Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 32/2020, të 16 marsit 2020

Nr. të lëndës KI 05/21

Parashtruesit: Islam Krasniqi

Shkarko:

KI05/21, Parashtrues: Islam Krasniqi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës, ARJ-UZVP. nr. 32/2020, të 16 marsit 2020 

Fjalët kyç: kërkesë individuale, kërkesë e përkohshme, e drejta në pronë 

Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me inicimin e konfliktit administrativ nga ana e parashtruesit të kërkesës për shkak të heshtjes administrative, respektivisht për shkak te mos nxjerrjes se vendimit administrativ nga Komuna e Prishtinës  për: 1. kompenzimin e pronës së paluajtshme -oborr dhe  dëmit si pasojë e eksproprijimit të pronës për ndërtimin e rrugës; si dhe 2. kërkesën për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit për bllokimin e xhirollogarisë për Komunën e Prishtinës në shumë prej 70.000 euro. Departamenti Administrativ i Gjykatës Themelore kërkoi nga parashtruesi i kërkesës që ta precizojë saktë kërkesën për shtyrje të ekzekutimit të vendimit, si dhe të precizojë vendimin, duke theksuar që në këtë procedurë gjykata nuk vendos për masë të sigurisë, por për kërkesën për shtyrje të vendimit përfundimtar në procedurë administrative.

Pas precizimit të padisë nga ana e parashtruesit të kërkesës, Gjykata Themelore hodhi poshtë si të palejuar propozimin e parashtruesit të kërkesës me të cilin kishte kërkuar që të obligohet Komuna e Prishtinës që atij t’ia kompensojë pronën e paluajtshme, derisa të merret vendimi i plotfuqishëm gjyqësor sipas padisë së ushtruar në Gjykatën Themelore, lidhur me këtë çështje. Duke vepruar sipas ankesës përkatëse dhe kërkesës për rishqyrtim të jashtëzakonshëm, Gjykata e Apelit, e të cilën e konfirmon edhe Gjykata Supreme kishin refuzuar si të pabazuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës. Përfundimisht, Gjykata Supreme kishte sqaruar në arsyetimin e saj se nuk mund të kërkohet shtyrja e një vendimi inekzistent dhe kishte pranuar si të drejtë vendimin e Gjykatës Themelore dhe të Apelit për hedhjen poshtë si të palejuar të kërkesës së parashtruesit të kërkesës, deri në marrjen e aktgjykimit të bazuar në merita sipas padisë së parashtruesit të kërkesës.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës i kontestoi konstatimet e gjykatave të rregullta, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, si rezultat i mos kompensimit të pronës së tij.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata vëren se lidhur me kërkesën kryesore të kërkesëpadisë së parashtruesit të kërkesës, përkatësisht lidhur me heshtjen administrative të Komunës së Prishtinës për sa i përket kërkesës së tij për kompensim si çështje kryesore me ç’ rast pretendon shkelje të nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës, gjykatat e rregullta ende nuk kanë marrë vendim meritor. Pra, bazuar në padinë e ushtruar nga parashtruesi i kërkesës  për “heshtje dhe neglizhim për kompensimin e pronës “qoftë me para, apo shkëmbim “tokë për tokë”, në Gjykatën Themelore, ende nuk ka vendim të plotfuqishëm gjyqësor lidhur me këtë çështje. Rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me këtë pretendim është e parakohshme, dhe duhet të deklarohet e papranueshme, për shkak se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar mjetet juridike në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenet 20 dhe 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.

Në vijim, për sa i përket shkeljeve të pretenduara të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm të përcaktuar me nenin 31 të Kushtetutës, parashtruesi i kërkesës nuk shpjegon specifikisht se si ka ardhur deri te shkelja e këtij neni të Kushtetutës. Lidhur me këtë, Gjykata rikujton se ajo ka theksuar vazhdimisht se vetëm referimi dhe përmendja e neneve të Kushtetutës nuk është e mjaftueshme për të ndërtuar një pretendim të argumentuar për shkelje kushtetuese. Kur pretendohen shkelje të tilla të Kushtetutës, parashtruesit e kërkesës duhet të sigurojnë pretendime të arsyetuara dhe argumente bindëse. Andaj, për sa i përket këtij pretendimi, kërkesa e parashtruesit të kërkesës deklarohet e papranueshme si qartazi e pabazuar, sepse ky pretendim cilësohet si pretendim që i takon kategorisë së pretendimeve “të pambështetura ose të paarsyetuara”, pasi parashtruesi i kërkesës thjesht ka cituar një dispozitë të Kushtetutës, pa shpjeguar se si është shkelur ajo. Prandaj, ky pretendim është qartazi i pabazuar në baza kushtetuese, siç përcaktohet në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Islam Krasniqi

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 31 - E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm , Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Nuk janë shterur mjetet juridike

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative