Prishtinë, më 15 gusht 2023
Nr. ref.: AGJ 2244/23
AKTGJYKIM
në
rastin nr. KI129/22
Parashtrues
Saša Milosavljević
Vlerësim i kushtetutshmërisë së
Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Ferizaj 2022:19820, të 12 gushtit 2022, dhe Aktvendimit të Gjykatës së Apelit të Kosovës PN1. nr. 1109/2022 të 5 shtatorit 2022
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar dhe
Enver Peci, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është dorëzuar nga Saša Milosavljević, nga Shtërpca (në tekstin e mëtejmë: parashtruesi i kërkesës), të cilin e përfaqëson Nebojša Vlajić, nga Mitrovica.
Vendimi i kontestuar
Parashtruesi i kërkesës konteston aktvendimin [2022:19820] e 12 gushtit 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) në lidhje me aktvendimin e Gjykatës së Apelit [PN1. nr. 1109/2022] të 5 shtatorit 2022 (në tekstin e mëtejmë: Gjykata e Apelit).
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes së kësaj kërkese është vlerësimi i kushtetutshmërisë së vendimit të kontestuar përmes të cilit pretendohet se parashtruesit të kërkesës i janë shkelur të drejtat e garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Kushtetuta), nenin 5 (E drejta për liri dhe siguri) dhe nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Përveç kësaj, parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata vendosjen e masës së përkohshme në lidhje me vendimin e kontestuar.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, nenet 22 (Procedimi i kërkesës), 27 (Masat e përkohshme) dhe 47 (Kërkesa individuale] të Ligjit për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 03/L-121 (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe në rregullin 35 [Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve) dhe rregullin 44. (Kërkesa për masë të përkohshme) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Më 7 korrik 2023, Rregullorja e punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës nr. 01/2023 është publikuar në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës dhe ka hyrë në fuqi 15 ditë pas publikimit të saj. Në përputhje me këtë, gjatë shqyrtimit të kërkesës, Gjykata Kushtetuese iu referohet dispozitave të Rregullores në fjalë. Lidhur me këtë, në përputhje me rregullën 78 (Dispozitat kalimtare) të Rregullores së punës nr. 01/2023, përjashtimisht, dispozita të caktuara të Rregullores së punës nr. 01/2023, do të vazhdojnë të zbatohen në lëndët të cilat janë regjistruar në Gjykatë para shfuqizimit të saj, vetëm në qoftë se dhe për aq sa janë më të favorshme për palët.
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 30 gusht 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesën në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata).
Më 5 shtator 2022, Kryetarja e Gjykatës përmes Vendimit [GJR. KI129/22] caktoi gjyqtaren Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gjyqtare raportuese dhe Kolegjin shqyrtues të përbërë nga gjyqtarët: Gresa Caka-Nimani (kryesuese), Bajram Ljatifi dhe Remzije Istrefi-Peci (anëtarë).
Më 7 shtator 2022, Gjykata njoftoi parashtruesin e kërkesës për regjistrimin e kërkesës dhe kërkoi nga ai të dorëzojë në Gjykatë autorizimin për përfaqësim. Të njëjtën ditë, një kopje e kërkesës u është dërguar Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit.
Duke pasur parasysh lidhjen në mes të rasteve KI 55 /22, KI 85 /22 dhe KI 129/ 22, gjegjësisht, faktin se kemi të bëjmë me të njëjtin rast penal, Gjykata në rastin KI 85 /22 më 27 korrik 2022, ka kërkuar nga Gjykata Themelore që të dorëzojë dosjen e plotë të lëndës në Gjykatë. Pas kësaj, Gjykata Themelore ka njoftuar Gjykatën se dosja e plotë e lëndës është në Gjykatën e Apelit. Rrjedhimisht, Gjykata kërkoi nga Gjykata e Apelit që të dorëzojë dosjen e plotë të lëndës në Gjykatë. Gjykata e Apelit i është përgjigjur Gjykatës se dosja e plotë e lëndës është kthyer në Gjykatën Themelore. Gjykata përsëri kërkoi nga Gjykata Themelore që të dorëzojë dosjen e plotë të lëndës në Gjykatë. Gjykata Themelore e dorëzoi dosjen e plotë të lëndës në Gjykatë për të tri kërkesat. Pas kësaj, Gjykata e ka kthyer dosjen e plotë të lëndës në Gjykatën Themelore.
Më 14 shtator 2022, parashtruesi i kërkesës dorëzoi në Gjykatë autorizimin për përfaqësim.
Më 16 dhjetor 2022, gjyqtari Enver Peci dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 30 janar 2023, Gjykata në lidhje me kërkesën e parashtruesit të kërkesës dhe kërkesat në rastin KI55/22, KI85/22 dhe KI129/22 i dërgoi Gjykatës Supreme kërkesë për dorëzimin e informatave dhe sqarimin si në vijim:
“Në kontekst të pretendimit të lartcekur të parashtruesve të kërkesës dhe me qëllim që Gjykata të disponojë me të gjitha informatat relevante, ju drejtohet me kërkesën për informatat si në vijim:
- Nëse parashtruesit e lartcekur kundër Aktvendimeve në fjalë të Gjykatës Themelore në Ferizaj dhe Gjykatës së Apelit kanë parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme?
Nëse ky nuk është rasti, atëherë, për aq sa është e mundur, luteni që ta njoftoni Gjykatën përkitazi me praktikën gjyqësore të Gjykatës Supreme, nëse mjeti juridik i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë gjatë procedurës së caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit në procedurë është mjet efektiv juridik. Luteni që këtë informatë, ta mbështetni dhe ilustroni me vendime apo praktikë gjyqësore të Gjykatës Supreme në raste të tjera të ngjashme”.
Më 13 shkurt 2023, Gjykata pranoi përgjigjen e Gjykatës Supreme, përmes të cilës, ndër tjerash, njoftoi se parashtruesi i kërkesës kundër aktvendimit të kontestuar të Gjykatës të Apelit të 5 tetorit 2022 kishte parashtruar kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Më 25 korrik 2023, gjyqtari raportues i rekomandoi Gjykatës për papranueshmërinë e kërkesës, por Kolegji shqyrtues nuk e miratoi raportin paraprak të gjyqtarit raportues dhe lënda është kthyer në rishqyrtim.
Më 28 korrik 2023, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e Gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës pranueshmërinë e kërkesës.
Në përputhje me rregullën 57 (Mendimi konkurrues) të Rregullores së punës, gjyqtari Radomir Laban ka përgatitur mendimin konkurrues, i cili do të publikohet së bashku me aktgjykimin.
Përmbledhja e fakteve
Nga shkresat e lëndës rezulton që Prokuroria Themelore në Ferizaj-Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Prokuroria Themelore) kishte filluar hetimet kundër parashtruesit të kërkesës dhe disa personave tjerë për shkak të dyshimit të bazuar se kishin marrë pjesë dhe kishin ndihmuar në kryerjen e veprës penale të lëshimit të kundërligjshëm të lejeve ndërtimore në Parkun Kombëtar Sharri.
Më 24 nëntor 2021, Prokuroria Themelore nxori Aktvendim për zgjerimin e hetimeve kundër parashtruesit të kërkesës dhe të dyshuarve tjerë. Specifikisht, në lidhje me parashtruesin e kërkesës, Prokuroria Themelore në Aktvendimin e saj theksoi se ekzistonte dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 në lidhje me nenin 31 marrja e ryshfetit nga neni 428 par. 2, ushtrimi i ndikimit nga neni 431 par. 1, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së Kodit Penal nr. 04/L-082 të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPRK).
Më 22 dhjetor 2021, Prokuroria Themelore përmes kërkesës [KT. I. nr. 138/21] i kërkoi Gjykatës Themelore caktimin e masës së paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë.
Më 23 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda (në tekstin e mëtejmë: Gjykata Themelore) përmes Aktvendimit [2021:289261] ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë shqiptoi masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji.
Në një datë të pacaktuar, parashtruesi i kërkesës dhe të pandehurit e tjerë parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [2021: 289260] të 23 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore në Ferizaj, në të cilën pretendon shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, zbatim të gabuar të së drejtës materiale dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, me propozim që Gjykata e Apelit ta ndryshojë vendimin e kontestuar dhe të pandehurit t'i caktojë masë më të butë nga neni 173 [Masat për sigurimin e pranisë së të pandehurit] të KPPRK-së ose kthimin e lëndës në rishqyrtim.
Më 11 janar 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1 nr. 1549/2021] e refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës si të pabazuar dhe e vërtetoi në tërësi aktvendimin [2021:289260] të 23 dhjetorit 2021 të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Procedura gjyqësore për vazhdimin e paraburgimit
Më 20 janar 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj përmes Aktvendimit [2021:289260] vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës të këtij rasti në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, përkatësisht nga 20 janari 2022 deri më 20 mars 2022.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [2021: 289260] të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të 20 janarit 2022.
Më 2 shkurt 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1 nr. 138/2022] ankesën e parashtruesit të kërkesës e refuzoi si të pabazuar dhe e vërtetoi në tërësi aktvendimin [2021:289260 e 20 janarit 2022] të Gjykatës Themelore në Ferizaj.
Më 18 mars 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:009453] vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, përkatësisht nga 18 marsi 2022 deri më 17 maj 2022.
Më 13 maj 2022, Prokuroria Themelore përmes kërkesës [P.P.I. nr. 138/20] i kërkoi Gjykatës Themelore vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë.
Më 17 maj 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj përmes Aktvendimit [2022: 19820] vazhdoi masën e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, përkatësisht nga 17 maji 2022 deri më 15 korrik 2022.
Në arsyetimin e Aktvendimit të Gjykatës Themelore, të 17 majit 2022 u theksua se vazhdimi i masës së paraburgimi bazohet në nenin 191 (Vazhdimi i paraburgimit) paragrafi 1 në lidhje me nenin 187 (Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit), paragrafi 1, nën-paragrafët 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 të Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: KPPRK) pasi që ekzistonte rreziku i arratisjes; fshehjes dhe asgjësimit të provave; ndikimit në rrjedhën e procedurës penale dhe rrezikut të përsëritjes së veprës penale.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë kundër Aktvendimit [2022: 19820] të Gjykatës Themelore në Ferizaj, të 17 majit 2022 në Gjykatën e Apelit.
Më 31 maj 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Pn1. nr. 704/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [2022: 19820] e Gjykatës Themelore në Ferizaj, të 17 majit 2022.
Më 15 korrik 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:019280], i vazhdoi paraburgimin parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, përkatësisht nga 15 korriku 2022 deri më 15 shtator 2022.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës dhe të pandehurit e tjerë parashtruan ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [2022:019280] të 15 korrikut 2022 të Gjykatës Themelore në Ferizaj për shkak të vazhdimit të masës së paraburgimit. Parashtruesi i kërkesës në ankesën e tij pretendoi zbatimin e gabuar të Kodit Penal, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike dhe zbatim të gabuar të ligjit të procedurës penale, duke kërkuar që ndaj tij të caktohet masë më e lehtë.
Më 25 korrik 2022, Prokuroria e Apelit e Kosovës, përmes shkresës [PAR/I. nr. 912/22] i propozoi Gjykatës së Apelit që ta refuzojë ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë si të pabazuar dhe kërkoi që të vërtetohet Aktvendimi [2022:019280] i Gjykatës Themelore i 15 korrikut 2022.
Më 29 korrik 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Pn1. nr. 958/2022], aprovoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë si dhe e anuloi Aktvendimin [2022:019280] e Gjykatës Themelore të 15 korrikut 2022, duke e kthyer të njëjtin për rivendosje në këtë gjykatë.
Në arsyetimin e aktvendimit të lartcekur, Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore nuk kishte dhënë arsye të mjaftueshme për vazhdimin e masës së paraburgimit në kuptim të paragrafit 3 të nenit 190 të KPPRK-së. Në këtë drejtim, Gjykata e Apelit theksoi se në propozimin e prokurorit për vazhdimin e paraburgimit nuk janë specifikuar veprimet hetimore që janë ndërmarrë në periudhën prej dy (2) muajve, se deri në cilën fazë kishte arritur ekzaminimi i provave apo dëgjimi i dëshmitarëve. Përveç kësaj, Gjykata e Apelit konstatoi se Aktvendimi i lartcekur i Gjykatës Themelore nuk i përgjigjej pretendimeve të mbrojtjes dhe se marrë parasysh që nuk dihen emrat e dëshmitarëve, nuk është arsyetuar sesi të pandehurit munden të ndikojnë tek ta.
Më 12 gusht 2022, Prokuroria Themelore, përmes parashtresës [PP/I. nr. 138/20] njoftoi Gjykatën Themelore lidhur me veprimet e ndërmarra hetimore duke bashkëngjitur kopje të provave të siguruara.
Po më 12 gusht 2022, Gjykata Themelore në Ferizaj, në procedurë të përsëritur, përmes Aktvendimit [2022:019280], i vazhdoi paraburgimin parashtruesit të kërkesës për 30 (tridhjetë) ditë, përkatësisht në kohëzgjatje prej 12 gushtit 2022 deri më 13 shtator 2022.
Në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë në Gjykatën e Apelit kundër Aktvendimit [2022:019280] të Gjykatës Themelore, të 12 gushtit 2022.
Më 2 shtator 2022, Prokuroria Themelore përmes kërkesës [PPI. nr. 138/20] kërkoi zgjatjen e afatit të hetimeve kundër të pandehurve për 6 (gjashtë) muaj sipas paragrafit 2 të nenit 159 [Afatet kohore të hetimit] të KPPRK-së.
Më 5 shtator 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [PN1. nr. 1109/2022], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë si dhe e vërtetoi Aktvendimin [2022:019280] e Gjykatës Themelore, të 12 gushtit 2022.
Në arsyetimin e Aktvendimit të saj, Gjykata e Apelit theksoi se nga provat e ofruara ekziston dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale marrjen e ryshfetit për sigurimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri 2” si dhe Parkun Kombëtar “Sharri”.
Gjykata e Apelit tutje theksoi se ekziston baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit në pajtim me nenin 187 të KPPRK-së, sepse po qe se “të pandehurit” do të gjendeshin në liri, “ata do të mund të ndikonin në njëri-tjetrin si pjesëmarrës [...] apo në disa prej tyre [të cilët] gjenden në arrati, si dhe [...] rreziku i ndikimit në [...] katërdhjetë (40) dëshmitarë.” Më tej, Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore me të drejtë kishte konstatuar se ekziston baza ligjore sipas nenit 187, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 të KPPRK-së, marrë parasysh mënyrën se si është kryer vepra penale nga të pandehurit duke keqpërdorur pozitën zyrtare, përkatësisht duke marrë apo dhënë shuma të majme të parave në formë të ryshfetit, që paraqesin rrezik të përgjithshëm për përsëritjen e veprës penale.
Më 9 shtator 2022, Gjykata Themelore, përmes Aktvendimit [2022:019820] aprovoi kërkesën e Prokurorisë Themelore për vazhdimin e hetimeve për një periudhë kohore prej 6 (gjashtë) muajsh.
Më 9 shtator 2022, Prokuroria Themelore përmes parashtresës [PP/I. nr. 138/20] i paraqiti Gjykatës Themelore propozim për vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës në kohëzgjatje prej 2 (dy) muajsh.
Më 13 shtator 2022, Gjykata Themelore përmes Aktvendimit [2022:019280], i vazhdoi paraburgimin parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve tjerë në kohëzgjatje prej dy (2) muajsh, përkatësisht nga 13 shtatori 2022 deri më 11 nëntor 2022.
Në një datë të pacaktuar parashtruesi i kërkesës parashtroi ankesë në Gjykatën e Apelit kundër aktvendimit [2022:19820] të 13 shtatorit 2022 të Gjykatës Themelore.
Më 5 tetor 2022, Gjykata e Apelit përmes Aktvendimit [PN1. nr. 1235/2022], refuzoi ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe të pandehurve të tjerë dhe vërtetoi Aktvendimin [2022:019280] e Gjykatës Themelore të 13 shtatorit 2022.
Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë e parashtruar në Gjykatën Supreme
Bazuar në përgjigjen e Gjykatës Supreme të dorëzuar në Gjykatë, më 3 prill 2023, rezulton që parashtruesi i kërkesës kundër vendimeve të kontestuara përmes kërkesës së tij në Gjykatë, përkatësisht kundër Aktvendimit [2022:019820] të 13 shtatorit 2022 dhe Aktvendimit [PN1. nr. 1235/2022] të Gjykatës së Apelit, të 5 tetorit 2022, në Gjykatën Supreme parashtroi kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë.
Më 6 dhjetor 2022, Gjykata Supreme përmes Aktvendimit [Pml. nr. 476/2022] e refuzoi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruesit të kërkesës si jolëndore.
Gjykata Supreme konstatoi se kërkesa është jo lëndore me arsyetimin se: “Duke pasur parasysh faktin se aktvendimi përmes të cilit të pandehurit masa e vazhduar e paraburgimi ka qenë në fuqi deri më 11.11.2022, rezulton se të njëjtit i ka skaduar afati, andaj kjo gjykatë vlerëson se kërkesa nuk mund të jetë objekt shqyrtimi dhe si e tillë është jolëndore sepse pavarësisht shkeljeve të pretenduara ë kërkesës i pandehuri e ka mbajtur paraburgimin për atë kohë sa ka qenë i vazhduar me vendimin e atakuar, të cilit i ka skaduar afati. Prandaj nga sa u parashtrua më lartë dhe në kuptim të nenit 435 par. 2 të KPPK-së, u vendos si në dizpozitiv të këtij Aktvendimi”.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Parashtruesi i kërkesës pretendon shkelje të të drejtave dhe lirive kushtetuese të garantuara me nenet 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 dhe 6 të KEDNJ-së.
Parashtruesi i kërkesës pretendon se në rastin e tij është tejkaluar kohëzgjatja maksimale e paraburgimit gjyqësor e përcaktuar me ligj.
