KI52/18, Parashtrues: Zoran Stanišić, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit Pa/1. nr. 1160/2017 të 18 dhjetorit 2017
KI52/18, Aktvendim për papranueshmëri i 16 janarit 2018, publikuar më 27.02.2019
Fjalët kyç: kërkesë individuale, padi subsidiare, ratione materiae, mosshterimi i mjeteve juridike
Parashtruesi i kërkesës kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës së Apelit PA1. nr. 1160/2017 të 18 dhjetorit 2017, me të cilin pretendohet se i janë shkelur të drejtat dhe liritë e parashtruesit të kërkesës të garantuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm], nenin 32 [E Drejta për Mjete Juridike] dhe nenin 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, si dhe nenin 6 [E drejta për një proces të rregullt] dhe nenin 13 (E drejta për zgjidhje efektive) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Parashtruesi i kërkesës theksoi se me një veprim të tillë të instrumentalizuar nga gjykata dhe organet e tjera shtetërore atij i është shkelur: a) e drejta për qasje në gjykatë, b) e drejta për një vendim gjyqësor të arsyetuar, c) parimi i barazisë së palëve në procedurë, d) e drejta për gjykim brenda një kohe të arsyeshme.
Parashtruesi gjithashtu kërkoi që në emër të dëmit shumëvjeçar material dhe jo-material, t’i paguhet shuma prej 84,500 euro.
Gjykata gjeti në rastin konkret që pretendimet kryesore ankimore të parashtruesit të kërkesës kanë të bëjnë me procedurën e tij penale që ai ka iniciuar kundër palës së tretë, përkatësisht S.P., ku parashtruesi i kërkesës e paraqiti veten në cilësinë e paditësit subsidiar.
Gjykata i referohet praktikës së Komisionit Evropian për të Drejtat e Njeriut, sipas së cilës Konventa nuk garanton të drejtën e inicimit të procedurës penale kundër palëve të treta, përveç kësaj, neni 6 i KEDNJ-së nuk i referohet veprimeve të cilat kanë për qëllim inicimin e procedurave penale kundër palëve të treta (Vendimi i Komisionit Istvánné RÉKÁSI kundër Hungarisë).
Gjykata i referohet edhe praktikës së saj gjyqësore në rastin KI97/14, Velibor Jokić, Aktvendim për papranueshmëri, ku konkludoi se „GJEDNJ nuk siguron të drejtën e ndjekjes ose dënimit të një pale të tretë për një vepër penale. As Kushtetuta nuk ofron një të drejtë të tillë.“ (shih, Aktvendimi për papranueshmëri në rastin KI97/14, Velibor Jokić i 8 dhjetorit 2015, paragrafi 38).
Gjykata konstatoi se ankesa e parashtruesit të kërkesës lidhur me procedurën penale kundër palës së tretë, në këtë rast S.P., nuk bie në kuadër të së drejtës për gjykim të drejtë nga neni 31 i Kushtetutës dhe neni 6 paragrafi 1 i KEDNJ-së, rrjedhimisht, kërkesa e parashtruesit nuk është ratione materiae në pajtim me Kushtetutën, në përputhje me rregullin (3) (b) të Rregullores së punës.
Sa i përket kërkesës pronësore, duke pasur parasysh që parashtruesi i kërkesës nuk ka specifikuar në kërkesë nëse, për të realizuar kërkesën e tij pronësore, ai ka ushtruar mjetet juridike që i kishte në dispozicion, Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i ka shteruar të gjitha mjetet juridike të parapara me ligj, në përputhje rregullin 39 (1) (b) të Rregullores së punës.
Zoran Stanišić
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Nuk janë shterur mjetet juridike
Civile