Prishtinë, më 30 maj 2024
Nr. ref.:RK 2435/24
VENDIM PËR REFUZIM TË KËRKESËS
në
rastin nr. KI273/23
Parashtrues
Mentor Neziri
si përfaqësues i pretenduar i K.SH.
Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit Pml. nr. 288/2023
të Gjykatës Supreme, të 12 shtatorit 2023
GJYKATA KUSHTETUESE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
e përbërë nga:
Gresa Caka-Nimani, kryetare
Bajram Ljatifi, zëvendëskryetar
Selvete Gërxhaliu-Krasniqi, gjyqtare
Safet Hoxha, gjyqtar
Radomir Laban, gjyqtar
Remzie Istrefi-Peci, gjyqtare
Nexhmi Rexhepi, gjyqtar
Enver Peci, gjyqtar dhe
Jeton Bytyqi, gjyqtar
Parashtruesi i kërkesës
Kërkesa është parashtruar nga Mentor Neziri, avokat në Komunën e Prishtinës, i cili pretendohet të jetë përfaqësues i K.SH. (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesi i pretenduar).
Vendimi i kontestuar
Përfaqësuesi i pretenduar e konteston kushtetutshmërinë e Aktgjykimit [Pml. nr. 288/2023] të 12 shtatorit 2023 të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës.
Objekti i çështjes
Objekt i çështjes është vlerësimi i kushtetutshmërisë së aktgjykimit të kontestuar, përmes të cilit përfaqësuesi i pretenduar pretendon se K. SH., i janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të mbrojtura me Kushtetutë.
Baza juridike
Kërkesa bazohet në paragrafët 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, në nenet 22 (Procedimi i kërkesës) dhe 47 (Kërkesa individuale) të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Ligji) dhe të rregullit 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve) të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Rregullorja e punës).
Procedura në Gjykatën Kushtetuese
Më 14 dhjetor 2023, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës (në tekstin e mëtejmë: Gjykata) pranoi kërkesën e përfaqësuesit të pretenduar të cilën e kishte dorëzuar në postë më 11 dhjetor 2023.
Më 28 dhjetor 2023, Kryetarja e Gjykatës, përmes Vendimit [Nr. GJR. KI273/23], caktoi gjyqtarin Safet Hoxha gjyqtar raportues dhe Kolegjin shqyrtues, të përbërë nga gjyqtarët: Selvete Gërxhaliu-Krasniqi (kryesuese), Radomir Laban dhe Nexhmi Rexhepi (anëtarë).
Më 27 dhjetor 2023, Gjykata e njoftoi parashtruesin e kërkesës dhe i kërkoi të dorëzojë në Gjykatë (i) formularin e plotësuar të kërkesës dhe (ii) autorizimin për përfaqësim para Gjykatës të nënshkruar nga K.SH.
Më 5 shkurt 2024, përfaqësuesi i pretenduar dorëzoi në Gjykatë formularin e kërkesës, por jo edhe autorizimin për përfaqësim.
Më 11 mars 2024, gjyqtari Jeton Bytyqi dha betimin para Presidentes së Republikës së Kosovës, me ç’ rast filloi mandati i tij në Gjykatë.
Më 29 prill 2024, Kolegji shqyrtues shqyrtoi raportin e gjyqtarit raportues dhe njëzëri i rekomandoi Gjykatës të refuzojë kërkesën me procedurë të shkurtër.
Përmbledhja e fakteve
Gjykata nuk i referohet fakteve të këtij rasti, pasi që kërkesa është parashtruar nga një përfaqësues i pretenduar, i cili nuk ka dëshmuar të ketë autorizim për përfaqësim për të parashtruar këtë kërkesë në Gjykatë në emër të K.SH.
Pretendimet e parashtruesit të kërkesës
Duke qenë se kërkesa është parashtruar nga një përfaqësues i pretenduar, i cili përkundër kërkesës së Gjykatës, nuk ka dorëzuar në Gjykatë autorizimin për përfaqësim të nënshkruar nga K.SH., Gjykata nuk do t’iu referohet pretendimeve që supozohet se i përkasin K.SH.
Vlerësimi i pranueshmërisë së kërkesës
Gjykata së pari vlerëson nëse kërkesa i ka përmbushur kriteret e pranueshmërisë, të përcaktuara me Kushtetutë dhe të specifikuara më tej me Ligj dhe me Rregullore të punës.
Në këtë drejtim, Gjykata i referohet paragrafit 1 dhe 7 të nenit 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës, i cili përcakton:
“1. Gjykata Kushtetuese vendos vetëm për rastet e ngritura para gjykatës në mënyrë ligjore nga pala e autorizuar.
[...]
7. Individët janë të autorizuar të ngrenë shkeljet nga autoritetet publike të të drejtave dhe lirive të tyre individuale, të garantuara me Kushtetutë, mirëpo vetëm pasi të kenë shteruar të gjitha mjetet juridike të përcaktuara me ligj”.
Gjykata, gjithashtu i referohet nenit 21 (Përfaqësimi) të Ligjit, i cili përcakton:
“Palët gjatë procesit para Gjykatës Kushtetuese përfaqësohen vet ose nga një përfaqësues i autorizuar nga pala”.
Përveç kësaj, Gjykata i referohet rregullit 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve) të Rregullores së punës, i cili përcakton:
“[...]
(2) Kërkesa, po ashtu, duhet të përmbajë edhe:
[...] (c) autorizimin për përfaqësim;
[...].
Në këtë drejtim, Gjykata rikujton që përfaqësuesi i pretenduar ka dorëzuar në Gjykatë kërkesën së bashku me autorizimin për përfaqësim para Gjykatës, të nënshkruar nga babai i K.SH., dhe jo nga ky i fundit personalisht. Gjykata, përmes shkresës së 27 dhjetorit 2023, i kërkoi përfaqësuesit të pretenduar që të dorëzojë në Gjykatë formularin e plotësuar dhe autorizimin për përfaqësim të nënshkruar nga K.SH. Përkundër kërkesës së Gjykatës, përfaqësuesi i pretenduar, më 5 shkurt 2024, dorëzoi në Gjykatë vetëm formularin e plotësuar të kërkesës dhe nuk dorëzoi autorizimin e nënshkruar nga K.SH., i cili do të vërtetonte se përfaqësuesi i pretenduar ishte autorizuar për të përfaqësuar atë para Gjykatës.
Mosdorëzimi i autorizimit të vlefshëm në Gjykatë i pamundëson Gjykatës shqyrtimin e një kërkese në pajtim me nenin 21 (Përfaqësimi) të Ligjit dhe rregullin 25 (Parashtrimi i kërkesave dhe i përgjigjeve) të Rregullores së punës.
Në dritë të këtyre fakteve, Gjykata gjithashtu i referohet edhe pikës (a) të paragrafit 2 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, i cili parasheh:
“[...]
(2) Gjykata mund të vendosë ta refuzojë një kërkesë me procedurë të shkurtër në qoftë se:
(a) kërkesa është jo e plotë ose e paqartë, përkundër kërkesës ose kërkesave nga Gjykata ndaj palës që ta plotësojë ose të qartësojë kërkesën;
[...]”.
Në lidhje me këtë, Gjykata konstaton se kërkesa është e paplotë dhe nuk është e qartësuar sepse përfaqësuesi i pretenduar nuk ka dorëzuar në Gjykatë autorizimin e vlefshëm për përfaqësimin e palës që pretendon se e përfaqëson para Gjykatës (shih, rastet e Gjykatës KI205/19, parashtrues Sahit Musa si përfaqësues i pretenduar i J.H., Vendim për refuzim të kërkesës i 12 marsit 2020, paragrafi 19; KI23/18, parashtrues Ismet Kërçagu, si përfaqësues i pretenduar i A. K., M. K., B. K., F. K. dhe A. K., Vendim për refuzim të kërkesës, i 11 dhjetorit 2018, paragrafët 24-26; dhe KI16/18, parashtrues Sahit Musa, si përfaqësues i pretenduar i K. N., Vendim për refuzim të kërkesës, i 22 nëntorit 2018, paragrafët 23-24).
Si përfundim, Gjykata, bazuar në pikën (a) të paragrafit 2 të rregullit 54 (Hedhja poshtë dhe refuzimi i kërkesës) të Rregullores së punës, konstaton se kërkesa refuzohet me procedurë të shkurtër.
PËR KËTO ARSYE
Gjykata Kushtetuese, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 21 të Ligjit dhe rregullin 54 (2) (a) të Rregullores së punës, më 29 prill 2024, njëzëri
VENDOS
TË REFUZOJË kërkesën;
T’UA KUMTOJË këtë vendim palëve;
TË PUBLIKOJË këtë vendim në Gazetën Zyrtare, në pajtim me nenin 20.4 të Ligjit;
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Gjyqtari raportues Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese
Safet Hoxha Gresa Caka-Nimani
Mentor Neziri
KI - Kërkesë individuale
Vendim
Vendim për refuzim të kërkesës
Penale