Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 344/2020, të 1 prillit 2021

Nr. të lëndës KI 153/21

Parashtruesit: Nexhmije Ferati, Gjevrije Sinanaj dhe Lulzim [Latifi] Bashota

Shkarko:

KI153/21, Parashtrues: Nexhmije Ferati, Gjevrije Sinanaj dhe Lulzim [Latifi] Bashota, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, Rev. nr. 344/2020, të 1 prillit 2021

KI153/21, Aktvendim për Papranueshmëri, i 3 marsit 2022, publikuar më 21 mars 2022

Fjalët kyçe: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë e papranueshme, kërkesë qartazi e pabazuar, pretendime të shkallës së katërt, pretendime të pambështetura dhe të paarsyetuara

Bazuar në rrethanat faktike të vërtetuara nga gjykatat e rregullta dhe të përmbledhura në Aktvendim, rezulton që parashtruesit e kërkesës janë pasardhësit, përkatësisht të bijat dhe nipi i të ndjerit A.D. Nga shkresat e lëndës rezulton që A.D në vitin 1958 kishte blerë paluajtshmërinë, e cila nuk ishte regjistruar në librat kadastrale dhe më vonë kishte kaluar në pronësi të Ndërmarrjes “Kosova Export.” Në vitin 1982, A.D kishte ndërruar jetë dhe bazuar në shkresat e lëndës rezulton që paluajtshmëria e blerë nga ai edhe në momentin kur ai kishte ndërruar jetë nuk kishte qenë e regjistruar në emër të tij. Në vitin 2002, H.D nipi i të ndjerit A.D, në Gjykatën Komunale në Prishtinë në procedurë kontestimore përkitazi me ngastrat kadastrale me nr. 668 dhe 669 (paluajtshmëria e kontestuar) kishte parashtruar padi për kthim të pronës nga Ndërmarrja “Kosova Export dhe vërtetim të pronësisë në bazë të posedimit. Përmes Aktgjykimit të formës së prerë të [C.nr. 309/02], të 7 qershorit 2006 të Gjykatës Komunale H.D i ishte njohur e drejta e pronësisë në këto ngastra kadastrale, të cilat më pas në regjistrin kadastral i kishte regjistruar në emër  të tij. Megjithatë, si rezultat i Aktgjykimit të Gjykatës Supreme, të 4 shkurtit 2016, ishte konsttaur se H.D ishte pronar i 7/8 të pjesës ideale dhe A.Sh.D [nipi tjetër i të ndjerit A.D] ishte pronar i 1/8 të pjesës ideale të paluajtshmërisë së lartcekur. Në qershor të vitit 2016, parashtruesit e kërkesës [të dy bijat e të ndjerit A.D, dhe nipi i të ndjerit A.D, respektivisht] dhe H.Z [e bija e të ndjerit A.D] kundër H.D kishin parashtruar kërkesëpadi për njohjen e pronësisë në bazë të trashëgimisë për secilin në 1/8 e pjesës ideale të paluajtshmërisë, të regjistruar në emër të H.D. Në ndërkohë, më 9 mars 2017, H.D për  pjesën e tij të paluajtshmërisë, gjegjësisht 7/8 pjesën ideale të ngastrave kadastrale kishte lidhur kontratë të shitblerjes me NTP “Agro Trade” sh.p.k. Si rezultat i kësaj, parashtruesit e kërkesës më vonë zgjeruan kërkesëpadinë e tyre duke kërkuar anulimin e kësaj kontrate të shitblerjes, të 9 marsit 2017 dhe më vonë, gjegjësisht më 8 janar 2019, si rezultat i asaj që i padituri H.D dhe paditësja H.Z kishin ndërruar jetë, të njëjtit precizuan kërkesëpadinë e tyre duke e paraqitur të njëjtën kundër të vesë së H.D dhe fëmijëve të tij. Më 18 qershor 2019, Gjykata Themelore përmes Aktgjykimit [C.nr. 1247/16] duke iu referuar nenit 138, paragrafit 1 të Ligjit për Trashëgiminë konstatuan se kërkesëpadia e tyre ishte parashkruar sepse ishte paraqitur pas kalimit të afatit subjektiv një (1) vjeçar të përcaktuar me këtë dispozitë, përkatësisht nga dita e fitimit të pronësisë së H.D në paluajtshmërinë e kontestuar, të fituar me Aktgjykim të formës së prerë në vitin 2006. Ndërsa, përkitazi me anulimin e kontratës së shitblerjes, së 9 marsit 2017, Gjykata Themelore po ashtu kishte konstatuar kontrata e lidhur me NTP “Agro Trade” sh.p.k ishte lidhur në pjatim me dispozitat ligjore. Ky Aktgjykim i Gjykatës Themelore në tërësi ishte vërtetuar edhe përmes Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit dhe Aktgjykimit të kontestuar të Gjykatës Supreme. Si Gjykata e Apelit, ashtu edhe ajo Supreme për më tepër kishin konstatuar se kishte kaluar edhe afati objektiv prej dhjetë (10) viteve, i cili sipas tyre kishte filluar të rrjedhë nga momenti kur paraardhësi i parashtruesve të kërkesës apo trashëgimlënësi A.D kishte ndërruar jetë, gjegjësisht në vitin 1982.

Parashtruesit e kërkesës në kërkesën e tyre kontestuan konstatimet e Gjykatës Supreme, duke pretenduar se përmes kësaj të fundit janë shkelur të drejtat e tyre të garantuara me nenet 24, 31 dhe 54 të Kushtetutës dhe nenit 2 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut.

Në vlerësimin e kritereve të pranueshmërisë së kërkesës, Gjykata konstatoi se parashtruesit e kërkesës ishin palë të autorizuara, kontestonin një akt të një autoritetit publik, kishin shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj, si dhe kishin dorëzuar kërkesën e tyre brenda afatit kohor të përcaktuar me ligj dhe Rregullore të Punës. Në vijim, Gjykata në kuptim të shqyrtimit të kriterit nëse kërkesa ishte qartazi e bazuar, konsideroi se pretendimet e parashtruesve të kërkesës përkitazi me shkelje të neneve 31 dhe 54 të Kushtetutës bien në kategorinë e pretendimeve të shkallës së katërt, sepse ngërthen çështje që ndërlidhen me interpretimin dhe aplikimin e ligjit, përkatësisht “ligjshmërisë” dhe jo “kushtetutshmërisë”. Në këtë kuptim, Gjykata duke aplikuar edhe praktikën gjyqësore të vet Gjykatës dhe atë të GJEDNJ-së vlerësoi se çështja e parashtrimit të parashtresave apo padive të tilla të cilat mundësohen vetëm brenda një afati të përcaktuar kohor përbëjnë një element thelbësor të parimit të sigurisë juridike, si një nga parimet bazë të sundimit te ligjit në një shoqëri demokratike. Në vijim të kësaj, Gjykata konsideroi se në dritën e fakteve të mësipërme parashtruesve të kërkesës i është mundësuar zhvillimi i procedurës bazuar në parimin e kontradiktoritetit; se ata kanë mundur që gjatë fazave të ndryshme të procedurës të paraqesin argumente dhe dëshmi që ata i konsideronin të rëndësishme për rastin e tyre; dhe se të gjitha argumentet, shikuar objektivisht, që ishin relevante për zgjidhjen e rastit të tyre janë dëgjuar e shqyrtuar në mënyrë të rregullt nga gjykatat; se arsyet faktike e ligjore ndaj vendimeve të goditura ishin shqyrtuar hollësisht; dhe se, në përputhje me rrethanat e rastit, procedurat, shikuar në tërësinë e tyre, ishin të drejta. Rrjedhimisht, Gjykata gjeti se parashtruesit e kërkesës, nuk mbështeten mjaftueshëm dhe as nuk argumentuan para Gjykatës, se si këto interpretime të dispozitave përkatëse ligjore, të bëra nga Gjykata Supreme dhe gjykatat e rregullta, kanë rezultuar në konkluzione arbitrare ose qartazi te paarsyeshme në rastin e tyre. Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se pretendimi për shkelje të neneve 31 dhe 54 të Kushtetutës është qartazi i pabazuar në bazë kushtetuese ashtu siç është përcaktuar me rregullin 39 (2) të Rregullores së Punës.

Në vijim, përkitazi me pretendimin e parashtruesve për shkelje të nenit 24 të Kushtetutës dhe nenit 2 të Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut, Gjykata konstatoi se këto pretendime ishin të pambështetura dhe të paarsyetuara, dhe rrjedhimisht konstatoi se të njëjtat ishin të papranueshme ashtu siç është përcaktuar me nenin 48 të Ligjit dhe rregullin 39 (1) (d) të Rregullores së Punës.

Parashtruesit:

Nexhmije Ferati, Gjevrije Sinanaj dhe Lulzim [Latifi] Bashota

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile