Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 263/2019, të 26 shtatorit 2019 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, C. nr. 1265/2013, të 30 korrikut 2014

Nr. të lëndës KI 202/19

Parashtruesit: Demir Krasniqi

Shkarko:

KI202/19, Parashtrues: Demir Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 263/2019, të 26 shtatorit 2019  dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, C. nr. 1265/2013, të 30 korrikut 2014

KI202/19 Aktvendim për papranueshmëri, i 11 nëntorit 2020, publikuar më 08 dhjetor 2020

Fjalët kyç: kërkesë individuale, procedurë civile, kontest pronësor, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta e pronës, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme

Parashtruesi i kërkesës e konteston kushtetutshmërinë e Aktvendimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 263/2019, të 26 shtatorit 2019 dhe Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, C. nr. 1265/2013, të 30 korrikut 2014, duke pretenduar shkeljen e të drejtave të tij të garantuara me nenin 46 [Mbrojtja e pronës] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 [Mbrojtja e pronës] të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut.

Fillimisht, Gjykata rikujtoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkeljen e të drejtës në pronë, ndërlidheshin me dy sete të procedurave, me 1) propozimin për caktimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë, ushtruar më 24 maj 2013 në Gjykatën Themelore në Prishtinë, dhe ushtrimin e kërkesëpadisë tjetër në lidhje me shpronësimin dhe kompensimin e dëmit, ushtruar në Gjykatën Themelore në Prishtinë më 29 maj 2015.

Gjykata, pasi analizoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës përkitazi me setin e parë të procedurave, konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk kishte shterur të gjitha mjetet juridike në dispozicion të ligjit. Ndërsa, përkitazi me setin e dytë të procedurave, Gjykata gjeti se pretendimi i parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së pronës, duhet deklaruar qartazi i pabazuar, në baza kushtetuese, sepse në rrethanat e rastit konkret nuk kishim të bënim me një të drejtë pronësore të fituar me një vendim gjyqësor të formës së prerë dhe as me pritje legjitime, sepse parashtruesi i kërkesës nuk kishte një të drejtë të pohueshme, me të cilën do të dëshmonte se është vërtetuar e drejta e tij pronësore mbi paluajtshmërinë kontestuese. Gjykata tutje vlerësoi se parashtruesi i kërkesës nuk mund të pretendojë shkelje të të drejtave të tij pronësore, përderisa gjykatat e rregullta, në rastin e tij shqyrtuan vetëm aspektet procedurale të kërkesëpadisë dhe jo meritat e çështjes, ku do të mund të vendosej në lidhje me 1) procesin e shpronësimit të paluajtshmërisë kontestuese, dhe 2) kompensimin e dëmit nga MMPH-ja.

Si përmbledhje, sa i përket pretendimeve për shkelje të të drejtave të garantuara me nenin 46 të Kushtetutës dhe nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNj-së, nga ana e autoriteteve publike, Gjykata konstatoi se kërkesa: i. në lidhje me procedurën për caktimin e masës së sigurimit të kërkesëpadisë, shpallet e papranueshme, për shkak të mosshterjes së mjeteve efektive juridike, në pajtueshmëri me kërkesat e nenit 113.7 të Kushtetutës, nenit 47.2 të Ligjit dhe rregullit 39 (1) (b) të Rregullores së punës; ii. në lidhje me procedurën e ushtrimit të kërkesëpadisë për shpronësim dhe kompensim dëmi, po ashtu shpallet e papranueshme, si qartazi e pabazuar, në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës, sepse parashtruesi i kërkesës nuk ka dëshmuar mjaftueshëm pretendimin e tij për shkelje të të drejtës në pronë.

Parashtruesit:

Demir Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Nuk janë shterur mjetet juridike, Kërkesa është anonime

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Penale