Rasti nr. KI05/20, Parashtrues: Labinot Namani, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, Rev.nr. 324/2019, të 17 tetorit 2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, , kërkesë qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Rev.nr.324/2019] e 17 tetorit 2019 të Gjykatës Supreme të Kosovës, ku pretendon se i janë shkelur të drejtat e tij të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit] dhe 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: KEDNJ).
Lidhur me këtë, Gjykata vëren se, në thelb, parashtruesi i kërkesës ankohet se në rastin e tij gjykatat e rregullta i kanë shkelur të drejtat e tij të garantuara në nenin 31 të Kushtetutës, pasi që nuk e kanë vërtetuar drejtë gjendjen faktike, sepse ai nuk i kishte shkaktuar lëndim palës së interesuar F.O. dhe se i njëjti ishte lënduar për shkak të rrëzimit nga biçikleta dhe jo veprimeve të tij. Gjithashtu, parashtruesi i kërkesës thekson se si rezultat i shkeljeve thelbësore të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të së drejtës materiale, gjykatat e rregullta e kanë detyruar atë që të kompensojë dëmin në shumën e gjykuar. Lidhur me pretendimet e lartcekura, Gjykata konsideron se parashtruesi i kërkesës e ka ndërtuar rastin e tij mbi baza ligjshmërie, përkatësisht mbi vërtetimin e gabuar të fakteve për sa i takon vendimit për (i) fajësinë e tij lidhur me lëndimin e palës së interesuar përmes mjetit të fortë; dhe (ii) aprovimin si të bazuar të kërkesëpadisë së palës së interesuar F.O. për kompensimin e dëmit jomaterial të pësuar në aksidentin/incidentin e 12 janarit 2006.
Gjykata konkludon se këto pretendime të parashtruesit të kërkesës, kanë të bëjnë me fushën e ligjshmërisë dhe si të tilla nuk bien nën juridiksionin e Gjykatës, dhe si rrjedhojë, në parim, nuk mund të shqyrtohen nga Gjykata (shih rastet e Gjykatës: KI101/19, me parashtrues Ljubiša Trajković, Aktvendim për Papranueshmëri i 4 dhjetorit 2020, paragrafi 43; KI56/17, me parashtruese Lumturije Murtezaj, Aktvendim për Papranueshmëri, i 18 dhjetorit 2017, paragrafi 35).
Në anën tjetër, përkitazi me pretendimin për shkelje të nenit 24, Gjykata thekson se fakti i thjeshtë se parashtruesi i kërkesës nuk është i kënaqur me rezultatin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme apo vetëm përmendja e neneve të Kushtetutës, nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse (shih, në ketë kontekst, rastin e Gjykatës KI81/19, me parashtrues Skender Podrimqaku, Aktvendim për Papranueshmëri i 5 dhjetorit 2019, paragrafi 76; KI78/19, me parashtrues Miodrag Pavic, Aktvendim për papranueshmëri i 1 nëntorit 2019, paragrafi 56).
Si përfundim, kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohet e papranueshme, në pajtim me nenin 113.1 dhe 113.7 të Kushtetutës dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Labinot Namani
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale