Sabri Hamiti dhe Deputetë të tjerë kundër Vendimit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Nr. 04-V-04, në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës (Mendim mospajtues i gjyqtarëve Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues)
Nr. të lëndës KO 29/11
Parashtruesit: Sabri Hamiti and other Deputies
Gjyqtarët Robert Carolan dhe Almiro Rodrigues nuk u pajtuan me Aktgjykimin e Gjykatës për rastin e zgjedhjes së Presidentit, duke adresuar tri çështje kryesore: (1) kuorumin, (2) numrin e kandidatëve dhe (3) pasojat e aktgjykimit.
Së pari, mendimi mospajtues konsideronte se ka një dallim në mes të “kuorumit” dhe “votimit,” dhe aspektit se si mund të ndryshojnë rregullat që aplikohen për secilën prej tyre. Duke cituar nenin 69.3 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Punës së Kuvendit, mendimi mospajtues konsideronte se legjislatura e kishte plotësuar kërkesën për kuorum pasi që ishin të pranishëm më shumë 50% e deputetëve të Kuvendit. Mendimi mospajtues theksonte se pasi të konstatohet kuorumi ai mbetet i pandryshuar gjatë gjithë seancës, duke cituar Rregulloren e Rendit të Robertit, pavarësisht numrit të votave që nevojiten për të marrë vendim, duke cituar si shembuj nenet 20, 68, 69, 76, 90, 91 dhe 131 të Kushtetutës. Mendimi mospajtues theksonte se sipas Kushtetutës dhe Rregullores së Punës së Kuvendit një kandidat i suksesshëm për President duhet të marrë dy të tretat e votave (80 vota) në votimin e parë apo të dytë, ose më shumë se gjysmën e votave (61 deputetë) në votimin e tretë. Këtu, mendimi mospajtues argumentoi se i vetmi kandidat në votimin e tretë kishte marrë 62 vota, që është më shumë se numri minimal i votave të nevojshme për tu zgjedhur. Mendim mospajtues theksoi se hartuesit e Kushtetutës e kishin kuptuar qartë dallimin në mes të kuorumit dhe votimit sepse lejonte numër të ndryshëm të votave në votimin e tretë për President, por nuk e ndryshonte kushtin për kuorum. Mendimi mospajtues tërhoqi vërejtjen se interpretimi i Kushtetutës që kërkon kuorum prej dy të tretave do t’i mundësojë një pakice të vogël të deputetëve të Kuvendit (d.m.th, 41 deputetëve) që t’ia pamundësojë shumicës e deputetëve të kryejnë punët e Kuvendit, çka nuk do të ishte në përputhje me qëllimet e hartuesve të Kushtetutës dhe do ta bënte nenin 86.4 të pakuptimtë, Së dyti, mendimi mospajtues theksonte se konkluzioni i Aktgjykimit se nuk mund të zgjidhet një kandidat pa asnjë konkurrent bazohej në leximin e gabuar të nenit 86.5 të Kushtetutës, duke shtuar se hartuesit do të ndalonin në mënyrë specifike zgjedhjen me vetëm një kandidat nëse ky do të kishte qenë qëllimi i tyre. Mendimi mospajtues theksoi se neni 86.5 i referohet “asnjërit” kandidat, kuptimi i të cilës është “një ose më shumë,” duke pohuar se votimi me dy të tretat është më i përshtatshëm për garën në mes të dy apo më shumë kandidatëve, ndërsa shumica e votave në votimin e tretë është më e përshtatshme për miratimin e një kandidati të vetëm, ndonëse është e përshtatshme edhe për garën me dy kandidatë. Sipas mendimit mospajtues, kushti se duhet të jenë dy apo më shumë kandidatë për President mund të pengojë zgjedhjen e një kandidati që mbështetet nga shumica e deputetëve, duke krijuar një procesit zgjedhor të rremë dhe duke dëmtuar stabilitetin politik, Mendimi mospajtues argumentoi se Gjykata nuk kishte kompetencë që të urdhëronte Kuvendin të nominojë më shumë së një kandidat, Së treti, mendimi mospajtues theksoi se Gjykata nuk mund të ndryshonte rezultatet e zgjedhjeve, duke theksuar se neni 86.6 kërkon shpërndarjen e Kuvendit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja duke marrë parasysh konstatimin e shumicës se zgjedhjet e kontestuara kishin shkelur Kushtetutën. Në fund, mendimi mospajtues argumentoi se Gjykata nuk kishte kompetencë që të urdhërojë Kuvendin të nominojë së paku dy kandidatë për President apo të mbajë një votim të katërt, Për arsyet më lartë, mendimi mospajtues pretendon se Aktgjykimi ishte i gabuar
Sabri Hamiti and other Deputies
KO - Kërkesë nga organet shtetërore
Urdhëra tjerë
Shkelje e të drejtave kushtetuese
Neni 86 – Zgjedhja e Presidentit
Mendim mospajtues
Tjetër