Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 96/2017, i 1 qershorit 2017

Nr. të lëndës KI 133/17

Parashtruesit: Ali Gashi

Shkarko:

KI133/17, Parashtrues i kërkesës: Ali Gashi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 96/2017, i 1 qershorit 2017

KI133/17, Aktvendim i miratuar më 29 korrik 2019, i publikuar më 29 gusht 2019

Fjalët kyç: kërkesë individuale, autoritetet publike, konfesionet fetare, qasja në gjykatë, parimi i proporcionalitetit, ratione materiae, e drejtë civile, mosmarrëveshje serioze dhe e vërtetë, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës kishte shërbyer si Kryeimam në Këshillin e Bashkësisë Islame në Pejë dhe ishte pensionuar në 27 gusht 2009. Bazuar në vendimet e Këshillit të Bashkësisë Islame të Kosovës, ai kishte përfituar nga pensioni i Bashkësisë Islame të Kosovës, deri më 30 dhjetor 2011, datë kjo më të cilën KBI në Pejë kishte ndërprerë të ardhurat e parashtruesit të kërkesës. Ky i fundit kishte kontestuar këtë Vendim të BIK-ut në Pejë, fillimisht brenda strukturave të Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe më pas, përmes gjykatave të rregullta. Gjykata Themelore dhe Gjykata e Apelit kishin miratuar, përkatësisht vërtetuar, padinë e parashtruesit të kërkesës. Megjithatë, këto Aktgjykime, ishin anuluar nga Gjykata Supreme, përmes Aktvendimit [Rev. nr. 96/2017] të 1 qershorit 2017, e cila kishte konstatuar se gjykatat në Republikën e Kosovës nuk kanë juridiksion për të shqyrtuar ndërgjyqësinë ndërmjet parashtruesit të kërkesës dhe Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë, bazuar në paragrafin 2 të nenit 39 të Kushtetutës dhe paragrafin 2 të nenit 5  dhe paragrafin 2 të nenit 7 të Rregullores së UNMIK-ut për Liritë Fetare. Këtë Aktgjykim të Gjykatës Supreme, parashtruesi i kërkesës e kontestoi në Gjykatë duke pretenduar se i njëjti, ndër të tjera, është nxjerrë në shkelje të së drejtës së tij për gjykatë të garantuara me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në trajtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata së pari vuri në pah parimet e përgjithshme nga praktika gjyqësore e konsoliduar e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut lidhur me të drejtën për qasje në gjykatë duke shpjeguar: (i) natyrën juridike dhe fushëveprimin e të drejtës për qasje në gjykatë; (ii) kushtet që duhen plotësuar për ta pretenduar të drejtën për qasje në gjykatë; dhe (iii) kufizimet, në rrethana të caktuara, ndaj të drejtës për qasje në gjykatë.

Duke u mbështetur në praktikën e GJEDNJ-së, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk ka “një të drejtë civile”, sepse e drejta e tij në “pension-ndihmë materiale”, ishte e rregulluar me rregullat dhe vendimet e brendshme të Bashkësisë Islame të Kosovës, dhe nuk ishte e bazuar në ligjet e aplikueshme të Republikës së Kosovës. Gjykata po ashtu vlerësoi nëse kufizimi i të drejtës për qasje në gjykatë kishte “ndërlidhje të arsyeshme proporcionaliteti në mes mjeteve të përdorura dhe qëllimit që synohet të arrihet”.

Gjykata më tej theksoi se bazuar në nenin 39 të Kushtetutës, ndër të tjera (i) Konfesionet Fetare kanë autonomi; dhe (ii) janë të lira që të rregullojnë pavarësisht organizimin e vet të brendshëm. Megjithatë, Gjykata u shpreh se autonomia dhe pavarësia organizative e konfesioneve fetare nuk rezulton detyrimisht në kufizim të së drejtës për qasje në gjykatë të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së përkitazi me individët që shërbejnë në Konfesione Fetare. Gjykata theksoi se aplikueshmëria e garancive procedurale të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, duhet të vlerësohet në secilin rast për të konstatuar nëse është e përfshirë një “e drejtë civile” dhe nëse ekziston një “kontest”, rrethanat këto të cilat ua garantojnë të drejtën e qasjes në gjykatë edhe të gjithë individëve që shërbejnë në Konfesione Fetare.

Megjithatë, në rrethanat e rastit konkret, Gjykata konkludoi se nuk është e përfshirë “një  e drejtë civile” e përcaktuar me ligjet civile të Republikës së Kosovës dhe si rezultat, neni 31 i Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, nuk janë të aplikueshëm. Rrjedhimisht,  kërkesa e parashtruesit të kërkesës nuk është në pajtueshmëri ratione materiae me Kushtetutën dhe bazuar në pikën (b) të paragrafit 3 të rregullit 39 të Rregullores së punës, duhet të shpallet e papranueshme.

Parashtruesit:

Ali Gashi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është ratione materiae jashtë juridiksionit të Gjykatës

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile