konteston Aktvendimin e Gjykatës Themelore XXX të 9 marsit 2022.
Objekti i çështjes
- Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktvendimit të kontestuar, me të cilin pretendohet se personit S.B i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij themelore të garantuara me Kushtetutën e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta). Parashtruesi i kërkesës nuk ka qartësuar saktësisht se cilat të drejta dhe liri themelore të garantuara me Kushtetutë i janë cenuar përmes aktit të kontestuar.
Baza juridike
- Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenin 22 [Procedimi i kërkesës] dhe nenin 47 [Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe rregullin 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
- Më 12 prill 2022, përfaqësuesi i pretenduar e dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
- Më 20 prill 2022, Kryetarja e Gjykatës caktoi gjyqtarin Bajram Ljatifi Gjyqtar raportuese dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Safet Hoxha (kryesues), Remzie Istrefi-Peci dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
- Më 19 prill 2022, Gjykata e njoftoi përfaqësuesin e pretenduar për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai që të plotësojë kërkesën me informata shtesë, më saktësisht të dorëzojë në Gjykatë autorizimin me të cilin është autorizuar nga personi S.B për ta përfaqësuar atë para kësaj Gjykate.
- Më 26 prill 2022, Gjykata e pranoi shkresën e përfaqësuesit të pretenduar ku ai ndër të tjera theksoi se “[…] autorizimin që e posedoj unë është valid për gjithë Republikën e Kosovës”.
- Më 5 maj 2022, Përfaqësuesi i pretenduar dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë, mirëpo nuk e dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësimin e personit S.B në emër të cilës, siç pretendon, e paraqiti kërkesën në Gjykatë.
- Më 17 gusht 2022, përfaqësuesi i pretenduar dorëzoi në Gjykatë dokumente shtesë, por jo edhe autorizimin e kërkuar.
- Më 8 shtator 2022, pas shqyrtimit të raportit të gjyqtarit raportues, Kolegji shqyrtues njëzëri i rekomandoi Gjykatës që të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve
- Gjykata nuk i referohet fakteve të këtij rasti, pasi që kërkesa është parashtruar nga një përfaqësues i pretenduar i cili nuk ka dëshmuar të ketë autorizimin për të parashtruar këtë kërkesë në emër të personit S.B. Prandaj, Gjykata as nuk do të deklarojë në vendim numrin e aktvendimit të Gjykatës Themelore, të cilin pretendohet se ai konteston në emër të personit S.B.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
- Gjykata gjithashtu nuk i referohet as pretendimeve të cilat pretendohet se përbëjnë pretendime dhe pohime që i përkasin personit S.B, pasi që kërkesa është dorëzuar nga përfaqësuesi i pretenduar pa një autorizim të vlefshëm.
Dispozitat relevante të Ligjit dhe Rregullores së punës
Ligji
Neni 48
(Saktësimi i kërkesës)
Parashtruesi i kërkesës ka për detyrë që në kërkesën e tij të qartësoj saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendon se i janë cenuar dhe cili është akti konkret i autoritetit publik të cilin parashtruesi dëshiron ta kontestoj.
Rregullorja e punës
Rregulli 32
(Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve)
2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:
(c) autorizimin për përfaqësuesin ligjor;
(…)
(3) Nëse pala ka përfaqësues, përfaqësuesi dorëzon në Gjykatë bashkë me kërkesë, autorizim të vlefshëm.
Rregulli 35
(Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës)
(5) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se kërkesa është e paplotë ose e paqartë përkundër kërkesave nga Gjykata ndaj palës që të plotësojë ose të qartësojë kërkesën, nëse kërkesa është përsëritje e një kërkese të mëparshme të vendosur nga Gjykata, ose në qoftë se kërkesa është joserioze.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
- Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës. Në këtë drejtim, sipas paragrafit 1 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, Gjykata vendos vetëm për rastet e ngritura para Gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar. Ndërsa, sipas paragrafit 7 i të njëjtin nen të Kushtetutës, individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet e pretenduara të të drejtave dhe lirive të tyre individuale të garantuara me Kushtetutë nga autoritetet publike, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
- Megjithatë, përtej kritereve të përcaktuara më lart, në vlerësimin nëse përfaqësuesi i pretenduar i kërkesës i plotëson kriteret për vlerësimin e kërkesës së tij, Gjykata rikujton se: (i) neni 48 i Ligjit specifikisht detyron parashtruesit e kërkesave që të qartësojnë saktësisht aktin konkret të autoritetit publik të cilin e kontestojnë dhe që të qartësojnë saktësisht se cilat të drejta dhe liri pretendojnë të jenë cenuar; si dhe (ii) neni 21 i Ligjit i cili përcakton që palët para Gjykatës përfaqësohen vet ose nga një përfaqësues i autorizuar nga pala. Për me tepër, rregulli 32 i Rregullores së punës përcakton që kërkesa e parashtruesve të kërkesës duhet të përmbajë edhe: (a) emrin dhe adresën e palës që parashtron kërkesën; (b) emrin dhe adresën e përfaqësuesit për dorëzimin e dokumenteve, nëse ka; (c) autorizimin për përfaqësuesin ligjor; (d) emrin dhe adresën e palës, ose të palëve kundërshtare, nëse janë të njohura, të cilave u dërgohen dokumentet; (e) mbrojtjen juridike të kërkuar; (f) përmbledhjen e shkurtër të fakteve; (g) arsyetimin procedural dhe substantiv të kërkesës; dhe (h) informacionet dhe dokumentacionin mbështetës.
- Në rastet kur kërkesat para Gjykatës nuk janë të kompletuara, bazuar në paragrafin 4 të nenit 22 të Ligjit, gjyqtari raportues njofton palët apo pjesëmarrësit përkatës për këtë dhe cakton një afat prej jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) ditëve për të qartësuar ose plotësuar kërkesën, përkatësisht përgjigjen në kërkesë. Atëherë, kur palët përkatëse, nuk dorëzojnë dokumentacionin e kërkuar në Gjykatë, bazuar në rregullin 35 (Tërheqja, hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, Gjykata mund të vendosë të refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër, duke marrë parasysh që kërkesa është e paplotë ose e paqartë, përkundër kërkesave të saj ndaj palës që të plotësojnë apo qartësojnë të njëjtën.
- Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që kërkesa e parashtruesit të kërkesës është dorëzuar nga Muhamed Bajgora i cili pretendon të jetë i autorizuar për të përfaqësuar S.B në Gjykatë dhe i cili, përkundër kërkesës së Gjykatës të datës 19 prill 2022, nuk ka dorëzuar në Gjykatë autorizimin i cili do të vërtetonte se parashtruesi i kërkesës ishte autorizuar nga S.B për të përfaqësuar të njëjtën para Gjykatës.
- Mosdorëzimi i autorizimit të vlefshëm në Gjykatë, bazuar në nenin 21 të Ligjit dhe rregullit 32 të Rregullores së punës, i pamundëson Gjykatës shqyrtimin e një kërkese.
- Në këtë aspekt, Gjykata rithekson, se në rrethanat e rastit konkret, kërkesa është e paplotë dhe nuk është e qartësuar sepse përfaqësuesi i pretenduar, përkundër kërkesave të Gjykatës, nuk ka dorëzuar në Gjykatë autorizimin e vlefshëm për përfaqësimin e palës të cilin ai pretendon se e përfaqëson (shih, ndër tjerash, rastet e Gjykatës, KI25/21, parashtrues, Ymer Koro, si përfaqësues i pretenduar i K.Lj. dhe K.B., Vendim për refuzim të kërkesës, i 21 korrikut 2021; dhe KI137/20, parashtrues, Naser Peci, si përfaqësues i pretenduar i S.B., Vendim për refuzim të kërkesës, i 17 dhjetorit 2020).
- Rrjedhimisht, Gjykata konstaton se kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk i përmbush kriteret procedurale për shqyrtim të mëtejmë, për shkak të mungesës së autorizimit formal për përfaqësim, ashtu siç kërkohet me nenet 21, 22.4 dhe 48 të Ligjit dhe me rregullin 32 (2) (c) dhe (3) dhe 35 (5) të Rregullores së punës, dhe rrjedhimisht, kërkesa duhet të refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, të nenit 48 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 32 (2) (c) dhe (3) dhe 35 (5) të Rregullores së punës, më 8 shtator 2022, njëzëri
VENDOS
- TË REFUZOJË kërkesën;
- T’UA KUMTOJË këtë Vendim palëve;
- TË PUBLIKOJË këtë Vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
- Ky Vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Bajram Ljatifi Gresa Caka-Nimani