KI235/19, Parashtrues i kërkesës: Kompania e Sigurimeve “Allianz Suisse Versicherungs- Gesellschaft AG” Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme [E. Rev. nr. 32/2019], të 31 korrikut 2019
KI235/19, Aktgjykim i miratuar më 28 prill 2021, publikuar më 16 qershor 2021
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, konsistenca e praktikës gjyqësore, siguria juridike, e drejta për vendim të arsyetuar
Rrethanat e këtij rastit, ndërlidhen me një aksident të vitit 2009, në të cilin, e siguruara e parashtruesit të kërkesës, përkatësisht Sh.Z., kishte humbur jetën. Përgjegjësia për aksident kishte rënë mbi H.K.-në, i siguruar i BKS-së, i cili ishte dënuar për veprën penale rrezikim i trafikut publik në vitin 2010. Parashtruesi i kërkesës e kishte kompensuar familjen e të ndjerës në shumën prej 36,000.00 euro. Përkitazi me këtë shumë në vitin 2015, parashtruesi i kërkesës iu drejtua BKS-së me kërkesë për kompensim mbi bazën e të drejtës në subrogim të përcaktuar përmes LMD-së, dhe në mungesë të një marrëveshjeje, iu drejtua Gjykatës Themelore përmes padisë. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit, i kishin dhënë të drejtë parashtruesit të kërkesës, duke konfirmuar detyrimin e BKS-së që të kompensojë parashtruesin e kërkesës në vlerën e lartcekur dhe gjithashtu detyrimin për të paguar kamatën prej dymbëdhjetë përqind (12%) në vit, duke filluar nga 5 qershori 2015 deri në pagesën definitive. Gjykata Supreme gjithashtu përfundimisht kishte konfirmuar të drejtën e parashtruesit të kërkesës në kompensimin përkatës mbi bazën e subrogimit, por kishte ndryshuar Aktgjykimin e Gjykatës Themelore edhe asaj të Apelit, përkitazi me kamatëvonesën. Gjykata Supreme, kishte përcaktuar që kamata vjetore duhet të jetë tetë përqind (8%) në vit, bazuar në nenin 382 të LMD-së dhe jo dymbëdhjetë përqind (12%) në vit, bazuar në nenin 26 të Ligjit për Sigurimin e Detyrueshëm, siç kishin vendosur gjykatat e shkallës më të ulët. Këtë konstatim të Gjykatës Supreme, përkitazi me lartësinë e kamatvonesës, parashtruesi i kërkesës e konteston para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KENDJ-së, për shkak të (i) cenimit të parimit të sigurisë juridike si rezultat i divergjencës në praktikën përkatëse gjyqësore të Gjykatës Supreme; dhe (ii) mungesës së vendimit të arsyetuar gjyqësor.
Gjykata vlerësoi pretendimet e parashtruesit të kërkesës, përkitazi me sigurinë juridike dhe të drejtën për vendim të arsyetuar, si një ndër garancitë e përcaktuara përmes nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 të KEDNJ-së, duke mbështetur këtë vlerësim në praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (në tekstin e mëtejmë: GJEDNJ).Gjykata shtjelloi parimet e përgjithshme që burojnë nga GJEDNJ-ja dhe praktika e saj gjyqësore përkitazi me konsistencën gjyqësore dhe të drejtën për një vendim të arsyetuar.
Lidhur me pretendimin për cenim të parimit të sigurisë juridike, Gjykata konstatoi: (i) se në rastin nën shqyrtim nuk është provuar ekzistenca e dallimeve “të thella dhe afatgjate” lidhur me qëndrueshmërinë e praktikës gjyqësore të Gjykatës Supreme; (ii) se ekziston mekanizmi për administrimin e drejtë të drejtësisë dhe për shqyrtimin e ndryshimit të praktikës gjyqësore; (iii) Gjykata Supreme më 1 dhjetor 2020 ka nxjerrë “Mendim Juridik për Kamatën lidhur me ligjin e aplikueshëm, lartësinë dhe periudhën e llogaritjes” bazuar në nenin 14. para. 2. pika 10 të Ligjit për Gjykatat; (iv) se mundësia e vendimeve kundërthënëse është një tipar i pandarë i çdo sistemi gjyqësor të bazuar mbi rrjetin e gjykatave themelore dhe të apelit, me autorizime në kuadër të juridiksionit të tyre territorial; (v) se cili ligj duhet zbatuar në rrethanat e rastit konkret është prerogativë dhe detyrë e Gjykatës Supreme; dhe, se (v) roli i Gjykatës Supreme është që pikërisht t’i zgjidhë konfliktet e tilla.
Lidhur me pretendimin për shkelje të së drejtës për një vendim të arsyetuar, Gjykata ka vlerësuar se Gjykata Supreme (i) ka dhënë bazën juridike dhe ka shpjeguar se përse në rastin e parashtruesit të kërkesës zbatohet norma që përcakton kamatëvonesën prej 8%; (ii) aktgjykimi i kontestuar i Gjykatë Supreme përmban lidhje logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe konkluzave të nxjerra; (iii) si rrjedhojë logjike ndërmjet bazës juridike, arsyetimit dhe konkluzave ka rezultuar se aktgjykimi i kontestuar i Gjykatës Supreme plotëson kushtin e një vendimi të arsyetuar; dhe, (iv) nëse parashtruesit të kërkesës i njihet e drejta për 12 % ose 8 % të kamatëvonesës është çështje e zbatimit dhe interpretimit të ligjit dhe e diskrecionit në gjykim të Gjykatës Supreme, dhe si të tilla, në vetvete, nuk bien ndesh me të drejtën për gjykim të drejtë dhe të paanshëm.
Në fund, Gjykata konstatoi se, në rrethanat e rastit konkret, nuk ka pasur shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës në lidhje me nenin 6.1 (E drejta për një proces të rregullt) të KEDNJ-së.
Allianz Suisse Versicherungs- Gesellschaft AG
KI - Kërkesë individuale
Aktgjykim
Mosshkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm
Civile