KI179/18, Parashtruese e kërkesës: Belgjyzar Latifi, Vlerësim i kushtetutshmërisë së Aktgjykimi, Rev. nr. 189/2018, të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të 13 qershorit 2018
KI179/18, Aktvendim për papranueshmëri, i miratuar më 24 qershor 2020, publikuar me 28 korrik 2020
Fjalët kyçe: kërkesë individuale, kërkesë qartazi e pabazuar, kërkesë e papranueshme.
Rrethanat e rastit konkret ndërlidhen me një banesë e cila gjatë viteve të 80-ta, nga ndërmarrja shoqërore NSH Gërmia, i ishte ndarë palës së interesuar S.RR. Më pas, në të njëjtën banesë, ishte vendosur një person tjetër, respektivisht K.O. Kjo e fundit, sipas vendimeve të gjykatave të rregullta ishte vendosur në atë banesë pa bazë ligjore dhe rrjedhimisht, ishte detyruar t’ia lironte të njëjtën. Këto vendime megjithatë nuk ishin ekzekutuar asnjëherë. Pas vitit 1991, K.O. kishte arritur të blejë banesën nga ndërmarrja shoqërore NSH Gërmia. Në vitet 1999 dhe 2000, respektivisht, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë kishte nxjerrë Rregulloren nr. 1999/23 të 15 nëntorit 1999 mbi Themelimin e Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore dhe Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore dhe Rregulloren 2000/60 të 31 tetorit 2000 mbi Kërkesat Pronësore dhe Banesore dhe Rregullat e Procedurës dhe të Provave të Drejtorisë për Çështje Pronësore dhe Banesore si dhe të Komisionit për Kërkesa Pronësore dhe Banesore, duke përcaktuar, ndër tjerash, (i) kompetencën e Komisionit të lartcekur që të trajtojë kërkesat e personave fizikë, pronësia, posedimi ose e drejta e banimit në pronën e patundshme banesore të të cilëve u është revokuar pas datës 23 mars 1989 në bazë të legjislacionit i cili është diskriminues si në zbatim ashtu edhe në qëllimet e tij; dhe (ii) që Vendimet përfundimtare të Komisionit janë të detyrueshme për tu zbatuar dhe nuk janë subjekt i rishqyrtimit nga asnjë organ tjetër gjyqësor apo administrativ në Kosovë.
Në vitin 2000, S.RR. iu kishte drejtuar Komisionit të lartcekur, duke kërkuar që banesa në fjalë t’i kthehej atij. Përderisa kontesti lidhur me banesën përkatëse ishte në shqyrtim e sipër para Komisionit, parashtruesja e kërkesës, në vitin 2001, e kishte blerë banesën kontestuese nga K.O., dhe ishte vendosur në të. Në vitin 2006, Komision kishte vendosur që të drejtat rreth banesës së kontestuar i takonin personit S.RR. dhe jo K.O., duke kërkuar gjithashtu nga parashtruesja e kërkesës që të lirojë banesën kontestuese. Parashtruesja e kërkesës iu drejtua gjykatave të rregullta, duke pretenduar se e drejta e banesës i takonte asaj dhe se të njëjtën e kishte fituar përmes punës juridike, përkatësisht kontratës shit-blerjes me K.O.-në. Gjykata Themelore, refuzoi pretendimet e parashtrueses së kërkesës duke vënë theks, ndër tjerash, në tri çështje themelore (i) kompetencën e Komisionit për të vendosur lidhur me kërkesat e personave që kanë humbur të drejtën në pronë-banesë pas 23 marsit 1989 dhe deri më 24 mars 1999 si pasojë e diskriminimit dhe përjashtimin e juridiksionit të gjykatave të rregullta në këtë kontekst; (ii) të drejtën në banesën kontestuese të personit S.RR.; dhe (iii) të drejtën e pretenduar të pronësisë së parashtrueses së kërkesës duke sqaruar se e njëjta, kishte të drejtë të kërkonte zgjidhjen e kontratës së shitblerjes më K.O.-në. Gjykata e Apelit dhe ajo Supreme, kishte konfirmuar konstatimet e Gjykatës Themelore.
Parashtruesja e kërkesës konteston këto konstatime të gjykatave të rregullta para Gjykatës, duke pretenduar shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe nenit 46 [Mbrojtja e Pronës] të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 (Mbrojtje të pronës) të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Gjykata shqyrtoi të gjitha pretendimet e parashtrueses së kërkesës, duke aplikuar përgjatë këtij shqyrtimi praktikën gjyqësore të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe (i) përkitazi me pretendimet që ndërlidhen me nenin 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi se të njëjtat ngërthejnë çështje të vërtetimit të fakteve dhe ligjit, dhe si të tilla përbëjnë pretendime të “shkallës së katërt”, dhe rrjedhimisht janë të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese; ndërsa (ii) përkitazi me pretendimet që ndërlidhen me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, theksoi se të njëjtat bien në kategorinë e pretendimeve “të pambështetura apo paarsyetuara”, dhe rrjedhimisht janë gjithashtu të papranueshme si qartazi të pabazuara në baza kushtetuese. Gjykata theksoi se procedurat gjyqësore që kanë rezultuar në aktet e kontestuara në rrethanat e rastit konkret, në tërësinë e tyre, ishin të drejta dhe jo arbitrare.
Rrjedhimisht, Gjykata konstatoi se kërkesa është qartazi e pabazuar në baza kushtetuese dhe deklarohet e papranueshme, në pajtim me nenin 113.7 të Kushtetutës, nenin 47 të Ligjit dhe rregullin 39 (2) të Rregullores së punës.
Belgjyzar Latifi
KI - Kërkesë individuale
Aktvendim për papranueshmëri