Në lidhje me pretendimin e mësipërm, parashtruesi i kërkesës shton si në vijim:
“ [...] akuzohet për një vepër të dënueshme me burgim me më shumë se 5 vite. Kjo do të thotë se ndaj tij, paraburgimi mund të zgjasë më së shumti 8 muaj. Çdo ditë e vazhdimit të paraburgimit nga 21.08.2022 e tutje është e paligjshme. Gjykatat e shkallës së parë dhe të dytë nuk i kanë kushtuar vëmendje ankesave të avokatëve, kështu që arrihet përshtypja se paraburgimi është jashtëzakonisht arbitrar, pasi siç do të shihni nga arsyetimi i vendimeve, nuk është dhënë përgjigje ndaj ankesave që i kemi paraqitur. Në vend të kësaj, përshkruhen aktvendimet e mëparshme pa asnjë kuptim. Prandaj, ky paraburgim mund të konsiderohet arbitrar.
Parashtruesi i kërkesës e arsyeton arsyeshmërinë e kërkesës së tij duke e cituar Kodin për procedurën penale, konkretisht nenin 190, par. 2, pikën 2, duke theksuar se, “Gjykata e shkallës së parë dhe të dytë nuk janë bazuar në ankesat e avokatëve, prandaj krijohet përshtypja se paraburgimi është skajshmërisht arbitrar, ngase siç do ta shihni nga arsyetimi i vendimit, nuk është dhënë përgjigjja në ankesat që i kemi parashtruar. Në vend të kësaj, aktvendimet e mëparshme vetëm rishkruhen pa kurrfarë kuptimi. Për këtë arsye, paraburgimi duhet të konsiderohet edhe arbitrar.”
Parashtruesi i kërkesës gjithashtu thekson se gjatë kësaj procedure pranë gjykatave të rregullta, janë shkelur rëndë të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutë, duke pretenduar se:
“ [...] është shkelur Kushtetuta e Kosovës në nenet 29, 30 dhe 31 në kuptim të shkeljes së të drejtës për gjykim brenda një afati të arsyeshëm dhe privim të kundërligjshëm të lirisë, si dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut në nenet 5 dhe 6.”
Parashtruesi i kërkesës kërkon nga Gjykata që: (i) ta aprovojë kërkesën e tij si të pranueshme; (ii) ta anulojë aktvendimin 2022:019820 të 12 gushtit 2022 dhe aktvendimin [PN1. nr. 1235/2022] të Gjykatës së Apelit të 5 shtatorit dhe t’i mundësojë parashtruesit të kërkesës të mbrohet në liri; (iii) të konstatojë se ka pasur shkelje të nenit 31 të Kushtetutës dhe (iv) të miratojë vendosjen e masës së përkohshme.
Parashtruesi i kërkesës, paraqiti edhe kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme, e cila me aktvendimin [Pml. nr. 476/2022] e refuzoi atë kërkesë si jo lëndore. Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës nuk konteston para Gjykatës aktvendimin [Pml. nr. 476/2022] e Gjykatës Supreme të 6 dhjetorit 2022.
Dispozitat relevante kushtetuese dhe ligjore
KUSHTETUTA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
Neni 29
[E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë]
1. Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
(1) pas shpalljes së dënimit me burgim për kryerjen e veprës penale;
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj.
[...]
2. Çdokush që privohet nga liria, duhet të vihet në dijeni menjëherë, për arsyet e privimit, në gjuhën që ajo/ai e kupton. Njoftimi me shkrim mbi arsyet e privimit duhet të bëhet sa më shpejt që të jetë e mundshme. Çdokush që privohet nga liria pa urdhër të gjykatës, brenda dyzet e tetë (48) orësh duhet të dërgohet përpara gjyqtarit, i cili vendos për paraburgimin ose lirimin e tij/saj, jo më vonë se dyzet e tetë (48) orë nga momenti kur personi i privuar është sjellë para gjykatës. Çdokush që arrestohet, ka të drejtën që të nxirret në gjykim brenda një periudhe të arsyeshme, ose të lirohet në pritje të gjykimit, me përjashtim kur gjyqtari konstaton se personi përbën rrezik për komunitetin ose ka rrezik për ikjen e saj/tij para gjykimit.
3. Çdokush që privohet nga liria, duhet të njoftohet menjëherë se ka të drejtë të mos japë asnjë deklaratë dhe se ka të drejtë për mbrojtës sipas zgjedhjes së tij/saj dhe ka të drejtë që pa vonesë të informojë për këtë personin sipas zgjedhjes së vet.
4. Çdokush që i hiqet liria me arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.
5. Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrën e parashikuar me ligj.
6. Personi që vuan dënimin, ka të drejtë të ankohet për kushtet e privimit nga liria, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
Neni 30
[Të Drejtat e të Akuzuarit]
1. Çdokush që akuzohet për vepër penale, gëzon të drejtat minimale në vijim:
(1) të njoftohet menjëherë në gjuhën që kupton, për natyrën dhe shkakun e akuzës kundër saj/tij;
(2) të njoftohet për të drejtat e tij/saj sipas ligjit;
(3) të ketë kohë, mundësi dhe mjete të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen e vet;
(4) të ketë ndihmën pa pagesë të një përkthyesi, kur nuk flet ose nuk kupton gjuhën në të cilën zhvillohet gjykimi;
(5) të ketë ndihmën e një mbrojtësi që e zgjedh, të komunikojë lirisht me të dhe, nëse nuk ka mjete të mjaftueshme, t’i sigurohet mbrojtja falas;
(6) të mos shtrëngohet për të dëshmuar kundër vetvetes ose për të pranuar fajësinë e vet.
Neni 31
[E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm]
1. Çdokujt i garantohet mbrojtje e barabartë e të drejtave në procedurë para gjykatave, organeve të tjera shtetërore dhe bartësve të kompetencave publike.
2. Çdokush gëzon të drejtën për shqyrtim publik të drejtë dhe të paanshëm lidhur me vendimet për të drejtat dhe obligimet ose për cilëndo akuzë penale që ngrihet kundër saj/tij brenda një afati të arsyeshëm, nga një gjykatë e pavarur dhe e paanshme, e themeluar me ligj.
3. Gjykimi është publik, me përjashtim të rasteve kur gjykata, në rrethana të veçanta, konsideron se, në të mirë të drejtësisë, është i domosdoshëm përjashtimi i publikut, ose i përfaqësuesve të medieve, sepse prania e tyre do të përbënte rrezik për rendin publik ose sigurinë kombëtare, interesat e të miturve, ose për mbrojtjen e jetës private të palëve në proces, në mënyrën e përcaktuar me ligj.
4. Çdokush i akuzuar për vepër penale ka të drejtë t'u bëjë pyetje dëshmitarëve dhe të kërkojë paraqitjen e detyrueshme të dëshmitarëve, të ekspertëve dhe të personave të tjerë, të cilët mund të sqarojnë faktet.
5. Çdokush i akuzuar për vepër penale, prezumohet të jetë i pafajshëm derisa të mos dëshmohet fajësia e tij/saj, në pajtim me ligjin.
6. Ndihma juridike falas do t’u mundësohet atyre që nuk kanë mjete të mjaftueshme financiare, nëse një ndihmë e tillë është e domosdoshme për të siguruar qasjen efektive në drejtësi.
7. Procedurat gjyqësore që përfshijnë të miturit rregullohen me ligj, duke respektuar rregullat dhe procedurat e veçanta për të miturit.
KONVENTA EVROPIANE PËR TË DREJTAT E NJERIUT
Neni 5
(E drejta për liri dhe siguri)
Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
a) kur burgoset ligjërisht pas një dënimi të dhënë nga një gjykatë kompetente;
[…]
c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
[…]
3. Çdo person i arrestuar ose i paraburgosur në rrethanat e parashikuara në paragrafin 1/c të këtij neni duhet të çohet menjëherë përpara një gjyqtari ose një zyrtari tjetër të autorizuar me ligj për të ushtruar funksione gjyqësore dhe ka të drejtë të gjykohet brenda një afati të arsyeshëm ose të lirohet në gjykim e sipër. Lirimi mund të kushtëzohet me dhënien e garancive për t’u paraqitur në procesin gjyqësor.
4. Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm”.
[…]
KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS Nr. 04/L-082
[…]
Neni 366
Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e instalimeve publike
Kushdo që asgjëson, dëmton apo i heq pajisjet apo instalimet e përçuesve elektrik, të gazit, të ujit, të ngrohjes, të pajisjeve telekomunikuese, të pajisjeve të kanalizimit, të pajisjeve për mbrojtjen e mjedisit, naftësjellësve, kabllove nënujore, të pendave ose të pajisjeve të tjera të ngjashme dhe me këtë shkakton çrregullime në furnizimin e popullsisë apo të ekonomisë, dënohet me burgim deri në pesë (5) vjet.
[...]
Neni 422
Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar
1. Personi zyrtar, i cili duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i tejkalon kompetencat e tij ose nuk i përmbush detyrat zyrtare të tij me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër apo që t’i shkaktojë dëm personit tjetër ose që seriozisht t’i shkel të drejtat e personit tjetër, dënohet me burgim prej gjashtë (6) muaj deri në pesë (5) vjet.
[...]
Neni 428
Marrja e ryshfetit
[...]
2. Personi zyrtar i cili në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, kërkon ose pranon ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër për vete apo personin tjetër, ose që pranon ofertën apo premtimin për dhuratë apo përfitim të tillë, në mënyrë që personi zyrtar të veprojë ose të mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) deri në dymbëdhjetë (12) vjet.
[...]
Neni 431
Ushtrimi i ndikimit
[...]
2. Kushdo që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, i premton, ofron ose i jep ndonjë dhuratë apo përfitim tjetër personit tjetër, në mënyrë që ky person të ushtrojë ndikim të papërshtatshëm mbi vendimmarrjen e personit zyrtar apo zyrtarit publik të huaj, pavarësisht nëse ndikimi është ushtruar ose pavarësisht nëse ndikimi i supozuar shpie deri te rezultati i synuar, dënohet me gjobë ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
[...]
KODI PENAL I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NR. 06/L-074
[...]
Neni 366
Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve
1. Kushdo që mban në pronësi, kontrollon ose posedon armë në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla, dënohet me gjobë deri në shtatëmijë e pesëqind (7.500) Euro ose me burgim deri në pesë (5) vjet.
KODI I PROCEDURËS PENALE I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NR. 04/L-123 [i shfuqizuar KODIN E PROCEDURËS PENALE NR. 08/L-032, të publikuar në Gazetën Zyrtare të 17 gushtit 2022]
Neni 187
Kushtet e nevojshme për caktimin e paraburgimit
1. Gjykata mund të caktojë paraburgim ndaj një personi vetëm nëse në mënyrë të qartë ka gjetur se:
1.1. ekziston dyshim i bazuar se personi i tillë ka kryer vepër penale;
1.2. përmbushet njëri nga kushtet e mëposhtme:
1.2.1. kur ai fshihet, kur identiteti i tij nuk mund të vërtetohet ose kur ekzistojnë rrethana të tjera që tregojnë se ekziston rrezik i ikjes së tij;
1.2.2 kur ka arsye për të besuar se ai do të asgjësojë, fshehë, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, ose kur rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë, në të dëmtuarit apo në bashkëpjesëmarrësit; ose
1.2.3 kur pesha e veprës penale, mënyra ose rrethanat në të cilat është kryer vepra penale, karakteristikat e tij personale, sjellja e mëparshme, ambienti dhe kushtet nën të cilat ai jeton ose ndonjë rrethanë tjetër personale tregojnë rrezikun se ai mund ta përsërisë veprën penale, ta përfundojë veprën e tentuar penale ose ta kryejë veprën penale për të cilën është kanosur ta kryej; dhe
1.3. masat më të buta për sigurimin e pranisë së të pandehurit të parapara në nenin 173 të këtij Kodi do të ishin të pamjaftueshme për të siguruar praninë e personit të tillë, të parandalojë përsëritjen e veprës penale dhe të sigurojë zbatimin e suksesshëm të procedurës penale.
[...]
Neni 190
Afatet kohore të paraburgimit
I paraburgosuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti një (1) muaj nga dita e arrestimit në bazë të urdhrit nga neni 188 të këtij Kodi. Pas kësaj kohe, ai mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit të trupit gjykues me të cilin urdhërohet vazhdimi i paraburgimit.
Para ngritjes së aktakuzës, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se:
katër (4) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më pak se pesë (5) vjet burgim;
tetë (8) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim.
Në raste të jashtëzakonshme kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe kur rasti është i ndërlikuar siç përkufizohet në nenin 19 të këtij Kodi, e zvarritja e procedurës nuk mund t’i atribuohet prokurorit të shtetit, përveç afateve të parapara në paragrafin 2. të këtij neni para ngritjes së aktakuzës paraburgimi mund të vazhdohet më së shumti deri në katër (4) muaj për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej dymbëdhjetë (12) muaj.
Kur ka shkak të bazuar dhe bindës për të besuar se ekziston rrezik i përgjithshëm apo rrezik i dhunës nëse lirohet i pandehuri në procedurë paraprake, vazhdimi i paraburgimit nga paragrafi 3. të këtij neni mund të vazhdohet edhe për gjashtë (6) muaj tjerë për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej tetëmbëdhjetë (18) muaj.
Nëse aktakuza nuk ngritet para kalimit të afateve të parapara në paragrafët 2., 3. dhe 4. të këtij neni, i paraburgosuri lirohet.
Neni 191.
Vazhdimi i paraburgimit
1. Paraburgimi mund të vazhdohet vetëm nga gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues në bazë të kërkesës së prokurorit të shtetit, i cili tregon se ka bazë për paraburgim nga neni 187 i këtij Kodi, se ka filluar hetimi dhe se janë ndërmarrë të gjitha veprimet e arsyeshme për të përshpejtuar zbatimin e hetimit. I dëmtuari apo mbrojtësi i viktimave mund të kërkojë formalisht apo joformalisht nga prokurori i shtetit që të kërkojë vazhdimin e paraburgimit.
2. I pandehuri dhe mbrojtësi i tij informohen me propozimin jo më vonë se tri (3) ditë para skadimit të paraburgimit të caktuar me aktvendimin e fundit.
3. Ndaj çdo aktvendimi mbi vazhdimin e paraburgimit mund të ushtrohet ankesë. Neni 189, paragrafët 3. dhe 4., zbatohen përshtatshmërisht.
C. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë
Neni 432
Arsyet për paraqitje të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë
1. Kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë mund të paraqitet kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë në rastet vijuese:
1.1. në rast të shkeljes së ligjit penal;
1.2. në rast të shkeljes esenciale të ligjit të procedurës penale nga neni 384, paragrafi 1. i këtij Kodi; ose
1.3. në rast të shkeljeve të tjera të dispozitave të procedurës penale kur shkeljet e tilla kanë ndikuar në ligjshmërinë e vendimit gjyqësor.
2. Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë nuk mund të ushtrohet për shkak të konstatimit të gabueshëm ose jo të plotë të gjendjes faktike, as kundër vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës me të cilën është vendosur mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.
3. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni, Kryeprokurori i Shtetit mund të paraqesë kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë për cilëndo shkelje ligjore.
4. Pavarësisht nga dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni, kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet, gjatë procedurës penale e cila nuk ka përfunduar në formë të prerë, vetëm kundër vendimeve të formës së prerë lidhur me caktimin ose vazhdimin e paraburgimit.
[...]
Neni 434
Paraqitja e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë në gjykatë themelore
1. Kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë i paraqitet gjykatës themelore që ka marrë vendimin.
2. Gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues i gjykatës themelore me aktvendim hudh kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë nëse:
2.1. kërkesa është paraqitur kundër vendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës nga neni 432, paragrafi 2. i këtij Kodi, me përjashtim të rasteve të parapara në nenin 433, paragrafi 4. i këtij Kodi;
2.2. kërkesa është paraqitur nga personi i paautorizuar nga neni 433, paragrafi 1. i këtij Kodi; ose
2.3. kërkesa është paraqitur jashtë afatit nga neni 433, paragrafi 2. i këtij Kodi.
Neni 435
Shqyrtimi i kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë nga kolegji i Gjykatës Supreme
1. Për kërkesën e mbrojtjes së ligjshmërisë vendos Gjykata Supreme e Kosovës në seancë të kolegjit.
2. Gjykata Supreme e Kosovës me aktvendim e hudh kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nëse kërkesa është e papranueshme ose është paraqitur jashtë afatit nga neni 434, paragrafi 2. i këtij Kodi. Në të kundërtën, kopjen e kërkesës ia dërgon palës kundërshtare, e cila në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e dorëzimit të kërkesës mund të paraqesë përgjigje në kërkesë.
3. Para marrjes së vendimit mbi kërkesën, gjyqtari raportues, sipas nevojës, mund të kërkojë raport për shkeljet e pretenduara ligjore.
4. Varësisht nga përmbajtja e kërkesës, Gjykata Supreme e Kosovës mund të caktojë shtyrjen ose ndërprerjen e ekzekutimit të vendimit gjyqësor të formës së prerë.
Neni 436
Favoret e të pandehurit përkitazi me kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë
Me rastin e vendosjes mbi kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë, Gjykata Supreme e Kosovës kufizohet vetëm në verifikimin e shkeljeve ligjore në të cilat paraqitësi i kërkesës pretendon. [...]
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari shqyrton nëse janë përmbushur kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafëve 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
(...)
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj.
Për sa i përket përmbushjes së këtyre kërkesave, Gjykata konstaton se parashtruesi i kërkesës është palë e autorizuar, i cili konteston një akt të një autoriteti publik përkatësisht Aktvendimin[2022:19820] të Gjykatës Themelore të 12 gushtit 2022 në lidhje me Aktvendimin [Pn1 nr. 1109/2022] e Gjykatës së Apelit të Kosovës të 5 shtatorit 2022.
Në vijim, Gjykata do të vlerësojë nëse parashtruesi i kërkesës ka plotësuar kriterin e shterimit të mjeteve juridike, siç përcaktohet përmes paragrafit 7 të nenit 113 të Kushtetutës, paragrafit 2 të nenit 47 të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës.
Gjykata, i referohet nenit 47 (Kërkesat individuale) të Ligjit dhe pikës (b) të paragrafit (1) të rregullit 34 të Rregullores së punës, të cilët përcaktojnë:
Neni 47
[Kërkesa individuale]
“1. Çdo individ ka të drejtë të kërkojë nga Gjykata Kushtetuese mbrojtje juridike në rast se pretendon se të drejtat dhe liritë e tija individuale të garantuara me Kushtetutë janë shkelur nga ndonjë autoritet publik.
2. Individi mund të ngrejë kërkesën në fjalë vetëm pasi që të ketë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj ”.
Rregulli 34
(Kriteret e pranueshmërisë)
“1. Gjykata mund ta konsiderojë një kërkesë të pranueshme nëse:
[…]
(b) janë shteruar të gjitha mjetet efektive të përcaktuara me Ligj kundër aktgjykimit ose vendimit të kontestuar.”
Gjykata fillimisht rikujton se rregulli për shterimin e mjeteve juridike sipas nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47 te Ligjit dhe rregullit 34 (1) (b) të Rregullores se punës i obligon ata që dëshirojnë të paraqesin rastin e tyre ne Gjykatën Kushtetuese që së pari duhet të shfrytëzojnë mjetet juridike efektive ne dispozicion ne pajtim me ligjin, kundër një aktgjykimi ose vendimi te kontestuar.
Para se Gjykata të vazhdojë me vlerësimin e kriterit të shterimit të mjeteve juridike, Gjykata rikujton se rrethanat e rastit konkret KI129/22 ndërlidhen me procedurën e caktimit dhe vazhdimit të masës së paraburgimit para ngritjes së aktakuzës, si parashtruesit të kërkesës ashtu edhe të akuzuarve të tjerë në këtë lëndë, për të cilët Gjykata tashmë ka vendosur në dy lëndët KI 55 /22 dhe KI 85/ 22. Ashtu siç është specifikuar edhe në kronologjinë faktike të procedurës së zhvilluar, Gjykata rikujton se paraburgimi ndaj parashtruesit të kërkesës ishte caktuar më 23 dhjetor 2021, i cili paraburgim ishte vazhduar edhe katër herë nga ana e Gjykatës Themelore, përmes Aktvendimit [2021:289260] të 20 janarit 2022, me të cilin ishte vazhduar nga 20 janari deri më 20 mars 2022, Aktvendimit [2022:009453] të 18 marsit 2022, përmes të cilit ishte vazhduar nga 18 marsi deri më 17 maj 2022, Aktvendimit [2022:19820] të Gjykatës Themelore të 17 majit 2022, përmes të cilit ishte vazhduar nga 17 maji deri më 15 korrik 2022 dhe Aktvendimit [PN1 nr. 704/2022] të Gjykatës së Apelit të Kosovës të 31 majit 2022 dhe Aktvendimit [2022:19820] të Gjykatës Themelore të 12 gushtit 2022, përmes të cilit ishte vazhduar nga 12 gushti deri më 13 shtator 2022 dhe Aktvendimit [PN1 nr. 1109/2022] të Gjykatës së Apelit të Kosovës të 5 shtatorit 2022, përmes të cilit është vërtetuar Aktvendimi i Gjykatës Themelore, i 12 gushtit 2022.
Megjithatë, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës para Gjykatës si vendim të fundit të autoritetit publik konteston Aktvendimin [2022:019820] e 12 gushtit 2022 në lidhje me Aktvendimin [PN1 nr. 1109/2022] e Gjykatës së Apelit të 5 shtatorit 2022, për të cilin vendim ai pretendon se vazhdimi i paraburgimit të tij pas kalimit të afatit tetë (8) mujor është në kundërshtim me nenin 29, 30 dhe 31 të Kushtetutës, si dhe nenit 190 të KPPRK-së dhe se gjykatat nuk i kanë marrë parasysh parashtresat e parashtruesit pasi që në vendimet e tyre nuk kishin dhënë përgjigje në pretendimet dhe argumentet e parashtruesit.
Prandaj, Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës këtë pretendim e kishte ngritur që në tri instancat gjyqësore, të cilat në procedurë të vazhdimit të masës së paraburgimit para ngritjes së aktakuzës nuk i kishin dhënë përgjigje nëse caktimi i paraburgimit të tij pas kalimit të periudhës tetë (8) mujore ishte në pajtim apo në kundërshtim me dispozitat e procedurës penale, përkatësisht nenit 190 të KPPRK-së. Rrjedhimisht, Gjykata konsideron se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës është plotësuar kriteri i shterimit të mjeteve juridike, dhe në vijim do të vazhdojë me shqyrtimin nëse janë plotësuar edhe kriteret e tjera të pranueshmërisë së kërkesës së tij në Gjykatë.
Gjykata gjithashtu konstaton se kërkesa e parashtruesit së kërkesës i plotëson kriteret e pranueshmërisë të përcaktuara përmes paragrafit (1) të rregullit 39 (Kriteret e pranueshmërisë) të Rregullores së punës. E njëjta nuk mund të shpallet e papranueshme mbi bazën e kushteve të përcaktuara përmes paragrafit (3) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Për më tepër dhe në fund, Gjykata vlerëson se kjo kërkesë nuk është qartazi e pabazuar siç është e përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës dhe rrjedhimisht, ajo duhet të deklarohet e pranueshme dhe të shqyrtohen meritat e saj.
Meritat e kërkesës
Gjykata fillimisht rikujton se objekt i vlerësimit të kushtetutshmërisë janë dy vendime gjyqësore, përkatësisht Aktvendimi Aktvendimin [2022:019820] e 12 gushtit 2022 në lidhje me Aktvendimin [PN1 nr. 1109/2022] e Gjykatës së Apelit të 5 shtatorit 2022. Përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore parashtruesit të kërkesës, i cili kishte qëndruar në paraburgim për tetë (8) muaj atij i ishte vazhduar paraburgimi edhe për dy muaj të tjerë, përkatësisht nga 13 shtatori deri më 11 nëntor 2022. Ky Aktvendim i Gjykatës Themelore ishte vërtetuar edhe përmes Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, të 5 shtatorit 2022. Thënë këtë, Gjykata po ashtu rikujton se vendimet e gjykatave të rregullta për caktimin dhe vazhdimin e paraburgimit ishin vendime kolektive ndaj disa të pandehurve në procedurë para ngritjes së aktakuzës.
Rrjedhimisht, Gjykata në vijim do të shqyrtojë dhe elaborojë nëse vendimet e kontestuara përmes të cilave është vazhduar paraburgimi kanë adresuar pretendimin thelbësor të parashtruesit të kërkesës, përkatësisht pretendimin specifik pasi që në rastin e tij ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës dhe autoritetit zyrtar nga neni 422 par. 1 në lidhje me nenin 31 marrja e ryshfetit nga neni 428 par. 2, ushtrimi i ndikimit nga neni 431 par. 1, mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 par. 1 të KPRK-së” dhe për këto vepra penale parashihet dënimi me burgim prej 3 deri në 12 vjet, sipas tij, bazuar në paragrafin 2 të nenit 190 të KPPK-së, paraburgimi i tij nuk mund të zgjasë më shumë se tetë (8) muaj. Thënë këtë, Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës konteston ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të tij në pritje të ngritjes së aktakuzës.
Në vijim të kësaj, Gjykata vë në pah se pretendimin e lartcekur të parashtruesit të kërkesës do ta shqyrtojë në kontekst të së drejtës së tij për liri dhe siguri, të garantuar me nenin 29 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së. Në kuptim të kësaj, Gjykata thekson se Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ) përmes praktikës së saj gjyqësore, ka interpretuar gjerësisht të drejtat dhe standardet që duhet garantuar në rastin e privimit nga liria në harmoni me të cilën, Gjykata bazuar në nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut] të Kushtetutës, është e detyruar të interpretojë të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë.
Prandaj, përkitazi me pretendimet për shkelje të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së, Gjykata i referohet parimeve dhe standardeve të përcaktuara në praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së që kanë të bëjnë me caktimin e paraburgimit.
Kriteret e përcaktuara lidhur me caktimin e paraburgimit
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që, për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ, arrestimi ose heqja e lirisë duhet të bazohet në një nga arsyet për heqjen e lirisë të parapara në nenin 29, paragrafin 1, të Kushtetutës në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së.
Gjykata fillimisht rikujton nenin 29, paragrafin 1, pikën 2, të Kushtetutës që përcaktojnë:
Secilit i garantohet e drejta e lirisë dhe sigurisë. Askush nuk mund të privohet nga liria me përjashtim të rasteve të parapara me ligj dhe me vendim të gjykatës kompetente, si në vijim:
[...]
(2) për dyshim të bazuar për kryerje të veprës penale, vetëm kur privimi nga liria me një bazë të arsyeshme konsiderohet i domosdoshëm për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale dhe vetëm për një periudhë të shkurtër kohore para gjykimit në mënyrën e përcaktuar me ligj;
[...].”
Së dyti, Gjykata po ashtu referohet nenit 5. 1 (c) të KEDNJ-së i cili përcakton që:
Çdokush ka të drejtën e lirisë e të sigurisë personale. Askujt nuk mund t’i hiqet liria, me përjashtim të rasteve që vijojnë dhe në përputhje me procedurën e parashikuar me ligj:
[...]
c. kur arrestohet ose ndalohet ligjërisht për t’u çuar përpara autoritetit gjyqësor kompetent pas dyshimit të arsyeshëm se ka kryer një vepër penale ose kur çmohet në mënyrë të arsyeshme e nevojshme për të parandaluar kryerjen prej tij të veprës penale ose largimin e tij pas kryerjes së saj;
Gjykata vëren, se në bazë të nenit 29, paragrafit 1, pikës 2 të Kushtetutës dhe nenit 5. 1 (c) të KEDNJ-së, privimi i lirisë mund të bëhet në rast të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale, dhe kur një gjë e tillë konsiderohet e domosdoshme për të parandaluar kryerjen e një vepre tjetër penale ose largimin pas kryerjes se saj (shih rastin e Gjykatës, KI10/18, me parashtrues Fahri Deqani, Aktgjykim, i 8 tetorit 2019, paragrafi 65).
Prandaj, Gjykata thekson që për të qenë në përputhje me Kushtetutën dhe KEDNJ-në, caktimi i paraburgimit, duhet të ketë mbështetje në njërën nga bazat për privimin e lirisë të përcaktuara me nenin 29 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5, paragrafin 1 (c) të Konventës.
GJENDJ, në praktiken e saj gjyqësore, ka përcaktuar tri kritere themelore, që duhet shqyrtohen për të vlerësuar nëse privimi i lirisë, është i ligjshëm dhe jo arbitrar (shih rastin e GJEDNJ-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, [DHM] kërkesa nr. 72508/13, Aktgjykim i 28 nëntorit 2017, paragrafi 183, shih rastin KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, të cituar më lart, paragrafi 67).
Së pari, duhet të ekzistoj “dyshimi i bazuar” që një person i privuar nga liria ka kryer një vepër penale (shih rastin e GJEDNJ-së, Merabishvili kundër Gjeorgjisë, [DHM], kërkesa nr. 72508/13, Aktgjykim i 28 nëntorit 2017, paragrafi 184). Së dyti, qëllimi i privimit të lirisë “është që në parim duhet të jetë në funksion të zbatimit të procedurës penale” (shih, rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, Aktvendim për papranueshmëri i 16 nëntorit 2017, paragrafi 57 dhe KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, të cituar më lart, paragrafi 68; shih po ashtu rastin e GJEDNJ-së, Ostendorf kundër Gjermanisë, nr. 15598/08, Aktgjykim, i 7 marsit 2013, paragrafi 68; dhe që për me tepër, duhet te jetë proporcional, në kuptimin që duhet të jetë i nevojshëm “për të siguruar paraqitjen e personit të afektuar para autoriteteve kompetente përkatëse” (shih, rastin e Gjykatës KI63/17, parashtrues Lutfi Dervishi, i cituar më lart, paragrafi 57, shih po ashtu rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 185). Së treti, privimi i lirisë apo caktimi i paraburgimit duhet të jetë bërë duke ndjekur procedurën e përcaktuar me ligj (shih rastin e lartcekur të Gjykatës KI10/18, parashtrues Fahri Deqani, paragrafi 68 dhe rastin e lartcekur të GJEDNJ-së Merabishvili kundër Gjeorgjisë, paragrafi 186) .
1.1. Zbatimi i kritereve lidhur me caktimin e paraburgimit në rastin e parashtruesit të kërkesës
Duke u bazuar në atë që u theksua më lart, Gjykata vëren që caktimi i paraburgimit në fjalë, është i bazuar në nenin 29.1.2 të Kushtetutës në lidhje me nenin 5.1 (c) të KEDNJ-së.
Parimet e përgjithshme në lidhje me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit
Fillimisht, Gjykata thekson se në rrethanat e parashtruesit të kërkesës objekt i shqyrtimit janë vendimet për vazhdimin e paraburgimit para ngritjes së aktakuzës.
Në këtë rast Gjykata i referohet paragrafit 4 të nenit 29 të Kushtetutës, i cili përcakton që: “Çdokush që i hiqet liria më arrest ose ndalim, gëzon të drejtën që të përdorë mjete juridike për të sfiduar ligjshmërinë e arrestit ose të ndalimit. Rasti do të vendoset nga gjykata brenda një afati sa më të shkurtër dhe nëse arresti ose ndalimi është i paligjshëm, do të urdhërohet lirimi i personit.”
Përderisa paragrafi 4 i nenit 5 të KEDNJ-së, përcakton që: “Çdo person, të cilit i është hequr liria me arrestim ose me burgim, ka të drejtë të bëjë ankim në gjykatë me qëllim që kjo e fundit të vendosë, brenda një afati të shkurtër, për ligjshmërinë e burgimit të tij dhe të urdhërojë lirimin, në qoftë se burgimi është i paligjshëm.”
Fakti që Gjykata nuk ka konstatuar shkelje të kërkesës së paragrafit 1 të nenit 5 nuk e përjashton atë nga detyrimi për të shqyrtuar dhe elaboruar edhe pajtueshmërinë e paraburgimit me paragrafin 4 të nenit 5 të KEDNJ-së (shih rastet e GJEDNJ-së, Douiyeb kundër Holandës [DHM], kërkesa nr. 31464/96, Aktgjykim, i 4 gushtit 1999, paragrafi 57).
GJEDNJ kë theksuar se neni 5 paragrafi 4 i KEDNJ-së përcakton që çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtën për të kërkuar nga gjykata që të shqyrtojë kërkesat procedurale dhe ato përmbajtësore e që janë thelbësore për “ligjshmërinë” e heqjes së lirisë ndaj tij, në kuptimin e nenit 5 paragrafit 1 të KEDNJ-së (shih, ndër shumë precedentë, Idalov kundër Rusisë [DHM], kërkesa nr. 5826/03, Aktgjykim, i 22 majit 2022 paragrafi 161; Reinprecht kundër Austrisë, kërkesa nr. 67175/01, Aktgjykim, i 15 nëntorit 2005, paragrafi 31).
Nocioni i “ligjshmërisë” në kuptimin e nenit 5, paragrafit 4 të KEDNJ-së ka të njëjtin kuptim si ai i nenit 5, paragrafit 1, aq sa çdo person i arrestuar ose i ndaluar ka të drejtën për të kërkuar që të shqyrtohet ligjshmëria e arrestimit të tij jo vetëm në dritën e kërkesave të së drejtës së brendshme, por edhe në atë të KEDNJ-së, të parimeve themelore që përcaktohen aty dhe të qëllimit të kufizimeve të lejuara nga neni 5 paragrafit 1 i KEDNJ-së (shih rastin Suso Musa kundër Maltës, kërkesa nr. 42337/12, Aktgjykim, i 23 korrikut 2013, paragrafit 50).
GJEDNJ ka specifikuar se për të përmbushur kërkesat e KEDNJ-së, shqyrtimi nga ana e gjykatës vendore duhet të jetë në pajtueshmëri si me rregullat përmbajtësore dhe ato procedural të legjislacionit vendor dhe të zhvillohet në pajtim me qëllimin e nenit 5 të KEDNJ-së, përkatësisht mbrojtjen e individit nga arbitrariteti (shih në këtë kontekst rastin Koendjbiharie kundër Holandës, kërkesa nr. 11487/85, Aktgjykim, i 25 tetorit 1990, paragrafi 27).
Në lidhje me këtë, dhe, në pajtim me parimet e zhvilluara nga GJEDNJ, arsyetimi i vendimit të gjykatave për vazhdimin e paraburgimit në pritje të dënimit duhet të jetë gjithnjë evident, përkatësisht të jetë një arsyetim i detajuar dhe i bazuar në të gjitha faktet dhe rrethanat e rastit. Në këtë kontekst, GJEDNJ në mënyrë të vazhdueshme ka nënvizuar se “vetëm duke dhënë një vendim të arsyetuar, mund të ketë një kontroll publik të administrimit të drejtësisë” (shih rastet e GJEDNJ-së: Suominen kundër Finlandës, kërkesa nr. 37801/97, Aktgjykim i 1 korrikut 2003 paragrafi 37, Tase kundër Rumanisë, kërkesa nr. 29761/02, Aktgjykimi i 10 qershorit 2008, paragrafi 41).
2.1 Aplikimi i parimeve të lartcekura në rrethanat e parashtruesit të kërkesës
Në vijim, bazuar në shpjegimin e mësipërm të parimeve kryesore të praktikës gjyqësore të GJEDNJ-së, Gjykata do të shqyrtojë nëse parashtruesi i kërkesës ka dëshmuar dhe mbështetur mjaftueshëm pretendimet për shkeljen e garancive procedurale të përcaktuara në Kushtetutë dhe KEDNJ lidhur me ligjshmërinë e vazhdimit të paraburgimit të tij.
Fillimisht, Gjykata rithekson që paraburgimi i parashtruesit të kërkesës është i bazuar në nenin 29, paragrafin 1, pikën (2) të Kushtetutës dhe nenin 5, paragrafin 3 të KEDNJ-së.
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës pretendon se vazhdimi i paraburgimit të tij në pritje të aktakuzës pas kalimit të afatit tetë (8) mujor është në kundërshtim me nenin 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, si dhe paragrafit 2 të nenit 190 të KPPRK-së.
Prandaj, sa i përket pretendimit të parashtruesit të kërkesës [2022:19820] i Gjykatës Themlore të 12 gushtit 2022 në lidhje me Aktvendimin [Pn1 nr. 1109/2022] i 5 shtatorit 2022, që kanë të bëjnë me vazhdimin e paraburgimit të tij janë nxjerrë në kundërshtim me nenin 29 të Kushtetutës, Gjykata fillimisht do t’i referohet përmbajtjes së këtyre dy vendimeve dhe faktit nëse Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kanë adresua pretendimin thelbësor të parashtruesit të kërkesës të ngritur para këtyre dy instancave se vazhdimi i paraburgimit të tij në pritje të ngritjes së aktakuzës pas kalimit të periudhës tetë (8) mujore është në kundërshtim me dispozitat e KPPRK-së, dhe për pasojë edhe në kundërshtim me nenin 29 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 të KEDNJ-së.
Në rastin konkret, Gjykata vëren se parashtruesit të kërkesës, bazuar në vendimin e Gjykatës Themelore, të 23 dhjetorit 2021 iu caktua masa e paraburgimit, i cili paraburgim ishte vazhduar edhe katër herë nga ana e Gjykatës Themelore, përkatësisht përmes Aktvendimit [2021:289260] të 20 janarit 2022, paraburgimi i tij ishte vazhduar nga 20 janari deri më 20 mars 2022 dhe përmes Aktvendimit të [2022:009453] të 18 marsit 2022 paraburgimi i tij ishte vazhduar nga 18 marsi deri më 17 maj 2022, si dhe me aktvendimin [2022:19820] e Gjykatës Themelore të 12 gushtit 2022, me të cilin parashtruesit të kërkesës i ishte vazhduar paraburgimi nga 12 gushti deri më 13 shtator. Nga kjo rezulton që pas më shumë se tetë (8) muajve të qëndrimit të tij në paraburgim, parashtruesit të kërkesës përmes Aktvendimit [2022: 19820] të Gjykatës Themelore, të 12 gushtit 2022 paraburgimi ndaj tij ishte vazhduar nga 12 gushti deri më 13 shtator. Bazuar në shkresat e lëndës të dorëzuara në Gjykatë rezulton që paraburgimi ndaj tij para ngritjes së aktakuzës ishte vazhduar deri më 11 nëntor 2022. Nëse paraburgimi ndaj tij para ngritjes së aktakuzës është vazhduar më tej dhe nëse në ndërkohë është ngritur apo jo aktakuza dhe parashtruesi i kërkesës vazhdon të jetë në paraburgim, Gjykata nuk ka pranuar informata në lidhje me këtë.
Megjithatë, Gjykata do të kufizohet vetëm në vlerësimin e përmbajtjes së aktvendimit të Gjykatës Themelore të 12 gushtit për vazhdimin e paraburgimit ndaj tij, të vërtetuar me Aktvendimin e Gjykatës së Apelit, të 5 shtatorit 2022, të cilat vendime përbëjnë edhe objekt të vlerësimit të parashtruesit të kërkesës.
Gjykata rikujton që përmes Aktvendimit [2022:19820] të Gjykatës Themelore të 12 gushtit 2022 parashtruesit të kërkesës dhe pandehurve të tjerë i ishte vazhduar paraburgimi edhe për një (1) muaj, përkatësisht nga 12 gushti deri më 13 shtator 2022, i cili bazohej në paragrafin 1 të nenit 191 në lidhje me paragrafin 1, nënparagrafët 1.1 dhe 1.2, pikat 1.2.1, 1.2. dhe 1.2.3 të nenit 187 të KPPRK-së.
Në vijim, Gjykata po ashtu rikujton se në një datë të paspecifikuar, parashtruesi i kërkesës kundër Aktvendimit [2022: 19820] të Gjykatës Themelore, të 12 gushtit 2022 në Gjykatën e Apelit paraqiti ankesë. Në ankesën e tij, parashtruesi i kërkesës specifikoi se në rastin e tij nuk ka dëshmi të mjaftueshme se ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë si kusht kryesor për vazhdimin e paraburgimit në rastin e tij.
Më 5 shtator 2022, Gjykata e Apelit, përmes Aktvendimit [Pn1. nr. 1109/2022] refuzoi si të pabazuar ankesën e parashtruesit të kërkesës dhe vërtetoi Aktvendimin [2022: 19820] e Gjykatës Themelore, të 12 gushtit 2022.
Duke iu rikthyer Aktvendimit të datës 5 shtator 2022, të Gjykatës së Apelit, si dhe pretendimit të parashtruesit të kërkesës, Gjykata rikujton se neni 190 i KPPRK-së përcakton që:
I paraburgosuri mund të mbahet në paraburgim më së shumti një (1) muaj nga dita e arrestimit në bazë të urdhrit nga neni 188 të këtij Kodi. Pas kësaj kohe, ai mund të mbahet në paraburgim vetëm me aktvendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, gjyqtarit të vetëm gjykues ose kryetarit të trupit gjykues me të cilin urdhërohet vazhdimi i paraburgimit.
Para ngritjes së aktakuzës, paraburgimi nuk mund të zgjasë më shumë se:
katër (4) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më pak se pesë (5) vjet burgim;
tetë (8) muaj kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me më shumë se pesë (5) vjet burgim.
Në raste të jashtëzakonshme kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë (5) vjet burgim dhe kur rasti është i ndërlikuar siç përkufizohet në nenin 19 të këtij Kodi, e zvarritja e procedurës nuk mund t’i atribuohet prokurorit të shtetit, përveç afateve të parapara në 87 paragrafin 2. të këtij neni para ngritjes së aktakuzës paraburgimi mund të vazhdohet më së shumti deri në katër (4) muaj për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej dymbëdhjetë (12) muaj.
Kur ka shkak të bazuar dhe bindës për të besuar se ekziston rrezik i përgjithshëm apo rrezik i dhunës nëse lirohet i pandehuri në procedurë paraprake, vazhdimi i paraburgimit nga paragrafi 3. të këtij neni mund të vazhdohet edhe për gjashtë (6) muaj tjerë për një maksimum të përgjithshëm të paraburgimit prej tetëmbëdhjetë (18) muaj.
Nëse aktakuza nuk ngritet para kalimit të afateve të parapara në paragrafët 2., 3. dhe 4. të këtij neni, i paraburgosuri lirohet.
Në dritën e këtij elaborimi, Gjykata vë në pah se objekt i vlerësimit të kësaj kërkese nuk do të jetë interpretimi i nenit 190 të KPPRK-së për të konstatuar se cilët nga paragrafët e nenit 190 të KPPRK-së është i aplikueshëm në rastin e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht nëse paraburgimi i tij mund të zgjasë tetë (8) apo më shumë muaj, ashtu siç përcaktohet në paragrafët 2, 3 dhe 4 të këtij neni. Kjo për faktin se një pretendim, pra një gabim procedural i tillë që pretendohet të jetë bërë nga gjykatat e rregullta, ka të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si tillë, në parim nuk është në juridiksionin e Gjykatës (shih ndër tjerash rastet e Gjykatës: KI06/17, parashtrues L.G. dhe pesë të tjerët, Aktvendim për papranueshmëri, i 25 tetorit 2016, paragrafi 36; KI122/16, parashtrues Riza Dembogaj, Aktgjykim i 30 majit 2018, paragrafi 56; dhe KI75/17, parashtrues X, Aktvendim për papranueshmëri, i 6 dhjetorit 2017).
Në lidhje me këtë, Gjykata konsideron se një vlerësim dhe shqyrtim i pretendimit të parashtruesit të kërkesës nëse paraburgimi i tij është i bazuar në ligj apo jo duhet që të adresohet dhe shqyrtohet nga këto të fundit. Rrjedhimisht, në kuptim të paragrafit 4 të nenit 29 të Kushtetutës dhe paragrafit 4 të nenit 5 të KEDNJ-së Gjykata do të vlerësojë nëse mos adresimi i pretendimit përkitazi me zbatimin e nenit 190 i KPP-së nga ana e Gjykatës së Apelit ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës.
Në vijim të kësaj, Gjykata rikujton arsyetimin e Gjykatës së Apelit, të 5 shtatorit 2022 e cila theksoi se nga provat e ofruara ekzistonte dyshimi i bazuar se parashtruesi i kërkesës ka kryer veprën penale marrjen e ryshfetit për sigurimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me Ligjin për Ndërtim dhe Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri 2” si dhe Parkun Kombëtar “Sharri.”
