Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, UZPV-ARJ.nr.21/2020, të 6 shkurtit 2020, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës

Nr. të lëndës KI 130/20

Parashtruesit: Xhevrije Hasani

Shkarko:

Rasti nr. KI130/20, Parashtrues: Xhevrije Hasani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit, UZPV-ARJ.nr.21/2020, të 6 shkurtit 2020, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kontestim i mosmarrjes së shtesës për kuadër deficitar, kërkesë qartazi e pabazuar 

Objekt i çështjes ishte kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të kontestuar,  i cili, sipas pretendimit të parashtrueses së kërkesës, është nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të saj të garantuara me nenet  31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut], 101 [Shërbimi Civil] dhe 102 [Parimet e Përgjithshme të Sistemit Gjyqësor], të Kushtetutës dhe nenit 6 (E Drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin në vijim: KEDNJ).

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me aplikimin e parashtrueses së kërkesës për të përfituar shtesë në pagë për kategori  të veçanta të profesioneve deficitare në bazë të Vendimit nr. 02/39, të 8 tetorit  2008 të Qeverisë së Kosovës. Në thelb, parashtruesja e kërkesës ankohet se në rastin e saj gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat e saj të garantuara në nenin 31 dhe 53 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, pasi që nuk i kanë arsyetuar mjaftueshëm vendimet gjyqësore dhe nuk kanë marrë për bazë standardet e vendosura përmes praktikës gjyqësore të GJEDNJ. Për pasojë, sipas parashtrueses së kërkesës,  asaj i është pamundësuar që të jetë përfituese e shtesës për kuadër deficitar e cila përcaktohej me Vendimin e Qeverisë Nr. 02/39, të 8 tetorit 2008. Në ndërlidhje me këtë, parashtruesja e kërkesës thekson se gjykatat e rregullta duke injoruar në tërësi çështjen e bazës juridike të refuzimit të kërkesëpadisë së saj, kanë dështuar të përmbushin premisën thelbësore të gjykimit të drejtë, e që është vendimi i arsyetuar gjyqësor.

Gjykata vë në pah se nenin 31 i Kushtetutës dhe neni 6 i KEDNJ i detyron gjykatat të japin arsye për vendimet e tyre, por kjo nuk nënkupton një përgjigje të hollësishme për çdo pretendim dhe argument të palëve. Gjykata konstatoi se gjykatat e rregullta kanë përmbushur detyrimin e tyre kushtetues për të ofruar një arsyetim të mjaftueshëm ligjor përkitazi me kërkesat dhe pretendimet e parashtrueses. Për rrjedhojë, Gjykata konsideron se parashtruesja e kërkesës ka përfituar nga e drejta e saj për të pranuar vendime të arsyetuara gjyqësore, në pajtim me nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së.

Lidhur me pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të parimit të barazisë gjinore dhe shkelje të neneve 101 dhe 102 të Kushtetutës. Gjykata konstaton se vetëm përmendja e një neni të Kushtetutës nga parashtruesja e kërkesës, pa arsyetim të qartë dhe adekuat se si është shkelur ajo e drejtë, nuk mjafton për të ngritur një kërkesë kushtetuese të arsyetuar dhe për të aktivizuar sistemin mbrojtës që ofron Kushtetuta dhe Gjykata Kushtetuese. Prandaj, Gjykata konsideron se pretendimet e parashtrueses së kërkesës për shkelje të neneve të lartcekura Kushtetutës, bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara” dhe si të tilla të njëjtat janë qartazi te pabazuara ne baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Për sa më sipër , Gjykata konstaton se pretendimet e parashtrueses së kërkesës, përbëjnë pretendime të pambështetura dhe, si të tilla, të njëjtat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese, siç është përcaktuar përmes paragrafit (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Përfundimisht, Gjykata konstaton se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me paragrafin 7 të nenit 113 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Xhevrije Hasani

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative