KI222/19, Parashtrues:Nexhdet Hoti, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimit [Ac.nr.2720/16] të Gjykatës së Apelit të Kosovës, të 8 tetorit 2019
KI222/19, Aktvendim për papranueshmëri, i 12 marsit 2020, publikuar më 16 prill 2020
Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, kërkesë qartazi e pabazuar
Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës Kushtetuese, kontestoi Aktgjykimin [Ac.nr.2720/16] të Gjykatës së Apelit, të 8 tetorit 2019, me të cilin u refuzua si e pabazuar ankesa e parashtruesit të kërkesës e paraqitur kundër Aktgjykimit [C.nr.447/13] të Gjykatës Themelore në Gjakovë, të 31 majit 2016.
Përmes Aktgjykimit [C.nr.447/13] të Gjykatës Themelore në Gjakovë, ishte miratuar kërkesëpadia e Korporatës Energjetike të Kosovës kundër parashtruesit të kërkesës, ku ishte theksuar se parashtruesi i kërkesës për një kohë të gjatë e gjer më 30 dhjetor 2008, me qëllim që vetit t’i sjellë pasuri të kundërligjshme, kishte shfrytëzuar në mënyrë të paautorizuar energjinë elektrike dhe e kishte detyruar parashtruesin e kërkesës që në emër të kompensimit të dëmit t’ia paguaj shumën prej 2.791,93, Korporatës Energjetike të Kosovës, me kamatë përkatëse ligjore.
Ndër të tjera në Aktgjykimin [C.nr.447/13] e Gjykatës Themelore në Gjakovë lidhur me pretendimin e parashtruesit se kërkesa ishte parashkruar Gjykata Themelore arsyetoi se parashkrimi i kërkesës lëndore është i lidhur me veprën penale, të cilën e ka shkaktuar vet parashtruesi i kërkesës, dhe afati për ushtrimin e padisë së tillë, nuk ka skaduar.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se vendimi i kontestuar ishte nxjerrë në shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të tij të përcaktuara me nenin 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës së Republikës Kosovës.
Parashtruesi i kërkesës pretendoi se gjykatat e rregullta në rastin e tij, nuk e kanë aplikuar Ligjin për Faljen e Borxheve Publike nr. 05/ L-043, respektivisht nenin 4 të tij. Parashtruesi i kërkesës më tutje pretendoi se në këtë dispozitë në mënyrë të qartë precizohet koha e cila përfshin faljen e borxheve dhe ndëshkimeve dhe e cila përfshin periudhën deri më 31 dhjetor 2008, ndërsa parashtruesi i kërkesës detyrohet të paguajë për dëmin e shkaktuar nga një datë e paevidentuar e deri më 30 dhjetor 2008.
Gjykata konstatoi se parashtruesi i kërkesës nuk i kishte mbështetur pretendimet se procedurat përkatëse në ndonjë mënyrë ishin të padrejta apo arbitrare dhe që me vendimin e kontestuar janë shkelur të drejtat dhe liritë e garantuara me Kushtetutë
Gjykata në bazë të rregullit të 39 (2) të Rregullores së punës kishte shpallur kërkesën e parashtruesit të papranueshme, si qartazi të pabazuar në baza Kushtetuese.
Nexhdet Hoti
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri
Kërkesa është qartazi e pabazuar
Penale