Gjykata e Apelit tutje specifikoi se ekzistonte baza ligjore për vazhdimin e paraburgimit në pajtim me nenin 187 të KPPRK-së, sepse po që “se të pandehurit do të gjendeshin në liri, ata do të mund të ndikonin në njëri-tjetrin si bashkëpjesëmarrës, apo në disa prej tyre që gjenden në arrati, si dhe ekzistonte rreziku i ndikimit në katër dhjetë (40) dëshmitarë.” Më tej, Gjykata e Apelit vlerësoi se Gjykata Themelore me të drejtë kishte konstatuar se ekziston baza ligjore sipas nenit 187, paragrafi 1, nën-paragrafët 1.1 dhe 1.2, pika 1.2.3 të KPPRK-së, marrë parasysh mënyrën se si është kryer vepra penale nga të pandehurit duke keqpërdorur pozitën zyrtare, përkatësisht duke marrë apo dhënë shuma të majme të parave në formë të ryshfetit, që paraqesin rrezik të përgjithshëm për përsëritjen e veprës penale.
Në lidhje më këtë, Gjykata vëren se në lidhje me vazhdimin e paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës Gjykata e Apelit vërtetoi qëndrimin e Gjykatës Themelore por nuk adresoi fare pretendimin specifik dhe thelbësor të parashtruesit të kërkesës, të ngritur në ankesën e tij para kësaj gjykate, përkatësisht pretendimin se vazhdimi i paraburgimit të tij ishte në kundërshtim me nenin 190 të KPPRK-së.
Thënë këtë, Gjykata vlerëson se mosadresimi i një pretendimi kaq thelbësor të tij e që i referohet kërkesës për vlerësimin e ligjshmërisë së paraburgimit ndaj tij në procedurë para ngritjes së aktakuzës të ngritur në Gjykatën e Apelit, nuk është në pajtim me parimet dhe standardet e vendosura nga GJENDJ dhe si i tillë ka rezultuar në konkluzione arbitrare për parashtruesin e kërkesës.
Ky konstatim i Gjykatës bazohet në parimin e GJEDNJ-së për arsyetim të vendimit gjyqësor në rastet e vazhdimit të paraburgimit, i cili parim i shërben edhe administrimit të mirëfilltë të drejtësisë, si një nga komponentët thelbësorë të sundimit të ligjit.
Rrjedhimisht, Gjykata vlerëson se vazhdimi i paraburgimit ndaj parashtruesit të kërkesës para ngritjes së aktakuzës, i vërtetuar me Aktgjykimin e kontestuar të Gjykatës së Apelit, përbën shkelje të paragrafit 4 të nenit 29 të Kushtetutës, në lidhje paragrafin 4 të nenit 5 të KEDNJ-së.
Përkitazi me pretendimin e parashtruesit të kërkesës në lidhje me nenin 31 të Kushtetutës
Gjykata vëren se parashtruesi i kërkesës pretendon edhe shkelje të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës. Megjithatë, marrë për bazë konstatimin e Gjykatës se mosadresimi i pretendimit të parashtruesit të kërkesës, të ngritur në ankesën e tij në Gjykatë të Apelit ka rezultuar në shkelje të paragrafit 4 të nenit 29 të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 të KEDNJ-së nuk e konsideron të arsyeshme që të vazhdojë me shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 30 dhe 31 të Kushtetutës.
Kërkesa për masë të përkohshme
Gjykata rikujton se parashtruesi i kërkesës parashtroi para saj kërkesën për vendosjen e masës së përkohshme duke kërkuar pezullimin e masës së paraburgimit në mënyrë që gjatë procedurës penale ndaj tij të mbrohet në liri.
Gjykata më sipër ka konkluduar se kërkesa e parashtruesit të kërkesës është e pranueshme. Prandaj, në pajtim me paragrafin 1 të nenit 27 (Masat e përkohshme) të Ligjit dhe me rregullin 57 (Vendimi për masë të përkohshme) të Rregullores së punës, kërkesa për masë të përkohshme, është pa objekt shqyrtimi dhe, si e tillë, refuzohet.
Përfundim
Gjykata, në lidhje me pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 5 ( E drejta për liri dhe siguri) të KEDNJ-së, ka konstatuar se mosadresimi i pretendimit thelbësor të parashtruesit të kërkesës se vazhdimi i paraburgimit të tij ishte në kundërshtim me nenin 190 të KPPRK-së ka rezultuar në shkelje të paragrafit 4 të nenit 29 të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 të KEDNJ-së..
Gjykata ka parasysh faktin se rasti i parashtruesit të kërkesës është duke u zhvilluar në procedurë penale, dhe se efekti i këtij Aktgjykimi shtrihet vetëm sa i përket caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit ndaj tij para ngritjes së aktakuzës dhe se si i tillë nuk është i vlefshëm apo prodhon efekte ndaj vendimeve tjera që ndërlidhen me masën e paraburgimit, të nxjerra pas ngritjes së aktakuzës.
Andaj, është e kuptueshme që ky aktgjykim nuk mund të prodhojë asnjë efekt në lidhje me vazhdimin e paraburgimit pas ngritjes së aktakuzës. Megjithatë, Gjykata vlerëson se është shumë e rëndësishme që përmes këtij Aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vendoset një standard në praktikën gjyqësore në Republikën e Kosovës në mënyrë që gjykatat e rregullta të veprojnë në përputhje me parimet dhe standardet e elaboruara në këtë Aktgjykim, të cilat janë interpretuar në pajtim me praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së.
Në këtë kontekst, Gjykata përmes këtij Aktgjykimi përçon në mënyrë të qartë dhe të drejtpërdrejtë kërkesën dhe udhëzimin që duhet t’iu shërbejë gjykatave të rregullta, se për të qenë në përputhje me kërkesat kushtetuese të nenit 29 të Kushtetutës, dhe po ashtu edhe me kërkesat e nenit 5 të KEDNJ-së, siç është interpretuar gjerësisht nga GJEDNJ në praktikën e saj gjyqësore, arsyetimet e tyre për vazhdimin e paraburgimit në pritje të gjykimit duhet të adresojnë dhe të përmbajnë arsyetim dhe vlerësim të individualizuar ndaj pretendimeve thelbësore të të pandehurve e që ndërlidhen me ligjshmërinë e caktimit dhe vazhdimit të paraburgimit ndaj tyre.
Gjykata, më tej sqaron se nuk ka autorizime ligjore për caktimin e ndonjë lloji apo mënyre të kompensimit për rastet kur konstaton shkelje të dispozitave përkatëse kushtetuese, në rastin konkret nenit 29 të Kushtetutës (shih edhe rastin e Gjykatës Kushtetuese në rastin KI10/18, me parashtrues Fahri Deqani, të cituar më lart, paragrafi 119).
Gjykata në këtë aspekt i referohet paragrafit 5 të nenit 29 të Kushtetutës, i cili përcakton që: “Çdokush që është ndaluar ose arrestuar në kundërshtim me dispozitat e këtij neni, gëzon të drejtën e kompensimit në mënyrë e parashikuar me ligj.” Përderisa, paragrafi 5 i nenit 5 të KEDNJ-së përcakton që:“Çdo person që arrestohet ose burgoset në kundërshtim me dispozita e këtij neni ka të drejtën për të kërkuar dëmshpërblim.”
Në dritën e arsyeve të theksuara më sipër, Gjykata vë në pah se parashtruesi i kërkesës gëzon të drejtën që për periudhën e vazhdimit të paraburgimit ndaj të tij pas nxjerrjes së Aktvendimit të kontestuar të Gjykatës Themelore, të 12 gushtit 2022 deri në ngritjen e aktakuzës ndaj tij të kërkojë dëmshpërblim nga autoritetet publike bazuar në dispozitat e ligjit në fuqi.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe në pajtim me rregullat 45 (4) dhe 48 (1) të Rregullores së punës, në seancën e saj të mbajtur më 28 korrik 2023:
VENDOS
TË DEKLAROJË njëzëri kërkesën të pranueshme;
TË KONSTATOJË njëzëri se Aktvendimi i Gjykatës së Apelit të Kosovës PN1. nr. 1109/2022 i 5 shtatorit 2022 nuk është në pajtim me paragrafin 4 të nenit 29 [E Drejta e Lirisë dhe Sigurisë] të Kushtetutës, në lidhje me paragrafin 4 të nenit 5 (E drejta për liri dhe siguri) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut;
TA REFUZOJË me shtatë (7) vota “për” dhe një (1) votë “kundër” kërkesën për vendosjen e masës të përkohshme;
TË KONSTATOJË se ky Aktgjykim hyn në fuqi ditën e publikimit në Gazetën Zyrtare, në përputhje me paragrafin 5 të nenit 20 të Ligjit.
Ky Aktgjykim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtarja raportuese Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi Gresa Caka-Nimani
Sasa Milosavljevic
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 4
Mendim mospajtues
Penale