KI01/19, Parashtrues i kërkesës: Fatos Rizvanolli, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, PML. Nr. 242/2017, të 30 prillit 2018
KI01/19, Aktvendim për papranueshmëri i 2 shtatorit 2020, i publikuar më 01 tetor 2020
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, procedurë penale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, e drejta e privatësisë, nuk ka dënim pa ligj, marrja në pyetje e dëshmitarëve, kërkesë qartazi e pabazuar
Në rastin konkret, Gjykata Themelore në Ferizaj, me Aktgjykimin PKR-65/16, shpalli fajtor parashtruesin e kërkesës dhe i shqiptoi atij dënim me burgim në kohëzgjatje prej 7 (shtatë) vjetësh, për veprën penale “në vazhdim dhe bashkëkryerje rekrutim për terrorizëm”, nga neni 139, lidhur me nenin 31 të KPK-së. Në dënimin e shqiptuar, parashtruesit të kërkesës iu llogarit koha e kaluar në paraburgim, prej 16 marsit 2016. Parashtruesi i kërkesës, pa sukses, u ankua kundër aktgjykimit dënues të Gjykatës Themelore sepse aktgjykimi në fjalë u vërtetua edhe nga instancat më të larta të gjyqësorit të Republikës së Kosovës, përkatësisht nga Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme.
Në Gjykatën Kushtetuese parashtruesi i kërkesës, mes tjerash, u ankua se gjatë zhvillimit të procedurave në gjykatat e rregullta nuk ishin marrë në pyetje dëshmitarët e kërkuar nga ai, ishte shkelur parimi për mos dënim pa ligj dhe e drejta e privatësisë për shkak se autoritet e ndjekjes nuk kishin shqyrtuar mundësinë e masave më pak ndërhyrëse në jetën e tij private.
Për sa i përket pretendimit për marrje në pyetje të dëshmitarëve, Gjykata vlerësoi se vendimet e gjykatave të rregullta lidhur me pretendimin për dëgjim në cilësi të dëshmitarëve të personave Z.Q. dhe Sh.A. nuk rezultojnë të jenë të njollosura nga arbitrariteti apo jo proporcionale sepse Gjykata Themelore ka gjetur “balancën e drejtë” duke pranuar dëgjimin e personave B.K. dhe B.R. të propozuar nga mbrojtja e parashtruesit të kërkesës, në njërën anë, kurse ka refuzuar dëgjimin e personave Z.Q. dhe Sh.A., në anën tjetër. Gjykata po ashtu vlerësoi se Gjykata e Apelit dhe Gjykata Supreme kanë mundur që ta shtjellojnë më tepër çështjen e dëgjimit të dëshmitarëve-por kjo në vetvete-nuk e bën procesin kundërkushtetues sepse, nga dokumentet në dispozicion, rezulton se parashtruesi i kërkesës ka marrë përgjigje në substancë ndaj pretendimit të tij për shkelje të nenit 31.4 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 (3) (d) të KEDNJ-së.
Për sa i përket pretendimit për shkelje të parimit për mos dënim pa ligj, Gjykata vlerësoi se interpretimi nga gjykatat e rregullta të dispozitave përkatëse të KPK-së: (i) nuk rezulton të jetë lexuar jashtë kontekstit të dispozitave penale, apo se ka qenë i paarsyeshëm dhe arbitrar; dhe, (ii) gjykatat e rregullta kanë sqaruar përgjegjësinë penale të parashtruesit të kërkesës, bazuar në dispozitën e nenit 139 të KPK-së. Prandaj, interpretimi i gjykatave të rregullta rezulton të jetë koherent me thelbin e veprës penale dhe i parashikueshëm në mënyrë të arsyeshme.
Për sa i përket pretendimit për shkelje të të drejtës së privatësisë, Gjykata vlerësoi se nga arsyetimi i gjykatave të rregullta, por edhe nga përmbajtja e kërkesës në tërësi, rezulton se: (i) masat e vëzhgimit të fshehtë kanë qenë të bazuara në ligj, i cili, ka qenë dhe është i qasshëm për parashtruesin e kërkesës, në mënyrë që ai ta përshtatë sjelljen e tij sipas rrethanave të rastit; dhe, (ii) masat në fjalë janë proporcionale dhe ndjekin qëllimin legjitim për parandalimin dhe gjykimin e veprave penale që kanë të bëjnë me terrorizmin, si kërcënim serioz i sigurisë publike; çka rezulton, se (iii), ato masa janë të nevojshme në një shoqëri demokratike.
Për sa i përket pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për një vendim të arsyetuar, mjete efektive juridike dhe shkelje të parimit in dubio pro reo, Gjykata vlerësoi se pretendimet në fjalë nuk ka nevojë të shqyrtohen sepse nuk ngrenë ndonjë çështje të re që nuk është shqyrtuar më parë në kuadër të neneve 31.4 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], 33 [Parimi i Legalitetit dhe Proporcionalitetit në Rastet Penale] dhe 36 [E Drejta e Privatësisë] të Kushtetutës në lidhje me nenet 6 (1) (3) dhe (d) [E drejta për një proces të rregullt], 7 [Nuk ka dënim pa ligj] dhe 8 [E drejta për respektimin e jetës private dhe familjare] të KEDNJ-së.
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47. 2 të Ligjit dhe rregullat 39 (1) (b) dhe (2), 58 (4) dhe 59 (2) të Rregullores së punës e shpalli kërkesën të papranueshme qartazi të pabazuar.
Fatos Rizvanolli
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale