Aktvendim për papranueshmëri

Vlerësim i kushtetut-shmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës REV-nr. 286/2020, të 8 shtatorit 2020

Nr. të lëndës KI 02/21

Parashtruesit: Sabri Sadiku

Shkarko:

KI02/21, Parashtruesi i kërkesës: Sabri Sadiku, Vlerësim i kushtetut-shmërisë së Aktgjykimit të Gjykatës Supreme të Kosovës REV-nr. 286/2020, të 8 shtatorit 2020

KI02/21, Aktvendim i 16 shkurt 2022, publikuar më 16 mars 2022

Fjalët kyç: kërkesë individuale, e drejta për gjykim të drejtë, e drejta e pronës, qartazi e pabazuar. 

Nga shkresat e lëndës rezulton se ndaj pronës së paluajtshme në pronësi të paraardhësit juridik të parashtruesit të kërkesës, Kuvendi Komunal i Prishtinës në vitin 1974 kishte shpallur interes publik për shpronësimin e së njëjtës për nevoja të Kuvendit Komunal të Prishtinës.  Në vitin 1988, Kuvendi Komunal i Prishtinës, pas zbatimit të procedurës, i dorëzoi paraardhësit juridik të parashtruesit të kërkesës ofertë monetare në kuptim të kompensimit për pronën e eksproprijuar, pas së cilës prona kaloi në pronësi të Kuvendit Komunal të Prishtinës.  Në vitin 2004, paraardhësit juridikë të parashtruesit të kërkesës paraqitën kundër Komunës së Prishtinës padi pranë Gjykatës Komunale në Prishtinë, për kthimin e pronës dhe kompensimin monetar.  Kjo kërkesëpadi ka kaluar nëpër të gjitha fazat e procedurës së rregullt dhe të jashtëzakonshme dhe, të gjitha gjykatat kanë konstatuar në mënyrë të njëtrajtshme se kërkesëpadia, në kuptim të dispozitës së nenit 379 paragrafi 1 të Ligjit për Marrëdhëniet e Detyrimeve, është e pabazuar për shkak të parashkrimit të kërkesës, sepse nga viti 1988, kur ishte dhënë oferta për kompensim, kanë kaluar më shumë se 10 vjet, ndërsa paraardhësi juridik i parashtruesit të kërkesës, në ndërkohë, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim gjë që ka qenë obligim ligjor me qëllim të realizimit të kërkesave.

Parashtruesi i kërkesës para Gjykatës ka pretenduar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, si dhe shkelje të së drejtës së pronës të garantuar me Kushtetutë dhe me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, kryesisht duke u fokusuar në shkeljen e së drejtës për gjykim të drejtë, në shkeljen e parimit të sigurisë juridike dhe në shkeljen e së drejtës së pronës, pasi që sipas pretendimeve të tij, gjykatat gabimisht kishin zbatuar ligjin, gabimisht kishin vërtetuar gjendjen faktike dhe kishin vepruar ndryshe në situata të njëjta.

Në vlerësimin e pretendimeve të parashtruesit të kërkesës, Gjykata së pari elaboroi parimet e përgjithshme të praktikës së saj gjyqësore dhe parimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, në kuptim të parimit të subsidiaritetit dhe të doktrinës së shkallës së katërt, dhe në mënyrë konsistente ka theksuar dallimin ndërmjet “kushtetutshmërisë” dhe “ligjshmërisë” dhe potencoi se nuk është detyrë e saj të merret me gabimet në fakte ose me interpretimin e gabuar dhe zbatimin e gabuar të ligjeve, që pretendohet të jenë bërë nga gjykata e rregullt, përveç dhe për aq sa gabimet e tilla kanë mundur të shkelin të drejtat dhe liritë e mbrojtura me Kushtetutë dhe/ose KEDNJ. Gjykata gjithashtu elaboroi parimet e përgjithshme të sigurisë juridike si rezultat i vendimeve kontradiktore, duke analizuar vendimin në rastin e parashtruesit të kërkesës dhe vendimin në të cilën është thirrur parashtruesi i kërkesës, me ç’rast vërejti se, në rastin e parashtruesit të kërkesës bëhet fjalë për pronën e cila është në pronësi të Komunës së Prishtinës, ndërsa në rastin tjetër bëhet fjalë për pronësi private, se paraardhësit juridik të parashtruesit të kërkesës i ishte ofruar kompensimi për pronën e eksproprijuar, kurse në rastin tjetër, oferta kurrë nuk ishte bërë dhe së këndejmi pronësia kurrë nuk i ishte kaluar Komunës. Sa i përket pretendimeve lidhur me shkeljen e së drejtës së pronës, parashtruesi në kërkesën e tij nuk dha arsyetim më të detajuar se si ka ardhur deri te një shkelje e tillë, por këto pretendime i ndërlidhi me pretendimet në lidhje me të drejtën për gjykim të drejtë dhe për siguri juridike, përkatësisht me të drejtat e garantuara me nenin 6 të KEDNJ-së, të cilat Gjykata i trajtoi në pjesën përkatëse të vendimit.

Prandaj, Gjykata konkludoi se pretendimet e parashtruesit të kërkesës për shkelje të të drejtave të garantuara (i) me nenin 6 të KEDNJ-së, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të shkallës së katërt“ si dhe pretendime që karakterizohen me “mungesë të dukshme apo evidente të shkeljeve”; dhe (ii) me nenin 46 të Kushtetutës në lidhje me nenin 1 të Protokollit nr. 1 të KEDNJ-së, janë pretendime që kualifikohen si pretendime “të pambështetura apo të paarsyetuara“.  Rrjedhimisht, kërkesa në tërësi duhet të shpallet e papranueshme si qartazi e pabazuar në baza kushtetuese, siç është përcaktuar në paragrafin (2) të rregullit 39 të Rregullores së punës.

Parashtruesit:

Sabri Sadiku

Lloji i kërkesës:

KI - Kërkesë individuale

Lloji i aktit:

Aktvendim për papranueshmëri

Neni 46 - Mbrojtja e Pronës

Kërkesa është qartazi e pabazuar

Lloji i procedurës së ndjekur para institucioneve tjera :

Administrative