KI36/18, Parashtrues: Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev. nr. 98/2017, të 19 tetorit 2017
KI36/18, Aktvendim për Papranueshmëri, i 20 qershorit 2019, publikuar më 23 korrik 2019
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, person juridik, qartazi e pabazuar,
Parashtruesi i kërkesës dhe Qeveria e Republikës së Kosovës kishin nënshkruar Marrëveshje të Partneritetit Publiko Privat (PPP), dhe bazuar në këtë marrëveshje parashtruesi i kërkesës kishte marrë obligim që të gjithë punëtorët t’i mbajë në marrëdhënie të punës edhe për 3 (tre) vite të tjera.
Si rrjedhojë, parashtruesi i kërkesës, e kishte njoftuar punëtorin N.D. se nuk do t’i përtërihet kontrata e punës. Punëtori N.D. kishte parashtruar padi pranë gjykatës së shkallës së parë dhe padia e tij u aprovua. Në anën tjetër, parashtruesi i kërkesës pranë gjykatave të rregullta pretendonte se gjykatat e rregullta nuk kishin marrë për bazë nenin 9.18 të Marrëveshjes së PPP-së, sipas së cilës parashtruesi i kërkesës merr për obligim që punëtorët t’i mbajë në punë edhe për 3 (tre) vjet.
Gjatë procedurave pranë gjykatave të rregullta, këto të fundit i kishin sqaruar parashtruesit të kërkesës se bazuar në nenin 10.5 të Marrëveshjes së Përgjithshme Kolektive të Kosovës (MPKK), kontrata e punës në kohë të caktuar konsiderohet si kontratë e lidhur në kohë të pacaktuar nëse punëtori ka punuar pa ndërprerë mbi tre vite dhe në rastin konkret punëtori N.D. kishte punuar katër vite pa ndërprerje, dhe se para se të shkëpuste marrëdhënien e punës, parashtruesi i kërkesës është dashur të iniciojë procedurë të brendshme për ndërprerjen e marrëdhënies së punës.
Parashtruesi i kërkesës, në kërkesën e tij pranë Gjykatës Kushtetuese, pretendoi shkeljen e nenit 31 të Kushtetutës për shkak të vendimit të paarsyetuar, si dhe neneve 32 dhe 46 të Kushtetutës, dhe përsëriti pretendimet e tij si pranë gjykatave të rregullta.
Gjykata Kushtetuese, duke i adresuar pretendimet e parashtruesit të kërkesës, konstatoi se ky i fundit dështoi të paraqesë prova, fakte dhe argumente që tregojnë se procedurat në gjykatat e rregullta kanë shkelur të drejtën e tij për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me nenin 31 të Kushtetutës, dhe Gjykata nuk u lëshua në shqyrtimin e pretendimeve të mëtejshme të parashtruesit të kërkesës për shkak që shkeljet e të drejtave të tjera të garantuara me nenet 32 dhe 46 të Kushtetutës ai i pretendoi si pasojë e shkeljes së të drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Limak Kosovo International Airport SH.A., “Adem Jashari”
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar