Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 47/2021, të 28 prillit 2021

Nr. të lëndës KI229/21

Parashtruesit: Isak Shala

Shkarko:

KI229/21, Parashtrues: Isak Shala, vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 47/2021, të 28 prillit 2021

KI229/21, Aktvendim i 11 majit 2022, publikuar më  3 qershor 2022

Fjalët kyç: shpërblim jubilar, paga për përcjellje në pension, procedurë administrative,  e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, barazia para ligjit, mbrojtja e pronës, qartazi e pabazuar

Nga shkresat e lëndës rezulton që parashtruesit të kërkesës i cili kishte qenë i punësuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, me vendim të KGJK-së i ishte përfunduar marrëdhënia e punës me të arritur moshën e pensionimit, duke iu njohur e drejta e shpërblimit të një page mujore, sipas vlerës së pagesës së fundit. Më pas, parashtruesi i kërkesës dorëzoi padi në Gjykatën Themelore kundër KGJK-së, duke kërkuar kompensimin e tri pagave mujore për shpërblim jubilar dhe tri pagave mujore për përcjellje në pension. Kërkesëpadia e parashtruesit të kërkesës për paga jubilare dhe paga përcjellëse në pension u hodh poshtë si e palejueshme përmes Aktvendimit të Gjykatës Themelore me arsyetimin se parashtruesi i kërkesës nuk e kishte goditur vendimin përfundimtar në procedurë administrative dhe nuk i kishte shterë mjetet e brendshme juridike. Kundër Aktvendimit të Gjykatës Themelore, parashtruesi i kërkesës paraqiti ankesë pranë Gjykatës së Apelit, ku kjo e fundit e refuzoi ankesën dhe vërtetoi Aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë. Kundër Aktvendimit të Gjykatës së Apelit, parashtruesi i kërkesës dorëzoi kërkesë për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor pranë Gjykatës Supreme, kërkesë kjo e cila u refuzua si e pabazuar. Në arsyetimin e Aktgjykimit të Gjykatës Supreme u konstatua se gjykata e shkallës së dytë kishte vërtetuar drejtë gjendjen faktike dhe kishte zbatuar drejtë të drejtën materiale.

Parashtruesi i kërkesës, si pretendim kryesor para Gjykatës Kushtetuese kishte ngritur shkeljen e të drejtës për gjykim të drejtë e të paanshëm të  garantuar me nenin 31 të Kushtetutës  duke u fokusuar në interpretim dhe zbatim të gabuar të ligjit. Tutje, parashtruesi i kërkesës pretendonte gjithashtu shkelje të neneve 24 dhe 46 të Kushtetutës.

Në shqyrtimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës për shkelje të së drejtës së tij për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, Gjykata fillimisht shtjelloi parimet e praktikës së saj gjyqësore dhe të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, përkitazi me doktrinën e shkallës së katërt dhe më pas aplikoi të njëjtat në rrethanat e rastit konkret. Lidhur me pretendimet e parashtruesit të kërkesës, Gjykata theksoi se në kërkesën për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të vendimit gjyqësor parashtruar pranë Gjykatës Supreme, ai kishte kontestuar Aktgjykimin e Gjykatës së Apelit për faktin se konsideronte se ishte i përfshirë me shkelje thelbësore të dispozitave të së drejtës materiale si dhe shkelje të dispozitave procedurale, kërkesë e cila ishte refuzuar si e pabazuar nga Gjykata Supreme. Gjykata konstatoi se Gjykata Supreme gjatë procedurës i është përmbajtur parimeve të së drejtës për një gjykim të drejtë dhe të paanshëm, siç parashikohet me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, dhe se nuk ka pasur shkelje të dispozitave të procedurës procedurale apo zbatim të gabuar të së drejtës materiale. Në anën tjetër, pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës, Gjykata e cilësoi si qartazi të pabazuar, për faktin se i takonte kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi që parashtruesi i kërkesës nuk ka shtjelluar se si ka ardhur deri te shkelja e kësaj të drejte. Ndërkaq, pretendimin e parashtruesit të kërkesës për shkelje të nenit 46 të Kushtetutës dhe të nenit 1 të Protokollit Nr. 1 të KEDNJ-së, i cili ndërlidhej me pretendimin e tij për shkelje të nenit 31 të Kushtetutës, Gjykata e vlerësoi si qartazi të pabazuar në baza kushtetuese.

Rrjedhimisht, Gjykata vendosi se kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Isak Shala

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri