Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetutshmërisë së 6 aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të nxjerra ndërmjet 7 shkurtit dhe 4 prillit 2019

Nr. të lëndës KI86/19, KI87/19, KI88/19, KI89/19, KI90/19 dhe KI91/19

Parashtruesit: Ibrahim Zenuni dhe 5 të tjerë

Shkarko:

 KI86/19, KI87/19, KI88/19, KI89/19, KI90/19 dhe KI 91/19, Parashtrues: Ibrahim Zenuni dhe 5 të tjerë, Vlerësim i kushtetutshmërisë së 6 aktvendimeve të Gjykatës Supreme të Republikës së Kosovës, të nxjerra ndërmjet 7 shkurtit dhe 4 prillit 2019

Ibrahim Zenuni  (KI86/19), Ibrahim Beka (KI87/19), Rushit Vojvoda (KI88/19), Fazli Aliu (KI89/19), Sabedin Deliu (KI90/19) dhe Mehdi Ferizi (KI91/19), Aktvendim për papranueshmëri, miratuar më 16 janar 2020, publikuar më 20 shkurt 2020

Fjalët kyçe: Kërkesë individuale, “Ngritja e Zërit”, dëmet e luftës, kërkesë qartazi e pabazuar

Parashtruesit e kërkesës kishin parashtruar padi në Gjykatën Themelore në Mitrovicë-Dega në Skenderaj, kundër Qeverisë së Serbisë, për kompensimin e dëmit material dhe jomaterial që iu shkaktua atyre gjatë luftës.

Gjykatat e rregullta u shpallën jokompetente për të vendosur në këtë çështje dhe në fund, Gjykata Supreme duke iu referuar dispozitave përkatëse të Ligjit për Procedurën Kontestimore, kishte arsyetuar se për këto raste vlejnë normat e së drejtës ndërkombëtare, për të cilat konteste gjykatat e vendit nuk janë kompetente për të vendosur, por kompetente në këtë çështje juridike është gjykata në territorin e së cilës ndodhet selia e Kuvendit të Serbisë.

Parashtruesit e kërkesës pranë Gjykatës Kushtetuese pretenduan se u janë shkelur të drejtat e tyre të parapara me Kushtetutë, përkatësisht nenet 21, 22, 53 dhe 54. Parashtruesit e kërkesës kishin tri kategori të pretendimeve kryesore: (i) zbatimin e parimit “per loci” [ratione loci]; (ii) detyrimin për zbatimin e standardeve ndërkombëtare për të drejtat e njeriut si dhe (iii) të drejtën e tyre për mbrojtje gjyqësore të të drejtave dhe të drejtën për qasje në drejtësi.

Gjykata Kushtetuese, pas shqyrtimit të pretendimeve të parashtruesve të kërkesës, arsyetoi se përfundimet e gjykatave të rregullta janë arritur pas një shqyrtimi të hollësishëm të të gjitha argumenteve dhe interpretimeve të parashtruara nga parashtruesit e kërkesës dhe atyre iu është dhënë mundësia që në të gjitha fazat e procedurës të paraqesin argumentet dhe interpretimet ligjore të cilat i konsiderojnë të rëndësishme për rastet e tyre. Gjykata Kushtetuese, gjithashtu rikujtoi dhe praktikën gjyqësore të GJEDNJ-së në disa raste ku janë potencuar barrierat procedurale që imponon parimi i imunitetit sovran të shteteve në raport me procedurat gjyqësore që mund të zhvillohen kundër një shteti në gjykatat e brendshme të një shteti tjetër. Gjykata, po ashtu, e konsideroi të rëndësishme të theksojë faktin se gjykatat e rregullta të Kosovës nuk kanë gjykuar mbi të drejtën e parashtruesve të kërkesës për të kërkuar kompensimin e dëmit, por vetëm lidhur me kompetencën territoriale të gjykatave të Kosovës për të zhvilluar procedurë kundër një shteti tjetër.

Si rrjedhojë, Gjykata Kushtetuese konstatoi se kërkesat janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese dhe duhet të deklarohen të papranueshme në pajtim me rregullin 39 (2) të Rregullores së punës,

 

Parashtruesit:

Ibrahim Zenuni dhe 5 të tjerë

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Civile