KI04/22, Parashtruesi i kërkesës: Mustaf Berisha, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës Rev. nr. 106/2021 të 26 tetorit 2021
KI04/22, Aktvendim për papranueshmëri i 8 qershorit 2022, publikuar më 29 qershor 2022
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë kontestimore, kërkesë për masën e përkohshme, kërkesë për mbajtjen e seancës publike
Nga shkresat e lëndës rezulton se katër persona kanë qenë bashkëpronarë të një parcele kadastrale, ku secili prej tyre ka pasur pronësinë e ¼ së ngastrës. Gjatë vitit 2009, parashtruesi ka lidhur kontratë shitblerjeje me dy bashkëpronarë për blerjen e 1/4 të ngastrës kadastrale. Megjithatë, kontrata e shitjes nuk ishte vërtetuar nga gjykata kompetente dhe pronësia nuk ishte e regjistruar në shërbimin kadastral, në emër të parashtruesit të kërkesës.
Në ndërkohë, që të katër bashkëpronarët kanë lidhur një marrëveshje për ndarjen e bashkëpronësisë së parcelës para Gjykatës Themelore, me ç’rast dy bashkëpronarë që kishin lidhur më parë një kontratë shitblerjeje me parashtruesin e kërkesës, hoqën dorë nga pronësia e parcelës së tyre në favor të dy bashkëpronarëve të tjerë. Duke pasur parasysh këtë, parashtruesi i kërkesës parashtroi kërkesëpadi me të cilën kërkoi anulimin e marrëveshjes për ndarje.
Gjykata Themelore e pranoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, me ç’rast e anuloi marrëveshjen për ndarjen e bashkëpronësisë, dhe Gjykata e Apelit mbajti qëndrim të njëjtë në procedurën e ankesës. Mirëpo, në procedurën e revizionit, Gjykata Supreme pranoi kërkesën për revizion të njërit prej bashkëpronarëve të paditur, me ç’rast e refuzoi si të pabazuar kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës.
Parashtruesi i kërkesës i pakënaqur me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila vendosi ta refuzoi kërkesëpadinë e parashtruesit të kërkesës, parashtroi kërkesë në Gjykatën Kushtetuese me pretendimin se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e tij të garantuara me nenin 24 (Barazia para Ligjit), nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 46 (Mbrojtja e Pronës), nenin 53 [Interpretimi i Dispozitave për të Drejtat e Njeriut), dhe nenin 54 (Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave) të Kushtetutës.
Gjykata analizoi pretendimet kryesore të parashtruesit duke zbatuar praktikën e saj dhe të GJEDNJ-së, duke arritur në përfundimin se pretendimet e parashtruesit se nenet 31 të Kushtetutës, 6 të KEDNJ-së, janë shkelur me keqinterpretimin dhe zbatimin e gabuar të neneve 36, 52, 115, 287 të ZVDPOS-së, dhe nenit 41 të LMTHPJ-së, nga Gjykata Supreme, cilësohen si (i) pretendime të “shkallës së katërt”, sepse përfshijnë çështje që kanë të bëjnë me vërtetimin e gjendjes faktike dhe me interpretimin dhe zbatimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërinë” dhe jo “kushtetutshmërinë”. Gjykata më tej analizoi në detaje pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës në kontekstin e aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme, duke arritur në përfundimin se këto pretendime kualifikohen si (ii) pretendime të kategorizuara me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes“; dhe rrjedhimisht Gjykata i refuzon ato si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese siç parashihet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.
Sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të neneve 24, 53 dhe 54 të Kushtetutës, Gjykata nuk i ka analizuar këto pretendime për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka arsyetuar ato në kërkesë, dhe rrjedhimisht Gjykata i refuzoi ato në tërësi si (iii) „të pambështetura apo të paarsyetuara”.
Lidhur me kërkesën për seancë publike si dhe për caktimin e masës së përkohshme, Gjykata po ashtu i hodhi poshtë këto kërkesa të parashtruesit si të pabazuara.
Mustaf Berisha
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri