KI216/19, Parashtrues: Selim Sejdiu, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, Rev.nr.407/2018 të 11 dhjetorit 2018
Selim Sejdiu KI216/19 – Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 29 prill 2020, publikuar më 14 maj 2020
Fjalët kyç: Kërkesë individuale, “Ngritja e Zërit”, dëmet e luftës, kërkesë qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë-Dega në Skenderaj, kundër Qeverisë së Serbisë, për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial që iu shkaktua gjatë luftës.
Gjykatat e rregullta u shpallën jokompetente për të vendosur në këtë çështje dhe në fund, Gjykata Supreme duke iu referuar dispozitave përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kishte arsyetuar se për këto raste vlejnë normat e së drejtës ndërkombëtare, për të cilat konteste gjykatat e vendit nuk janë kompetente për të vendosur, por kompetente në këtë çështje juridike është gjykata në territorin e së cilës ndodhet selia e Kuvendit të Serbisë.
Parashtruesi i kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të parapara me Kushtetutë, përkatësisht nenet 21, 22, 53 dhe 54. Parashtruesi i kërkesës kishte tri kategori të pretendimeve kryesore: (i) zbatimin e parimit “per loci” [ratione loci] (ii) detyrimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe (iii) të drejtën e tyre për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën për qasje në drejtësi.
Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, arsyetoi se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve dhe interpretimeve të parashtruara nga parashtruesit e kërkesës dhe atij i është dhënë mundësia që në të gjitha fazat e procedurës të paraqesë argumentet dhe interpretimet ligjore të cilat i konsideron të rëndësishme për rastin e tij. Gjykata Kushtetuese, gjithashtu rikujtoi dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në disa raste ku janë potencuar barrierat procedurale që imponon parimi i imunitetit sovran të shteteve në raport me procedurat gjyqësore që mund të zhvillohen kundër një shteti në gjykatat e brendshme të një shteti tjetër. Gjykata, po ashtu, e konsideroi të rëndësishme të theksojë faktin se gjykatat e rregullta të Kosovës nuk kanë gjykuar mbi të drejtën e parashtruesve të kërkesës për të kërkuar kompensimin e dëmit, por vetëm lidhur me kompetencën territoriale të gjykatave të Kosovës për të zhvilluar procedurë kundër një shtetit tjetër.
Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme.
Gjykata vendos që kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës, nenin 20 të Ligjit dhe rregullave 39 (2) dhe 59 (2) të Rregullores së punës.
Selim Sejdiu
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Civile